![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/479252255_1049116953923493_2161458085704727862_n-1024x525.jpg)
Miradije Berisha/
Në qytetin e bukur të Salzburgut, larg atdheut, por me zemrat gjithmonë të lidhura me të, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” mbajti me dashuri dhe përkushtim programin festiv për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ishte një pasdite e mbushur me emocion, krenari dhe ndjenja të thella atdhedashurie.
Fëmijët, të përgatitur me shumë përkushtim, sollën një atmosferë magjike me talentin dhe energjinë e tyre. Me veshjet tradicionale dhe buzëqeshjet plot gëzim, ata shpalosën një program të pasur me valle, këngë, recitime dhe pjesë skenike që prekën zemrat e të pranishmëve. Çdo fjalë e shqiptuar, çdo hap i hedhur në valle dhe çdo melodi e kënduar ishte një dëshmi e fortë e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe historinë tonë të lavdishme.
Në sytë e të rriturve vezullonte mall e krenari, teksa shihnin brezin e ri duke mbajtur gjallë traditat dhe frymën e atdhedashurisë, pavarësisht largësisë nga vendlindja. Ishte pasdite që jo vetëm festoi pavarësinë e Kosovës, por edhe forcoi lidhjen shpirtërore mes shqiptarëve në diasporë, duke treguar se atdheu jeton në zemrat tona kudo që të jemi.
Në përfundim, duartrokitjet e fuqishme dhe emocionet e ndjera ishin dëshmia më e bukur se dashuria për Atdheun nuk njeh kufij, dhe se brez pas brezi, ajo do të vazhdojë të rrezatojë në zemrat tona.