
Mezi e pe ditën,
mezi e ndave nga nata e gjatë,
mezi erdhi fitorja.
humbjet, dhimbjet s’ishin pak.
17 Shkurt, Kosovë
I ngjan stinës së pranverës,
gëzimin sjell
me kthimin e dallëndysheve,
me kthimin e yjeve në qiell.
Si një trup i vetëm ke dalë,
nuk te nxënë sheshet.
Nëpër botë
me kohë u shitën biletat
për të ardhur te ty.
Rrugët i gjetën dasmorët.
Eshtë e diel,
fytyra jote shkëlqen.
Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.
Me zë të plotë, me zë të fortë shpërthen
me korin e ëngjëjve,
me fuqinë e dallgëve të oqeanit.
Rruga e gjatë e mundimeve
mbeti në hartë, për t’u treguar brezave.
Fitorja është ulur
pranë sofrës së madhe
buzëqesh me fytyrën e heronjve
Shpirtrat gëzojnë,
toka dhe qielli ka festë.
Martirët shtrijnë eshtrat
të qetë janë tani.
Asgjë nuk vajti dëm
as gjaku i derdhur.
Ata që e dinë se cfar’ ndodhi dje
ndoshta nuk dinë shumë,
shumë pak dinë.
Por ky qiell I di të gjitha
ndaj sot nuk mbahet
derdh dritë, ngrohtësi
të rritet bari me shpejtësi
të gëzojë fitoren
Kosova e pavarur,
shteti më I ri në botë.
Botë a e degjon?
Bota te njeh KOSOVE!
Julia Gjika