

Sokol Veshtaj – Martiri i Lirisë
Nga Ramazan Çeka/
Në Malësinë e Madhe, aty ku malet lidhen me qiellin, më 10 prill 1965 lindi Sokol Veshtaj. Një djalë i qetë, i zgjuar e i dashur nga të gjithë, që rritej me ëndrrën e një jete të lirë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu me rezultate të shkëlqyera në Bajzë, por rruga e tij drejt dijes u ndërpre. Regjimi komunist ia mohoi të drejtën e studimeve të larta, vetëm pse vinte nga një familje e persekutuar politikisht. Në vitin 1985 u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Vlorë, në repartin e xhenios, ku jetoi nën vëzhgimin e përhershëm të Sigurimit të Shtetit, gjithmonë i dyshuar e i ndjekur.
Në shtator 1986, martesa e motrës e ktheu për pak ditë në vendlindje, por gëzimi i dasmës nuk ia largoi hijen e rëndë të diktaturës. Ai vendosi të arratisej. Bashkë me shokun e tij, Gjelosh Gegën, u nisën drejt Jugosllavisë, drejt ëndrrës së lirisë. Kaluan shtatë ditë e shtatë net nëpër malet e Kelmendit, mes urisë, lodhjes dhe ndjekjes nga forcat kufitare e çetat vullnetare.
Natën që po gdhinte 2 tetori 1986, dy krisma pistolete përçanë qetësinë e Vermoshit. Sokoli ra në pritë pranë kufirit, u plagos rëndë dhe, i paarmatosur, u ekzekutua nga afër. Nga një distancë prej 1.5 metrash, një oficer kufiri e qëlloi dy herë në ballë. Në xhepin e tij u gjet vetëm një adresë dhe fotografia e vëllait Nikollës në Amerikë, i arratisur që në vitin 1966. Aty mbyllej ëndrra e udhëtimit drejt lirisë.
Trupi i pajetë i Sokolit u lidh bashkë me shokun e gjallë dhe u transportua në karrocerinë e një xhipi. I shëtitën nëpër fshatrat e Malësisë, nga Vermoshi deri në Shkodër, duke detyruar banorët t’i shanin e t’i pështynin. Ishte një akt makabër, një mesazh i qartë: kush kërkon lirinë, paguan me jetë.
Kufoma nuk iu dorëzua familjes. Eshtrat e tij u hodhën fshehurazi, të lidhur me tela, në Kuç, pranë nënstacionit të Radio Shkodrës, nën ruajtjen e ushtrisë. Vendi iu tregua më vonë kushëririt të tij, Gjovalin Veshtaj, nga inxhinieri Nikolin Ndoci. Ndërkohë, familja Veshtaj vuajti pesë vite internim në Dush të Komanit, pesë vite dhimbje, pa e ditur ku prehej biri i tyre.
Pas rënies së diktaturës, në vitin 1991, trupi i Sokolit u rivarros me nderime. Mijëra banorë të Malësisë e më gjerë morën pjesë në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe Pjetër Arbnori, Kryetar i Parlamentit të kohës. Ishte një ditë lotësh, dhimbjeje dhe krenarie.
Në vitin 1996, Presidenca e Republikës e shpalli Dëshmor të Atdheut. Më herët, ai ishte shpallur Martir i Demokracisë. Emri i tij u kthye në testament të çmimit të lirisë.
Në shtator 2025, Këshilli i Bashkisë Malësi e Madhe shpalli pas vdekjes Sokolin “Qytetar Nderi”. Në ceremoninë zyrtare, me praninë e familjarëve, miqve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj, dorëzoi titullin me motivacion: “Për vlerat e larta të lirisë dhe të drejtave demokratike, me qëllimin e shenjtë të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, duke përmbushur më së miri idealet shumëshekullore euroatlantike, ku tashmë vendi ynë ecën në rrugën pa kthim në aleancë me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; aspirata këto që u bënë realitet vetëm falë guximit dhe sakrificës deri në flijim të jetës së Sokol Veshtajt me shokët e tij kundër diktaturës bolshevike, për të mbetur në piedestalin e krenarisë, jo vetëm në trevën e Malësisë së Madhe, por në mbarë kombin shqiptar.”
Në emër të familjes, falënderuan Nikoll Veshtaj dhe Gjovalin Veshtaj. Kujtimet e dhimbshme, fjalimet dhe kënga kushtuar Sokolit sollën lot, dhimbje dhe krenari.
E gjithë kjo veprimtari u realizua falë përkushtimit të thellë të artistit të mirënjohur, zemërbardhë dhe patriot i madh, malësorit krenar z. Engjell Çuli, me banim në Londër. Figura e Sokol Veshtajt u përjetësua përmes një kënge me tekst të Ramazan Çekës, kompozuar nga shpirti malësor dhe duart e arta të vetë Engjellit. Kënga u orkestrua mjeshtërisht nga Luan Dagistani dhe u këndua me melosin e fuqishëm malësor nga lahutari Pretash Nilaj, “Mjeshtër i Madh”, ku melosi i Malësisë kumboi si një thirrje brezash, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe krenarinë e vendlindjes.
Historia e Sokolit nuk është vetëm historia e një djali 21-vjeçar që ëndërronte lirinë. Është historia e sakrificës së një familjeje, e dhimbjes së një krahine dhe e plagës së një kombi. Ai u vra në kufi, por historia e tij e kaloi kufirin e kohës. Historia e Sokolit nuk është vetëm historia e një djali 21-vjeçar që ëndërronte lirinë. Është historia e sakrificës së një familjeje, e dhimbjes së një krahine dhe e plagës së një kombi.
Ai u vra në kufi, por historia e tij e kaloi kufirin e kohës. Emri i tij është sot një flamur krenarie për Malësinë dhe për gjithë Shqipërinë, dëshmi e gjallë e mizorisë së diktaturës dhe udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Sokol Veshtaj (1965-1986), Martir i Demokracisë, Dëshmor i Atdheut, Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Sokoli i Malësisë! Djalë 21-vjeçar, por me zemër sa një komb i tërë.