Shkruar nga AVNI ALCANI/
Kur ende nuk ekzistonin mjetet e informimit, siç janë sot gazetat, revistat, radio-televizioni, interneti etj., ngjarjet dhe historitë që përbënin lajm përcilleshin nëpërmjet tregimeve apo këngëve popullore. Ato risillnin kujtime të lavdishme të kohërave të kaluara, të cilat ishin ngjarje të jashtëzakonshme, që kishin shkaktuar sakrifica të mëdha. Në kushtet kur ende nuk ekzistonin shkollat apo universitetet këngët historike patën shërbyer si vatra edukimi për shumë breza. “Për shumë shekuj me radhë, – shkruan shkrimtari Ismail Kadare, – poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare… Ajo zëvendësonte shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akademinë” (I. Kadare: Autobiografia e popullit në vargje, Onufri 2002, faqe 12).
Në mesin e shek. të 19-të në krahinën e Çermenikë kishin shpërthyer kryengritje të armatosura antiosmane kundër Tanzimatit. Kryengritjet i udhëhoqën prijësat popullorë, si Sulë Xhaboli, Ymer Tusha, Hasan Alia, Selman Lleshi, Maksut Kenga, vëllezërit Ymer dhe Limon Alcani, Hysen Toda etj. Ato patën shqetësuar seriozisht administradën osmane të Kazasë së Elbasanit. Në një dokument osman të kohës shkruhet: “Përveç qytetit të Elbasanit, kryengritja u shtri në krahinat e Shpatit, Çermenikës e të Krastës” (Dokumenta osmane, 1978: Kryengritjet popullore në vitet ’30 të shek. XIX , f. 336-337).
Në krahinën e Çermenikës janë mbledhur ndër vite një numër i madh këngësh kushtuar kësaj ngjarjeje, nga të cilat kemi veçuar gjashtë prej tyre. Gati në të gjitha këngët evidentohen udhëheqës popullorë, që, me shëmbullin e tyre të trimërisë, kishin fituar “medaljen” më të lartë nga populli, të emërtuar: “Yll i dritës” (Selman Lleshi – Yll’i dritës, zbardhi faqen Çermenikës). Bëmat dhe trimëritë e tyre janë ruajtuar gati me detaje në këngët popullore, të cilat kanë pasqyruar me realizëm ngjarjet historike. “Populli… në krijimet e tij, – shkruan prof. Q. Haxhihasani, – ka bërë objekt frymëzimi tema dhe probleme të rëndësishme të aktualitetit – kontradikta, revolta dhe konflikte politike-shoqërore me armiqtë e interesave të tij jetike, ngjarje të mprehta, të përgjithëshme ose të veçanta, në zgjidhjen e të cilave shprehen, me prespektivën e tyre historike, aspirata, kërkesa dhe ideale që e çojnë jetën përpara” (Q. Haxhihasani: “Hyrje” e librit Epika Historike-2, 1981, f. 7-8). Këngët historike ishin “dokumente” të rëndësishmë, që kanë ruajtur dhe pasqyruar me realizëm dhe vërtetësi, si ngjarjet, vëndet, kohën, emrat e heronjve dhe të protagonistëve të tjerë, që patën marrë pjesë në këto ngjarje etj. “Ngritja e këngëve në flakën e ngjarjeve a në jehonën e tyre të menjëherëshme, – shkruan Prof. Qemal Haxhihasani, – ngritja nga njerëz që i kanë jetuar drejtpërsëdrejti skenat monumentale të luftimeve, entusiazmin e fitoreve, që kanë mbajtur mbi supe peshën e sakrificave, përcakton në një masë të madhe një nga veçoritë themelore të këngëve të kësaj gjinie – karakterin e tyre të veçantë realist” (Q. Haxhihasani, po aty, f. 7).
Këngët historike të folklorit çermenikas, veç rëndësisë histoirike, ato shquhen dhe për vlerat të larta artistike. Në përgjithësi tekstet e këngëve janë të shkurtëra, siç janë, p.sh., “Kanga e ilamllive” dhe “Sal Miraky ty t’raft pika”, të cilat kanë 8 vargje etj., por, brënda atyre pak vargjeve, ato mbartin një mendim të thellë. Përjashtim bën vetëm kënga “Në Shmil u rraf nji lodër”, e cila ka 56 vargje, e cila është krijimi poetik më i gjatë në folklorin çermenikas.
Këngët e folklorit çermenikas në përgjithësi kanë vargje 8-rrokshe. Vargjet janë monokolonë dhe kanë rima të puthitura. Ato janë mjaft të pasuruara me figura letrare, si epitete, krahasime, metafora, hiberbola etj., të cilat u japin atyre ngjyrime emocionale të veçanta dhe vlera të spikatura artistike. Disa nga këngët kanë fjalë dialektore, të cilat, veçse ruajnë të folurën krahinore, ato u japin këngëve vlera letrare, si dhe ndjesi emocionale. Një tjetër veçori e disa prej këngëve është se ato kanë krijuar një galeri të madhe tipash dhe karakteresh të personazheve të tyre, të cilët vlerësohen për moralin, heroizmin, trimërinë, vetëflijimin etj.
Disa prej këngëve, si “Në Shmil u rraf nji lodër”, “Satabeg, mor faqezi”, “Sal Miraku, ty t’raft pika!”, “Stundet Toda me shtatë zemra” etj., janë nga krijimet më të bukurat të foklorit çermenikas dhe atij shqiptar.
KANGA E ILAMLLINJVE
Aman, Babë, ç’bon n’kët Shqipni ;
Lyp haraç e lyp vergji ?!
Kem’ ka i dele, dy tri dhi,
Dy pen dhe nën shtëpi,
Gjysma mal e gjysma bri,
Shtatë kunata vesh’ me i li ;
Katër vllazën nji kapaklli.
Karadakut i rrimë karshi…
Kostenjë-Çermenikë. Mbledhur nga Shahin Zharri.
*) Botuar në librin e Sh. Zharrit: “Rrugëtim në historinë e rrethit të Librazhdit” (2018), faqe 85.
SATABEG, MOR FAQEZI*)
(Neshtë-Elbasan)
“Satabeg, mor faqezi,
Ku po e nis gjith’ kët’ ushtri?!”
“Der’ në Neshtë me ba kërdi!”
“Satabeg, vithecaliku,
Nuk asht’ Neshta si Luniku.
Në Lunik mish e byrek,
Në Neshtë pluma e dyfek!”
“Jalla, Zot, kush e kthei Benë?
Lëma Cani me Imerë!”
“Limo’ Can’, o yll i dritës,
Zbardhe faqen gjithë Çermenikës!”
“As m’u hiq, o Selman Troka,
T’i baj krahët copa-copa!”
“Sata-beg skile e kuqe,
Hyne beg e dole nuse”.
_________________________
Komandanti i një fuqie turke që vinte të shtronte Çermenikën.
Luniku (katund i Çermenikës) e kish pritur mirë Çermenikën.
4) Trima nga Neshta, që u shquan në luftimet kundër Sata Begut;
5) Nga Gurakuqi, kallauzi i Sata Begut.
*) Botuar në “Këngë popullore historike”, Tiranë 1956, faqe 187-188.
S’TUNET TODA ME SHTATË ZEMRA*)
(Neshtë – Elbasan)
Po t’vinë plumat rrema-rrema,
“Del, o Todë,1) se u dogje mrena!”
“S’tunet Toda me shtatë zemra!”
“Ç’asht ai që lufton mas frashnit?”
“Isen Toda i bi bylykbashit”.
Pri ke Toda e mje ke Isaku,2)
Kalldramin ç’e mbulloi gjaku.
Prike Toda e mje ke Alcani.3)
Plot me gjak ç’u mbush kalldrami.
Isen Toda ‘i burr’ i unjët,
Mylazimit i theu gjunjët.
____________________
Hysen Toda, nga katundi Neshtë (Çermenikë), luftoi me një oficer turk që kish ardhur të shtronte Çermenikën;
3) Shtëpi në Neshtë;
*) Botuar në “Këngë popullore historike”, Tiranë 1956, faqe 187.
SAL MIRAKU, TY TRAFT’ PIKA*)
Sal Miraku ty t’raft’ pika;
Nuk del vaj nga Çërmënika.
Hajde, hajde Sali Miraku,
Pika-pika të rodhi gjaku.
Bylykbash, mor bylukbash,
Si e lype un’ ta dhash’…
Bylykbash mo m’ja ke shpija,
Ta boj vorrin ke xhamija!
_________________________
Kuturman. Mbledhur nga Shahin Zharri.
*) Botuar në librin “Shahin Zharri” (Tiranë 2006), faqe 108.
KANGA E MYSLIM ALCANIT*)
(Prevall – Çermenikë)
Myslim Lika1) po vjen prej kurbeti,
N’Dibër t’ Madhe ç’e ka zan’ gazepi2).
Zan’ gazepi, ç’e ka zan’ alltia3),
Shpejt për shpejt ç’u çel çarshia4).
Vjen kamzerri5) jep selam6):
“Mos luj’ Myslim, se je i zanë!”
“M’u më thonë Myslim’ i Alcanit,
T’a derdh gjakun në odë të hanit!
Çoju, mre Likë, çoju, mre vlla,
Se na sonte jemi të vra!”
Lik Isufi7) i holl’ e i gjatë,
Vrau kamzerrin tuj hyp n’shkallë.
“Moj patllak’-patllakja ime;
Kur m’u deshë vet’ m’u gjine!”
Tri paritë kan dalë ke ura
Rrethu Myslimin me 600 burra,
600 burra, 600 vetë,
Met Myslimi pa fishekë.
“Hamit Disha8), more memec,
Le fishekët e more lesht”.9)
“Hason Shehu10), mor çijone,
Ç’e marrove veten tone”.
“Hajde-hajde, ti Has Meta11),
Ku i ke ato t’shkreta?!”
“Islam Rrahmani12), more vlla,
S’e pe Likën kur u vra?!”
Moj Turqia me ksula t’kuqe
se ke njoft Myslimin me huqe.
Mbledhur nga Bedri Alcani.
*) Botuar në librin “Almanak. Librazhdi-1” (Tiranë 1958), faqe 147-148.
NË SHMIL U RRAF NJI LODËR*)
(Vallja e mëngjesit)1)
“Plakë e Mazhit, moj xhadi,2)
si na prune haber të zi?!
Si na prune haber të zi,
se kan’ lidhë kët’ pleqsi?!”
Lidhur pleqtë me zinxhir,
bamë avraqet3) për Manastir.
Në Shmil u rraf nji lodër,
u ngrit Çermenika i madh e i vogël.
Ymer Tusha, Hasan Alia4)
dajnë kuvendin ke xhamia:
– “Haj, medet, na shkuen pleqsia!”
U rraf lodra ke mullini:
– “Epni haber ke Ballgjini5)!”
U rraf lodra mes Orenjës:
– “Ti ku je, or Çollaku i Kengës6)?!”
U rraf lodra, u dha haberi:
– Ti ku je , or Osman Skëneri?!” 7)
U rraf lodra mu ke moni:
– “Çoni haber ke Alconi!”
U rraf lodra me purteka:
-“Çoni haber ke Selman Leka!” 9)
Shpejt për shpejt u mblodh halia,
mblidhet dheu si halamia;10)
U mblodh dheu i madh e i vogël,
shkoi teposhtë e ra në Mokër.
– “Ju mos tremi, mre mokranë!
Kemi punë në Qaf-Thanë!
Boni bukë, boni byrek,
se atje kemi dyfek”.
Sulë Xhabili11) ngriti nji thikë:
– “M’jeni mrapa moj Çermenikë!”
Prina, prina Sul Xhabili,
sepse mrapa të vjen Shmili.
– “Kush drejton rrug’n e Draganit ?”
Selman Lleshi i Kuturmanit.
– “Xhandermo, or rrobe-zi,
ku na e çon ate pleqsi?!”
– “Ju, mre pleq, ju mre shopa,12)
ç’desht’ atje ku hiqej llota13)
e t’ju lidhin porsi lopa?!”
Zenel Karai, nji shatorr,14)
në Qaf-Thanë boni i vorr.
Ali Kafazi – dordolec,15)
i nodhi kali trim skopec,16)
e la yryshin n’Karkavec.
Kush ka nodh ke u bo leshi?
Ai ma i pari, Selam Lleshi.
Kush ka nodh ke u bo gjaku?
Maksut Kenga, dor sallaku.
Hallall buka k’tij Selmanit!
N’mal t’Draganit, n’fush t’rrajcanit,
mori pushkën xhandermanit.
Selman Lleshi – yll’ i dritës,
zbardhi faqen gjith’ Çermenikës.
Vojt haberi n‘Manastir,
Çermenika theu zinxhir.
Mbledhur nga Shahin Zharri. Kuturman, 1958.