Prof.Frashër Demaj/
Ditë më parë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi përmbledhjen e punimeve nga Konferenca Shkencore: GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999)
Në këtë përmbledhje u botuan rezultatet nga Konferenca shkencore me të njëjtin titull, e mbajtur me 28 prill 2023 në mjediset e ASHAK.
Akademikë, profesor dhe studiues u paraqiten me kumtesa nga fushat e tyre të studimit. Qasja multidisiplinare e trajtimit të dhunës, vrasjeve, përdhunimeve, terrorit, masakrave dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve bazuar në kronologjinë e ngjarjeve u trajtua në segmente të veçanta deri në detaje nga pjesëmarrësit në këtë konferencë.
…
Lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë pati pasoja të rënda të cilat rezultuan me humbje jetë njerëzish, vrasje, masakra, përdhunime, plaçkitje, djegie të shtëpive, kidnapime njerëzish dhe rreth 1600 të pagjetur për fatin e të cilëve nuk dihet as sot. Veprimet e forcave serbe (policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare) të komanduara nga hierarkia ushtarake serbe e cila ishte nën urdhrat direkte të politikës zyrtare të udhëhequr nga presidenti serb Milosheviç, ushtruan dhunë e terror ndaj popullsisë civile shqiptare pa kursyer fëmijë, gra e pleq dhe pa respektuar në asnjë moment konventat ndërkombëtare të luftës.
Tendenca e Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve zunë fill që nga gjysma e parë e shekullit XIX me “Naçertania”-n kur Serbia filloi me projekte të organizuara shtetërore antishqiptare më qëllim vrasjen, dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve dhe pushtimin e tokave të tyre. Vazhdimin e politikës shfarosëse ndaj shqiptarëve, Serbia e shfaqi edhe në kohën e luftërave ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) kur përveç Kosovës kërkonte të pushtonte edhe vise të tjera shqiptare në veri dhe verilindje të territoreve shqiptare me synim pushtimin dhe daljen e përhershme në detin Adriatik. Të gjitha këto synime i mbështeti me veprime politike dhe ushtarake duke vrarë e masakruar popullsi të pambrojtur dhe të paarmatosur shqiptare. Tendencat me premisa gjenocidale shteti serb i rishfaqi edhe në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914-1918) duke vrarë e terrorizuar shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912-1913. Periudha në mes dy luftërave botërore u karakterizua me shpronësim, reformën agrare dhe kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë e malazezë me qëllim të shpopullimit dhe ndryshimin e balancës demografike të Kosovës.
Në kohën e Luftës së Dytë Botërore 1939-1944, vazhdojnë tendencat antishqiptare pavarësisht se këta të fundit ishin pjesë e koalicionit antifashist dhe synimet e tyre ishin të mbështetura në Kartën e Atlantikut, UNÇJ-, UNÇSH dhe aleatët e mëdhenj të luftës antifashiste që pas përfundimit të luftës dhe fitores kundër fashizmit secili popull do të përcaktohej për të ardhmen e vet politike. Mirëpo, mospërfshirja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në vendimet e Mbledhjes II të KAÇKJ –së, që ishte mbajtur në Jajce, më 29-30 nëntor 1943, ishte një paralajmërim për injorimin e interesave të Kosovës dhe shqiptarëve pas përfundimit të luftës.
Dhuna dhe terrori serb ndaj shqiptarëve vazhdoi me masakrën e Tivarit, vendosjen e administrimit ushtarak 1945, aksionin e mbledhjes së armëve 1956, shuarjen e dhunshme të demonstratave të vitit 1968, demonstratave të vitit 1981, suprimimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989, burgosjen e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, vrasjen dhe burgosjen e protestuesve shqiptarë 1989-1992, dëbimin masiv të shqiptarëve nga puna, dëbimin e nxënësve, studentëve dhe personelit të mësimdhënësve nga objektet shkollore dhe universitare dhe luftën e vitit 1998-1999.
Shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen në Turqi (si rezultat i konventave jugosllavo-turke), në Shqipëri e më vonë edhe drejt vendeve perëndimore për të shmangur represionin dhe për të mos u gjunjëzuar para dhunës shtetërore serbe.
Serbia duke përdorur forcat policore, ushtarake, njësitë paramilitare të mobilizuara me serbë lokalë, të tjerë të ardhur nga Serbia dhe mercenarë kryesisht rusë, nga viti 1997 intensifikoi dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve në çdo cep të Kosovës. Ofensivat e forcave serbe lanë shumë të vrarë e të plagosur gra, pleq e fëmijë të moshave të ndryshme. Masakra e Reçakut, Qirezit, Likoshanit, Abrisë, Izbicës, Mejës, Korenicës, Dobroshit, Guskës, Krushës së Vogël, Krushës së Madhe, Pastaselit, Lubeniqit, Qyshkut, Rogovës, Celinës, Belegut, Kralanit, Sllovisë, Ribarit të Vogël, Grashticës, Studimes etj. nxorën në sipërfaqe tendencën serbe për gjenocid ndaj shqiptarëve.
Pra, shqiptarët e Kosovës janë përballur historikisht me dhunë e represion me qëllim të mohimit të drejtave të tyre, historike, politike, ekonomike-pronësore, qytetare e kombëtare. Vitet 1998-99 të karakterizuara me vrasje, ekzekutime masive, masakra të përcjella me shpërfytyrim të viktimave, rrahje dhe tortura të të zënëve robër dhe të burgosurve, përdhunimet, dëbimet me forcë, shkatërrimi i kartave të identitetit, plaçkitja, shkatërrimi dhe djegia e pronave të shqiptarëve në fshatra e qytete e deri te deportimi masiv i shqiptarëve, përbën një përpjekje të organizuar shtetërore serbe për shkatërrimin total të Kosovës dhe shqiptarëve.
Prandaj për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën historike dhe për të trajtuar çështje të rëndësishme nga periudha e viteve 1998-1999, e sidomos për të sjellë argumente shkencore për gjenocidin dhe masakrat e Serbisë në Kosovë, Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK-ut, organizoi Konferencë shkencore multidisiplinare për të trajtuar aspekte historike, politike, diplomatike, ekonomike, demografike, juridike, mjekësore, psikologjike dhe muzeore për të vërtetën historike të kësaj periudhe, të cilat botohen në këtë vëllim të veçantë.
Me kumtesa shkencore u paraqiten:
Jusuf BAJRAKTARI, Veprimet gjenocidale të pushtetit serb e jugosllav ndaj shqiptarëve në periudhën 1912-1966
Isa MUSTAFA, Dhuna si mjet për arritjen e qëllimeve politike
Josef MARTINSEN, Gjenocidi në Kosovë bazuar në dokumentacionin tim.
Rudina JASINI, Pjesëmarrja e viktimave si palë civile në proceset penale ndërkombëtare.
Hivzi ISLAMI, Tendencat serbe për shkatërrimin e themeleve të jetës së shqiptarëve.
Ksenofon KRISAFI, Trajtimi i masakrave serbe në Kosovë sipas të drejtës ndërkombëtare
Arsim BAJRAMI, Gjenocidi i Serbisë në Kosovë: ndërmarrje e përbashkët shtetërore kriminale
Frashër DEMAJ, Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit
Salih KRASNIQI, Krimet serbe ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor shqiptar
Mimoza SHAHINI, Trajtimet e specializuara të të mbijetuarve të masakrave dhe gjenocidit në Kosovë.
Muhamedin KULLASHI, Ndriçimi dhe mohimi i krimeve në Kosovë nga disa rryma politike e intelektual franceze në vitet 1998-99
Teki KURTI, Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 sipas medieve ndërkombëtare
Ismet SALIHU, Masakrat e forcave serbe në Kosovë dhe personat e zhdukur 1998-1999
Eglantina KRAJA BARDHI, Dhuna dhe përdhunimet nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë 1998-1999
Ramë MANAJ, Tipologjia e masakrave të luftës 1998-1999 në Kosovë
Jusuf OSMANI, Masakrat ndaj grave, pleqve, fëmijëve dhe të burgosurve në Kosovë më 1998-1999
Arber HADRI, Raportet zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA, lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe spastrimin etnik të popullsisë shqiptare (1999).
Sadik KRASNIQI & Besnik RRACI, Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 sipas dëshmive materiale muzeore.
Përveç kumtesave shkencore në shtojcë u botuan edhe:
DËSHMI TË MBIJETUARVE NGA MASAKRAT E POLICISË, USHTRISË DHE NJESIVE PARAMILITARE SERBE GJATË LUFTËS NË KOSOVË
Studimi: GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) tani është në proces të përkthimit në gjuhën angleze dhe do të botohet në muajin maj 2024.