
Imer Lladrovci/
Pjesa I
Zbulimi dhe ndriçimi i rrethanave në të cilat u krye gjenocidi serb në Kosovë është deryra e parë e shtetit dhe shoqërisë sonë.
Për gjenocidin e Serbisë në Kosovë ende flitet gjithkund. Shumë familje shqiptare janë traumatizuar gjatë luftës për shkak se kanë qenë viktima të dhunës serbe. Ky krim është trajtuar sidomos në mediat shqiptare nga shumë këndvështrimi. Nga këndvështrimi politik, sociologjik, antropologjik, historike e faktografike, edhepse disa lloje të krimeve nuk janë zbuluar në tërësi dhe me metoda adekuate. Shpesh thuhet se gjatë luftës janë dhunuar seksualisht rreth 20.000 femra shqiptare, mirëpo në vitin 2018 kur u hap një mundësi për regjistrimin e femrave të dhunuara me qëllim dhënien e një pensioni të zakonshëm të viktimës nuk u paraqiten më shumë se 500 raste. Dikush që i gjykon gjërat vetëm në sipërfaqe do të thoshte se shifra e përmendur më herët prej 20.000 femrave të dhunuara duhet të ketë qenë një shifër propagandistike. Por jo. Unė dyshoj se shofra e errët duhet të ketë qenë edhe më e madhe se 20.000. Dhunimi seksual i femrave ka qenë një mjet lufte i Serbisë që ėshtë përdorur edhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë, sidomos në Bosnjë.
Gjërat janë shumë më të ndërlikuara seç duken në shikim të parë. Nëse kjo formë e krimit të luftës vërtet ka pasur përmasa të gjera, atëherë të dhënat empirike do të duhej mbledhur menjëherë pas luftës dhe në mënyrë të veçantë dhe jo shumė vite më vonë, siç ndodhi tek në vitin 2018 kur filloi fushata për krijimin e listës së femrave të dhunuara, të cilat gjoja do të merrnin një pension të caktuar. Pastaj nuk duhet harruar fakti se ka pasur një rezolutë të Kuvendit të Kosovës që e mohonte ekzistencën e këtij krimi në Kosovë. Disa deputetë madje patën thënë se nëse ka pasur raste sporadike, atëherë duhet akuzuar femrat shqiptare për jorezistencë dhe jo serbët e armatosur. Pas kësaj rezolute, vështirë se do të paraqitej një femër me pretendimin se ishte dhunuar seksualisht, sepse ajo duhej të llogariste se do të njollososej si prostitutë.
Megjithatë, për dukurinë është folur shumë nga ekspert të fushave të ndryshme. Ndonjėherë janë bërë edhe gabime të rënda, sepse është folur edhe në mënyrë paushalle, duke i parë vetëm disa anë të dukurisë dhe duke i injoruar disa të tjera. Shumëherë, flitet për gjenocidin, por nuk flitet edhe për aksionin serb të mbulimit të gjurmëve, fshehjen e krimit, Nuk duhet të harrojmë se ka ekzistuar edhe projekti „asanacija“. Në vitin 2025, pra një çerekshekulli pas përfundimit të luftës ende lista e të zhdukurve kap shifrën 1647 persona të pagjetur, prej tyre 420 serbë. Civilët shqiptarë dhe civilët serbë nuk janë e njëjta gjë. Nëse ushtria serbe dhe mekanizmat e ndryshëm të shtetit të Serbisë në realizimin e projektit „Patkoi“ bënin terror mbi masën e pambrojtur shqiptare, UÇK-ja e keqarmatosur në përgjithësi nuk merrej fare me popullsinë civile. Vetë misioni i saj çlirimtar e përjashtonte këtë formë të luftës. Por nuk mund të mohohet fakti se kishte civilë serbë që ishin të involvuar në luftë. Dyshoj se të tillët për arsye informative kanë depërtuar në vijat e luftës dhe aty janë vrarë dhe, ndonjëherë, edhe zhdukur. Pas luftës ka pasur shumë civilë serbë të vrarë, por nuk dihet saktësisht se kush ishin ata që i vranë. Në fshatin Grackë të Lypjanit qenë vrarë disa fshatarë serbë në fushë, derisa punonin.
Nazim Bllaca ka thënë me një rast se para se të ndodhte ky krim monstruoz, ka qenë i njoftuar një agjent i UDB-së. Pyesim pse nuk ndërmori ai asgjë për parandalimin e këtij krimi kur e dinte se ç’po përgatitej? Cili ishte roli i tij në këtë rast? Nė kaosin e paskuftës mund të ndodhte gjithçka dhe e vërteta për motive të ndryshme të fshihej. Sidoqoftë, civilët serbë që u zhdukën si edhe shqiptarët meritonin një varr, kështu që duhet të ndriçohen rastet e tilla. Në vitin 1998 në Pejë në kafenenë „Panda“ qenë vrarë disa fëmijë serbë. Vetë Aleksandar Vuçiqi (Aleksandar Vučić) si zëvendëskryeministër pati thënë se krimi s’ishte kryer as nga agjenturat e huaja dhe as nga shqiptarët. Gazeta serbe „Kurir“ e pati akuzuar si vrasës Millorad Ulemek- Legijanë (Milorad Ulemek-Legija), por ai kurrë nuk doli para gjyqit me këtë akuzë. Legija sot ndodhet në burg për shkak të vrasjes së ish kryeministrit serb Zoran Gjingjiq (Zoran Djinfjić). Ai kurrë s’ka folur publikisht për rastin „Panda“ edhepse nuk do të dënohej më shumë seç ishte është dënuar për vrasjen e Zoran Gjingjiqit. Në këtë konstelacion kur shumëçka është ndriçuar dhe shumëçka tjetër ka mbetur ende pa u zbuluar dhe ndriçuar deri në fund është vështirë të jepet një gjykim përfundimtar, aq më tepër kur për publikun e gjerë ka munguar një trajtim i veçantë i aspekteve juridike të krimit.
Me librin „Gjenocidi i Serbisë në Kosovë“ të juristit Arsim Bajrami më në fund erdhi një studim që me argumenta juridike flet për krimet e luftës në Kosovë dhe ato i klasifikon si gjenocid, pra si formėn më të rëndë të krimit. Krimet serbe në Kosovë asnjë njeri me mend në krye nuk do t’i kontestonte, të paktën jo hapur, por për statusin e tyre juridik shumë njerëz nuk ishin të sigurt për shkak të konfuzionit politik që është krijuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. Zona ku jetojmë ne vazhdimisht është tronditur nga luftërat, kështu që krimet e luftës kanë qenë pjesė e jetës sonë. Kur tmerret e luftës kanë qenë më tė vogla se në të kaluarën, ky fakt i hidhur është interpretuar si fat. Marrëdhëniet serbo-shqiptare i kanë rënduar doktrinat e ndryshme gjenocidale. Elaboratet e ndryshme që janë paraqitur në dy shekujt e fundit në Beograd nuk janë fryt i psikozës së frikës shqiptare, por realitet objektiv. Traumat e sundimit turk në Serbi, asnjëherë të trajtuara në mënyrë adekuate, janė instrumentalizuar politikisht kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve. Elitat politike serbe dhe ato kishtare kanë mundur t’i mobilizojnë shtresa të caktuara të shoqërisë serbe kundër shqiptarëve. Në fakt në Mesjetë shqiptarët ndiqeshin kinse fetarisht, atëherë jo si turq të islamizuar, por si katolikë. Situata në Kosovë na paraqitet shumë komplekse, sepse në lojë janë shumë faktorë. Një zbërthim naiv i situatës konfliktuoze më shumë i ngatërron çështjet sesa i ndriçon, kështu që kërkohet një çasje e tillë që krimin di ta klasifikojë në bazë të tipareve të tij objektivë dhe jo duke u mbështetur në pretendime ideologjike.
Edhe ky libër i Arsim Bajramit synon që të kap gjithë spektrin e luftës, por si qëllim themelor i tij është klasifikimi objektiv i krimeve. Ne nuk duhet ta zmadhojmë, por as ta zvogëlojmë e harrojmë atë që përjetuam. „Të harrosh një Holocaust, është të vrasësh dy herë“ thotë nobelisti hebreit Eli Vizel (Elie Wiesel). Holocausti ndaj hebrenjëve përbën një formë singulare të gjenocidit, mirëpo edhe vrasja dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga viset e tyre paraqet një formë të gjenocidit që nuk mund dhe nuk duhet injoruar. Libri i Arsim Bajramit e dokumenton në hollësi rrugën e ferrit nëpër të cilin kaloi populli ynë në një kohë jo të largët. Një bashkësi që nuk prodhon libra të tillë, jeton në mjegullën e liuzioneve dhe objektivisht është e rrezikuar nga përsëritja e këtyre krimeve. Ky libër e konservon realitetin dhe kështu i shërben kujtesës tonë kolektive që na jep mjetet e analizës së gjendjeve shoqërore e politike që çojnë në gjenocid.
Për arsye politike shpesh na sugjerohet që disa gjëra t’i harrojmë. Natyrisht, shumëçka duhet harruar, për t’i bërë vend të resë në jetën tonë, por jo gjithçka. Krimet në formën e tyre si gjenocid nuk i përkasin atyre gjërave që duhet harruar, sepse të harrosh gjithçka do të thotë mungesë identiteti. Një definicion juridik kurrë s’e shpërfillë gjendjen faktike dhe tiparet e saj thelbësore, ndryshe nga nje definicion politik që në lojë fut edhe elementë të tjerëtë dorës së dytë, të cilët ndonjëherë fitojnë peshë specifike më të madhe se faktet objektive kryesore kur definojmė një entitet. Me një fjalë, diçka që objektivisht ka një status të caktuar juridik mund të ketë një status krejt tjetër politik. Secili popull ka një shtresë që i shkoqit dukuritë në vështrimin logjik, dmth. që fiksohet pas statusit juridik të fakteve, ndaj dhe insiston që këto fakte të hidhura të arkivohet në kujtesën kolektive si një mundësi vetëmbrojtjeje. Por kjo shtresë është e rrezikuar në luftë dhe në kohë paqeje. Në luftë rreziku është eleminimi fizik, kurse në paqe manipulimi psikologjik, dmth. politik. Në këtë mënyrë masa e një populli privohet nga një produkt i rëndësishëm për identitetin e tij.
Sipas Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve dhe Gjenocidit të vitit 1948 gjatë viteve 1998-1999 krimet serbe të luftës, sipas Arsim Bajramit, e posedojnë tiparin e gjenocidit. Kjo Konventë dhe Statuti i Romës më vonë përcaktojnë 5 krietere për kualifikimin e krimeve të luftës si gjenocid. Në rastin e Kosovës, shkruan Arsim Bajrami, janë plotësuar të gjitha këto kritere. Ky kualifikim ka rëndësi të madhe edhe për publikun botëror, sepse Serbia bashkë me Rusinë dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, për fat të keq ndonjëherë edhe e proviniencës perëndimore, bën gjithçka për ta mohuar e relativizuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Për Rusinë dihet se përfaqëson një shtet që nuk e përjashton dhunën ushtarake për arritjen e qëllimeve politike. Këtë sjellje agresive të saj e shohim sot në Ukrainë. Ukrainasit janë shumë të afërt etnikisht me rusët, por nuk janë rusë, ukrainishtja nuk është dialekt i rusishtes, por gjuhë më vete. Në Moskë këtë gjë, me sa duket, nuk duan ta kuptojnë. Afërsia dhe ngjashmëria nuk mund të merren si fakte për t’ia imponuar dikujt vullnetin tënd politik. Por në Ukrainë po ndodh pikërisht kjo gjë. Dhe, siç thotë një diplomat ukrainas jo për herë të parë. Ai numron jo më pak se 60 luftëra të tjera të ngjashme në të kaluarën. Sipas mendësisë ruse sovraniteti i shteteve ende kuptohet si një madhësi e kushtëzuar nga forca si sovranitet i kufizuar à la Brezhnjev. Një komb a një vend vetë vendos për të ardhmen e tij, mendohet sot në sferën perëndimore të globit.
Projektet si „Gërshëret“, „Kafshimi i miut“, „Patkoi“ dhe „Leopardi“ tregojnë se ekzistonte një strategji e përpunuar shtetërore për eleminimin e shqiptarëve. Serbia sipas projektit „Patkoi“ synonte të dëbojë jashtë kufijve të Kosovës 1.000.000 shqiptarë, 500.000 të tjerë t’i vriste dhe 500.000 shqiptarë t’i linte branda Kosovës. Kështu, krijoheshin kushtet për një strukturë tjetër etnike të Kosovës . Bashkë me kolonistët që mendohej të silleshin pas luftës elementi etnik serb do të përbënte shumicën e popullsisë në Kosovë. Sikur të mos e kishim Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit të 1999, gjithçka do të kishte qenë ndryshe sot. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk u parandalua në kuptimin e mungesës së krimeve masive. Madje mund të thuhet se vrasjet më të mëdha ndodhën në kohën e bombardimeve të NATO-së. Një gazetë gjermane pati shkruar se në qiell defilonte shekulli XX, kurse në tokë shpërfaqej Mesjeta me krimet e saj makabre. Asgjë nuk ndodhi papritur. Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Vojisllav Sheshel (Vojislav Šešelj) pati thënë pak ditë para intervenimit të NATO-së se serbët do të vuanin shumë nga goditjet ajërore, por shqiptarë më s’do të ketë në Kosovë. Shfarosja masive si koncept gjëllon ende në këto mendje të sëmura të politikës serbe.