Jusuf BUXHOVI/
Gjeografia shpirtërore shqiptare nuk është kartografi, por identitet historik. Është një pikturë e madhe me një tablo identitare, të cilën koha dhe rrethanat shoqërore dhe politike nga lashtësia e deri te koha jonë e kanë kthyer në mozaik. Kjo ka ndodhë në antikitet, ka ndodhë në mesjetë, ka ndodhë gjatë Perandorisë Osmane dhe veçmas pas shembjes së saj. Kështu, mozaiku i kujtesës sonë historike nga viti 1913, është kthyer në një kartografi politike, ku Shqipëria Londineze, si shtet shfaqet e përgjysmuar, ndërsa Kosova, Maqedonia dhe Çamëri, të cilat, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te pavarësia kanë qenë qendra e saj kulturore dhe politike, me mbetjen të pushtuar në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, kthehen në pakica fetare, që i priste asimilimi ose shpërngulja për në Turqi, siç ndodhi me një pjesë të mirë të tyre.
Nga këndvështrimi i sotëm shtrohet pyetja se çfarë përgjigje i dhanë shqiptarët e ndarë kartografisë së re politike nga vitet 1913-1914, gjatë luftës së parë botërore, gjatë luftës së dytë botërore dhe pas luftës së dytë botërore, nga viti 1945-1991 në rrethanat kur midis dy luftërave botërore (1916-1918) dhe gjatë luftës së dytë botërore (1941-1944) pati intermexo kohore të bashkimeve të përsëritshme, të cilave u dha fund fitorja e komunizmit në Shqipëri dhe në Jugosllavinë e Titos?
Nëse anashkalohen rrethanat midis dy luftërave botërore, të cilat me ndryshimet e mëdha të gjendjeve ishin të pamjaftueshme për çfarëdo konsolidimi politik, shoqëror dhe kulturor, megjithatë ato që solli fundi i luftës së dytë botërore, pra komunizmi në Shqipëri, mund të thuhet se ishte ideologjia, ajo që gjeografinë shpirtërore, me metodën e realizmit socialist në krijimtari veçmas në letërsi e zhveshi nga çfarëdo fryme kombëtare. Heroi i ri pozitiv ishte në funksion të krijimit të njeriut të ri socialist, me kujtesë të fshirë, një monstum! Kjo e qëlloi më së shumti letërsinë e traditës dhe gjithë ato vlera që krijoi mendësia e Rilindjes kombëtare. Kështu, krijimtaria u vu fund e krye në shërbim të doktrinave ideologjike.
Në Kosovë, hiq periudhën kur shovinizmi serb nga viti 1945-1966, shfrytëzoi parullën e vëllazërim-bashkimit, për të vazhduar planet e njohura nga platforma e Çubrilloviqit për asimilimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, nga viti 1966 kur bie pushteti policor i Rankoviqit, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 dhe ato të vitit 1974 kur fitohet statusi i njësisë federative, për ndryshim nga Shqipëria komuniste, ku shkrimtarët që nuk i përmbaheshin metodës socrealiste internoheshin në kampe pune edhe vareshin (i fundit u var në Kukës poeti Havzi Nela në vitin 1988), pra krijimtaria artistike, veçmas letërsia, në saje të asaj se Jugosllavia në vitin 1949 përjashtoi metodën e socrealizmit në art dhe krijimtari, i kthehet identiteti kulturor dhe historik shqiptar.
Në veprat letrare të shkrimtarëve të brezit të mesëm dhe atij të ri zuri vend të theksuar tematizimi i historisë nga antikiteti, mesjeta dhe koha jonë gjithnjë e parë si tërësi dhe me vazhdimësi së cilë planet hegjemoniste serbe ia mohonin. Duke u ndërlidhur me veprat e Martin Camajt “Nji fyll ndër male” dhe “Kanga e vërrinit” si dhe romanin antologjik për të rijnë të Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha”, që paraqesin hyrje poetike në histori në përputhje me gjeografinë shpirtërore , shfaqen vepra të rëndësishme që dëshmojnë formacionet shoqërore dhe politike në thellësitë e saj me principata e deri te mbretëritë. Të tilla janë “Trilogjia ilire” te Ymer Shkrelit, “Trungu ilir” i Sabri Hamitit, “Akrostiku i Skënderbeut” i Beqir Musliut, drama e Tekin Dërvishit “Zhvarrosja e Pjetër Bogdanit”, romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”, “Udhëzimet për kapërcimet e dertit” të Mehmet Krajës si dhe vepra të tjera që plotësonin gjeografinë shpirtërore shqiptare.
Metoda socrealiste në Shqipëri me letërsi të shumtën me vepra të propagandës politike, pa ndonjë vlerë letrare, në njërën anë dhe në tjetrën anë, veprat e shkrimtarëve të Kosovës që rikthejnë identitetin tonë historik dhe shpirtëror në letërsi, paraqesin një absurd historik, ku raportet politike dhe shtetërore që krijoi Konferenca e Londrës me ndarjen shqiptare, që i konfirmoi edhe Konferenca e Parisit e viti 1919 dhe ajo e vitit 1945, të qendrës (Kosovës – periferi) dhe të shtetit të përgjysmuar shqiptar – qendër, kulturalisht “periferinë” – Kosovën ta kthejë në qendër shpirtërore shqiptare, ndërsa shtetin shqiptar komunist, ta kthejë në pjesë të kartografisë ideologjike të kartës politike të botës komuniste që shtrihej nga Moska deri në Pekin, Kubë dhe Afrikë!
Ky absurditet historik, megjithatë, së paku politikisht, mori fund në vitin 1991 me ndryshimet politike në Shqipëri dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, kur bie edhe qendra kryesore prej nga artit dhe kulturës për afër një shekulli iu caktuan recetat socrealiste, që rrënuan vlerat shpirtërore dhe ato kulturore të popujve që u pushtuan nga sistemi komunist.
Me këto ndryshime, arti dhe kultura në Shqipëri hoqi tiraninë e metodës së socrealizmit, por kjo nuk mjaftoi që saora që kartografinë ideologjike ta kthejë në gjeografi shpirtërore në përputhje me identitetin historik.
Megjithatë, viteve të fundit, disa nga shkrimtarët e brezit të rinj kanë filluar t’i qasen me përkushtim kësaj. Ndër ta dallohet Besnik Musftaj me dy nga veprat e tij: ”Fati i marrë” dhe “Një roman i papërfunduar”.
Si shkrimtar që vjen nga Tropoja, të cilën kufiri i vitit 1913, me ndarjen nga Gjakova dhe Kosova, ia prenë damarët ekzistencial, por edhe i krijon shkëputje nga një identitet i përbashkët kulturo së cilës i ka takuar, përpiqet që ta pasqyrojë fatkeqësinë që sjell ndarja e kufirit, përafërsisht me kundrimin që kishte vepra e H. Salihut në vitete e shtatëdhjeta. Në këto vepra Mustafaj, sjell kujtesën e shkëputur historike, duke e ndërlidhur me realitetin e ri jetësor, me ç’rast konceptit të Shqipërisë politike, i kthehet ai i dimensionit etnik historik. Në këtë veprim Mustafaj ndërlidhet me omonimet, patronimet, toponimet, mitet dhe gjithë ato vlera të treaditës që shkojnë edhe deri te simbolet e kozmogomisë, që ruhen në atë që Mis Durham e quan “Shqipëri e Epërme”.
Në këtë mënyrë, mund të thuhet se veprat e Mustafajt letërsisë sonë ia hapin rrugën që të rikuperojë, po qe se kjo është e mundur, plagët e thella që botës shqiptare ia shkaktuan konferenca londineze dhe dy të Parisit, e mbi të gjitha koncepti ideologjik i metodës së socrealizmit, që Shqipërinë e ktheu në një Gullak politik, ndërsa kulturalisht, me doktrinën e shtetit ateist, e barazoi me Kmerët e kuq!
(Theksime nga fjala e lexuar në Takimin me shkrimtarin Besnik Mustafaj organizuar nga shoqata “Tropoja” në Tiranë)