Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë në skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshëm botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve, financiarë teknologjikë e informativë dhe shfaqja e qendrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brendshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka.
Gjeopolitika është e domosdoshme për analizën e kapaciteteve të një shteti dhe të interesave të tij kombëtare. Me fjalë të tjera ajo shërben për studimin e teorive e të hipotezave funksionale, qoftë për analizat e politikës së jashtme, qoftë për vlerësimin e për përcaktimin e interesave dhe të politikave të brendshme, duke vlerësuar prej tyre pasojat që mund të rrjedhin nga konfliktet e interesave të përhershëm apo të rastit, me aktorët e tjerë që veprojnë në të njëjtën hapësirë gjeopolitike.
Gjeopolitika duhet të nxjerrë në pah: Paraqitjet gjeografike të rëndësishme, sepse ato kanë ndikime të mëdha në interesat kombëtare; Hapësirën që i përket çdo populli dhe që i ka rrënjët në historinë, kulturën dhe vlerat e vetë popullit; Skenarët gjeopolitikë specifikë apo të përgjithshëm, me qëllim që të përcaktohen prirjet dhe lëvizjet që mundet të ndodhin, e kjo bëhet në të mirë të zhvillimit natyror të faktorëve në veprim; Opsionet politike alternative mbi ndryshimet duke qenë edhe në harmoni me interesat dhe me vlerat.
Në thelb gjeopolitika shërben, të mendosh për vetveten në raport me botën. Ajo nuk ka të bëjë me planifikimin racional të hapësirës për qëllime politiko-ushtarake apo politiko-ekonomike, por me një vlerësim global të lidhjeve hapësinore për qëllime parashikuese, edhe pse në praktikë më shumë sesa për qëllime të tilla ajo është përdorur për të bërë të pranueshme objektivat dhe zgjidhjet politike të caktuara. Dobishmëria e gjeopolitikës është rritur pas Luftës së Ftoftë, kur është rihapur lufta për sundimin e hapësirës dhe për krijimin e zonave të influencës, sepse ndarja e punës në kuadër botëror ka mbetur e diskutueshme dhe sepse janë duke dalë në sipërfaqe nga njëra anë veçoritë dhe rivaliteti midis kombeve dhe nga ana tjetër rivalitetet fetare transnacionale, financiare e informative, të cilat janë bërë faktorë me rëndësi të madhe në skenën ndërkombëtare dhe kanë sjellë globalizmin ndërhapsinor.
Henry Alfred Kissinger ish diplomat, shkencëtar politik, konsulent gjeopolitik dhe politikan amerikan që shërbeu si Sekretar i Shtetit dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara midis viteve 1969 dhe 1977 e shef boten e sotme së paku në katër sisteme ndërkombëtare pranë njëri-tjetrit.
Shtetet e Bashkuara e gjejnë vetën në një botë për të cilën pak është bërë për ta përgatitur gjatë eksperiencës së tyre historike. Të siguruara midis dy oqeaneve të mëdhenj, ato e kanë refuzuar konceptin e ekuilibrit të fuqisë, të bindura se do të ishin në gjendje që të qëndronin asnjanës nga konfliktet e kombeve të tjera, ose do të sillnin paqen universale, duke insistuar në zbatimin e vlerave të tyre të demokracisë dhe vetëvendosmërisë.
1. Në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore dhe brenda Hemisferës Perëndimore, idealet historike të Amerikës kanë gjetur zbatim në një masë të konsiderueshme. Këtu versioni idealist i paqes, i bazuar në demokraci dhe progresin ekonomik, demonstron lidhjen e tij. Shtetet janë demokratike, ekonomitë orientohen nga tregu, luftërat janë të paimagjinueshme me përjashtim të periferisë, ku ato mund të nxiten nga konfliktet etnike. Grindjet nuk zgjidhen me ane të luftës ose të kërcënimit për luftë. Përgatitjet ushtarake janë një përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga jashtë zonës, kombet e rajonit të Atlantikut ose të Hemisferës Perëndimore nuk synojnë të kërcënojnë njëri-tjetrin. Sulmi i Rusisë mbi Ukrainën dhe veprimet e Serbisë në Kosovë e kanë lëkundur këtë përcaktim të Kissinger.
2. Fuqitë e mëdha të Azisë e trajtojnë njëra tjetrën si rivale strategjike. India, Kina, ]aponia, Rusia, me Korenë dhe me shtetet e Azisë ]uglindore që nuk kanë mbetur shumë prapa, konsiderojnë se disa nga shtetet e tjera dhe sigurisht, një kombinim i tyre, janë me të vërtetë në gjendje të kërcënojnë sigurinë e tyre kombëtare. Luftërat ndërmjet këtyre fuqive nuk janë të afërta, por nuk janë edhe të pabesueshme. Shpenzimet ushtarake aziatike po rriten dhe ato janë planifikuar kryesisht si mbrojtje nga kombet e tjera aziatike (megjithëse disa nga përpjekjet ushtarake të Kinës përfshijnë, gjithashtu, mundësinë e një lufte me Shtetet e Bashkuara për Tajvanin). Ashtu si në Evropën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, një periudhe e gjatë paqeje është e mundshme, madje edhe që mund të shpresohet, por një ekuilibër i forcës duhet medoemos të luajë një rol kryesor në ruajtjen e saj. Ky ekujlibër sot po prishet.
3. Konfliktet e Lindjes së Mesme janë shumë të ngjashëm me ata të Evropës së shekullit të shtatëmbëdhjetë. Rrënjët e tyre nuk janë ekonomike, ashtu si në rajonin e Atlantikut dhe në Hemisferën Perëndimore, ose strategjike si në Azi, por janë ideologjike dhe fetare. Parimet e diplomacisë së paqes së Vestfalisë nuk zbatohen. Kompromisi është i pakuptueshëm. Prandaj, në mënyrë paradoksale përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për zgjidhjen e konflikteve të tilla kanë potencialin e madh për të sjelle rezultate të padëshiruara.
4. Kontinenti për të cilin nuk ka rast të ngjashëm në historinë e Evropës është Afrika. Megjithëse dyzet e gjashtë kombet e saj e quajnë veten demokraci, ata nuk i zhvillojnë politikat e tyre mbi bazën e një parimi ideologjik të unifikuar. Politikat afrikane nuk dominohen as nga koncepti i përfshirjes së ekuilibrit të fuqisë. Kontinenti është shume i madh, kapacitetet janë shumë të pakta për të qenë në gjendje të flitet për një ekuilibër afrikan të fuqisë. Dhe me mbarimin e Luftës se Ftohtë, rivaliteti i fuqive të mëdha për Afrikën ka rënë, gjithashtu, në një masë të konsiderueshme. Përveç kësaj, trashëgimënia e sundimit kolonial në Afrikë e ka pajisur atë me një potencial shpërthyes, konflikt etnik, mungesë zhvillimi të konsiderueshme, dhe i ka përkeqësuar shumë problemet shëndetësore. Kufijtë e përcaktuar për të lehtësuar sundimin kolonial i ndanë fiset dhe grupet etnike në fe dhe fise te ndryshme në nënndarje administrative, që më vonë u shfaqen si shtete të pavarura. Kështu, Afrika ka prodhuar luftëra civile barbare që u përhapen në konflikte ndërkombëtare si dhe epidemike që copëtojnë ndërgjegjen njerëzore. Në këtë kontinent ka një sfidë për demokracitë për të kompensuar për historitë e tyre duke gjetur një rrugë për ta ndihmuar Afrikën që të marrë pjesë në zhvillimin global. Dhe komuniteti botëror ka një detyrim për të përmbushur, ose, së paku, për të ndërmjetësuar në konfliktet politike dhe etnike.
Pikërisht gama dhe shumëllojshmëria e sistemeve ndërkombëtare e ka bërë disi të parëndësishëm një pjesë të madhe të debatit tradicional amerikan mbi natyrën e politikës ndërkombëtare. Nëse janë vlerat ose fuqia, ideologjia ose arsyet shtetërore që janë përcaktuesit kryesore të politikës së jashtme, në fakt, varet nga faza historike në të cilën ndodhet sistemi ndërkombëtar. Sepse për politiken e jashtme amerikane, gjithnjë në kërkim të magjisë, formulës që i shërben të gjitha qëllimeve, nevoja që del si përfundim për një mprehtësi ideologjike dhe strategji afatgjatë paraqet një sfidë të veçantë që nuk është zgjidhur akoma.
Shtetet janë subjektet kryesore të lidhjeve ndërkombëtare. Ato janë në gjendje të mobilizojnë rezervat e nevojshme të interesave e të politikave. Ata njëkohësisht janë edhe vendet kryesore mbi të cilët bien fajet, por janë edhe vendet e ekuilibrit midis lirisë e solidaritetit. Ndërvartësia, e cila është në rritje, bën që të ekzistojnë rregulla loje ndërkombëtare që shteti nuk mund t’i injorojë. Asnjë shtet nuk mund të mbyllet më në vetvete duke ndjekur një politikë mëvehtësie, përndryshe do të izolohej nga tregu botëror dhe shpejt do të kapitullonte siç ndodhi me Shqipërinë. Fuqia dhe pasuria e një shteti varen nga pjesëmarrja e tij në sistemin ndërkombëtar dhe nga aftësia e tij për të shfrytëzuar mundësitë që ka ky sistem në të mirë të tij. Dallimi midis “brenda” dhe “jashtë” është zvogëluar ose të paktën ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të kaluarën.
Demokracia është demokraci vetëm kur është në gjendje të sigurojë, natyrisht nëpërmjet metodës demokratike, përcaktimin dhe përparësinë e interesave të përgjithshme mbi ato të veçanta. Interesi i përgjithshëm nacional nuk është diçka objektive as diçka e përcaktuar që të rrjedhë nga parametra dhe vlera jashtë politike. Sa më i madh të jetë largimi nga debati publik i interesave kombëtare, aq më shumë interesat do të përcaktohen në mënyrë të detyrueshme dhe antidemokratike. Nga ana tjetër, kërkimi i unanimitetit me çdo kusht do të çonte në mosveprim. Por kjo nuk do të thotë që në politíkën e jashtme dhe për vendimet themelore të politikës së brendshme të mos kërkohet një konsensus sa më i gjerë. Ekzìstojnë interesa të përbashkëta themelore, si ai i sovranitetit dhe i integritetit territorial, ai i zhvillimít ekonomik dhe i ruajtjes së jetës së qytetarëve dhe “imazhit” të vendit etj. Këto interesa do të duhet t’u takojnë të gjithë qytetarëve e të gjitha forcave politike. Të tilla interesa jetësore janë në një farë kuptimi mbi politikën. Interesat kombëtare nuk kanë të bëjnë vetëm me aspekte të llogaritshme siç janë pasuria dhe pushteti apo begatia dhe siguria, por edhe imazhi i jashtëm i vlerave të kulturës së çdo populli. Interesat janë të lidhura edhe me konceptin se si shfrytëzohet sistemi ndërkombëtar, me qëllim që t’u përgjigjet sa më mirë interesave e parimeve të çdo shteti.
Faktorët kryesorë gjeopolitikë të përhershëm e të qëndrueshëm në kohe janë: hapësira, pozicioni, largësia, natyra kontinentale apo ishullore, kultura, burimet natyrore dhe klima.
Kultura e çdo populli, që është pjesë e përvojës së historisë së tij, e vlerave, e miteve dhe e fesë së tij, është thelbësore. Ajo ndikon në mendimet e në përfytyrimet gjeopolitike. Hapësira, pozicioni, largësia dhe natyra kontinentale e detare konsideroheshin faktorët përcaktues të gjeopolitikës në fillim të shekullit XX. Pozicioni dhe zotërimi i rrugëve të mira të komunikacionit natyror kushtëzojnë ende sot mundësitë e komunikimit me jashtë, sepse transporti i mallrave bëhet para së gjithash me anije, me trena dhe me mjete të zakonshme. Mungesa e daljes në det të hapur e bën një shtet të prekshëm nga trysnitë e ushtruara nga shtetet kufitare, ose nga shtetet që kontrollojnë ngushticat që lidhen me oqeanet. Nga kjo del se edhe në të ardhmen nuk do të zvogëlohet prirja e shteteve kontinentalë për t’u hapur drejt deteve dhe oqeaneve. Klima kushtëzon mentalitetin dhe zakonet e popujve. Kohët e fundit është rivlerësuar rëndësia gjeopolitike e klimës. Dimri rus ka bashkekzistuar me historinë dhe fatin e Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur me dimrin gjerman, suedez apo amerikan. Burimet natyrore (mbi të gjitha burìmet ushqimore e ujore) përbëjnë një faktor relativisht më të qëndrueshëm. Qëndrueshmëria e tyre është e tillë edhe pse hierarkia e tyre në faktorët gjeopolitikë është transformuar vazhdimisht si rrjedhojë e zhvìllimit teknologjik dhe e ndryshimeve të bëra në ekonominë bashkëkohore. Për gjeopolitíkën janë veçanërisht të rëndësishme disa burime natyrore, për shembull, burimet ujore, energjetike dhe mineralet strategjike.
Faktorët kryesorë gjeopolitikë të ndryshueshëm janë: popullsia, ekonomia, teknologjia, institucionet politike të brendshme e ndërkombëtare (midis të cilave aleancat strukturore organike si NATO-ja,) sistemet e transportit të komunikimit e të informacionit.
Një nga ndryshimet kryesore në krahasim me të kaluarën është shpejtësia e ndryshimeve demografike. Shtimi i popullsisë më parë ishte i shpejtë. Zvogëlimi shkaktohej nga katastrofat, sëmundjet, luftërat, të cilat hera-herës ishin përcaktuese. Sot rritja demografike ndodh në periudhën kohore mesatare me tendenca drejt nënmesatares. Ekziston një mungesë ekuilibri midis rritjes së moshës mesatare të vendeve të industrializuara dhe uljes së moshës mesatare të vendeve të Botës së Tretë. Këto çrregullime demografike kanë efekte shkatërruese për stabilitetin dhe ekuilibrat strategjikë e politikë. Veçanërisht këtë ndryshim demografike po e prishë emigracioni, plaga më e rënd e shekullit XXI. Trysnitë e ushtruara nga masat e Botës së Tretë mbi botën e industrializuar me anë të emigracionit dhe të kërkesave për ndihmë ushqimore mund të sjellin rrezikun e përfshirjes së Perëndimit në konfliktet ndërshtetërore ose civile të Botës së Tretë. Çrregullimeve demografike midis Jugut e Veriut i shtohet edhe një ndryshim i madh, ai i kostos së fuqisë punëtore. Kjo e bën më të paqëndrueshme ndarjen ndërkombëtare të punës. Në botën e sotme të informacionit e të njohjes nuk vlerësohet aq sasia e përgjithshme e fuqisë punëtore, sesa niveli i saj cilësor. Kjo ndodh për faktin se ndërmarrjet e mëdha në ekonominë botërore nuk janë të detyruara të veprojnë vetëm brenda kufirit shtetëror, përkundrazi ato janë të lira t’i çojnë veprimtaritë e tyre në ato zona ku ekziston fuqia punëtore më e specializuar dhe me kosto sa më të ulët.
Në këtë fillim shekulli të trazuar, sfida më e madhe për kombin Shqipëtarë është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike arsimore lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj, mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv të integrimit në strukturat euroatlantike.
New York Mars 2024