
Analizë nga Rafael Floqi/
Përpara se të analizojmë paketën e re të tarifave të shpallura nga administrata Trump javën e kaluar, ia vlen të rikujtojmë dy parime thelbësore analitike. E para: po jetojmë në një botë të ç’ ankoruar, në një fazë tranzicioni nga një rend gjeopolitik në tjetrin. Ajo që dikur dukej e sigurt, sot është e paqartë – një stuhi para qetësisë, për të huazuar një metaforë të përdorur më parë për politikën amerikane.
Parimi i dytë është dallimi midis imperativave gjeopolitike dhe inxhinierisë gjeopolitike. Imperativat gjeopolitike i detyrojnë shtetet të veprojnë në mënyra të caktuar – e shpesh të parashikueshme. Ndërsa inxhinieria gjeopolitike përfaqëson mënyrën se si kombet menaxhojnë këto imperativa, duke balancuar presionet e politikës së brendshme midis atyre që mirëpresin realitetin e ri dhe atyre që u kundërvihen. Fundi i këtij procesi është i pritshëm, edhe pse vetë rruga që e çon atje mbetet shpesh e turbullt.
Një botë që nuk funksionon si më parë
Realiteti i tanishëm gjeopolitik është ky: rendi botëror që sundoi gjatë shekullit XX është gërryer , dhe një epokë e re po nis të marrë formë. Normat e së kaluarës kanë humbur vlefshmërinë. Është një periudhë e rrallë dhe shqetësuese, por jo e panjohur në historinë njerëzore – një “anormalitet normal”.
Rendi që nisi mbi 100 vite më parë u ndërtua nga perandoritë e Evropës Perëndimore, të cilat, falë aksesit të tyre në Oqeanin Atlantik, dominuan pjesën më të madhe të botës, veçanërisht hemisferën lindore. Evropa Lindore u la jashtë kësaj loje perandorake. Mbretëria e Bashkuar përfitoi më shumë, e ndjekur nga Franca, Spanja dhe Holanda. Fragmentimi i kontinentit në shtete të vegjël e bëri luftën të pashmangshme.
Ky “shekull evropian” përbëhej nga tre faza: e para, përpjekja e Gjermanisë për të ristrukturuar Europën nëpërmjet Luftës së Parë Botërore; e dyta, Lufta e Dytë Botërore, që e la Europën të dobët e të ndarë, por i hapi rrugën fuqisë në rritje të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik; dhe e treta, Lufta e Ftohtë, ku dy superfuqitë ndanë Europën – Perëndimin për amerikanët dhe Lindjen për sovjetikët. Ky konflikt u shtri përtej Europës, me luftëra të drejtpërdrejta, beteja përfaqësuese dhe operacione të fshehta në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine, të gjitha të kontrolluara nga frika reciproke për një luftë bërthamore.
Ekonomia si armë e Luftës së Ftohtë
Në zemër të strategjisë amerikane ishte ndërtimi i një sistemi ekonomik që e favorizonte Uashingtonin dhe e dobësonte Moskën. Aleanca me SHBA-në ishte më përfituese ekonomikisht se sa me Bashkimin Sovjetik, që mund të ndihmonte vetëm qeveritë, por jo popujt. SHBA, falë pasurisë së saj të madhe, jo vetëm që menaxhoi Europën Perëndimore dhe “Botën e Tretë”, por përdori tregtinë e lirë dhe tarifat si armë gjeopolitike për të rindërtuar Europën dhe për të minuar ndikimin sovjetik. Kjo strategji funksionoi: mallrat e importuara mbanin çmimet e ulëta në SHBA, ndihmonin vendet aleate të rriteshin ekonomikisht dhe siguronin ndikim amerikan.
Por, edhe pas rënies së komunizmit, kjo logjikë nuk ndryshoi menjëherë. Rusia mbeti një fuqi ushtarake, dhe SHBA vazhdoi strategjinë e saj ekonomike dhe ushtarake. Megjithatë, lufta në Ukrainë e përshpejtoi fundin e kësaj epoke. Dobësia ushtarake dhe ekonomike e Rusisë detyroi SHBA-në të rishikojë përparësitë e saj – sidomos për sa i përket mbrojtjes së Europës dhe ruajtjes së një sistemi tregtar që po i kushtonte gjithnjë e më shumë.
Transferimi i prodhimit industrial jashtë vendit, veçanërisht në Kinë, krijoi një varësi të rrezikshme për ekonominë amerikane. Çdo lëkundje politike apo sociale – qoftë një grevë në Francë apo trazira në Kinë – mund të prishte furnizimin e mallrave esenciale në SHBA. Për më tepër, vetë vendet eksportuese mund të zgjedhin të sakrifikojnë përfitimet ekonomike për të ndjekur ambicie gjeopolitike apo ushtarake kundër SHBA-së.
Tregtia e lirë – një mit që po rrënohet?
Kur një sistem tregtar e dobëson blerësin (në këtë rast SHBA-në) dhe forcon shitësit, ai shndërrohet në një rrezik gjeopolitik. Shtetet që mbështeten në eksport për të rritur ekonominë e tyre janë të ekspozuara ndaj destabilitetit të brendshëm. Dhe SHBA, që mbështetet në importin e atyre produkteve, bëhet viktimë e një sistemi që dikur vetë e ndërtoi.
Sot, tarifat e reja janë pjesë e përpjekjes për të rindërtuar këtë sistem. Po kalojmë nga një botë e diktuar nga imperativa gjeopolitike në një botë që kërkon inxhinieri të reja. Dhe si çdo proces inxhinierik, ky është kompleks, i ndërlikuar dhe i rrezikshëm. Si ndërtimi i një ure mbi një lumë: rrjedha është e njohur, por struktura kërkon mjeshtëri, kohë dhe ndonjëherë, prova dhe gabime.
Veprimet e fundit të Presidentit Donald Trump – që disa i quajnë të nxituara e të tjera të guximshme – tregojnë përpjekjen për të tronditur sistemin dhe për të hapur rrugën për një rindërtim më të kujdesshëm. Ai po vepron me shpejtësi gjatë “muajve të mjaltit” të presidencës, duke shfrytëzuar konfuzionin në radhët e demokratëve dhe pasigurinë e republikanëve. Por qëllimi i tij duket i qartë: të vendosë një parim të ri negociues, edhe nëse do të detyrohet të bëjë hapa pas nëse përballet me rezistencë të madhe brenda dhe jashtë vendit.
Epoka e re kërkon strategji të reja
Imperativi është të dilet nga sistemi tregtar që dobësia ruse e bëri të vjetruar. Kjo sjellje nuk është e paprecedente, dhe nuk është shpikur nga hiçi. Por inxhinieria është aty ku banon pasiguria. Nuk jemi në një krizë të re, por në një cikël të vjetër të historisë: Bota e paankoruar po përpiqet të gjejë një spirancë të re…
Terapia e shokut e Donald Trumpit synon pikërisht këtë.