Shkruan: Prof. asoc. Bedri Muhadri – INSTITUTI I HISTORISË “ALI HADRI” PRISHTINË/
Viti 1405 datë 6 maj shënon ditëlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kryevlerës së historisë sonë shqiptare. Në nderim të veprës së Skënderbeut ne sot me respektin tonë evukojmë Skënderbeun, personalitet Ky që është emblemë e identitetit historik shqiptar.
Viti 1443 shënon kthesën e madhe historike për shqiptarët, vit i kthimit të Skënderbeut në trojet Arbërore. Ky kthim historik ndodhi në Betejën e Nishin, me 3 nëntor 1443, ku u ndeshën ushtritë e Sulltan Muratit II dhe ato hungarezë të udhëhequra nga Janosh Huniadi. Dhe Skënderbeu që sipas shkruesit më të mirë të Historisë shqiptare Marin Baleti, Skënderbeu i përgatitur që me kohë më 300 kalorësit e tij, shfrytëzoi rasti dhe iku nga kapmi osman për të marrë rrugëtimin e tij për në trojet e të parëve të tij,. Në rrugëtimin e kthimit nga Qyteti i Nishit, Skënderbeu kaloni në qytetin e Prizrenit, dhe qëndroi për një kohë për të riorganizuar mbrojtjen e vendit. Nga tregimet folklorike të kësaj kohe të mbledhura nga Qamil Haxhihasani thuhet: “Skënderbeu kishte mbledhur gurë në lumin e Drinit të Bardhë dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit. Prej qytetit të Prizrenit Skënderbeu u drejtua për në Tetove dhe Dibër.
Më 1443 kur ai u vu në krye të kryengritjes së përgjithshme çlirimtare të popullit shqiptar, osmanët pasi kishin pushtuar Gadishullin Ballkanik, po i turreshin Hungarisë për të hapur rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar në Gadishullin Italik. Skënderbeu arriti t’i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme që t’i linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër armikut të huaj. Ai formoi më 2 mars 1444, Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës. Në kuvend morën pjesë bujarët më të shquar shqiptarë. Gjergj Arianiti, Andre Sopia, Nikollë e Pal Dukagjini, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, etj. Ajo që tërheq vëmendjen më tepër është se, në Kuvend u vendos që bashkimi i forcave shqiptare të kryhej, duke formuar një lidhje midis sundimtarëve shqiptarë. Ajo do të kishte karakterin e një konfederate apo të një aleance politike shqiptare. Kryetar i saj u zgjodh promotor i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm, që u mor në kuvend, ishte formimi i një ushtrie të përbashkët, që do të ishte në gatishmëri për të marrë pjesë në luftë e në rast nevoje do të ndihmonte sundimtarët shqiptarë për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Kapiten i përgjithshëm (Capitaneus generalis) i ushtrisë u zgjodh Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për të përballuar shpenzimet e nevojave ushtarake dhe të luftës u vendos të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet e saj do të formoheshin, ndër të tjera, nga kontributi në të holla që do të jepnin sundimtarët arbëror sipas kuotës që u caktua për secilin.
Skënderbeu si kryekomandant i Lidhjes Shqiptare, ia arriti që për një kohë të shkurtër të krijojë një ushtri të rregullt.
Realiteti historik u bë gur më i mirë i provës për këtë bashkim që nuk ishte një lidhje e thjeshtë e sunduesve të vendit, por kishte baza të thella. Sikurse na njofton Marin Barleti, bashkëkohës i Skënderbeut dhe shkruesi i veprës monumentale “Hisotira e jetes dhe veprës së Skënderbeut Princit Epirot” (“Historiae de viva et rebus gestis Scanderbegi…epirota principis”), Skënderbeu sapo shpalosi në kalanë e Krujës flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore. Kryeheroi i historisë sonë shkoi prej një vendi në vend tjetër për ta ftuar popullatën në luftën çlirimtare kundër sundimit të huaj. Skënderbeu si kryekomandant i Lidhjes Shqiptare, ia arriti që për një kohë të shkurtër të krijojë një ushtri të rregullt, por edhe ta mobilizojë popullin për luftë.
Lufta çlirimtare e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut shënon faqe të ndritshme në historinë mesjetare shqiptare. Ajo ishte luftë e përgjithshme e vendit e cila nuk linte pa përfshirë as gratë, as fëmijët, e jo vetëm si viktima, por në radhë të parë si bashkëluftëtarë. Ajo kishte bashkuar mbarë popullin e vet (katolik, ortodoks, mysliman, aristokrat, fshatarë e feudal) në luftë për liri dhe mbrojtje të vendit. Lufta çlirimtare shqiptare në kohën e Skënderbeut me sukses u bëri ballë mese njëzet ekspeditave osmane të ndërmarra sistematikisht kundër vendit, dhe duke u shkaktuar humbje të mëdha atyre. Rezistenca shqiptare e kohës së Skënderbeut, me turp të madh i detyroj para mureve të Krujës që të largohen dy sulltanët e mëdhenj të Perandorisë Osmane: Sulltan Muratin II me 1450 dhe Sulltan Mehmetin II me 1466-1467.
Fitoret e njëpasnjëshme të Rezistencës Shqiptare provuan se Skënderbeu ishte një strateg i shkëlqyeshëm me aftësi të rralla për tu gjetur kurdoherë sipas rastit. Ai diti të siguronte fitoren duke u tërhequr si në Tervioll me 1444, ose duke sulmuar si në Albulenë me 1457 duke luftuar kundër kalorësve të lehtë turq, ose kalorësisë së rëndë italiane me 1462, duke i hapur beteja ushtrisë armike në fushë si në Oranik e Polog me 1462, ose në shtigjet malore si në grykën e Vajkalit me 1465. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), të cilën e kishte vlerësuar lartë John Neëport, kalorës anglez, pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Evropës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bëjë këtë rezistencë”.
Pas fitores madhështore që u arritën nën muret e Krujës, me 1450, Skënderbeu filloi të mos i përfillte ku e donte interesi i luftës, autonomin e feudalëve separatist. Ai, filloi të merrte masa të rrepta kundër feudalëve të lëkundshëm, të hiqte nga postet që zinin oficerët e pa aftë dhe t’i zëvendësonte me oficer të rijnë, të aftë dhe besnik. Për më tepër ai filloi t’i zhveshtë nga koha në kohë bujarët e dyshimtë dhe nga zotërimet feudale të cilat ua shpërndau ushtarëve të dalluar. Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë.
Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal.
Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të feudalëve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht të të gjithë vendit. Kësisoj vetë Skënderbeu u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit i cili ishte ndër princërit me të fuqishëm arbëror.
Shteti shqiptar i kohës së Skënderbeut formohet në vitet 1450, në kohën kur Perandoria Osmane pas pushtimit të Kostandinopojës me 1453) gjendej para aktit të vendosjes së superioritetit aziatik mbi atë evropian, pikërisht në kohën kur shtetet e krishterë të Ballkanit binin me radhë nën sundimin e Perandorisë osmane, prandaj ekzistenca e saj në atë kohë përveç rëndësisë historike që për një çerek shekulli populli shqiptar i bashkuar politikisht e ushtarakisht në shkallë kombëtare frymoi lirinë shpirtërore në betejat e përgjakshme. Ajo e kishte edhe rëndësinë ndërkombëtare sepse 25-vjet do ta mbajë të ngujuar Perandorinë Osmane përpara rezistencës shqiptare, rëndësinë e së cilës do ta ndjejë shumë qytetërimi evropian.
Skënderbeu ishte arkitekti dhe qeveritari i shtetit (dominus Albania) shqiptar mesjetar. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu ishte paraparë të kurorëzohej mbret prej Papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo nga ana e Selisë së Shenjtë. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë Papa Piut II në krye të një ushtrie evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu. Por, vdekja e Papa Piut II me 14 gusht 1464 në Ancona të Iltalisë, u pamundësua që Skënderbeu të mos merr titullin Mbret. Në ndërkohë rrjedha e ngjarjeve e stërmbushur me luftëra të suksesshëm të Perandorisë Osmane e shtynë në pafundësi interesimin e Vatikanit për ta kurorëzuar Skënderbeun Mbret, qëndrim ky aspak i drejt karshi sukseseve të vazhdueshme të Skënderbeut në luftë kundër Osmanëve.
Forma e sistemit politik ishte monarki feudale. Organi më i lartë i pushtetit shtetëror ishte monarku – Skënderbeu. Pushteti Skënderbeut si kryezot ishte i gjerë, ai shpallte luftë bënte paq, lidhje marrëveshje me shtetet tjera. Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët) kancelar të cilët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që u nënshkruan me vendet e tjera. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinisht, osmanisht, sllavishten, greqisht, etj. Sipas praktikës mesjetare pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm.
Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën e vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Simboli më përfaqësuese për shtetin shqiptar të Skënderbeut është Flamuri me shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë ose tetë cepa. Syshqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleti, ka qenë e vendosur në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të paraardhësve. Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (Shqiponjën dhe përkrenarën e zbukuruar me një kohë dhie), të Aleksandërit të Madh të Maqedonisë (shenjën e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Vula e madhe e Skënderbeut kishte karakter shtetëror. Përmbajtja e saj në mes të tjerash ka shënuar inicialet ose siglat e fjalëve “D (Dominus dhe AL albaniae) apo Zot i Arbërisë.
Cilat territore përfshinte shteti: Skënderbeut?
Kufijt e mundshëm të Shtetit Mesjetar të Skënderbeut, në kulmin e lulëzimit të vet, shtriheshin në Perëndim, me brigjet shqiptare të Adriatikut, që nga Velipoja deri në Seman, me përjashtim të qyteteve të Lezhës dhe të Durrësit, në Lindja ato arrinin përtej Drinit të Zi, deri në malet e Korabit, të Kërçinit e të Strogovës, së bashku me grykën e Radikës, në Veri ato kufizoheshin me zotërimet e Dukagjinëve, deri të Mati, e në jug deri në afërsi të qytetit të Beratit. Kryeqytet i shtetit të bashkuar u bë Kruja.
Lufta e popullit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XV bëri që shteti shqiptar i Skënderbeut të ketë marrëdhënie politike me shumë shtete evropiane. Marrëdhëniet politike të shtetit shqiptar të Skënderbeut me kompleksivitetin e tyre shënojnë ngjarjet nga më të rëndësishmet të periudhës 25-vjeçare të shtetit të lirë e të pavarur shqiptar. Në tërësi marrëdhëniet politike ndërkombëtare të Evropës Mesjetare ishin të drejtuara kundër ndërhyrjes osmane në Evropë, në kornizat e së cilës politika shqiptare e udhëhequr nga Kryeheroi Skënderbeu, jo vetëm që ishte përbërësja kryesore e saj, pro do të jetë ajo e cila më së shumti efektivisht veproi kundër invazionit osman. Mirëpo, Evropa mesjetare e përçarë, e veçmas në Gadishullin Italik, mbizotëronte anarkia feudale, bëheshin lufta të mëdha dinastike, mbretëronte injoranca dhe abuzimet, të gjitha këto bënë që të mos vijnë në shprehje aq sa kërkohej përkrahja e luftës shqiptare kundër invazionit osman. Madje, ndonjë shtet si Republika e Venedikut, bëri çmos për ta minuar luftën e denjë të popullit arbëror dhe dobësimin e shtetit të Skënderbeut. Shtetet feudale të Evropës, në përgjithësi, përpiqeshin të përfitonin nga sakrificat e panumërta të shtetit shqiptar me qëllim të mbajtjes së rrezikut osman sa më larg vendit të vet. Përçarja e shteteve mesjetare e lehtësoi përparimin e shpejtë të osmanëve në Ballkan dhe pengoi krijimin e një koalicioni që t’i priste rrugën agresionit osman me forcat e përbashkëta. Në këto rrethana, kryeheroi i historisë sonë ishte i detyruar të mbështetej krejtësisht në forcat e brendshme të vendit.
Megjithatë, gjatë periudhës 25-vjeçare të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar, kryetrimi ynë luftoi për të siguruar ndihmën e nevojshme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ai hyri në marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të Evropës së atëhershme. Marrëdhënie të shpeshta shteti i Skënderbeut pati sidomos me shtetet italiane si; Republikën e Venedikut, Napolin, Milanon, Papatin, pastaj me Hungarinë, Republikën e Raguzës, dukatin e Burgonjës, etj. Në ndonjë rast, për problemet e luftës, Skënderbeu ka zhvilluar bisedime edhe me vetë Perandorinë Osmane. Në tërësi politike e jashtme që ndoqi Heroi i ynë i’u nënshtrua plotësisht, me konsekuencën më të lartë, qoftë edhe duke marrë sakrifica të ndjeshme mbi vete, interesave të luftës çlirimtare kundër pushtuesve të huaj.
Skënderbeu si burrështetas dhe luftëtar ka marrë vlerësime të shumta që e lartësojnë veprimtarin e tij. Papa Kalisti III shkruante: “Ska njeri në botë që të mos e dijë trimërinë që keni bërë dhe mos të ju lëvdojë gjerë në qiell si një mbrojtës të vërtet dhe krye luftëtarë bujarë të krishterimit”. Napoleon Bonaparta gjenerali i shquar francezi i shek XIX thoshte: “Skënderbeu ishte njëri ndër katër gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”. Iluministi i shquar francez Volteri duke komentuar rëndësinë e fushatave të Skënderbeut për Evropën, ai shkruan: “Kjo është mjaft që historia evropiane ti jep Skënderbeut një vend të nderuar midis mbrojtësve më të mëdhenj të saj, kundër barbarisë aziatike, si ai, mund të kishte bërë më shumë po ta kishin ndihmuar fuqitë Evropiane si duhet”.
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan në vitin 2005, me rastin e 600 vjetorit të Lindjes së Skënderbeut kishte nxjerr Rezolutë: “e cila lavdëron shqiptarët kudo për nderim që i bëjnë prijësit të tyre trim, heroit dhe birit të tyre, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe kërkon nga qeveria Amerikane që të punojnë me partnerët e vet evropianë për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, në njohje të kontributit dhe sakrificës që dha Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe populli shqiptar në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga dominim ottoman’.
Një ndër studiuesit e shkëlqyeshëm të tij është historiani i madh italian Zef Valentini i cili shkruan: “Kush mund të mendojë se do të ishte jo vetëm mëkat, por çështje e pamundshme për të zvogëluar personalitetin e shkëlqyeshëm të Skënderbeut në nivel të një heroi vendas mendjeshkurtër. Skënderbeu e ka gjithë Evropa, e ka bota të vetin, e nëpër të e vetëm nëpër shpirt të tij ia njeh vlerën e meritat e hershme edhe të Shqipërisë”. Studiuesi me i shquar shqiptar për Skënderbeun, Kristo Frasheri personalitetin e Skënderbeut e quan Krye vlerë e historisë sonë kombëtare.
Që këtej për merita ndaj jetës dhe veprës, në shumë qendra të Evropës gjatë shekujve të mëvonshëm u ngritën shumë përmendore e sheshe kushtuar Kreshnikut shqiptar, u shkrua një numër shumë i madh i veprave për kryetrimin tonë. Ngritja e përmendoreve të Skënderbeut në qendra të Evropës, u tregon miqve tanë për qenien tonë si komb dhe fisnikërinë e vlerave tona evropiane.
Këto vepra janë një mrekulli që provon ekzistimin tonë etnik dhe përjetëson shqiptarizmin, të cilin as vargu më dërmues i ekstremeve historike nuk arriti ta mposht, meqë ne, si një ndër popujt më të lashtë të Evropës, ndiejmë në vete hove të gjalla vitaliteti që befasojnë edhe armiqtë tanë më të ashpër. Sot emri i Skënderbeut nuk duhet të konsiderohet vetëm ngadhënjyes i betejave të mëdha, apo vetë luftëtarë i shquar që luftoi pandërprerë për lirinë e vendit, por, duhet të ngjallë në shpirt lakminë për një Shqipëri dhe Kosovë Euroatlantike, dhe për vetë administrim dhe qeverisje ekzekutive dhe politike te pavarur në hapësirat shqiptare në Maqedoni dhe Serbi, e Mal të Zi. Këta shkrim si prolog për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut po e përmbyllim me konstatim se Figura më madhështore shqiptare dhe e Evropës në vitet 1444-1468, ishte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai ishte gjeni i artit ushtarak, ai ishte largpamës i madh në çështjet politike, ai ishte organizator dhe aleat i shkëlqyeshëm, ai ishte dhe mbeti ylli më i ndriçues në popullin e vet dhe në historinë njëzet e pesë vjeçare të Evropës she shekullit XV.
Duhet thënë se bota shqiptare ka ditur ta çmoj këtë personalitet, me faktin se portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është simbol nacional që personifikon unifikimin e etnisë shqiptare, por, duke u nisur nga përvoja e aspekteve që dalin nga Epoka e lavdishme e heroit tonë kombëtar, shtrohet domosdoshëm uniteti strategjik kombëtar. Arbëreshët e Italisë në një këngë të vetën thonë që: “Skënderbeu gëzohet dhe zbret nga qielli kur janë bashkë gjithë arbëreshët”, pra gjithë shqiptarët, E ne besojmë dhe shpresojmë se një ditë ai i madhi Skënderbeu dhe shqiptarët të jenë të bashkuar pra të gëzuar.