-Ministri federal gjerman, Christian Schmidt vizitë në Kosovë dhe Shqipëri/-Gjermania, kontribut të jashtëzakonshëm për çështjet jetike në Kosovë. Ministri federal gjerman për Ushqim dhe Agrikulturë, Christian Schmidt në vizitën në Kosovë u prit nga kryeministri Isa Mustafa e ministri Memli Krasniqi/
-Ministri Federal i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Christian Schmidt, i përcolli kryeministrit Mustafa përshëndetjet e Kancelares Federale Gjermane, Angela Merkel, duke theksuar mbështetjen e mëtejme të Gjermanisë për Kosovën në shumë drejtime/
-Ministri gjerman Schmidt ka vlerësuar punën që është bërë deri më tani dhe sipas tij tani prioritet është zhvillimi i Kosovës si një shtet evropian, i cili dëshiron të integrohet jo vetëm në tregun evropian, por edhe në bashkësinë e vlerave evropiane/
PRISHTINË, 17 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ministri federal gjerman për Ushqim dhe Agrikulturë, Christian Schmidt zhvilloi sot një vizitë në Kosovë dhe do vazhdojë me vizitën dhe në Shqipëri. Në Prishtinë, ministri federal Schmidt takoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi për të zhvilluar biseda politike.Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe ministri Schmidt kanë biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.Kryeministri Mustafa theksoi progresin e arritur në Kosovë dhe prioritetet e qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të vendit.Më tej, kryeministri Mustafa e njoftoi më gjerësisht për zhvillimet në Kosovë në fushën e bujqësisë, energjetikës, arsimit, investimeve, minierave dhe mineraleve, proceseve eurointegruese, luftën kundër korrupsionit, integrimin e pakicave dhe aspekte tjera.Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe të Gjermanisë.“Gjermania ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çështjet jetike në Kosovë në të gjitha fazat, duke qenë ndër përkrahësit dhe partnerët strategjik të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës edhe në proceset aktuale shtetndërtuese dhe europianizuese”, tha kryeministri Mustafa. Ministri Federal i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Christian Schmidt, i përcolli kryeministrit Mustafa përshëndetjet e Kancelares Federale Gjermane, Angela Merkel, duke theksuar mbështetjen e mëtejme të Gjermanisë për Kosovën në shumë drejtime.
Ministri Schmidt vlerësoi të arriturat e deritashme si dhe shfaqi interesim për shumë aspekte të zhvillimeve në vend, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Gjermanisë për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ministri Schmidt foli edhe për mundësitë konkrete të zgjerimit të shkëmbimeve dhe ofrimit të përkrahjes në fushën e bujqësisë, arsimit, integrimet evropiane, investimet, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik e social në Kosovë.Gjatë vizitës në Kosovë, pas takimit, ministri Schmidt dhe Ministri Krasniqi deklaruan për medie gjatë një konferenceje të përbashkët për shtyp.
KOSOVA DHE GJERMANIA INTENSIFIKOJNË BASHKËPUNIMIN NË BUJQËSI
Kosova dhe Gjermania do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, duke e zgjeruar këtë bashkëpunim tashmë edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë. Turizmi rural, vreshtaria dhe verëtaria, konsolidimi i tokave bujqësore, si dhe mbajtja e trajnimeve dhe praktikave të ndryshme për fermerët dhe ekspertët e Kosovës, por edhe për studentët e bujqësisë, janë fushat ku të dyja vendet do të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm.Kështu u tha sot në takimin mes ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tw Kosovws, Memli Krasniqi, dhe ministrit të Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Christian Schmidt.Ministri Krasniqi, tha se gjatë takimit kanë pasur bisedime konkrete për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të bujqësisë dhe më këtë rast ai ka falënderuar ministrin për bashkëpunimin e deritanishëm, i cili sipas tij ka qenë shumë konkret përmes Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë dhe GIZ-it gjerman në projekte të ndryshme në fushën e verëtarisë dhe vreshtarisë.
“Po ashtu edhe në kuadër të programeve të BE-së ne kemi përfituar mbështetja nga ekspertiza gjermane për sa i përket sigurisë së ushqimit në projekte të ndryshme në AUV, ndërsa besojmë se hapësira dhe vullneti i dyanshëm ekziston për ta zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në sektor të tjerë të bujqësisë, siç është turizmi rural, avancimi i mëtejmë në fushën e vreshtarisë dhe verëtarisë, pastaj konsolidimi i tokave bujqësore, që vazhdon të jetë një nga prioritetet tepër të rëndësishme për qeverinë e Kosovës, si dhe mbajtja e trajnimeve dhe praktikave të ndryshme për fermerët e Kosovës, për ekspertët tanë, por edhe për studentët e bujqësisë dhe fushave të përafërta në Gjermani, për të marrë përvoja nga dora e parë në një vend ku bujqësia është shumë e zhvilluar dhe prej ku Kosova ka çfarë të mësoj”, tha ministri Krasniqi. Ai ka treguar se janë pajtuar me ministrin Schmidt që vazhdojnë bashkërisht jo vetëm komunikimin, por edhe veprime konkrete në realizimin e kësaj agjende të përbashkët.
Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë së Gjermanisë, Christian Schmidt, ka vlerësuar punën që është bërë deri më tani dhe sipas tij tani prioritet është zhvillimi i Kosovës si një shtet evropian, i cili dëshiron të integrohet jo vetëm në tregun evropian, por edhe në bashkësinë e vlerave evropiane. “Fakti që Kosova e ka nënshkruar MSA-në është një hap shumë i rëndësishëm, megjithatë mbetet ende shumë punë për të bërë dhe për këtë unë e kam pranuar me dëshirë ftesën e ministrit të cilin kam pasur rastin ta përshëndes edhe në Berlin dhe me të cilin do të kemi mundësi që të takohemi sërish në janar ku ne do të flasim për çështje tjera të bashkëpunimit bilateral”, tha ministri gjerman.
Ai po ashtu tregoi se për të konkretizuar bashkëpunimin tutje ata janë pajtuar që të organizojnë së bashku edhe një forum, ku do të diskutohen hapat dhe veprimet e bashkëpunimit konkret në fusha të ndryshme të bujqësisë.