• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT GJERMANIA PUNON PËR NJË EVROPË TË BASHKUAR E SOLIDARE

October 4, 2020 by dgreca

Nga HEIKO MASS*- Përktheu Eugjen Merlika-

   “Tani mund të rritet së bashku  ajo që ka lindur për të qëndruar së bashku”. Të gjithë në Gjermani e njohin këtë thënie të Willy Brandt-it. Ende sot në Gjermani i a bashkëngjisim këtë frazë automatikisht  ribashkimit të dy pjesëve të Vendit tonë, të shqyera nga muri dhe telat me gjëmba, të kryer 30 vite më parë. Megjithatë , kush vëren me kujdes më të madh  mund të dyshojë që Willy Brandt mendonte me të vërtetë vetëm për Gjermaninë. Në fakt, që të nesërmen e  ditës së rënies së murit ai thonte se po ndodhte “diçka e madhe (…) që pjesët e Evropës do të rriteshin përsëri së bashku”.

            Bashkimi i Gjermanisë është bashkimi i Evropës: të dyja janë e do të mbeten të lidhura pazgjidhshmërisht. Në Laipsig, Berlin, Drezden dhe në shumë vënde të tjera të Gjermanisë lindore qindra mijra vetë kanë manifestuar për lirinë e tyre. Por edhe n’Evropën qëndrore e lindore, burra e gra kanë vërshuar nëpër rrugë kudo, dhe me vullnetin e tyre për lirinë, kanë rrëzuar mure e tela me gjëmba. Nuk do t’a harrojmë. Pa besimin e dhënë në një Gjermani evropiane e paqësore nga partnerët tanë evropianë, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga drejtuesit e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, nuk do të kishte qënë i mundur politikisht të sendërtohej ribashkimi. Prandaj mirënjohja jonë për bashkimin gjerman do të jetë gjithmonë e pandarë nga bindja e patundur se e ardhmja e Gjermanisë nuk mund të qëndrojë veçse në një Evropë me të vërtetë të bashkuar. Kjo është e vetmja përgjigje përfundimtare “çështjes gjermane” që ka shqetësuar dhimshëm Evropën në shekullin e shkuar.

            “Më shumë Evropë” nuk ka qënë kurrë  pra çmimi që ne gjermanëve na është dashur të paguajmë për ribashkimin, porse një fitore e mëtejshme historike e jona” Prandaj është e arsyeshme që “sendërtimin e Evropës së bashkuar” t’a futim në të njëjtin nen të Kushtetutës sonë që më parë përmbante synimin e ribashkimit gjerman.

            Etapat e mëdha themelore që kanë pasuar njëra tjetrën që atëherë janë të njohura mirë: krijimi i Bashkimit Evropian nëpërmjet Traktatit të Maastrihtit, Bashkimi Ekonomik e Monetar, Traktati i ynë aktual i Lisbonës e, mbi të gjitha, hyrja e Shteteve të Evropës qëndrore e lindore, vullneti i të cilëve për liri e dinamizmi janë bërë nxitësit vendimtarë për një bashkim evropian të mëtejshëm, jo vetëm si një treg i përbashkët më i madh, por edhe si një bashkësi vlerash.

            Mbas 30 vitesh ribashkimi belegët janë shndërruar: kriza e Coronavirusit nuk i shohet thjesht krizave të tjera, si lindja e kombëtaristëve të djathtë e të populistëve në gjithë Evropën, shemëria në rritje mes SHBA dhe Kinës dhe rreziku i dizinformacionit për demokracitë tona. Pandemia i shton dhe i rëndon këto kriza. Duhet t’i gjejmë një përgjigje të vërtetë evropiane atyre, pikërisht siç kemi bërë 30 vite më parë. Përgjigjia është e njëjta që kemi dhënë në periudhën e mëtejshme të ribashkimit të kontinentit tonë: kemi nevojë për solidaritet në brendësinë tonë, në mënyrë që Evropa të mundë të shpallë në mënyrë sovrane vlerat dhe interesat e saj kundrejt botës së jashtëme. Solidariteti e sovraniteti janë dy faqe të së njëjtës medalje.

            Në muajt e fundit kemi vërtetuar se Evropa mund të veprojë në mënyrë solidare përbrenda saj: së fundi duke miratuar një paketë masash ndihme të panjohur më parë, për të cilin të gjithë bashkëndajmë përgjegjësinë. Duam të bëjmë më shumë hapa përpara gjatë e mbrapa gjashtëmujorit tonë të Kryesisë së Këshilli të BE: të fuqizohet e gjithë Evropa, që duhet të jetë shoqërore dhe përtëritëse. Të ngjizet një ekonomi evropiane e qëndrueshme, me synime të lakmueshme për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit. Të përshtatet bilanci i ardhshëm i Bashkimit Evropianme themelet e vlerave të bashkësisë sonë. Kështu lind një Evropë në gjëndje të mbrojë vlerat e saj e të shpallë interesat e saj në botë. Nga blerja e barnave e të vaksinave, tek tejkalimi i krizave në afërsitë e saj deri tek mbarështimi më aktiv i kthesës dixhitale.

            Në të gjithë këto fusha “më shumë Evropë”do të thotë më shumë sovranitet i bashkëndarë, më shumë aftësi veprimi, më shumë ndikim në botën e së nesërmes. Për të sendërtuar gjithë këto kemi nevojë për të njëjtin besim, të njëjtin dinamizëm me të cilët popujt e Evropës qëndrore e lindore kanë fituar bashkimin dhe lirinë 30 vite më parë. Prandaj dëshërojmë që “Konferenca për t’ardhmen e Evropës” të fillojë punimet para fundit të gjashtëmujorit të Kryesisë sonë. Në mënyrë që qytetaret e qytetarët evropianë të mund të diskutojnë së bashku mbi rrugëdaljet nga krizat dhe mbi Evropën e viteve 2025 apo 2030, hapur edhe në mënyrë të kundërt. Sepse për të arritur bashkimin, nuk duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje që nga fillimi. Një nga pikat e fuqisë s’Evropës qëndron në ndryshueshmërinë tonë, me kusht që të mos harrojmë atë që na bashkon: vlerat tona. Ne gjermanët e dijmë sa është e vështirë rritja së bashku. Po gjithashtu dijmë se çdo mundim do të ketë shpërblimin e tij. Ja sepse sot zotohemi për bashkimin evropian me të njëjtin gjakim (pasion) me të cilin 30 vite më parë   jemi zotuar për bashkimin gjerman. Në mënyrë që të rritet së bashku ajo që është e lindur për të qëndruar së bashku.

            Corriere della Sera, 2 tetor 2020               Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Evropa e Bashkuar, gjermania, HEIKO MASS*- Eugjen Merlika

GJERMANIA PROTAGONISTE E SKENËS BOTËRORE TË MJEKSISË …

June 18, 2020 by dgreca

Flet për Gazetën “DIELLI” Dott. Mag. Xheni Voloti specializante në Kardiologji në kampusin Benjamin Franklin-Charité në Berlin/

SI U BË GJERMANIA PROTAGONISTE E SKENËS BOTËRORE TË MJEKSISË NË LUFTËN NDAJ COVID-19/

Dott. Mag. Xheni Voloti specializante në Kardiologji në kampusin Benjamin Franklin-Charité në Berlin, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Covid-19 në Gjermani, tipare të sëmundshmërisë së zemrës dhe masat që e bënë Gjermaninë model suksesi botëror në betejën ndaj Covid-19.  Me Dott. Mag. Xheni Voloti, bisedoi gazetari Sokol PAJA.

BERLINI NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Kanë kaluar tashmë rreth 5 muaj që prej vendosjes së masave të lockdoën-it në Berlin. Në këto muaj kam pasur mundësinë të jem dëshmitare e të vëzhgoj, sesi një sistem shëndetësor me themele të forta i drejtuar nga një plan i mirëmenduar mund të riorganizohet në kohë rekord në mënyrë të efektshme në një situatë të jashtëzakonshme. Sistemi  shëndetësor gjerman  është tejmase i mirëorganizuar jo vetëm në kuadrin e mirëfunksionimit të strukturave spitalore, por edhe në kuadrin e pasjes së një roli kyç të mjekut të familjes e të zbatimit të protokolleve të këshilluara nga shoqatat europiane të specialiteteve përkatese. Gjithashtu, një nga faktorët thelbësor, që e bënë Gjermaninë protagoniste të skenës mjekësore botërore, është edhe fakti se Kryeministrja Merkel u këshillua me ekspertë të fushës së mjekësisë dhe ekonomisë për të krijuar një plan, dukshëm tashmë, të efektshëm për të përballuar pandeminë nga SARS-CoV-2. Pjesa më e madhe e njerëzve punoi në homeoffice. Qendra spitalore universitare Charité krijoi që në fillim një aplikacion (CovApp) në përpjekje për të ndihmuar stratifikimin e pacienteve për të evituar dyndjen në urgjencat e spitaleve e rrjedhimisht evitimin e një saturimi inicial i panevojshëm. Sistemi spitalor u aksesorizua me poste të shtuara intensivi e u testua masivisht popullsia në rrezik që prej fillimit. Puna e stafit mjekësor u intensifikua shumë për të përballuar situatën e pandemisë. Personel mjekësor shtesë u trajnua për t´u paraqitur në repartet e intensivit, nëse do të lindte nevoja. Unë i kam ndjekur të dhënat e Institutit Robert Koch pothuajse rregullisht dhe vdekshmëria në Gjermani është rritur nga 2% në rreth 4.5% pas lehtësimit të masave të ndërmarra për kufizimin e pandemisë. Situata në Gjermani ishte dhe mbeti nën kontroll që prej fillimit. Paralelisht me punën time në klinikë si specializante e mjekësisë së brëndshme dhe e kardiologjisë, jam e angazhuar edhe në një nga projektet shkencore më të mëdha në Berlin. Për shkak të pandemisë, çdo studim që nuk kishte të bënte me Covid-19 ose me pacientë me Covid-19 u pezulluan nga autoritetet shtetërore. Unë isha e përzgjedhura e departamentit të kardiologjisë në kampusin ku unë punoj për të ndjekur pacientët me Covid-19 në përpjekje për të bërë një fenotipizim kardiak. Situata rezultoi aq shume nën kontroll, saqë e patëm të pamundur të rekrutonim kohortën e nevojitur për të arritur në konkluzione të vlefshme. Kjo sigurisht të gëzon, pasi ishte një lajm shumë i mirë për situatën. Për më tepër në dy kampuset e tjera të Charité-së filloi që në maj të reduktoheshin postet me shtretër të shtuar për përballimin e situatës. Mbetet sidoqoftë për t´u përgëzuar sjellja e popullsisë ndaj rregullave të këshilluara. Vetëm kur zbatimi i rregullave bëhet në grup, mund të arrihet një rezultat kaq i efektshëm në një kohë kaq të shkurtër. Në Berlin pati një lehtësim deri diku gradual të masave të marra. Që prej datës 15 qershor baret dhe restorantet mund të jenë të hapura pa orar. Së shpejti do të lejohen grupimet me 1000 persona. Gjithashtu edhe zyrat shtetërore po rifillojnë aktivitetin e tyre të zakonshëm. Më lejoni të shtoj se, në analizën retrospektive që do të duhet t´i bëhet rastit gjerman, duhet të merren parasysh edhe disa faktorë që kanë të bëjnë mentalitetin shoqëror dhe mjekësor të popullsisë. Në Gjermani është jo e shpeshte, që të jetojnë bashkë me shumë se një brez në një banesë. Gjithashtu, kontakti fizik në përditshmëri është tejet i reduktuar. Duke e krahasuar me situatën në Itali, mosha mesatare e të prekurve është më e vogël. Për më tepër, një i moshuar italian nuk do të donte t´i nënshtrohej procedurave miniinazive  (për shembull trajtimi me procedura miniinvazive i një valvule të zemrës). E kundërta do të ndodhte tek një i moshuar gjerman, të cilët janë më të prirur të pranojnë procedurat e këshilluara nga mjekët. E sa më shumë sëmundje të trajtuara të ketë një pacient i moshuar, aq më shumë i rriten shanset për të përballuar situata mjekësore, që mund të jenë kritike. 

PROBLEMET KARDIOVASKULARE TE PERSONAT E PREKUR NGA COVID-19

Pacienti kardiak ëhstë një pacient kompleks e si i tillë per se ka një rrezikshmëri të lartë për të pasur komplikacione e vështirësi në përballimin e tyre. Zemra dhe mushkëritë ndërveprojnë ngushtë me njëra-tjetrën për të plotësuar nevojat e organizmit e janë dy prej organeve më të rëndësishme të përfshira në ruajtjen e ekulibrit  të nevojitur për mirëfunksionimin e trupit. Komuniteti shkencor i kardiologjisë ka qenë shumë aktiv mbarë botërisht për të mbledhur të dhëna lidhur me përfshirjen kardiovaskulare në sëmundjen Covid-19. Nga rezultatet e para  në fillimvit u vu re se mund të kishte një dëm kardiak të asociuar tek pacientët e infektuar e, meqënëse sëmundjet virale respiratore janë një faktor risku kardiovaskular  i njohur, pavioni i spitalit ku unë aktualisht punoj nuk u shndërrua menjëherë në pavion Covid-19. Kjo për të evituar kontaktin e pacientëve të shtruar me raste të dyshimta që mund të rezultonin pozitivë. Momentalisht, sipas protokolleve të përditësuara të Charité-së, të gjithë pacientët e pranuar në repart duhet të testohen paraprakisht përmes një tamponi nazo-faringeal të kryer në urgjencën e spitalit. Në periudhën e parë pas lockdoën-it në Gjermani u vu re dukshëm se pati një rënie të numrit të pacientëve që paraqiteshin me një diagnozë të infarktit të miokardit (NSTEMI ose STEMI). Ky fenomen është raportuar dhe në Kinë e në ShBA. Tashmë situata ka ndryshuar e pacientet kardiak po i drejtohen edhe një herë urgjencave. Ka dy shpjegime të mundshme për atë që ndodhi. Në fazen e lockdoën-it pjesa me e madhe e njerëzve kanë punuar në homeoffice e për rrjedhojë kanë qenë më pak të ekspozuar ndaj stresit emocional e fizik, që janë shkaktarë të njohur të infarktit të miokardit në pacientë me sëmundje të koronareve. Arsyeja e dytë mund të ketë qenë frika nga infektimi me SARS-CoV-2 në spital. Komplikacionet e infarktit të miokardit mund të jenë edhe fatale e nuk është e këshillueshme që të evitohet paraqitja tek mjeku në rast simptomash. Fillimisht do të doja të shprehja qartë disa pika kyçe, pasi është e rëndësishme që në këtë situatë emergjente të mos spekullohet me informacionin e shpërndarë. Dua të theksoj se informacionet e poshtëpermendura i referohen studimeve të publikuara në periudhën prill-maj 2020. Pikë së pari, të dhëna nga Kina dhe ShBA tregojnë se nuk ka një ndryshim relevant të prevalencës së sëmundjeve kardiovaskulare mes pacientëve me Covid-19 dhe popullsisë së gjërë.  Së dyti, sëmundjet kardiovaskulare  janë të shpeshta mes pacientëve me Covid-19. Sigurisht, vlen për t´u përmendur  se prirja e pranimit në spital është më shumë e drejtuar ndaj një pacienti 70-vjeçar me sëmundje kardiovaskulare e Covid-19, sesa ndaj një 30-vjeçari me simptoma të mesme të Covid-19 pa sëmundje të mëparshme.

Së treti, nuk ka akoma të dhëna shkencore solide të cilat të vërtetojnë, se sëmundjet kardiake paraqesin një risk të shtuar për t´u infektuar me SARS-CoV-2. Ka artikuj shkencorë, të cilët kanë treguar një asociacion të sëmundjes së koronareve me një prognoze me të keqe te Covid-9. 

Se katërti, për shkak të fiziopatologjise së infeksionit me SARS-CoV-2, pati në muajt e mëparshëm një hezitim për të përdorur inhibitoret e ACE, që janë një nga klasat e ilaçeve më të përdorura në pacientët kardiake.  ESC-ja (European Society of Cardiology) u shpreh qartë se nuk kishte akoma të dhëna të mjaftueshme, që mbështesnin spekullimin se pacientët, që përdornin këtë grup ilaçesh, mund të ishin më të rrezikuar. Një studim i publikuar në “NEJM”  tregoi se marrja e inhibitorevete ACE ose e ilaçeve të tjera antihipertensive nuk ndikon në mënyrë relevante në prognozën e keqe ose jo të Covid-19. Së fundmi, duhet të theksoj se nuk ka akoma një terapi specifike të target-uar kundrejt sëmundjes Covid-19. Të gjitha trajtimet proceduriale e medikamentoze tek pacientët me Covid-19 janë simptomatike. Në prani të komplikacioneve, vendosen në zbatim protokolle tashmë të etabluara që përdoren prej vitesh. Sipas të dhënave të fundit të publikuara në revistat e njohura shkencore, demi kardiak akut raportohet të shfaqet në formën e miokarditit, infarktit të miokardit, aritmive, insuficiencës kardiake akute dhe shokut kardiogjen. Sidoqoftë janë verifikuar dhe raste miokarditi deri në 15 ditë pas Covid-19. Në nivelin qelizor shikohet se kardiotoksiciteti gjatë Covid-19 mund të jetë multifaktorial e i ndërmjetësuar nga stuhia e citokinave proinflamatore e demi vaskular si rrjedhojë e inflamacionit nga infeksioni me SARS-CoV-2. Troponina me sensitivitet të larte (hs-troponin) është një indikator i dëmit kardiak. Në nivelin laboratorik është parë një rritje e troponinës tek pacientët me Covid-19. Në një meta analizë të vogël kjo rritje ka rezultuar e ascociuar me një ecuri të Covid-19 më të komplikuar. Nëse kjo rritje e troponinës është një konsekeuncë direkte e virusit apo e demit nga infeksioni ose e komplikancioneve të infeksionit me SARS-CoV-2, mbetet akoma për t´u parë. Përveç troponinës, një marker tjetër i rritur në pacientët me Covid-19 i raportuar që prej fillimit nga Kina, ka qenë dhe D-dimeri, një marker i koagulimit të gjakut. 

Sipas Akademisë Gjermane të Trombozes dhe Hemostazës, tek pacientët e shtruar me Covid-19, në mungesë të kontraindikacioneve, është e këshilluar një dozë profilaktike me antikoagulant.  Është për t´u theksuar se kjo është gjithësesi një procedurë standarte për pothuajse çdo pacient të shtruar në spital, sigurisht gjithmonë në mungesë të kontraindikacioneve. Është e rëndësishme që njëkohësisht këta pacientë të mbikëqyren ngushtë përsa i përket parametrave të koagulacionit për të evituar komplikacionet e mundshme. Për të evituar thellimin e mëtejshëm në informacion tejet mjekësor, do të doja të thoja në mënyrë të shkurtër e të përmbledhur se diagnoza e përfshirjes kardiake në pacientët me Covid-19 duhet të ketë vëmëndje të veçantë. Konstelacionet e ndryshme që paraqiten në EKG, në ekon e zemrës për sindromën akute të koronareve ose dhe në rizonancën manjetike në rastet e miokarditit, duhet të identifikohen sa më shpejt të jetë e mundur, që të shërbejnë për të planifikuar një terapi të target-uar konform protokolleve ndërkombëtare.

SHQIPTARËT NË BERLIN

Un kam pak vite që jam në Berlin e modaliteti i qëllimit tim këtu, mes specializimit dhe kërkimit shkencor, me limiton në kohë për të krijuar kontakte ekstensive përtej qëllimit të punës. Nuk di të ketë të dhëna zyrtare përsa i përket komunitetit tonë këtu. Unë mund të them nga pervoja ime personale se Berlini, duke qenë një qytet vibrant, është shumë atraktiv për shumë studentë shqiptarë, të cilët i janë drejtuar për të ndjekur studimet universitare ose post-universitare në vitet e fundit. Unë jam pjesë e nismës vullnetare të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani për t´i ardhur në ndihmë komunitetit tonë këtu në kohëra të pandemisë. Jemi një grup mjekësh nga e gjithë Gjermania, që ushtrojmë profesionin tonë këtu e që kemi vënë në dispozicion një mjet kontakti për komunitetin shqiptar në landin përkatës. Jam kontaktuar nga individidë të ndryshëm shqiptarë që jetojnë në Berlin. Jam munduar t´u shpjegoj se paraqitja tek mjeku për një ekzaminim të saktë është gjëja më e rëndësishme. Në spitalin ku unë punoj, gjatë turneve të natës si specializantë jemi përgjegjës për pacientët e repartit të kardiologjisë e të pneumologjisë. Disa herë me ka ndodhur gjatë turnit të kem vizituar personalisht individët nga të cilët jam kontaktuar në kuadrin e kësaj nisme. Për fat të mirë, ishin raste ku nuk nevojitej një shtrim në spital. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Unë jam shumë e re për të dhënë një mesazh qoftë nga mosha po edhe aq nga kontributi akademik e diaspora shqiptare në Amerikë ka një histori të hershme.

Por do të më pëlqente  që, po aq sa shqiptaret aty në Amerikë janë një komunitet dinjitoz në fushën e shkencës, artit e biznesit njëkohësisht dhe mjaft të lidhur e të respektuar me njëri-tjetrin, edhe ne në kontinentin tjetër të kontribuonim në integrimin e jetës sociale dhe akademike për të ngritur sa më lart emrin e Arbrit. Mesazhi për Gazetën “Dielli“ është të punojë pa reshtur për të promovuar çdo arritje e kontribut të shqiptarëve në diasporë. Ne sytë e mendjen sëbashku e kemi nga Shqipëria, mëmë se cilës i përkasim. Dhe pse të larguar, jemi pjesë e një kombi, që ka virtyte e histori të veçantë e për të cilin unë ndjehem krenare.

KUSH ËSHTË DOTT. MAG. XHENI VOLOTI

Dott. Mag. Xheni Voloti kreu studimet universitare në UKZKM në periudhën 2009-2015 në degën “Mjekësi dhe Kirurgji” dhe u diplomua me notë maksimale. Aktualisht është duke ndjekur vitin e dytë të specializimit në Kardiologji në kampusin Benjamin Franklin-Charité në Berlin, ku fillimisht kreu studimet e doktoratës mjekesore (Dr.med). Punimet e projektit të doktoratës i zhvilloi në laboratorin shkencor të së njëjtit repart në fushën e rimodelimit kardiak. 

Momentalisht është gjithashtu edhe kërkuese shkencore klinike dhe anëtare e projektit BeLOVE në Institutin e Shëndetit të Berlinit (BIH), i fokusuar në kerkimin shkencor translacional. Aktualisht projekti i saj perfshin rolin e imunofenotipizimit ne stratifikimin e riskut kardiak. Xheni Voloti është anëtare e Dhomës së Mjekëve në Berlin si dhe e Shoqatës Gjermane së Kardiologjisë. Qendra Spitalore Universitare Charite ku Dott. Mag. Xheni punon, është qëndra spitalore më e madhe në Europë. Sipas klasifikimit të Statista të publikuar në Newsweek në 2019, Charité-ja u rendit e pesta në listën e spitaleve më të mira në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Dott.Mag.Xheni Voloti, gjermania, Sokol Paja

SUKSESI GJERMAN NË LUFTËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË BERLIN

May 15, 2020 by dgreca

Doktor Ardian Mustafai së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Margarita Dalipi-Mustafai rrëfejnë Berlinin ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja/

Doktor Ardian Mustafai .

COVID-19 NË GJERMANI DHE PASOJAT

Dr.Margarita Dalipi-Mustafai .

Gjermania në Eurozonë ishte shteti më i suksesshëm në luftën ndaj pandemisë që ka paralizuar globin. Edhe pse shteti gjerman shërben si model shumë efikas në luftimin e kësaj sëmundje, prapë se prapë pasojat janë ndjerë në të gjitha fushat e jetës. Pandeminë Globale të quajtur COVID-19 të shkaktuar nga SARS-CoV-2, pritet ta pasojnë një sërë ndikimesh dhe luhatjesh si shëndetësore, njerëzore, ekonomike, e shoqërore në përgjithësi. Asgjë sdo jetë si më parë. Dëmi në ekonomi, ngadalësimi në zhvillimin e sipërmarrjeve dhe kryesorja humbjet në jetët njerëzore kanë sjellë një shqetësim jo të vogël te popullsia vëndase. Për shkak të menaxhimit të shkëlqyer të krizës që shpërtheu nga pandemia globale, ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe planit të masave, bëri që Gjermania edhe pse me numrin më të madh të banorëve krahasuar me shtetet tjera të Bashkimit Evropian, e kaloi me suksese këtë sfidë, bazuar nga numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që përfunduan letalisht. Ky sukses u garantua nga fakti se Qeveria gjermane, Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë në koordinim me Institutet e varësisë, filluan testimet masive të popullatës, për detektimin e hershëm të personave që mund të ishin prekur nga pandemia globale. Situata aktuale përsa i përket numrit të të shëruarve spontanisht është në rritje e sipër, duke marrë parasysh se ende nuk ka vaksinë për të kuruar Covid-19. Një tjetër tregues shpresëdhënës në lidhje me të ardhmen pozitive është fakti se numri i të infektuarve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas rekomandimeve më tëfundit nga autoritet shëndetësore, prej muajit Maj 2020, kemi lehtësime në qarkullimin hekurudhor, atij të transportit publik, hapjen e shumë lokaleve dhe hotelerive të ndryshme, shkollave e çerdheve për fëmije, mbajtjen e manifestimeve të ndryshme, normal në numër të konsiderueshëm të njerëzve. Por ajo që duhet theksuar mbi të gjitha është detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjithë Landet e  Gjermanisë.

Gazetari Sokol Paja.

INSTITUCIONET SHTETËRORE NË LUFTË NDAJ COVID-19

Përsa i përket masave të marra nga shteti gjerman për luftimin e COVID 19, qeveria Gjermane në bashkëpunim me institutionet mjekësore të varësisë, që në fillim të janarit të vitit 2020 ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV2. Institucionet sensibilizuan popullatën nëpërmjet rekomandimeve të dala nga Institutet Virologjike, si Robert-Koch – Institutit me seli në Berlin, po ashtu edhe të tjerëve në vend, duke mbajtur distancën prej 2 metra nga njëri-tjetri, mos dhënien e duarve gjatë përshëndetjeve, mos lejimin e mbajtjes të asnjë lloj manifestimi sportiv, kulturore, social, përdorimin e domosdoshëm të maskave në fytyrë, pastrimin e shpeshtë të duarve, testimi i numrit të madh të popullatës, etj.

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Bashkatdhetarët shqiptarë në Gjermani kanë qenë shumë pak të prekur dhe fatmirësisht pa pasoja në jetë të humbura. Nga strategjia e suksesshme e qeverisë dhe nga ndërgjegjsimi i shpejtë bëri që shqiptarët të shpëtojnë paqë. Përsa i përket numrit të të infektuarve shqiptarë në Gjermani, në bazë të të dhënave nga ana e grupeve të punës të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani në të gjitha Landet e Gjermanisë, rezulton të jetë shumë i vogël. Në lidhje me këtë, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani u vu në dispozicion për çdo lloj informate apo njoftimi nga ana e mjekësve që t’i shërbejë popullatës shqiptare në Gjermani si udhërrëfyes, në rast infektimi, si ndihmesë se ku ata të orientohen dhe drejtohen për të ndjekur më pas hapat mjekësorë. Përsa sa i përket sferave të tjera, normal që shumë shqiptarë që shërbejnë në Gastronomi e Hotelieri janë të goditur nga kjo murtajë. Ne jemi shpresëplotë se me këto lehtësime të lëvizjeve të njerëzve e rikthimit në jetën normale në Gjermani, do fillojnë të frymojnë lirshëm edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Gjermani. Hapja e shtetit do ndikojë pozitivisht si ekonomikisht dhe psikologjikisht për qytetarët e kyçyr nga pandemia globale.

TREGUESIT NË VAZHDIM TË COVID-19 NË GJERMANI

Shifrat që vijnë nga Gjermania janë gjithnjë e në përmirësim çka japin shumë shpresë në ecurinë pozitive të luftës së suksesshme ndaj pandemisë botërore Covid-19. Kurba e të infektuarve ka ndryshueshmëri në varësi të ditës dhe javës. Gjersa në fillim të vitit shkalla e infektueshmërisë rritej, ku një person i infektuar mund të infektonte 10 të shëndoshë, pra shkalla1, me kalimin e kohës, shënoi ulje nga 0.6 – 0.7. Parashikimet për shkallën e infektueshmërisë për momentin është vështirë të parashikojmë, pasi në dallim nga dita në ditë, por ajo që pritet të shihet në vazhdim është numri i të shëruarve spontan, gjë që ka shënuar rritje të lartë. Me shpresë që pas këtyre lehtësimeve të kohëve të fundit në lëvizje të njerëzve, dhe hapjen e lokaleve dhe lejimin e manifestimeve të ndryshme, nuk do kemi valë të dytë të infektimit, kjo do na pamundësonte të vlerësonim pasojat e mundshme. Në lidhje me jetët e humbura të qytetarëve gjermanë ndër shkaqet kryesore tëvdekjeve në moshat e thyera kanë qenë shkaqe duke filluar nga ato kardiovaskulare, pulmologjike, diabetike, kanceroze, immunitet të dobët, këta janë më të prekur, ku fatkeqësisht një pjesë pëfundon në ventilimn mekanik me Intubacion, dhe si rrjedhojë përfundojnë letalisht. Kujdesi duhet të jetë jashtëzakonisht i lartë perderisa nuk kemi ende vaksinën në disponim, nuk do mund të themi se kemi arritur sukses në parandalimin apo shërimin e COVID-19, sepse në çdo çast mundet që SARS-CoV2 të infektojë dhe të kthehet në ditët më të këqija të shpërthimit të pandemisë. Përfundimi i një epidemie nga çasti i infektimit çka do të thotë 28 ditë nga i infektuari i fundit si i testuar negativ. Deri tek ky moment magjik, besoj do na nevojitet një kohë e gjatë. Në këtë betejë sa institucionale sa shëndetësore sa njerëzore nevojitet bashkëpunim dhe kujdes i të gjitha hallkave pasi një zinxhir i vetëm nuk mund të bëjë asgjë në luftë me ketë virus agresiv. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË SHBA

Nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes lexuesit e Diellit, komunitetin shqiptar në USA dhe veçanarisht federatën panshqiptare Vatra si një federatë mbarë shqiptare me një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, traditës e kulturës dhe promovimin e çdo shqiptari të suksesshëm. Vatra është model i organizimit dhe funskionimit të diasporës shqiptare. Për të gjithë komunitetin shqiptar në USA unë do t’ju bëja thirrje qëtë kenë kujdes të shtuar në këtë betejë të egër me virusin vdekjeprurës. Lexuesve të gazetës Dielli do ju rekomandoja që ruajtja e distancës prej 2 metra të jetë e panegociueshme, të bëhet shpesh larja e duarve, të mos përshendesim me duar, mbajtja e maskave nëpër qytet dhe në hapsirat publike. Sipas të gjitha të dhënave të Instituteve Virologjike deri tek Vaksina do nevojitet të paktën edhe 1 vit kohë, deri atëherë infeksioni nëçdo kohëështë i mundshëm. Prandaj ti përmbahemi regullave të lartë përmendura. Virusin do ta mundim të gjithë bashkë me punë, kujdes mjekësor, distancim social dhe higjienë personale.

KUSH JANË MJEKËT BASHKËSHORTË ARDIAN MUSTAFAI DHE MARGARITA DALIPI-MUSTAFAI 

Dr.med.Ardian Mustafai është nga Tetova e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton dhe punon me vite në Gjermani si mjek Internist-Kardiologji si dhe në Mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit, si dhe njëherësh është Nënkryetar i parë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai është nga Struga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton e punon me vite në Gjermani si mjeke Internist-Nefrologji, si dhe në mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit. Puna e mjekut Ardian Mustafai në diagnostikën Klinike në Kardiologji konsiston në trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmjet Diagnostikës së Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stress-Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjetë Kontrast, Ergometrisë, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostikë. Në mjekimin Intensiv kryesisht mjekët bashkëshortë merren me ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet. Puna e doktor Ardianit në Klinikën e Nefrologjisë ka të bëjë kryesisht me Dializimin, Hemofiltracionet, Plazmaferezen, Immunofiltracionet, Biopsisë e Veshkave, si dhe Ultrazërin e Veshkave. Doktor Ardian Mustafai është anëtar i shoqatës së kardiologëve të Gjermanisë. Të dy bashkëshortët janë pjesëmarrës në shumë Konferenca e Kongrese të ndryshme vendore e ndërkombëtare në fushën e mjekësisë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Adrian e Margarita Mustafai, gjermania, Sokol Paja

Kosova vlerësohet nga gjermanët si një vend turistik

June 19, 2018 by dgreca

-Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë-/

1 Kosova Gjerm

Shoqata gjermane “Lions Club”  nga Hockenheimi i Gjermanisë, këtyre ditëve ka realizuar një ekskursion në Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë edhe më tej ndër destinacionet më  ekzotike për vetëm dy orë distancë me fluturim me avion nga Gjermania. Por, kjo nuk do të ngelë gjithnjë kështu, mendoi anëtari i “Lions Club”, Werner Krauss, i cili deri më tani ka organizuar shumë udhëtime për këtë klub. Me çiftin shqiptar Halit Berisha dhe Shqipe Gara-Berisha, ai nuk ka mundur të gjejë ekspertë më të mirë për ta shoqëruar gjatë udhëtimit. Që të dy jetojnë që 25 vite në Gjermani, mirëpo ende kanë kontakte shumë të mira me vendlindjen.

Në kryeqytetin e Kosovës në program ishin vizitat në Ministrinë e Diasporës dhe një vizitë në Kuvendin e Kosovës, që u themelua në vitin 2008, shkruan “Schwetzinger Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.

Kosova ka dy milionë banorë, ndërsa tre milionë të tjerë me prejardhje nga Kosova jetojnë të shpërndarë. Misioni i Ministrisë së Diasporës është që të kultivojë kontaktet me kosovarët jashtë vendit, të cilët, duke iu falënderuar transferimeve të tyre të të hollave në vendlindje, po luajnë një rol të rëndësishëm në ngritjen e ekonomisë kosovare.

Gjatë pritjes nga deputetja e Kosovës, Ganimete Musliu, kontaktet u bënë edhe më të afërta. Gjatë luftës së Kosovës nga fundi i vitit 1990, ajo kishte gjetur strehim si refugjate në Gjermani. Në ndërkohë, ajo është tashmë një kohë të gjatë deputete në Kuvendin e Kosovës: “Kemi ende shumë për të bërë, por po punojmë që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE”, e ka përshkruar ajo motivimin dhe optimizmin e saj, edhe përkundër të gjithë problemeve aktuale.” Dhe natyrisht se marrëdhëniet tona reciproke personale e ekonomike me Gjermaninë duam edhe më tej t’i intensifikojmë.

Në Komunën e Fushë Kosovës, zëvendës kryebashkiaku i ka pranuar mysafirët, ndërsa kryetari i “Lions Club”, Harald Süss dhe pasuesi i tij Ralph Schlusche e kanë falënderuar pa masë. Një kënaqësi e vërtetë muzikore ka qenë performanca e nxënësve dhe trupit shkollor të Gjimnazit “Prenk Jakova” të cilët krijuan një atmosferë të hareshme me zhanre të ndryshme të muzikës, përcjell tutje albinfo.ch.

Delegacioni e vizitoi edhe Katedralen e Nënë Terezës, që iu la mbresa të veçanta me dritaret e saj me ngjyra të gjalla. Edhe pse llogaritet se 90 për qind e popullsisë kosovare i takon besimit islam, nëna e shenjtë me prejardhje shqiptare që veproi në Indi, nderohet për së tepërmi.

Vargu i mbresave pozitive vazhdoi edhe më tej: Hotelet mesatarisht ishin të nivele me katër apo pesë yje dhe ushqimi kosovar ishte i shkëlqyeshëm.

Kulminacioni turistik ishte vizita e Prizrenit historik, qyteti i dytë më i madh në Kosovë. Mëkat i madh që kaq pak njihet ky potencial turistik, i vendosur rrëzë Malit Sharr. Në një hapësirë të ngushtë janë të ndërtuara xhami të vjetra, kisha ortodokse e katolike.

Në Prizren gjithashtu ndodhi ritakimi me konsullin kosovar nga Shtutgarti, Besnik Miftaraj, i cili në nëntor të vitit të kaluar ishte mysafir në Neulussheim. Një ftesë e përzemërt erdhi edhe nga Imer Meta, i cili gjatë luftës së Kosovës kishte kërkuar strehim në Gjermani. Këtu punoi si murator në sipërmarrjen e Werner Krauss, transmeton albinfo.ch.

Pas kthimit në Kosovë, ai e kishte themeluar një sipërmarrje ndërtimi, duke i punësuar rreth 20 bashkëpunëtorë: “Po bëj të njëjtën gjë, ashtu siç e bënte shefi im i atëhershëm Werner”, ka rrëfyer Imeri për suksesin e tij. Të gjithë mysafirët ai i ftoi në një ushqim tradicional në një restorant shumë të frekuentuar për vendasit.

Luftën e Kosovës e përkujton lapidari i familjes së Adem Jasharit në Prekaz, rreth 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Në këtë vend jetoi luftëtari i paepur i lirisë, Adem Jashari, i cili në vitet e nëntëdhjeta, edhe me mjete luftarake luftoi kundër okupatorit serb të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Rrethimi i shtëpisë së tij nga regjimi i Millosheviqit në mars të vitit 1998, përfundoi me vrasjen e tij dhe të 58 anëtarëve të tjerë të familjes, në mesin e të cilëve shumë fëmijë e pleq. Kjo masakër kulmoi me shkaktimin e luftës së Kosovës, e cila dhjetë vite më vonë përfundimisht solli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Shqipëria ka peizazhe të shkëlqyeshme dhe është shumë e bukur, mirëpo në aspektin ekonomik nuk është e zhvilluar sikurse Kosova. Aspiratat për progres ekonomik janë të mëdha, që dëshmohet në kryeqytetin e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës kishte paralajmëruar se qytetin do ta bëjë më të pastërtinë në Ballkan. Çifti bashkëshortor Berisha kishte organizuar një vizitë në shkollën private “Elina”, shkruan më tej Albinfo.ch.

Me këtë rast, nxënësit kishin përgatitur një pasqyrë të vendlindjes së tyre përmes performancave folklorike dhe ushqime vendore.

Me këtë rast, Ralph Schlusche u falënderua me një dhuratë modeste. Në përfundim të udhëtimit, u vizitua edhe një bio fermë shumë e njohur në Shkodër, në kufirin me Malin e Zi, “Mrizi i Zanave”. Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: gjermania, Kosovo vend Turistik

GJERMANIA PËRKRAH KOSOVËS

October 3, 2017 by dgreca

-Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt: Gjermania – në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Europian – do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj/

1 Haradinaj Gjermani

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Ribashkimi i Gjermanisë, 27 vite më parë, i ka dhënë shpresë dhe besim të ri, në një të ardhme paqësore dhe pa kufinj ndarës, Evropës dhe tërë botës/2 gjermani2

PRISHTINË, 2 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Gjermania mbetet përkrah Kosovës, tha ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt (Kristian Held), sot në mbrëmje në fjalimin me rastin e pritjes për shënimin e përvjetorit të 27-të të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.“Ne duam t’ju ndihmojmë në ndërtimin dhe konsolidimin e sundimit të ligjit gjithandej në Kosovë, t’ju shoqërojmë në luftimin e korrupcionit, të nxisim zhvillimin ekonomik, si dhe t’ju mbështesim në një dialog të balansuar me Serbinë”, tha ai.

Nga përvoja jonë në Gjermani, vijoi ambasadori Heldt,  unë besoj se konsensusi nacional dhe vullneti për të bërë kompromise mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve fundamentale.

“Pas një bllokade politike, unë sinqerisht shpresoj që dialogu konstruktiv politik do të vazhdojë dhe do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj drejt prosperimit dhe integrimit euro-atlantik”, shtoi ai.

Ambasadori Heldt u shpreh se Europa është shpresë, është një e mirë e përgjithshme, realitet dhe e ardhme, veçanërisht për gjeneratat tona të reja.

“Dhe Kosova është Europë dhe do të jetë pjesë e Unionit. Ne po ju presim”, theksoi ai.Ambasadori Heldt  siguroi se, ashtu si Gjermania në të kaluarën, as Kosova nuk do të mbetet vetë.“Gjermania – në mënyrë bilaterale dhe brenda Bashkimit Europian – do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj”, theksoi ambasadori në festimin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar:Ribashkimi i Gjermanisë, 27 vite më parë, i ka dhënë shpresë dhe besim të ri, në një të ardhme paqësore dhe pa kufinj ndarës, Evropës dhe tërë botës.Ishte kënaqësi e veçantë që sonte, me rastin e shënimit të përvjetorit të 27-të të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, në eventin e organizuar nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, të isha i pranishëm në këtë ngjarje të këndshme dhe tejet relaksuese.Gjermania ka dhënë mbështetje shumë të madhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe për këtë, populli i Kosovës dhe unë, do të jemi përgjithmonë mirënjohës.

Filed Under: Kronike Tagged With: gjermania, PËRKRAH KOSOVËS

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT