Tingëllime vëndemrash ilire(2) */
Nga Prof. NELSON CABEJ/
Të dhënat arkeologjike tregojnë se një vëndbanim i lashtë mund të ketë ekzistuar në Gjirokastër qysh para erës se re. Gjurmët më të hershme arkeologjike këtu i takojnë epokës se hekurit të hershëm (shekujt XI-VII p.e.s.) por muret e qytetit duket se janë ndërtuar më vonë, në shekullin III dhe kështjella e qytetit mendohet të jetë ngritur nga shekulli XI. Për shkak të pozitës se tij sunduese mbi luginën e Drinos, qyteti mund të jetë rritur pas rrënimit të Drinopolit dhe qyteteve të tjera të lashta përrreth, me fillimin e sulmeve barbare nga shekujt IV-VII.
Në lashtësi, lugina e Drinos ka qënë e banuar dëndur dhe të dhënat arkeologjike tregojnë se në atë luginë kanë ekzistuar të paktën tre qytete të tjera të lashta; një në jug të luginës, në të majtën e lumit Drino, Drinopolis ose, siç del në burimet e lashta Hadrianopolis, një në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Drino (Antigonea?) dhe një më në veri, në krahun e majtë të po atij lumi, Phanota, e lokalizuar në Palokastër.
Një qytet me emrin Argyros (Άργυρoς, πόλις) përmëndet edhe nga historiani sirakuzan Filisto1 dhe një vëndemër ilir të ngjashëm me këtë ka qyteti ilir Argyruntum, në brigjet e Dalmacisë së lashtë, që përmëndet nga Ptolemeu dhe Plini Plak (77–79)2. Në afërsi të tij sot gjëndet Starigrad i Kroacisë.
Në shekullin VI, Stefan Bizantini (Στέφανος Βυζάντιος), në veprën Ethnica (Ἐθνικά)3, përmënd fisin epirot të argirinëve (Argyrinoi (Άργυρίνοι), duke u bazuar te historiani i lashtë grek nga Sicilia, Timaeus-i (Τιμαῖος) (rreth 345 – rreth 250 p.e.s.) dhe poeti tragjik i shekullit III p.e.s., Likofroni. Ky i fundit, ndër të tjera, i këndon erërave të jugut që shkojnë nga Afrika “te argjirinët dhe lëndinat e Kerauneve” (Εὶς Άργυρίνυς καὶ Κεραυνίων νάπας) (Lycophron, v. 1016-1017)4.
Emri i këtij fisi iliro-epirot duket se rrjedh nga rrënja indoeuropiane *ar(e)-ĝ- “që vezullon, shkëlqen, i bardhë”. Që rrënja indoevropiane *ar(e)-ĝ-, nga e cila ka dalë edhe greqishtja e vjetër argyros edhe latinishtja argentum për argjënd, ka ekzistuar edhe në ilirishte-epirotishten provohet nga ekzistenca e qytetit ilir me emrin Argyruntum në Dalmacinë e lashtë, që përmëndëm më parë.
Studiuesi britanik W.M. Leake (1777-1860) në vitin1835 ishte i pari që shprehu mendimin se “Megjithëse Gjirokastra nuk ka shënja shumë të dukshme të një vëndi të lashtë, emri i qytetit mund të rrjedhë nga emri i argjirinëve, të cilët Likofroni dhe dy autorë grekë të cituar nga Stefan Bizantini, tregojnë se kanë qënë një fis epirot, e të cilët Likofroni na bën t’i kërkojmë në pjesën veriore të Epirit, me që ai i lidh ata me Akrokeraunet: në fakt emri argjirino vazhdon ende të përdoret nganjëherë për të treguar banorët vëndas të Gjirokastrës”5. Më vonë edhe arkeologu dhe filologu gjerman Conrad Bursian (1830-1883) konfirmoi se lugina a Gjirokastrës ka qënë vëndbanimi i fisit të lashtë argyrinoi6.
Në burimet bizantine të shekullit XIV (1336) qyteti del me emrin letrar-administrativ Argyrokastro, por në regjistrimin osman të vitit 1431 ai del në formën e pamolepsur shqipe Ergiri, që turqit e morën nga goja e popullit, dhe, si i tillë, emri (Ergjëri) u ruajt në shekujt pasues në dokumentacionin zyrtar osman e madje dhe në të folurën e popullit, deri në ditët tona. Në shekullin XVII, historiani turk Evlia Çelepi (1611-1682), që vizitoi Shqipërinë në vitin 1670, e shënon përsëri Ergeri emrin e qytetit. Kjo formë popullore ishte rrënjosur aq thellë sa që del si Erghiri edhe në hartat e gjeografit gjerman Heinrich Kiepert (1818-1899) nga gjysma e dytë e shekullit XIX7.
Forma e lashtë Ergiri, që del në regjistrimin osman të vitit 1431, tregon se forma e greqizuar/latinizuar Argyrokastro, që del në burimet mesjetare ka qënë forma e përdorur nga administrate dhe historiografia bizantine, ndërkohë që në popull vazhdonte të përdorej forma origjinale iliro-epirote. Si rezultat i faktit që në shkollat e zonës mësohej vetëm greqisht, sepse shqipja nuk lejohej, forma letrare bizantine Argyrokastro, në variantin e shqipëruar, Gjirokastër, pak nga pak fitoi truall, ndonëse nuk mundi ta shmangte plotësisht formën e vëndit, Ergjëri, siç shihet në vargjet e poezisë së rilindasit Koto Hoxhi
Kurvelesh e Gegëri,
U mblodhë në Ergjëri.
dhe ruhet ende si një relikt onomastik në të folurën e sotme të rajonit. Edhe fakti që në burimet bizantine del në dy forma, Argyrokastron (Αργυρόκαστρον) dhe Argyropolis (Ἀργυρόπολις) tregon se ato ishin forma letrare, krijime letrare më shumë se sa emërtime autentike. Edhe pse forma Argyrokastron, depërtoi edhe në të folurën e banorëve lokalë, ajo evoluoi përsëri në bazë të ligjeve fonetike të shqipes, për të dhënë formën e shqipëruar Gjirokastër, duke humbur a-në ballore të patheksuar, duke shndërruar -g- në -gj- dhe duke humbur mbaresën -on.
Në hartën e gjeografit gjerman Heinrich Kiepert7 vargmali në shpatet e të cilit shtrihet Gjirokastra është shënuar Ergenik (Ergenik Gebirge) dhe konsulli i përgjithshëm i Napoleon Buonapartit te Ali Pasha Tepelena, Pouqueville (1770-1838) flet për një mal Argenik, që fillon “nga jugu i Tepelenës, duke u shtrirë në drejtim të Gjirokastrës”8. Ka arsye të mjaftueshme të besohet se edhe emri Mali i Gjerë, i malit në shpatet e të cilit shtrihet Gjirokastra rrjedh nga emri i fisit të argjirinëve dhe ka dalë nga një etimologjizim popullor në kohët e mëvonëshme, kur emri i fisit të lashtë argjirinoi ishte fshirë nga vetëdija historike e popullsisë vëndase. Kështu, një forme Mal i Ergjërit, që tanimë nuk kishte ndonjë kuptim, populli i “dha kuptim”, duke e quajtur Mali i Gjerë, ndonëse ai nuk është aspak një mal “i gjerë”, por një mal tipik “i gjatë”, që shtrihet nga Cepua në veri, deri në territorin e Greqisë, në jug. Siç dihet, etimologjizimet popullore kanë luajtur rol në evolucionin e vëndemrave jo vetëm në Shqipëri por thuajse në të gjitha vëndet e Europës.
Duke u bazuar në ligjet e njohura fonetike të shqipes, në emrin e fisit argyrinoi, në emrin e malit Ergenik dhe Argenik, në emrat e sotëm Ergjëri për Gjirokastër dhe Mali i Gjerë, për malin në të cilin shtrihet Gjirokastra, mund të rikonstruktojmë, me një shkallë të lartë sigurije, emrin e lashtë të qytetit *Argyrion. Muret e qytetit janë datuar në shekullin III dhe ka arsye të besohet se qyteti, të paktën që në atë kohë, duhet të jetë quajtur Argyrion, sipas emrit të fisit argyrinoi që jetonte në atë rajon, me prapashtesën -on-, që është tipike për formimin e vëndemrave në ilirisht. Me qw kwshtjella (lat. castrum dhe greqisht kastron) u ndwrtua nw shekullin XI, emri letrar-administartiv Argyrokastron, nuk mund të jetw pwrdorur nw ato dokumente para shekullit XI.
Në disa shkrime të autorëve të sotëm grekë, duke përfshirë edhe zërin Gjirokastër në internet (Wikipedia), janë bërë përpjekje krejtësisht të pabazuara për ta shpjeguar emrin e qytetit si një emër i përbërë nga fjalët greke argyros ‘argjënd’ dhe castron (me prejardhje nga fjala latine castrum) ‘kështjellë’. Hamëndja se emri i qytetit mund të lidhet me fjalën greke argyros ‘argjënd’ nuk mund të qëndrojë për një sërë arsyesh.
Së pari, për arsye semantike, sepse në atë rajon nuk ka pasur ndonjëherë miniera argjëndi,
Së dyti, vetë pamja e kështjellës është aq errët sa nuk mund të përligjë emërtimin e saj si ‘kështjellë e argjendtë”,
Së treti, ajo bie në kundërshtim me gjithë të dhënat onomastike të rajonit (vëndemrat Ergjëri, Erghiri, Ergenik, Argenik dhe Mali i Gjerë), të cilat tregojnë qartë se emri i qytetit lidhet drejtpërdrejt me emrin e fisit epirot të argirinëve, dhe
Së katërti, qyteti ka pasur një emër edhe para shekullit XI kur u ndërtua kështjella qe muynd të përligjte futjen e përbërësit –kastron në këtë vëndemër.
Zbulimet arkeologjike kanë treguar se kultura materiale e epokës se hekurit (shekujt XI deri V p.e.s.) në rajonin e Gjirokastrës është e njëjtë më atë të pjesëve të tjera të Shqipërisë, dhe në veprën standarde shumwvwllimshe britanike The Cambridge Ancient History: The prehistory of the Balkans lexojmë: “Kjo gjithashtu, krahas materialeve të tjera, është një nga treguesit më të habitshëm të unitetit kulturor shqiptar në epokën e hekurit të hershëm, pavarësisht nga veçoritë rajonale” (This too, along ëith other material, is one of the most striking indications of the Albanian cultural unity in the Early Iron Age, apart from regional idiosyncrasies)9.
Referencat
1. Φίλιστος, Libri IX, 35, Në Fragmenta historicorum graecorum, Parisis, 1841.
2. Pliny the Elder, Naturalis historiae, Libri 3, kreu 25.
3. Στέφανος Βυζάντιος, Εκ των Εθνικων Στεφανου κατ Επιτομην (Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt), Red. A. Meineke, Reimer, Berlin, 1849.
4. Λυκοφρονοσ Αλεξανδρα (Lycophronis Alexandria). Red. L. Bachmann, Leipzig, 1830 vargjet 1016-1017, f. 213-214.
5. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodëell, New Bond Street, f. 78.
6. Bursian, C. (1862). Geographie der Griechenland, B.G. Teubner, Leipzig, f.19.
7. Kiepert, H. General-Karte von der europäischen Türkei: nach allen vorhandenen Originalkarten und itinerarischen Hülfsmitteln – bearbeitet und gezeichnet von Heinrich Kiepert.
8. Pouqueville, F.C.H.L. Travels in Epirus, Albania, Macedonia, and Thessaly. R. Phillips and Co., London, 1820, f. 63.
9. Prendi, F. (2006). The Prehistory of Albania, f. 223. The Cambridge Ancient History: The Prehistory of the Balkans; and the Middle East and the Aegean World, tenth to eighth centuries. 2nd edition. B.C.J. Boardman ed., Cambridge University Press, Cambridge, III, part 1, f. 187-237.
*Ky eshte shkrimi I dyte i rubrikes se re te Diellit, “Tingëllime vëndemrash ilire” qe mbahet nga Prof. Nelson Cabej