
Kristaq BALLI/

Veç të tjerash, Gjon Mili është një nga artistët e fotografisë kontemporane, krijuese e eksperimentuese të shek, XX, që ka ekspozuar krijimtarinë e tij në dhjetra e dhjetra ekspozita vetiake e të përbashkëta të institucioneve kulturore e artistike më të rëndësishme amerikane e ndërkombëtare.
Në fund të viteve ’40 dhe gjatë viteve ‘50 të shekullit të kaluar njohja dhe popullariteti i tij ishte rritur ndjeshëm. Ai kishte promovuar talentin dhe mjeshtërinë e tij, kishte formuar individualitetin dhe portretin e një artisti unik e elitar, duke rrokur kështu vëmendjen e veçantë të audiencës, studiuesve dhe kritikës artistike, profesionale e shkencore.
Ngjarjen më të madhe dhe më të rëndësishme botërore të fotografisë në dekadën e gjashtë të shek. XX do ta përbënte pa dyshim ekspozita botërore e fotografisë “The Family of Man” (Familja e Njeriut) e çelur në vitin 1955 në Muzeun e Artit Modern (MoMA), Nju Jork.

Kjo veprimtari konsiderohet si më madhja ekspozitë globale e organizuar në të gjitha kohrat. Në të u ekspozuan 503 foto (nga 2.000.000 të shqyrtuara) nga 68 shtete, veprat e 273 fotografëve, 40 nga të cilët autore femra.1)
Titulli i ekspozitës është marrë nga një varg i poezisë të Carl August Sandburg, poet i njohur amerikan (878-1967), fitues tre herë i çmimit “Pulitzer”. Ndërkaq, instalimi fizik dhe ekspozimi i saj u projektuan në mënyrë të tillë që t’i bënin të mundur vizitorit ta shijonte atë sikur të shfaqej një foto-esse mbi zhvillimin e njerëzimit gjatë dhe pas Luftës II Botërore dhe të afirmonte idenë e një tregimi të përgjithësuar të jetës njerëzore, një identiteit të përbashkët human, ndonëse me histori, tradita e etnokultura diverse dhe, mbi të gjitha, kundër kërcënimit të Luftës së Ftohtë dhe luftës nukleare.2) Fotot fokusonin tiparet e zakonshme që lidhin njerëzit dhe kulturat përqark botës. Ato ishin grupuar në 37 seksione tematike. Ishin zgjedhur në bazë të vlerës së tyre për të përcjellë një histori, apo ndjenjë që i shërbente harkut të përgjithshëm të narrativës. Çdo grupimi të imazheve i vendosej një tekst, duke krijuar, kështu, një histori të të jetës njerëzore.

Ekspozita qëndroi hapur së pari në Muzeun e Artit Modern (MoMA), Nju Jork prej 24 Janarit deri 8 Maj 1955, pastaj bëri një turné prej 8 vitesh rresht në 91 qytete të 37 vendeve të gjashtë kontinenteve të botës, duke u paraqitur njëheresh në 5 versione. 10 milion njerëz e vizituan atë. Ky është numuri më i madh i vizitorëve për një ekspozitë fotografike. Ekspozita bashkoi gjithë planetin në fotografi. Kurator i kësaj ekspozite ishte fotografi dhe studiuesi i njohur amerikano – luksemburgas, drejtori Departamentit të Fotografisë në muzeun MoMA, Edward Steichen (1879 -1973). Sipas tij, “ekspozita përfaqësonte “kulmin” e karierës së tij”3), një pikë referimi e gjithë kohrave si projekti më imadh i përzgjedhjejes dhe editimit në historinë e fotografisë botërore. Steichen u thosh njerëzve: ”të shihnin në fotografitë dhe njerëzit e fotografive do t’ua kthenin vështrimet atyre. Ata e njihnin njeri-tjetrin”4). Ariella Azoulay ka argumentuar se ekspozita mund t’i shëmbëllejë një ekuivalenti vizual të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.5)

Koleksioni fizik sipas origjinalit të fotografive (version fillestar) është i arkivuar dhe i ekspozuar në Luksemburg, atdheu i Steichen-it, në Kështjellën Clervaux dhe është prezantuar për herë të parë aty në vitin 1994 pas restaurimit të fotove.6)
Në vitin 2003 koleksioni fotografik “Family of Man” iu shtua Regjistrit Botëror të Memorjes së UNESCO-s në vlerësim të tij.

Në këtë ekspozitë Gjon Mili u paraqit me 5 fotografi të realizuara para vitit 1950, kryesisht të karakterit kulturor e lirik, me teknikën e tij evolucioniste stroboskopike të valltarëve e artistëve interpretues në performancat e tyre. Ishin të rrallë autorët që kishin të ekspozuar kaq foto. Ato ishin të jashtzakonshme për shikuesin nga pikpamja e nivelit të lartë artistik, e konceptimit dhe realizimit novator në teknikë. Pjesëmarrja e Gjon Milit në këtë ekspozitë ishte, padyshim, një ngjarje kulmore dhe një sukses i merituar i angazhimit dhe kontributit të tij në artin fotografik. Tre prej fotove që duken qartë në sallën kryesore të ekspozitës janë ato të treguara me shigjeta të zeza, pra “Pas de Borrueé” (majtas), 1947. “Kuarteti i Budapestit” (djathtas), 1945 dhe “Duart e Dirigjentit rus Efraim Kurtz” (djathtas në thellësi), 1945.

Sidoqoftë, ashtu si për shumë veprimtari kulturore apo vepra artistike, edhe për ekspozitën botërore “The family of Man” pati edhe qëndrime skeptike, kritike, madje të ashpra nga studiues të ndryshëm. Ato konsistojnë në disa çështje konceptuale dhe dominuese që kultura perëndimore kishte mbi pjesën tjetër të botës. “Me gjithë qëllimin e mirë, fotografët perëndimorë (shumica amerikanë) riprodhuan stereotipet më të këqia kulturore të erës koloniale. Ata pasqyruan anën e errët “ekzotike” “surreale” të vendeve afrikane, apo të botës së tretë…Alan Sekula e vlerësoi ekspozitën si arkivë etnografike populiste dhe “epitomë (mishërim) të liberalizmit amerikan të Luftës së Ftohtë” që “universializon borgjezinë e familjes nukleare” dhe gjithashtu shërben si një instrument i kolonializmit kulturor”.7) Ekspozita ofron një perspektivë uniforme të jashtme (jo nga brenda) të kulturave dhe kombeve. Christopher Phillips kritikon Steichen për nënvlerësimine zërave të fotografëve individualë për dekontekstualizimin e fotografive të tyre dhe madhështinë e tyre narrative.8) Madje një shfaqje violence publike e bëri të pamundur çeljen e ekspozitës në Moskë më 1959.9)

Si një alternativë e revizionimit dhe rinovimit të platformës së Edward Steichen për ekspozitën “The Family of Man”, në vitin 2018, (2-8 Korrik) në Arle të Francës u çel ekspozita me titullin sarkastik e kontravers “The Family of No Man” (Familja e Asnjë Burri) ku morën pjesë 494 autore femra dhe intergjinore. Deviza e saj ishte: rishikim i botës përmes syve jomashkullorë. Madje edhe reklama e ekspozitës ishte një “plagjaturë” ekscentrike e ekspozitës së vitit 1955.10)

Megjithatë, “Familja e Njeriut” ka, pa dyshim, një vend unik në historinë botërore të fotografisë, ashtu sikundër edhe pjesëmarrja e Gjon Milit në të shënon një nga sukseset e merituara të krijimtarisë së tij artistike. Pas kësaj ngjarjeje, më 1958 Gjon Mili u konsiderua si një nga “10 më të mëdhenjtë” (“The Ten Greatest”). Në numurin e muajit Maj të vitit 1958, redaksia e revistës së njohur amerikane “Popular Photography” botoi rezultatin e një ankete për vlerësimin e 10 fotografëve më të shquar aktivë të kohës në të gjithë botën. Midis tyre radhitej edhe Gjon Mili (1. Ansel Adams; 2. Richard Avedon; 3. Henri Cartier-Bresson; 4. Alfred Eisenstaedt; 5. Ernst Haas; 6. Philippe Halsman; 7. Yousuf Karsh; 8. Gjon Mili; 9. Irving Penn dhe 10. W. Eugene Smith.) Në këtë anketë vlerësimi, Mili ishte i vetmi që cilësohej si shpikës dhe fotograf midis nëntë emrave të tjerë të mëdhenj në këtë fushë. Në të ai konsiderohej si fotograf shqiptar e amerikan. Dhjetra ekspozita dhe vlerësime të tilla të shumta Gjon Mili do të ketë gjatë gjithë jetësj, por edhe pas shuarjes së tij duke vijuar edhe në ditët e sotme.
______________________________
Referenca
1)Jay, Bill (1989) “The Family of Man A Reappraisal of ‘The Greatest Exhibition of All Time’. Insight, Bristol Workshops in Photography, Rhode Island, Number 1, 1989.
2) Turner, Fred (2012) ‘The Family of Man and the Politics of Attention in Cold War America’ in Public Culture 24:1 Duke University Press
3) Dickie, Chris (2009), Photography: the 50 most influential photographers in the world, A & C Black, p. 117
4) Steichen quoted in Kevin Salemme (2005) Chasing shadows: Steichen’s dream of the universal, History of Photography, 29:4, 372-377,DOI)
5) Ariella Azoulay, “The Family of Man: A Visual Universal Declaration of Human Rights” in Thomas Keenan and Tirdad Zolghadr eds The Human Snapshot (Berlin: Sternberg Press, 2013), 19–48.
6) (“Clervaux – cité de l’image -“. Archived from the original on 2015-02-12.
7) Allan Sekula, “The Traffic in Photographs,” Art Journal 41, no. 1 (1981), 15-25.
8)Christopher Phillips, “The Judgment Seat of Photography,” October 22 (1982), 27-63.
9) Alise Tifentale: The Family of Man: The Photography Exhibition that Everybody Loves to Hate, Essay, fkmagazine.lv › 2018/07/02)
10) MO VERLAAN PHOTOGAPHY, Exhbition in Arles, The Family of no Man, 2018