
Kristaq BALLI/
Gjatë aktivitetit të suksesshëm artistik, fotografi i përbotshëm shqiptar Gjon Mili, falë tipareve të tij të veçanta humane, krijoi edhe marrëdhënie të ngushta shoqërore e miqësore me shumë personalitate të spikatur artistikë në vende të ndryshme botës, si Pablo Picasso, Harold Edgerton, Alfred Hitchcock, Eugen Ionesco, Frank Sinatra, Pablo Casals, Salvador Dali, Edward Weston, Zhan Pol Sartri (Jean Paul Sartre), Igor Stravinsky, John Loengard, Henri Cartier – Bresson, Arthur Miller, etj.

Dëshmi e këtyre lidhjeve të ngushta miqësore të Gjon Milin është edhe ajo me artistin e shquar irlandez të të gjitha kohrave, Seán O’Casey (Shon O’kejsi) (1880-1964). Ai ishte pamfletist, dramaturg, skenarist, shkrimtar, aktor, mendimtar, memuarist dhe aktivist shoqëror e politik.
Sprovën e tij të parë letrare e përbëjnë baladat satirike, nga të cilat “The Grand Oul’ Dame Britania” u botua më1916 në “The Workers’ Republic” me pseudonimin An Gall Fada dhe pasi u bë këngë konsiderohej si himni rebel irlandez. Ato përkonin politikisht me bindjet e tij naconaliste irlandeze e sidomos me brumosjen e tij si zëdhënës e mbrojtës i klasës punëtore.
Dramat promovuese të O’Casey të inskenuara nga Abbey Theatre (Teatri Kombëtar i Irlandës) ishin “The Shadow of a Gunman” (Hija e Banditit) më 1923 e pasuar nga “Juno and the Paycock” (Juno dhe Papagalli, i cili u kthye edhe film nga Alfred Hitchcock), 1924 dhe “The Plough and the Stars” (Parmenda dhe Yjet), 1926. Këto vepra trajtonin tablonë e luftës civile irlandeze në dëm të klasës punëtore dhe varfërisë së saj, godisnin me realizëm retorikën dhe rrezikun kundër patriotizmit, ishin tragjikomedi ku vdekja e dhunshme nga burra kapadainj e violentë përballej me mbijetesën dhe aftësinë ripërtëritëse të heroinave mbijetuese gra. Një kryevepër e krijimtarisë së tij vlerësohet vepra 6 vëllimëshe autobiografike “Mirror in my House” (Pasqyrë në shtëpinë time), 1956.
. Ai konsiderohet si një nga dramaturgët më të veçantë e origjinalë në mënyrën se si lentet e tij artistike e zhbiruan realitetin dhe se ato i dhanë një pamje tjetër Irlandës në raport me Europën.
Kritikët kanë vlerësuar se në radhë të parë ai ishte një krijues, një dramaturg. Mirëpo nuk kish një vijë të qartë ndarëse midis krijimtarisë dhe bindjeve të tij politike. Ai ishte produkt i trashëgimisë së klasës punëtore irlandeze dhe avokat i saj. Krijimtaria dhe politika kishin difuzuar tek njera-tjetra
Sipas kujtimeve, Gjon Mili e ka takuar të paktën dy herë Sean O’Casey për ta fotografuar: më 1953 dhe 1964. Këto takime kanë ndodhur në qytetin bregdetar Totnes, e më pas në qytetin tjetë Torquay të kontesë Devon, në jugperëndim të Anglisë, ku ai ishte vendosur para më se 25 vitesh, pasi kishte lënë me zemër të thyer Irlandën e shkatërruar nga lufta civile dhe lufta për liri, por pa e harruar kurrë atë. Nga mbresat e këtyre takimeve të gjata, në librin e tij autobiografik “Mirror in My House” (Pasqyrë në Shtëpinë Time),

Artikulli redaksional i një prej revistave LIFE të vitin 1954 që shoqëron esenë fotografike të Gjon Milit me 20 foto artistike dhe tekst të Robert Ginna mbi figurën karizmatike të Sean O’Casey gjatë takimit të parë më 1953, fillon me këto fjalë: “Tani që Bernard Shaw, një irlandez, dhe Eugene O’Neill, bir i një irlandezi kanë vdekur, dramaturgu më i madh i gjallë në gjuhën angleze është një tjetër irlandez, Sean O’Casey… (The World of Sean O’Casey, photographed for life by Gjon Mili)1)
Bota e Sean O’Casey në fotot e Gjon Milit fillon në qendër të Dublinit, ku janë shkrepur edhe disa nga fotot nostalgjike të vendeve ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij të furishme. Ato e sollën aq të gjallë “… sa edhe barbarozat e kuqe që çelin në dritaret e Dublinit, atdheun në të cilën ai lindi, lagjet tipike të Dublinit, ku varfëria shkatërruese jeton pas fasadave elegante gjeorgjiane, ku njerëzit e thjeshtë flasin me figura të pasura dhe “shpërthejnë grindjet në sallone për çështje filozofike”.2)

Dublini sot pasqyron të kaluarën e një dramaturgu të madh.
Në ato mjedise urbane të varfëra të Dublnit, ai u lind e u rrit duke luajtur, por edhe duke punuar qysh 14 vjeç, pasi babai i kishte vdekur herët. Si shpërndarës gazetash, punëtor porti, karrocier, pastrues e thyerës gurësh në superstrada, punëtor hekurudhash, ku paguhej shumë pak dhe shpesh i duhej të vidhte libra për të lexuar. Ai mori pjesë në demonstrata të mëdha, ndihmoi në organizimin e forcave revolucionare irlandeze që luftuan britanikët në vitin 1916 dhe më në fund, në moshën 43 vjeç, shpërtheu në skenën elegante letrare të Dublinit me dramën e suksesshme “Shadow of a Gunman” (Hija e një vrasësi), që u inskenua në teatrin kryesor Abbey të Dublinit. 3)
Fotot më e gjetura të Milit janë portretet karakteriale e psikologjike të dramaturgut, si ajo para vatrës, mbi murin e së cilës është ekspozuar, po ashtu, një portret i madh në pikturë në teknikën e vajit i O’Casey-t, realizuar nga miku i tij piktori postimpresionst wellsian Augustus John para një decade, apo edhe ato kur ai luan para Milit disa nga personazhet e tij teatralë..

“O’Casey është një njeri i çuditshëm dhe grindavec. Ai mund të jetë i butë dhe plot me të qeshura në një moment dhe aq i mbushur me uthull sa një enë plot me turshi.” 4).
Fotot e tjera interesante të vitit 1953 janë ato të dhomës muzeale, ku O’Casey jetonte gjatë viteve ’20, pasi i kishte vdekur nëna dhe ku u shkrua drama “Hija e një vrasësi” (1923). Dhoma ende është ashtu si ishte 34 vjet më parë. Gotat mbi tryezë janë të O’Casey-t, edhe një pjesë e librave mbi tavolinë.
Fotot e punës së tij të përqëndruar mbi makinën e vjetër të shkrimit, të cilën e kishte blerë para 30 vitesh, apo ato që Mili ka shkrepur gjatë interpretimit aktoresk simultan në rolin si Donal në shfaqjen e dramës “Hija e Një Vrasësi” ,më 1923, apo në rolin e Paycock të shfaqjes “Juno and Paycock”, ku ai deklamon: “Po ju them se gjithë bota është në gjendje kaosi”,5) si dhe fotot e disa aktorëve dhe miqve të ngushtë të dramaturgut, foto të mbeturinave të teatrit të famshëm “Abbey” në Dublin, i cili u dogj plotësisht në vitin 1951, etj., janë disa vepra plot peshë profesionale, që sjellin kujtime të veçanta nga e kaluara e Sean O’Casey-t.
Në vitin 1953, ai është 73 vjeç, megjithatë, për të mbështetur edhe familjen, O’Casey punon çdo ditë me orë të zgjatura mbi makinën e tij e vjetër të shkrimit nën një llampë ndriçimi, duke shkruar drama dhe autobiografinë, nga të cilat fiton, gjatë një viti, jo shumë më shumë se 2,500 dollarë.
Edhe pse në moshë të vjetër, ai e konsideron veten të angazhuar, aktiv në punë dhe të kënaqur, si një ‘urra’ për jetën. Dhe, megjithëse ka jetuar 28 vjet në Angli, ai kurrë nuk e ka humbur shpirtin e tij luftarak irlandez, shijen për betejën.6)
Herë-herë, për t’u çlodhur e kthjelluar trurin, ai del në oborrin e shtëpisë me një kapele republikë me strehtë të gjera kauboj dhe, me llullën e tij të gjatë, të shtrënguar me nofulla, kontrollon lulet e tij të preferuara, ku fiksohet në disa foto lirike nga Mili.

11 vjet më vonë, më 1964, ndodhi takimi i dytë midis tyre, një shoqërim i gjatë disa javor, ku Gjon Mili tashmë, i njohur me jetën, veprat dhe karakterin e O’Casey-t, si edhe me mjedisin e tij familjar, do të kishte mundësinë por edhe aftësinë për të krijuar disa prej fotove emblematike përfaqësuese të dramaturgut të shquar botëror në mugun e ditëve të fundit të jetës së tij stoike e gjëmimtare. Bashkë me fotot, Gjon Mili, me aftësitë edhe prej letrari, do të shkruante një ese të posaçme, që bashkarisht janë botuar në revistën “LIFE” dhe më pas në librin me kujtime të tij “Gjon Mili Photographs and Recollections”, 1980.
“Duke dalë nga makina, dëgjova zërin e Eileen O’Casey-t, (gruaja e O’Cassey-t -K.B.) “Këtu është, i dashur, këtu. Ngrita sytë dhe ndalova. Atje, në krye të shkallëve, qëndronte Sean me duart e hapura, si një pemë me dy degë. ‘A je ti, pyeti ai,.. A je ti, mor djalë? Nuk shoh mirë tani. Bile, thuajse nuk shoh fare.’- Isha aq i lëkundur, saqë nuk gjeja fjalë për të përgjigjur.
…Çdo mëngjes, për dy javë ne takoheshim për ta fotografuar dhe ky u bë një ritual i ngrohtë e gazmor. ‘Si është miku im gjenial shqiptar këtë mëngjes të shndritshëm diellor?’ pyeste ai. ‘I kënaqur, sipas gustos tënde, shpresoj,’ – ishte përgjigjia ime
Kishin kaluar 11 vjet që nga takimi i parë me O’Casey. Ai ishte një burrë i çiltër dhe ne shpejt krijuam një marrëdhënie, ai u bë subjekt i vullnetshëm dhe, në këtë kontekst, i referohesha ‘fotografit me fytyrë gjeniale shqiptare’. Preja që unë gjuaja me aparatin tim ishte njeri i kontrastit, i paduruar ose kokëfortë, një pervers simpatik si një rrugaç dhe tërësisht përgjegjës për të treguar afërsinë e tij. I humbur në mendime, ai dukej si një prelat gjatë lutjes në një kishë angleze. Ai mund të luante si një Peikok, Xhokser apo Xhuno nëse duhej, apo të këndonte një këngë të përzemërt si përgjigje. Mund të ngujohej pranë radios për orë të tëra për të dëgjuar ndeshje kriketi. Jashtë, ai mbante në kokë një kapele dy numra më të madhe e këto i dukeshin ditët më të mira. Ai kujdesej për kopshtin e tij, ku kishte mbjellë bizele dhe duke qëndruar midis hardhive dredharake, mund ta ngatërroje me një dordolec…
Pas bisedave për situatën ekonomike familjare, të cilën e menaxhonte me shumë kujdes gruaja e tij Eileen, me të cilën O’Casey ishte i kënaqur, ai shpërqëndrohej dhe hidhej në temë:
‘Keni për të bërë foto të tjera?’ Unë filloja ta fotografoja atë duke qëndruar përbri oxhakut të vatrës, ekzaktësisht si fotoja që i kisha bërë njëmbëdhjetë vjet më parë…”

Apo:
“…Mëngjesin tjetër e gjeja atë, sërish në divan në dhomën e ndenjes, të mbështjellë me një mantel (kimonό) të kuq si prej murgu, që ia kishte bërë e bija, Shivaun. Dhe ishte kjo pamje që dukej se reflektonte në fytyrën e tij mençurinë, zgjuarsinë dhe atë çka ështe e mirë në jetë. I tregoja se si në udhëtimet e mia të ndryshme, kur isha në vetmi, unë kujtoja një nga poemat e tij, “Kënga e Ëndërrimtarit”
nga “Within the Gates” (Brenda Portave), për t’u ndjerë më i gëzuar.” Kjo foto është bërë edhe pullë postare
Ai kuptonte manovrën time por, shumë i sjellshëm e elegant, gjente joshjen dhe me një zë jo fort të kulluar e të ashpër fillonte të këndonte. Në këtë mënyrë dukej mëj i ri, më i fortë, por, shpesh, zëri i tij zbehej dhe ai rëndohej në frymëmarrje.

Qetësohesha kur vinte Eileen, e cila me një puthje dashurie, e këshillonte Sean të bënte dremitjen e tij para drekës. Pastaj uleshim në tryezë. Sean hante pak – një vezë të zier dhe më së shumti pinte një gotë çaj. Dukej i paduruar për të ndezur llullën e tij të vjetër dhe më pas, siç e kishte zakon, ngrihej me marifet dhe më përshëndeste me një ‘adiȯ’ të përzemërt. Pastaj shkonte për t’u shplodhur.
Shpresoja të vija përsëri e t’i tregoja disa foto. Megjithse ai e kishte humbur thuajse fare shikimin e njerit sy, ndërsa tek tjetri i kishte mbetur vetëm një rreze shikimi, ai e vendoste foton shumë afër syrit të tij të mirë, sa s’e prekte me qerpikë, sikur e skanonte e përpiqej të gjente e të bashkonte elementët për të bërë një koment të sforcuar si: ‘Ouu…, kjo është mjeshtërore! Nuk mund të kem qenë më i lumtur se kaq, kur ju e keni realizuar këtë, apo jo!’ ”7)
Fotot që Gjon Mili ka realizuar për Sean O’Casey janë ndoshta nga më të veçantat, më identifikueset, pasi ato e portretizojnë figurën e tij stoike, jo vetëm me elementë dhe detaje origjinalë fizikë shumë shprehës, por edhe të karakterit të tij, ku spikat madhështia dhe autoriteti, krenaria, qëndresa, antikonformizmi, imponimi e rebelizmi i tij shpirtëror e kontroversal.

Gjatë kohës që Gjon Mili fotografonte Sean O’Casey më 1964, xhirohej edhe filmi britanik “Young Cassidy” (Kasidi i Ri, që kishte si subjekt artistik eksplorues jetën dhe aktivitetin e Sean O’Casey në moshë rinore, në fillim të shek. XX.. Filmi britanik prodhohej nga kompania e njohur Metro – Goldwyn Mayer, me regjisorin Jack Cardiff, skenarist John Whiting dhe aktorët kryesorë Rod Taylor (Cassidy – Sean O; Casey), Julie Christie, dhe Maggie Smith

O’Casey e kishte miratuar skenarin, si dhe aktorin e rolit kryesor dhe motivet e muzikës që do të ilustroin filmin. I vendosur në sfondin e Dublinit të fillimit të shekullit të 20-të, filmi përshkruan rrugëtimin e Cassidy-t si punëtor dhe pamfletist, apo aspirues dramaturg gjatë kohës së trazirave sociale dhe politike. Subjekti thekson angazhimin e tij në lëvizjen nacionaliste irlandeze dhe përvojat e tij me dashurinë, humbjen dhe ambicjen artistike, duke u përqendruar në luftërat dhe triumfet e tij në Dublin, kryesisht në vitin 2011.
“Vajzat, luftërat në rrugët e Dublinit, një pasion për drejtësinë sociale e për teatrin – të gjitha këto ishin pjesë e ditëve të hershme të Sean O’Casey. Dramaturgu irlandez shkroi mrekullisht për to në autobiografinë e tij me gjashtë vëllime, “Pasqyra në Shtëpinë Time”, dhe tani rinia e tij e trazuar pasqyrohet përsëri në një film dramatik, “Yoang Cassidy”…

…”Young Cassidy” ofron një kinematografi mahnitëse që kap esencën e Dublinit gjatë kësaj periudhe…
Në përgjithësi, “Young Cassidy” shërben si një tregim biografik i një dramaturgu të njohur dhe si një reflektim mbi çështjet sociale të Irlandës së fillimit të shekullit të 20-të, duke e bërë atë një film të rëndësishëm për ata që janë të interesuar në historinë dhe letërsinë irlandeze…
Filmi shtrihet përgjatë një duzine vitesh në jetën e O’Casey-t. Duke punuar si punëtor rrugësh, ai zbuloi fuqitë e tij letrare duke shkruar pamflete për të nxitur punëtorët e Dublinit. Njëkohësisht, ai zbuloi fuqitë e tij magjike mbi vajzat e bukura të Dublinit—një aspekt i legjendës së O’Casey-t që filmi, për arsye komerciale, i kushton vëmendje të posaçme.8)
Duke shfrytëzuar intervalet që nuk ishte i zënë me dramaturgun, Gjon Mili shkonte në sheshet e xhirimit të filmit dhe fotografonte skena dhe artistë në rolet e tyre. Midis syresh veçohen portretet e aktorëve Rod Taylor, Julie Christie, etj.”9)
Fatkeqësisht, Sean O’Casey ndërroi jetë disa muaj pas fillimit të xhirimeve (18 Shtator 1964), duke mos arritur ta shohë premierën e filmit, që u shfaq me sukses më 25 Shkurt 1965.

Filmi u rregjistrua në DVD nga Warner Hume VIdeo më 6 Shtator 2012 me kërkesë të Amazon.
Më në fund, një koment i shkurtër i studiuesit të njohur amerikan Ben Cosgrove është një epilog mbi marrëdhëniet e ngushta artistike e miqësore të dy artistëve të mëdhenj:
“…kur shumë, por jo plotësisht, nga bota që O’Casey solli në jetë nëpërmjet skenës, apo librave ishte zbehur në vite, “LIFE” kujton një Irlandë që mbijetoi në memorjen e vyshkur, në letërsi dhe në fotot e mrekullueshme të Gjon Milit.”10)
□□□
Referenca:
1) The World of Sean O’Casey, photographed for life by Gjon Mili, LIFE July, 26 1954. p 68.
2) Po aty, f.69
3) A GREAT PLAYWRIGHT’S PAST, LIFE, July, 26, 1954, f.69
4) Po aty, f.69
5) Gjon Mili, Photographs & Recollection Boston, 1980, f. 98.
6) A busy, contented old age, a ‘hurrah” for life. LIFE magazine, July, 26 1954, f.79.
7) Gjon Mili, Photographs a & Recollection, Boston, 1980, p. 98
8) Conquest of early love and fame: LIFE magazine, February, 12 , 1965, f.95
9) Gon Mili: Photographs & Recollection, Boston, 1980, p.102
10) (Ben Cosgrove: Young Cassidy: TIME, March, 12, 2014)