
Agim Xh. Deshnica/
Gjuha shqipe mjaltë- magji,
me zanafillë në lashtësi,
gjallon në malësinë e gurrave,
herë si këngë, herë si gjëmë
shtruar shesh në log të burrave,
ku bardët sodisnin yjet
në ëndërrime, nën peshë të halleve,
në thirrje e vrulli i valleve,
dëgjonin të heshtur zogjtë në pyje,
pranë vatrës rrëfenja të nanës
fjalën e trazuar të gojëdhanës,
kur përqark “ushtonin lugjet
prej ortiqesh
kah po binin ndër gropa“
Mbi djep shqip fatia ëngjëllore,
kumtoi dhimbshëm dramat arbërore,
veçse në çdo rrebesh e shqotë
gjuha shqipe gjurmë lë në botë.
Kjo gjuhë me shpirt në Perëndi,
jeton në vaj e gaz!- Përjetësi!