Nexhat Maloku, mësimdhënës dhe i angazhuar në detyra të ndryshme në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër (LAPSH), përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e arsimit në Zvicër, udhëheqës i kusit të gjuhës shqipe për të rritur për të huajtë në Shkollën e Lartë të Udhëtimeve në Zürich, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër, nëpërmjet mësimit të gjuhës, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Nexhat Maloku bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLË SHQIPE TË MËSIMIT PLOTËSUES NË ZVICËR
Shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër lindi si nevojë e domosdoshme për mësimin, ruajtjen, kultivimin dhe zgjerimin e njohurive të gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kombëtar të nxënësve shqiptarë në Zvicër. Fundi i viteve 80-të u përshkua me një dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera, i cili ushtrohej nga sistemi represiv i Serbisë gjegjësisht i Jugosllavisë. Me mijëra familje gjetën strehim nëpër shtete të ndryshme të Evropës Perëndimore. Edhe në Zvicër u vendos një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Për dallim prej gjeneratave të mëhershme të emigrantëve, të cilët zakonisht ishin punëtorë që kishin emigruar në mënyrë individuale, tani po emigronin familje të tëra. Në klasat e shkollave nëpër kantonet e Zvicrës gjithnjë e më shumë po shtohej numri i fëmijëve shqiptarë. Shtimi i numrit të nxënësve, lindi nevojën e organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, jashtë juridiksionit të Jugosllavisë së atëhershme. Hapja e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe u shoqërua me vështirësi të ndryshme. Aktivistët e shoqatave ekzistuese, bashkë me mësimdhënësit e përfaqësuesit e partive të sapoformuara duhej të shkonin nëpër lokalitetet ku banonin shqiptarët, të regjistronin nxënësit, t’i bindnin prindërit për rëndësinë e vijimit të mësimit plotësues nga fëmijët e tyre, ngase kishte paqartësi të ndryshme lidhur me këtë mësim. Duhej lidhur kontaktet me institucionet shkollore zvicerane për të paraqitur qëllimin e organizimit të këtij mësimi në mënyrë të pavarur dhe për të marrë klasat në shfrytëzim. Në anën tjetër, elementë të ndryshëm të lidhur me ambasadën jugosllave, bënin çmos që të pengonin organizimin e mësimit plotësues në Gjuhën shqipe. Por këmbëngulja e aktivistëve, e përfaqësuesve të partive e shoqatave të ndryshme bëri që gjithnjë e më shumë prindër t’i regjistronin fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Formimi i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë në janar të 1991 dhe tre muaj më vonë i Këshillit të Prindërve Shqiptarë, në prill 1991, i dha një përkrahje të fuqishme organizimit më të mirë të shkollës shqipe në Zvicër, ngase të dy shoqatat çështje primare kishin organizimin sa më të suksesshëm të mësimit në gjuhën shqipe. Formimi i Qeverisë së Kosovës në egzil, e në kuadër të saj krijimi i Ministrisë së Arsimit i dha një mbështetje të vazhdueshme përpjekjeve për organizimin më të mirë të mësimit në gjuhën shqipe. Në kuadër të kësaj ministrie kontributin e tyre e dhanë ministri dr. Muhamet Bicaj dhe koordinatori i kësaj ministrie për shkollat shqipe në diasporë prof. Meriman Braha, i cili me angazhimin e tij të vazhdueshëm u bë një shtyllë e fortë në funksionimin e shkollës shqipe jo vetëm në Zvicër por edhe në vendet tjera. Gjatë vitit shkollor 1990/91, në disa kantone të Zvicrës u hapën klasat e para të shkollës shqipe të mësimit plotësues. Klasa e parë e shkollës shqipe të pavarur e mësimit plotësues konsiderohet ajo në Glarus, më 20 shtator 1990, në të cilën filloi të punonte mësuesja Drita Krasniqi, për të vazhduar gjatë muajve në vijim me hapjen e klasave në Illnau, Dielsdorf e Glattbrugg të kantonit të Cyrihut, në Biel të kantonit të Bernës, në Sion të kantonit të Valis-it e në kantone të tjera. Gjatë atij viti shkollor disa qindra nxënës i ndoqën mësimet e para në gjuhën shqipe.
INSTITUCIONET ARSIMORE ZVICERANE E MIRËPRITËN ORGANIZIMIN E MËSIMIT PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE
Institucionet arsimore zvicerane e mirëpritën organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke e mundësuar mbajtjen e mësimit në objektet shkollore edhe pse fillimisht ende nuk ishim njohur zyrtarisht si bartës të këtij mësimi. Duke parë angazhimin dhe seriozitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër, bashkëpunimi me institucionet zvicerane vazhdoi të forcohej gjithnjë e më shumë. Gjatë viteve në vazhdim numri i nxënësve shqiptarë të cilët vijonin në mësimin e gjuhës shqipe po shtohej gjithnjë e më shumë. Në këtë periudhë u angazhuan mësuese e mësues të cilët jetonin në Zvicër. Ata edhe pse me një përkrahje simbolike financiare, e cila bëhej nga prindërit e fëmijëve që vijonin mësimin, vazhduan me shumë vullnet të organizonin e mbanin mësimin në objektet shkollore nëpër lokalitetet e ndryshme në Zvicër. Mungesa e teksteve të përshtatshme për mësimin me grupmosha të ndryshme dhe në kushtet e emigrimit, krijonte vështirësi plotësuese për një mësimdhënie të suksesshme. Pasi që Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Lidhja e Prindërve Shqiptarë kishin një qëllim të përbashkët, organizimin dhe mbajtjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, u zhvilluan takime dhe konsulta mes këtyre subjekteve dhe përfaqësuesve të qeverisë në egzil për të bashkërenduar aktivitetet për një organizim më të suksesshëm në periudhën e ardhshme. Fryt i këtyre takimeve ishte bashkimi i këtyre subjekteve në një organizëm, në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” Zvicër, në kuvendin konstituiv në Zofingen më 26 mars 1995. Pas dorëzimit të kërkesës së LAPSH-së për njohjen e saj tek organet zvicerane, EKA dhe EDK e pranuan zyrtarisht Lidhjen më 30 tetor 1995, si bartëse e mësimit plotësues. Njohja e LAPSH-së i dha një hov të ri hapjes së klasave në gjuhën shqipe, ku gjatë vitit shkollor 1996/97 mësimin e ndoqën 6295 nxënës. LAPSH edhe pse ishte në një gjendje të mjerueshme financiare, megjithatë kontribuoi në fondin e 3% të Qeverisë së Kosovës në egzil, pastaj në fondin “Vendlindja thërret”, u solidarizua me Universitetin e Tetovës ku mblodhi një shumë të konsiderueshme të hollash, ndihmoi aksionin për Drenicën etj. Gjatë kësaj kohe, LAPSH ishte angazhuar edhe në demonstratat e ndryshme që mbaheshin në Zvicër e shtete të tjera të Evropës, të cilat kishin për qëllim që tek opinioni zviceran dhe evropian të paraqesin terrorin e Serbisë në Kosovë. LAPSH, falë punës këmbëngulëse për sensibilizimin e opinionit zviceran dhe bashkëpunimit me mësimdhënësit zviceranë, ndikoi që disa kantone të përkrahin për një periudhë pjesërisht edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe, siç ishin kantoni i Bern-ës, i Schwiz-it, i Zug-ut, i Gjeneve-s, Turgau-t dhe i Cyrihut. Gjithashtu edhe Shoqata e Mësuesve Zviceranë ndihmoi me një shumë simbolike mësimdhënësit në Kosovë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë u kthyen një numër i madh i familjeve të cilat ishin strehuar përkohësisht në Zvicër e me ta edhe shumë nxënës/-e që kishin ndjekur mësimin në gjuhën shqipe. Gjatë dekadës së parë të viteve 2000 ndodhi një rënie e numrit të nxënësve që ndjeknin shkollën shqipe për disa arsye. Deri më tani janë bërë përpjekje të ndryshme që mësimi plotësues të institucionalizohet nga ana e shtetit të Kosovës e gjithashtu janë dërguar projekte tek institucionet zvicerane që Zvicra të marrë përsipër financimin e mësimit, por ende nuk është arritur ky qëllim. Në vitin e kaluar shkollor mësimin plotësues në Zvicër e kanë ndjekur rreth 2000 nxënës. Angazhimi im në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër ka filluar prej vitit 1993 e deri më sot. Në këtë periudhë mbi 30-vjeçare përpos mësimdhënies kam kryer detyra të ndryshme, duke filluar si kryetar i LAPSH për kantonin e Cyrihut e pastaj si koordinator si dhe kam udhëhequr LAPSh-në në nivel të Zvicrës në tri mandate.
KURRIKULA MËSIMORE, BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR
Ne përdorim kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë e miratuar nga dy ministritë e arsimit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, në vitin 2018, të cilën e përdorin mësuesit kudo në mërgatë. Në bazë të kësaj kurrikule janë hartuar edhe tekstet mësimore të cilat u shpërndahen falas nxënësve. Me gjithë përpjekjet që bëhen në shtete të ndryshme nga mësuesit/-et në mënyrë që sa më shumë nxënës të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, rezultatet janë tejet simbolike krahasuar me numrin e madh të fëmijëve të cilët jetojnë në diasporë. Vijimi aq i vogël i mësimit të gjuhës hsqipe nga ana e fëmijëve lidhet me faktorë të ndyshëm, duke filluar nga mungesa e institucionalizimit të këtij mësimi nga ana e shteteve tona, pastaj angazhimi i fëmijëve nëpër aktivitete të tjera jashtëshkollore e deri te vullneti jo i fortë i prindërve për t’i lajmëruar fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Shpesh dëgjojmë mendime nga ana e prindërve se nëse fëmijët ndjekin edhe mësimin në gjuhën shqipe, atëherë do të kenë vështirësi për ta mësuar gjuhën e vendit ku jetojnë, por hulumtimet e ndryshme shkencore kanë vërtetuar se fëmijët të cilët e mësojnë gjuhën e tyre amtare, kanë sukses më të mirë në shkollë se sa ata të cilët nuk e ndjekin këtë mësim. Ne vazhdimisht u bëjmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin shqip, ngase kështu ata ua krijojnë fëmijëve të tyre një mundësi të jashtëzakonshme që ata të mësojnë gjuhën shqipe t’i zgjerojnë njohuritë e tyre për historinë, gjeografinë e kulturën shqiptare si dhe të integrohen në mënyrë pozitive në shoqërinë e vendit pritës. Mësimi në gjuhën shqipe forcon identitetin e shëndoshë kombëtar të fëmijëve shqiptarë dhe forcon lidhjen me vendin e prejardhjes së tyre. Nga përvoja ime mbi 30-vjeçare në mësimdhënie mund të konstatoj lirisht se fëmijët të cilët e ndjekin rregullisht mësimin shqip deri në përfundimin e shkollës fillore arrijnë një nivel shumë të mirë të zotërimit të gjuhës shqipe, nivel ky i cili ua hap atyre mundësitë për të vazhduar në mënyrë të pavarur të merren me gjuhën, historinë e kulturën shqiptare në një nivel më të lartë.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR
Nëpërmjet të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, unë përpiqem që nxënësit shqiptarë të kenë një formim të shëndoshë kombëtar, në mënyrë që ata të mos harrojnë gjuhën dhe prejardhjen e tyre. Jo vetëm në orët mësimore jepen përmbajtje që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, por kjo bëhet edhe nëpërmjet të aktiviteteve të ndryshme jashtëshkollore, si shënimit të datave të rëndësishme të historisë sonë. Fëmijët të cilët rriten në mërgim nganjëherë ndeshen me problemin e identitetit të tyre dhe e kanë të vështirë të shpërfaqin hapur prejardhjen e tyre, jo duke u lavdëruar, por thjeshtë duke qenë shqiptar, që jetojnë në një vend pritës, ku kanë lindur ose kanë emigruar. Në këtë prizëm është me shumë rëndësi që tek të rinjtë tanë të forcohet kompetenca ndërkulturore, pra aftësia për të ndërvepruar në një mjedis ku ndeshen kultura e identitete të ndryshme. Pikërisht në mësimin plotësues forcimi i kësaj kompetence është njëra ndër çështjet kryesore të cilën e vlerësojnë edhe institucionet arsimore zvicerane.
ZVICRA E KA NJOHUR ZYRTARISHT MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE EDHE NË KOHËN KUR KOSOVA ENDE NUK ISHTE SHTET
Siç u theksua edhe më lart, Zvicra e ka njohur zyrtarisht mësimin plotësues në gjuhën shqipe edhe në kohën kur Kosova ende nuk ishte shtet, sepse tek LAPSH-ja ka parë angazhimin konstruktiv të mësimdhënësve dhe seriozitetin në fushën e bashkëpunimit me palën zvicerane. Mësuesit zviceranë i informojnë prindërit për mundësinë që kanë për t’i regjistruar fëmijët e tyre në mësimin shqip dhe gjithashtu në takimet me prindërit shqiptarë theksojnë rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare. Gjithashtu ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut e cila ofron kurse të veçanta për mësimdhënësit të cilët janë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhë të ndyshme. Shkolla e Lartë Pedagogjike ka përkrahur fort LAPSH-në dhe mësimin shqip në përgjithësi. Në vitin 2012 në bashkëpunim me Shkollën Lartë Pedagogjike të Cyrihut u botuan 19 tekste shkollore për nxënësit që nga kopshti parashkollor e deri në klasën e nëntë. Gjithashtu u përgatit një uebfaqe me materiale të ndryshme didaktike (www.mylanguageheritage,com/sq) si dhe u përkthyen shtatë tekste didaktike të shkruara nga profesionistë të kësaj fushe nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Nga pala zvicerane ende mungon përkrahja financiare edhe pse janë bërë përpjekje në këtë drejtim që Zvicra të marrë përsipër financimin e mësimit të gjuhës dhe kulturës së atdheut për të gjitha gjuhët e njohura nga pala zvicerane. Një bashkëpunim i ngushtë i LAPSH-së është zhvilluar gjatë këtyre tri dekadave me shoqatat e ndryshme shqiptare që veprojnë në Zvicër, ngase shoqata jonë është një institucion apartiak i cili kultivon kontakte të shëndosha që shkojnë në të mirë të të gjithë komunitetit shqiptar në Zvicër. Natyrisht edhe shoqatat shqiptare e poashtu edhe mediat shqipe në Zvicër e përkrahin shkollën shqipe, ngase janë të vetëdijshme për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës amtare tek fëmijët shqiptarë. Kur organizohen manifestime të ndryshme, shpesh ato zhvillohen në bashkëpunim me shoqata të ndryshme kulturore, duke përquar një mesazh të rëndësishëm tek komuniteti shqiptar për rëndësinë e dërgimit të fëmijëve të tyre në mësimin shqip. Përkrahje në këtë drejtim jepet edhe nga ambasadat e konsullatat e shteteve tona në Zvicër.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Mësimi plotësues në gjuhën shqipe është shumë specifik dhe kërkohen aftësi të veçanta të mësuesve për të arritur sukses ngase në klasat e mësimit shqip kam nxënës me aftësi të ndryshme gjuhësore, nxënës me mosha të ndryshme nga klasa e parë e deri në të nëntën, me sfond të ndryshëm social etj. Këtu kërkohet që mësimi të individualizohet sa më shumë që të jetë e mundur ngase ka nivele të ndryshme brenda një klase dhe nuk është e mundur që të gjithë nxënësit të kenë një temë me përmbajtje të njëjtë. Pra duhet përgatitur materiale didaktike të cilat janë të përshtatshme për nivelin gjuhësor të nxënësve. Një sfidë plotësuese në vitet e fundit krijojnë nxënësit nga familjet e përziera, ngase niveli i njohjes së gjuhës shqipe tek ta lë shumë për të dëshiruar. Në mësimin e gjuhës shqipe natyrisht se shfrytëzojmë programe të ndryshme teknologjike. Periudha e covidit përpos që solli vështirësi të mëdha na krijoi edhe shansin për ta përdorur më shumë teknologjinë në këtë fushë. Për fat të mirë një numër shkollash në kantonin e Cyrihut na e mundësojnë kyqjen në internet në klasat ku zhvillojmë mësimin.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Nxënësit që kanë përfunduar mësimin plotësues në gjuhën shqipe kanë pasur mundësinë që të njihen me historinë e kulturën shqiptare. Nëpërmjet të zgjedhjes së temave të ndryshme nga e kaluara jonë, ata kanë marrë njohuri të rëndësishme mbi përpjekjet e kombit shqiptar për të fituar lirinë. Tek nxënësit është forcuar ndjenja patriotike sa më shumë që ata janë njohur me të kaluarën tonë. Natyrisht këtu kam pasur kujdes që ata të edukohen me ndjenja të shëndosha patriotike.
SEMINARI I XVII MBARËKOMBËTAR I PRISHTINËS
Seminari i XVII mbarëkombëtar me temën “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë” kësaj radhe u mbajt në Prishtinë, në të cilin, përpos organizatorëve dhe përfaqësuesve të shteteve tona, morën pjesë një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve të cilët punojnë në shtetet e ndryshme të botës. Ky seminar tashmë tradicional i cili organizohet nga institucionet e dy shteteve tona, është një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvojat tona dhe për të përfituar nga njëri-tjetri. Unë kam marrë pjesë në shumicën e seminareve dhe zakonisht jam prezantuar me tema nga fusha e didaktikës. Kësaj radhe në seancën plenare të ditës së tretë të seminarit, në cilësinë e bashkëpunëtorit të IPE-së (International Projects in Education) të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, prezantova temën “Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe mësuesit zviceranë faktor i rëndësishëm i njohjes së mësimit plotësues në gjuhën shqipe”. E paraqita këtë temë për të theksuar në njërën anë rëndësinë e bashkëpunimit me instirucionet e vendeve pritëse dhe në anën tjetër për të përfituar nga shembujt e ndryshëm të bashkëpunimit, për të parë mundësinë se cilat forma të bashkëpunimit janë të mundshme në shtetet e ndryshme ku punojnë mësimdhënësit. Në paraqitjen time shpalosa një mori shembujsh të bashkëpunimit për më se tri dakada dhe theksova disa ide se si mund të forcohet ky bashkëpunim në të ardhmen, gjithnjë duke pasur parasysh se kushtet ndryshojnë prej një shteti në shtetin tjetër.
KUSH ËSHTË MËSUESI NEXHAT MALOKU?
Nexhat Maloku vjen nga komuna e Gjilanit, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Pastaj ka studiuar në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe, të cilën e ka kryer në afatin e paraparë. Pas përfundimit të fakultetit ka regjistuar magjistraturën të cilën e ka kryer me sukses duke mbrojtur temën “Krijues shqiptarë në Zvicër 1981-2010”. Në periudha të ndryshme kohore është burgosur tri herë për shkak të angazhimit në lëvizjen kombëtare. Në vitin 1991 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1993 e deri më tash punon mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në kantonin e Cyrihut. Gjatë kësaj periudhe, përpos mësimdhënies është angazhuar edhe në detyra të ndryshme në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër (LAPSH) fillimisht në cilësinë e kryetarit e pastaj të koordinatorit në kantonin e Cyrihut si dhe ka udhëhequr LAPSH-në në nivel të Zvicrës në tri mandate. Ka udhëhequr kursin e gjuhës shqipe për të rritur për të huajtë në Shkollën e Lartë të Udhëtimeve në Zürich, është angazhuar si përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor në fushën e arsimit në Zvicër. Në Shkollën e Lartë për Punë Sociale në Cyrih ka përfunduar me sukses një studim në fushën e mediacionit ku është certifikuar si mediator. Ka bashkëpunuar me Drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut si koordinator i LAPSH-së për kantonin e Cyrihut. Në një mandat ka qenë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Këshillin për të Huajtë në qytetin e Cyrihut. Ka udhëhequr seminare të ndryshme për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, Gjermani, Angli, Suedi, Belgjikë, Itali e Greqi. Nga viti 2000 e deri më 2008 ka udhëqur projektin e financuar nga Zvicra “Në hap me kohën” në tri komuna të Kosovës, në Gjilan, Viti dhe Dardanë (Kamenicë) në të cilin kanë marrë pjesë mbi 1700 mësimdhënës dhe janë realizuar mbi 40 projekte të vogla në fushën e infrastrukturës nëpër shkolla. Ka qenë për një periudhë bashkëpunëtor i organizatës HEKS të Zvicrës. Nga viti 1997 e deri më tani është bashkëpunëtor në disa projekte i SHkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Është udhëheqës i qëndrimeve studimore të mësuesve zviceranë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë Veriore dhe i mësuesve nga Kosova në Zvicër. Është bashkautor i teksteve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Është paraqitur me prezantime në seminare të ndryshme dhe në shkollat zvicerane e institucionet e ndryshme arsimore. Ka përkthyer dokumente të ndryshme të fushës arsimore si dhe një numër librash për fëmijë e poashtu edhe gjashtë tekstet didaktike për mësimin në gjuhën e prejardhjes. Është autor i publikimeve mbi mësimin plotësues të botuara në Zvicër e Kosovë. Është bashkëkoordinator i botimit të librit jubilar “30 vjet shkollës shqie e mësimit plotësues në Zvicër”, etj. Është nderuar me mirënjohje të ndryshme, si mësues i dalluar në vitin 1995 nga qeveria në egzil e Republikës së Kosovës dhe më vonë nga Ministria e Arsimit e Kosovës, si dhe disa herë nga LAPSH-ja për angazhimin në kuadër të saj. Është vlerësuar nga kryetari i qytetit të Cyrihut për punën në kuadër të Këshillit për të Huajtë të qytetit të Cyrihut. Është nderuar me mirënjohje nga një numër shkollash në komunën e Gjilanit, Vitisë dhe Dardanës gjatë periudhës së realizimit të projektit “Në hap me kohën”. Është nderuar me mirënjohje nga shkolla “Hasan Prishtina” e Prishtinës për kontributin e dhënë si mësues për një periudhë dhe për bashkëpunimin mes mësuesve zviceranë dhe atyre kosovarë etj.