
Prof. Dr. Diana Kastrati*
*Fjala përshëndetëse në Konferencën e 25-të të FEL
Në emër të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tubim studimor. E nderuara zj. Megi Fino, zvMinistre e Punëve të Jashtme dhe Evropës; Shkëlqesia Juaj z. Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri; Shkëlqesia Juaj Z. Zlatko Kramarić, Ambasador i Kroacisë në Shqipëri; I vyeri z.Nicholas Ostler, President I FEL; Të nderuar studiues e akademikë të pranishëm në sallë e ju që për arsye të ditura të pandemisë nuk mundët të vinit të kumtonit fizikisht, por që do të jemi bashkë përgjatë këtyre ditëve on line! Ka tri “primizie”, (që ndodhin për herë të parë) të cilat shenjojnë këtë ngjarje të sotme (më lejoni ta quaj kështu):
- Për herë të parë konferenca e përvitshme e FEL-it, këtij Fondacioni dinjitoz, organizohet në Shqipëri e, përkon me një shifër: të 25-tën e tij;
- Për herë të parë vjen në qendër të vëmendjes të mjediseve akademike e studimore shqiptare, por edhe të qendrave albanologjike në Itali e gjetkë, një argument i tillë: debati mbi gjuhët e rrezikuara, një çështje tejet e rëndësishme jo thjesht për ndjeshmëritë e gjuhëtarëve e të sociolinguistëve. Në këto ditë do të kemi 70 kumtues, 14 nga të cilët nga Shqipëria; 56 nga Europa (Britani, Francë, Itali, Zvicër, Maqedoni, Gjermani, Federata Ruse, Greqi, Turqi, Austri, Suedi, Poloni, Kroaci), Izrael, ShBA, Australi, Malajzi, Pakistan; dhe 6 keynote (lektorë të ftuar), ndër të cilët njëri është për arbërishten. Nga 36 kumtesat në seancat plenare në 3 ditët, 11 janë për arbërishten, kryesisht nga studiues arbëreshë, italianë, apo vende të tjera të Europës – deri për arbëreshët në Kanada. Ka dhe një panel ditën e 4-t nga studiues jashtë zonave arbëreshe: Akademia e Shkencave, QSPA, Universiteti i Elbasanit, Un. Durrësit, Un. “Nënë Tereza” Shkup.
- Kjo çështje mbart peshë kombëtare. Por ajo që na intereson drejtpërdrejtë, është fakti se do të diskutohet për herë të parë në mënyrë absolute për arbërishten dhe statusin e saj si gjuhë në rrezik e shpallur nga UNESCO që nga shekulli i kaluar. Referuar Atlasit të gjuhëve ne rrezik i publikuar nga ky organizëm përcaktohen 4 stade apo seksione: vulnerabël, në rrezik, në situatë kritike, të zhdukura pas 1950. Konkretisht në Itali nga 31 gjuhë të shpallura nga ky Atlas, 5 janë seriozisht në rrezik, kurse 22 në rrezik, ndërmjet të cilave arbërishtja. Pra, stadi i dytë. Mendoj se kumona e alarmit nuk mund të flasë më në mënyrë elokuente se kaq. E këtu vijmë tek “primizia” e tretë, por që në gjykimin tim rezulton më e rëndësishmja: qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtij tharmi të identitetit tonë kombëtar. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në 2019, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave ngritja e një Qendre studimesh dhe botimesh për Arbëreshët, e para qendër me fokus ekskluziv ndaj këtij universi gjuhësor, kulturor, antropologjik që si rrallëherë në historinë e njerëzimit akoma sot pas thuajse 6 shekujsh shpërnguljeje mban sytë tek shteti amë, veneron identitetin e tij pa mëdyshje, kompromis. Përpos detyrimeve institucionale e shtetërore, më lejoni t’ju them se kjo Qendër që në fillimin e punës më 11 mars 2020, ka ndjerë detyrimin moral sa në nivel personal a kolektiv që ky “tren kalon vetëm një herë” e, përgjegjësia është dyfishuar.
Objekti i punës konsiston në tri drejtime:
- studimi i trashëgimisë së shkruar e jomateriale arbëreshe;
- botimi i trashëgimisë së shkruar arbëreshe por edhe mbi arbëreshët;
- divulgimi i kësaj kulture dhe sensibilizimi në territorin shqiptar.
Në mënyrë telegrafike, këto tri misione, nga marsi i 2020 kur filloi punën stafi deri më tani, janë sendërtuar në:
- Krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, studiues, akademikë, por edhe të protagonistëve të skenës së përditshme arbëreshe si në nivel politik, po aq edhe në nivel të jetës kulturore e publicistike. Në harkun kohor të 10 muajve janë firmosur 16 Marrëveshje bashkëpunimi me thuajse të gjitha institucionet akademike e kulturore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe ndër Arbëreshët e Italisë;
- Janë ngritur dy linja botimi: kolana “Thesaurus” (është pagëzuar me këtë emër nisur nga kuptimi që mbartte në Mesjetën e hershme ku nënkuptohej shkrimi i veprave me karakter enciklopedik jo domosdoshmërisht kronologjik) e cila vjet u përurua me botimin e një dorëshkrimi të emblemës së arbëreshëve, Jeronim De Radës. Linja tjetër e botimit janë vepra të studiuesve arbëreshë e të huaj mbi gjuhën, kulturën, etnografinë, psikologjinë, antropologjinë kulturore. 3 syresh u botuan vjet.
- Njëkohësisht, doli edhe numri i parë i Revistës studimore të Qendrës, me titullin “Continuum”, 400 faqe, me kontribute të kolegëve të institucionit tonë, e të albanologëve të tjerë të huaj e vendas.
Për këtë vit që po mbyllet janë përgatitur për botim 6 vepra të tjera, saktësisht:
1. “Fyletia e Arbenore prej kanekate Laoshima”, (1867) Dhimitër Kamarda, botim i zgjeruar kritik përgatitur nga studiuesi prof. Dhori Qirjazi, 430 fq.
2. “Historia e letërsisë shqipe” (1959) e Giuseppe Schirò Junior, 185 fq.
3. “La figlia maledetta” (1863) e Francesco Santori, 203 fq.
4. “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” (1908) Michele Marchianò , 67 fq.
5. “Mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen e tanishme të shqiptarëve të Mbretërisë së Napolit” (1807) e Angelo Masci, 61.5 fq.
6. “Studime dialektore arbëreshe; Pjesa I, II, III, IV, të Maximilian Lambertz; Jul Variboba; Jul Variboba (Fund); Të folmet arbëreshe në Itali“, 318 fq.
Në një projekt afatgjatë, synohet drejt hartimi të Fjalorit Enciklopedik të Arbëreshëve, që lips bashkërendimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Njëkohësisht, synohet edhe ndaj një projekti sensibilizimi të popullatës shqiptare brenda territorit tonë mbi trashëgiminë arbëreshe. Ky projekt konsiston në krijimin e Shtëpisë së Arbëreshëve, apo Vatrës së Arbëreshëve në Tiranë, një qendër multifunksionale që do të bëjë të mundur jo thjesht konservimin, por edhe ridimensionimin ndërveprues të Arbëreshëve me vendin amë. Kjo Shtëpi do të strukturohet në tri hapësira: në bibliotekë të hapur e në shërbim të publikut, ku synimi kryesor është ai i shndërrimit të kësaj biblioteke në një vend të frekuentuar nga studiuesit, por edhe nga studentët e drejtimit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për të realizuar tema diplome dhe doktorature me tema mbi Arbëreshët.
Hapësira e dytë do të shërbejë si Arkiv, ku materialet që do të vijnë nga miqtë tanë përtej detit, do të depozitohen aty në bazë të rregullave të njohura të mirëmbajtjes së dokumenteve e dorëshkrimeve. Më lejoni t’ju them se që tani janë gati një sasi e mirë dokumentacioni të ndryshëm që do të bëhen pjesë e kësaj Shtëpie.
Hapësira e tretë do të shërbejë për ngritjen e një Muzeu të përhershëm mbi Arbëreshët, e cila do të përmbajë brenda edhe një hapësirë për ekspozita të përkohshme pikture, skulpture apo fotografike, apo edhe librash, me pjesëmarrjen e artistëve e krijuesve arbëreshë e shqiptarë.
Kjo Konferencë e sotmja vjen në vijim të dy konferencave të tjera të zhvilluara nga QSPA. Kuvendi i parë është zhvilluar në 27-29 Shtator me temë “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”, me pjesëmarrjen e studiuesve të fushave të ndryshme si gjuhësi, letërsi, etnografi, antropologji kulturore, të akademikëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia. Ky Kuvend synonte të evidentonte situatën aktuale të studimeve të kryera në shekullin e kaluar e në këtë fillimshekulli në të gjithë trevat shqipfolëse, por edhe nga albanologët e huaj nëpër botë.
Veprimtaria e dytë akademike u zhvillua më 19 nëntor në bashkëpunim me Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, me temën “Politikat e shtetit shqiptar ndaj komuniteteve arbëreshe nga krijimi i tij deri më sot”. Edhe në këtë rast, objektivi madhor ishte njohja diakronike dhe sinkronike e strategjive në një shekull shtet shqiptar ndaj universit arbëresh. Pra, nisur nga përfundimet e këtyre dy konferencave, kemi mundësinë të kuptojmë cilat janë përparësitë e punës së Qendrës sonë, jo vetëm në rrafsh studimor, por edhe në atë praktik. Këto të fundit, janë nxjerrë edhe nga hetimi direkt në terren i nevojave parësore të komuniteteve arbëreshe të Italisë së Jugut.
Konferenca e përbashkët me FEL-in, vjen si kurorëzim i kësaj përpjekjeje të institucionit tonë për hartimin e strategjive të saj të brendshme, hullive në të cilat do të ecë puna për të paktën 5 vitet e ardhshme. E dimë fort mirë që në 1999 Senati italian miratoi Ligjin nr.482 të 15 dhjetorit mbi tutelimin e pakicave gjuhësore historike. Nga ana e Qendrës, identifikimi i problemit të arbërishtes si gjuhë në rrezik është bërë që nga fundi i vitit të kaluar. Por propozimi që na u bë nga ana e FEL-it për ta zhvilluar në Tiranë konferencën e përvitshme të Fondacionit, duke patur si nëntemë të aktivitetit çështjen e arbërishtes si gjuhë në rrezik, erdhi në momentin e duhur për punën tonë. Nga dhjetori i kaluar e deri më sot kanë qenë muaj adrenaline për të përballuar një vëllim pune aspak indiferent. Por, Vizioni i Qendrës parasheh si hap të parë krijimin e një tryeze pune me aktorët që lidhen drejtpërdrejtë me çështjet më prioritare të universit arbëresh: përfaqësuesit e komuniteteve arbëreshe (politikanë e protagonistë të jetës kulturore e akademike), institucionet shtetërore shqiptare gjegjëse të këtyre çështjeve, homologëve italianë. për të përpunuar strategji të reja të përbashkëta në nivele politike më së pari, të cilat të mund të përkthehen në një kabinë regjie me një skaletë të qartë hapash për t’u ndjekur në terren.
Shpresëmirë për vijimin e kësaj pune, do ta mbyll me titullin simbolik të revistës së Qendrës, një latinizëm që si gjithë shprehjet e tjera të kësaj gjuhe kanë fituar “qytetarinë” prej shekujsh: Continuum qoftë! (Quid continuum est)