Dr. Sadik Bejko/
“Gjumë në shtëpinë e pritjes” është një roman “i shkurtër” i Thanas Dinos, botuar nga botuesi “Nereida”, Jani Malo. Flitet se autori këtë roman e ka një gur tjetër në mozaikun e tij romanor të titulluar ‘Biblioteka e Jugut’. Dmth është një kolanë në prozë për ngjarje e të ndodhura në Jug të Shqipërisë me qendër Gjirokastrën. Në qendër të romanit “Gjumë…” është një ngjarje e 18 nëntorit 1943, masakra e nacionalistëve gjirokastritë nga partizanët komunistë. Parë nga sot autori e letrarizon atë masakër që realisht ka ndodhur dhe fle “e zgjuar” në ndërgjegjen e Gjirokastrës. Terror i kuq komunist i shkoqur. I ashpër. I përgjakshëm, i pamëshirë, shembullor, spektakolar. Provë force pa asnjë maskë. Pa asnjë shkak.
Këtu po i largohem romanit. Më 18 nëntor 1943 llahataria e pashembullt ra mbi gjirokastritët e fisëm. Mbi familjet më të zgjedhura të qytetit. Në qytet nuk ishte pushtuesi gjerman. As ballistët. Erdhën partizanët.
Ngjarja është filmike. Shtabi partizan i vendosur në Gjimnazin e qytetit natën rrëmben njerëz nga shtrati, gjysmë të veshur, dhe pas disa minutash pyetje u komunikon se gjyqi partizan i ka dënuar me vdekje. I ekzekutojnë aty për aty. 15 gjirokastritë. Fëmijë që bien me ulërimë mbi kufomën e prindve të përgjakur dhe i vrasin njëri mbi tjetrin. I vihet zjarri shtëpinë së Kalove. Kalon plak, Boçon, e kanë vrarë ballas. Tare Kalua, i biri, sportist, profesor në gjimnazin e qytetit, varet me litar t’i shpëtojë shtëpisë në flakë. E vrasin.
Avokat Emin Kokalari, në tmer për të shpëtur kokën, futet në një kotec. Biri i tij është partizan. Ai është një avokat me emër pa pjesëmarrje në luftë. Shegerti, pastrues i dyqanit, sekretari i tij është anëtari i Qarkorit partizan të Gjirokastrës, Haki Toska, më vonë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Hakiu, fukara, nga shtresat më të këputura të qytetit kishte gjetur një punëdhënës si avokat Emini për të çuar bukë në shtëpi. Por në ditë të keqe, të zezë, shërbëtori e tradhton zotninë e tij. Dhe se i jepte bukë, dhe se i biri i avokatit ishte në krahun e tij, ishte partizan, Emin Kokalarin gjyqi partizan pa prova, pa dëshmitarë e pushkaton.
Pra… kjo qenka një luftë ndryshe. Një luftë e re. Lufta e klasave. Jo lufta për atdhe kundër pushtuesit.
Te kjo lloj “lufte” e re përqendrohet romani i Thanas Dinos. Nuk është humaniteti, atdhetarizmi feja e re e komunizmit. Është kundërhumanizmi. Vra bamirësinë, sjelljen fisnike, vra zotërinjtë e qytetit, kolonat ku mbahet qytetaria, zhvishu nga lidhjet humane, deri dhe nga lidhjet e gjakut, shnjerëzohu… në emër të idealit të ri, të së kuqes së komunizmit.
Thanasi i thotë më butë, më indirekt këto ide që thashë më lart. Por lexohen te romani i tij.
Tani në muajin nëntor ne do dëgjojmë tamtamet bajate të përsëritura të idolatrisë së dëshmorëve tanë që na sollën lirinë. Por për ta kemi thënë e stërthënë vetëm gjysmën e së.vërtetës. Këta shegertë të përvuajtur komunistë si Haki Toska i ngjyen duart me gjakun e zotërinjve të tyre zemërmirë, që më pas ata vetë të bëhen pashallarë të kuq të një pushteti të pamëshirë.
Më në fund, dua të shtoj se si njohës i koloritit gjuhësor e idiomatik të pasur të së folmeve të Jugut e vaçan të Gjirokastrës, e kam shijuar stilin e gjuhën e romanit të Thanasit. Më pëlqen racionaliteti, ngjeshja e qëllimshme e përshkrimeve, e frazës, e së thënës. Kjo anë e formës do vështrim më profesional …
Prapë e them… Thanasi sa e zgjon nga gjumi temën e masakrës së ndodhur në Gjirokastër në vjeshtën e vitit 1943. Ajo mbetet e gjallë më tragjike, më e përzishme e gjëmshme në ndërgjegjen e kohëve dhe më thellë nga ç’ thuhet në këtë roman.