
Bujar Leskaj/
Gjyqi komunist kundër deputetëve (10 tetor 1947), që vrau pluralizmin dhe instaloi diktaturën në Shqipëri.
78 vjet më parë, me dënimin dhe ekzekutimin e Grupit të Deputetëve mbrojtës të parimeve e të demokracisë së vërtetë perëndimore, diktatori Enver Hoxha instaloi zyrtarisht diktaturën e proletariatit, vrau pluralizmin, mendimin e lirë dhe inteligjencën e vërtetë në Shqipëri.
Deputetët opozitarë, të cilët u dënuan dhe u ekzekutuan pas torturash çnjerëzore nga gjyqi famëkeq, i montuar e i inicuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha ishin ajka e mendimit intelektual, e politik shqiptar, ishin kundërshtarët e vendosur të një regjimi që po instalohej me gjak dhe do të ishte njolla e turpit për Shqipërinë.
Gjykata do të dënonte 16 deputetët dhe dhjetëra qytetarë e intelektualë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si bashkëpunëtorë të tyre.
Në 10 Tetor 1947, nga 16 deputetët, tre u dënuan me varje, Shefqet Beja 35 vjeç, Sulo Ismail Klosi 36 vjeç dhe Riza Alizoti 37 vjeç. 13 deputetët e tjerë u dënuan me pushkatim: Sheh Ibrahim Karbunara, 67 vjeç, Dr. Enver Sazani 37 vjeç, Sami Kokalari 50 vjeç, Selaudin Toto 33 vjeç, Irfan Majuni, 36 vjeç, Tefik Deliallisi 37 vjeç, Hysen Shehu 35 vjeç, Beqir Çela 34 vjeç, Abdyl Kokoshi nga Vlora 37 vjeç, Petref Karaxhozi 39 vjeç, Agathokli Xhitomi 50 vjeç.
Shumë të tjerë vuajtën burgun me dënim të përjetshëm, ndërsa të tjerë humbën jetën nga torturat çnjerëzore në hetuesi. Me burgim të përjetshëm u dënuan Ramazan Tabaku, Gjon Vlashi, Foto Bala nga Himara, Ram Marku. Me 20 vjet burg u dënuan Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Shefki Minarolli. Me 15 vite burg u dënua Sulo Konjari. Gjatë torturave në hetuesi vdiqën ose u vranë Kolë Kuqali, Syrja Selfo, etj.
Ndërkohë disa dhjetëra intelektualë, kundërshtarë të regjimit: Kostë Boshnjaku, Irfan Pustina, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Riza Dani, Musine Kokalari Gjergj Kokoshi u dënuan ose u pushkatuan para e pas këtij gjyqi…Përpara këtyre antikomunistëve, demokratëve të vërtetë duhet që sot të përulemi me nderim, respekt e mirënjohje të thellë, veçanërisht ne deputetët e parlamentit aktual! Respekt të thellë meriton edhe ish- deputeti i PD, dr. Pjetër Pepa, i i cili në librin e tij, “Dosja e Diktaturës” ka sjellë dëshmi e fakte tronditëse për këtë ngjarje, duke na përcjellë mesazhin se: “Asgjë e ardhme nuk mund të ndryshohet, pa nxjerrë mësimet historike nga e kaluara!”.