
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varrezave të heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 34 vjetorin e rënies së tyre.
Duke vlerësuar lart veprën e tyre heroike për çlirimin e Kosovës, kryetari Konjufca tha se Afrimi dhe Fahriu janë pararendës së luftës çlirimtare dhe se me aktin e tyre heroik dhanë porosinë se liria nuk arrihet pa luftë.
“Ata e dhanë porosinë dhe shembullin më të vlefshëm se okupatori nuk largohet nga Kosova pa i kapur populli armët në dorë. Kjo ishte porosia e tyre më e vlefshme dhe më vjen mirë që ata po nderohen dhe vlerësohen gjithmonë. Ne jemi këtu edhe me kryeministrin e Kosovës, me familjarët e dëshmorëve dhe me bashkëpunëtorët e tyre për t’i nderuar ata”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit tha se heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu përveç luftës me armë, gjithashtu kishin edhe formim intelektual.
“Ata përveç se kishin armën në dorë kundër pushtuesit serb, kishin edhe formim të lartë intelektual, kishin vetëdije historike dhe ishin të edukuar dhe të brumosur me parimet më të shëndosha dhe me idealet më të larta kombëtare”, tha kryetari Konjufca.
Heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht duke luftuar me policinë serbe më 2 nëntor të vitit 1989 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.