
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ish-shefin e misionit të OSBE-së në vendin tonë, mikun e madh të Kosovës, ambasadorin amerikan William Walker.
Kryetari Konjufca sërish e vlerësoi lart angazhimin e z. Walker për Kosovën.
Ai tha se z. Walker pa iu trembur syri i pati thënë Millosheviqit të vërtetën në sy dhe i transmetoi botës atë që pa e përjetoi, të vërtetën që ajo duhet ta dinte, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë.
Historia e udhëtimit të tij, veçanërisht dëshmia për masakrën e Raçakut ishte kyç në shtyrjen e NATO-s për të nisur fushatën e saj të bombardimeve kundër Jugosllavisë.
Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori Walker kujtuan së bashku një pjesë të së kaluarës, diskutuan edhe për të arriturat në vend dhe zhvillimet aktuale në peizazhin politik rajonal e global.
Mirënjohës dhe falënderues gjithmonë për z. Walker, tha Kryetari Konjufca.