Shkruan: Eugjen Merlika/Itali/
Data 8 korrik 2013 do të mbetet në historinë e kohës sonë si një datë e shënuar, tronditëse, nga ato që shkëputen nga kronika e zakonshme e jetës politike ndërkombëtare e hyjnë në arkivin e kujtesës historike të njerëzimit.Ajo datë nuk lidhet me fillime apo mbarime luftërash, përmbysje sistemesh, revolucione, marrëveshje për krijime bashkësish të mëdha shtetesh, traktate paqeje, apo ngjarje të tjera të rëndësishme të historisë. Ajo është dita e vizitës së një Kreu të Kishës katolike botërore në një vend të vogël, në ishullin më jugor t’Evropës, që është një nga portat e kontinentit, në të cilin dhjetra e qindra mijra njerëz përpiqen të hyjnë, për të gjetur një tjetër jetë, për t’i shpëtuar skamjes, luftërave, dhunës së pushtetit, përndjekjes etnike apo fetare, për të përmendur vetëm disa nga motivet kryesorë që nxisin mërgimin e afrikanëve, aziatikëve, latino-amerikanëve drejt “tokës së premtuar” të kontinentit të vjetër.
Nuk do të quhej një ngjarje historike, edhe se ishte vizita e parë e Papës së ri jashtë kufirit të Vatikanit, sikur të ishte mjaftuar me një pohim të thjeshtë të rolit të Kishës në çështjen e mërgimit. Ka gati gjysëm shekulli që Papët e Romës përçojnë, në vetë të parë, mesazhet e Ungjillit në gjithë botën. Çdo vizitë ka patur rëndësinë e të veçantën e saj e ka dëshmuar shqetësimin dhe pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në problemet e vështirësitë e popujve të ndryshëm. Vizita e Papës Francesco në Lampedusa-n siqiliane është në vazhdën e tyre, por mesazhi që dha ajo, nëpërmjet predkut të tij, më duket së është e një rëndësie tepër të veçantë. Predikimi i Papës argjentinas, bir i një familjeje të mërguarish nga Italia, nuk është thjesht fjala e një misionari, që i ka vënë detyrë vetes shpalosjen e mësimeve të Ungjillit në të gjitha trevat e botës, ku besimtarët duan të dëgjojnë e të përvehtësojnë fjalën e Jezu Krishtit, edhe mbas dymijë vjetësh.
Mesazhi i Lampedusa-s është një thirrje prekëse që i bëhet vetëdijes së njerëzimit, për të kryer një operacion të thellë e të dhimshëm, por edhe shëlbues, të një riprovimi të vetvetes. Kjo thirrje kryhet nga Papa Bergoglio në një vend të vogël të bregdetit evropian të Mesdheut, një qytet me gjashtëmijë banorë, që është kthyer në një simbol të takimeve njerëzore mes dy botëve, aq larg, por edhe aq afër njëra tjetrës. Lampedusa është porta e Italisë evropiane, duhet të jetë shprehje e mirëqënies, e zhvillimit ekonomik, e shoqërisë së hapur, e mikpritjes, e moralit të krishterë e solidaritetit njerëzor. Në të trokasin pa ndërprerë njerëz të dëshpëruar që vijnë nga jugu i Mesdheut, apo nga thellësitë e Afrikës, që ëndërrojnë një jetë normale për veten dhe familjet e tyre, që i besojnë ëndrrës së tyre e venë në rrezik jetën për t’a sendërtuar atë. Në këtë travajë të vazhdueshme, në ujrat që ndajnë dy bregdetet kontinentale, vetëm në këtë pjesë viktimat e gëlltitura nga deti arrijnë në rreth 20.000 në 25 vjetët e fundit.
Kujtimit të tyre Vikari i Krishtit i lëshon në ujët e detit një kurorë krizantemash, në shenjë nderimi për të gjithë ata që u nisën e nuk arritën dot të kenë asnjë varr. Ky gjest simbolik është vetëm fillimi i një proçesi që nuk ndalet në konstatimin e thjeshtë të problemit, por synon të hyjë në thellësinë e tij, në shkaqet e motivet përcaktuese të këtyre tragjedive njerëzore. Analiza, nëpërmjet ligjirimit, merr përmasa universale, thyen kufijtë e kohëve dhe hapësirave e përpiqet të depërtojë në rrënjët e dukurive. Mendimi kthehet tek Testamenti i Vjetër, akti i krijimit, njeriu i parë, mëkati origjinal i trashëgueshëm e i përjetshëm, raporti i tij me Hyjin, me zgjedhjen e lirë, me ndërgjegjen e tij.
“Adam ku je?” Është pyetja e parë që Zoti i drejton njeriut mbas mëkatit. “Ku je ?” Është një njeri i çorientuar që ka humbur vëndin e tij në krijimin, sepse beson se është bërë i fuqishëm, se mund të zotërojë gjithshka, se mund të jetë Zot. Dhe harmonia thyhet, njeriu gabon e kjo përsëritet edhe në marredhëniet me tjetrin, që nuk është më vëllai për t’u dashur, por thjesht tjetri që trazon jetën time, mirëqënien time. Dhe Zoti bën pyetjen e dytë : Kain ku është vëllai yt ?”
Analiza anatomike e Papës, në universalitetin e saj, merr shkas nga problemet e emigracionit, por zgjeron shumë rrezen e veprimit, duke trajtuar në të gjithë shtrirjen e tij, aspektin e marredhënieve njerëzore në shoqëritë e zhvilluara. Mendësia individualiste, gjithënjë e më zotëruese në jetën e shoqërive të mirëqënies, shprehet në braktisjen e familjes patriarkale dhe në prirjen e të rinjve për të shkëputur shpejt lidhjen me familjen e origjinës e për të ndërtuar jetën e tyre vetiake. Kjo çon në një konceptim qendër vetiak të marredhënieve shoqërore, që pasqyrohet në dobësimin e lidhjeve familjare e, më gjërë, edhe të atyre shoqërore e që shprehet në mungesën e ndihmës së ndërsjelltë mes antarëve të këtyre shoqërive, shfaqjet e ndryshme të pasojave të të cilave, në jetën e përditëshme të metropoleve të botës së sotme, janë me të vërtetë shkandulluese.
Një vajzë përdhunohet në një autobuz dhe asnjë ndër dhjetra udhëtarë të pranishëm nuk ndërhyn. Një i marrë me një sëpatë, në mëngjez herët, kërcënon e vret tre vetë dhe ai që para tyre arrin t’i shpëtojë këtij fati tragjik, nuk merr mundimin as të lajmërojë policinë, për të ndërhyrë e shmangur viktimat e tjera. Të moshuar, që jetojnë vetëm në pallatet, vdesin në shtëpinë e tyre dhe, deri sa të mos kutërbojë kufoma e të ndihet era e keqe nëpër shkallë, askush nuk troket në derë, për të pyetur si është fqinji apo fqinja. Me fqinjin, edhe se mund të jetohet ngjitur në të njëjtin pallat, shkëmbehet ndonjë përshëndetje apo urim në shkallë për festa e, në rastin më të keq, nuk i mësohet as emri. Në mjetet e transportit publik, shpesh rrijnë ulur adoleshentë me Ipad apo kufjet në vesh, ndërsa qëndrojnë në këmbë të moshuar apo gra shtatzëna. Në Milano një taksist, pa dashje dëmtoi një qen që e kishin nxjerrë në shëtitje dy vetë. Taksisti u ndalua, kërkoi falje dhe ofroi ndihmën e tij, por u sulmua egërsisht nga pronarët e qenit e vdiq në spital mbas një muaji. Njerëz që vrasin prindërit, gratë, fëmijët, kthehen në “heronj” që marrin dhjetra letra dashurie nga femra të ndryshme, mbasi kanë marrë dënimin!!!
Një ish kryeministër mbi 70-vjeçar që, kur ishte në detyrë, ktheu në hareme vajzash të reja të paguara shtëpitë e ndryshme të tij, votohet nga 10 milion italianë e mbrohet nga një vendim i rremë parlamenti, i votuar nga 320 përfaqësues të popullit.
Papa Bergoglio vazhdon t’a zhysë thikën e tij anatomike në kalbësirën e shoqërisë së mirëqënies. “Kultura e mirëqënies, që na çon të mendojmë vetëm për veten, na bën të pandjeshëm ndaj thirrjeve të të tjerëve e na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura por nuk janë asgjë, janë iluzion i së kotes, i së përkohëshmes që çon në indiferencën ndaj të tjerëve, madje çon në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk ka të bëjë me ne, nuk na intereson, nuk është punë e jona!”
Këtu mesazhi i Francesco-s arrin tonin më të lartë të protestës, të dëshpërimit, të padisë së një mendësie, e cila pjell një rend gjërash, të bazuar mbi parime diametralisht të kundërta, jo vetëm me ata të doktrinës së krishterë, por edhe me ata të vetë natyrës njerëzore e ligjeve të saj. Nga altari, i improvizuar mbi një varkë, simbol i mjetit të shpresës për ditë më të mira e, ndonjëherë, i prurësit të vdekjes për bartësit e tyre, pasardhësi i Shën Pjetrit, i “ardhur nga ana e botës”, i kërkon falje Zotit katër herë e kërkon pendesë. Kërkon pendesën e një shoqërie që “ka harruar të qajë” e që ka përfunduar në një “anestezi të zemrës”….
Madhështia dhe universaliteti i predikimit të Lampedusa-s vë para ndërgjegjes të secilit një pasqyrë, mbasi secili ka diçka për t’i qortuar vetes e për të ndrequr në sjelljen e qëndrimin e tij. Sa më lart ngjitet në shkallën shoqërore e shtetërore, aq më shumë shtohet doza e përgjegjësive t’atyre që “n’anonimat marrin vendimet ekonomike e shoqërore” , për të ndryshuar rrugën, për të mos përsëritur mëkatet, për të mos dëgjuar më pyetjen e Zotit : “Ku është vëllai yt?”.
Në dritën e madhështisë gjithëpërfshirëse të mesazhit të Papës Francesco, besoj se edhe ne, shqiptarët, kemi mjaft për të paditur, për të qortuar e vetëqortuar, për të ndrequr. Pyetja e Zotit “Ku është gjaku i vëllait tënd që thërret deri tek un?” besoj se në shumë pak Vënde ka qenë aq e qëlluar sa në Shqipërinë komuniste, që nuk derdhi asnjëherë pikë loti për viktimat e panumurta që shkaktoi. E përgjegjësia mbeti si tek drama “Fuenteovehuna”, të sjellë si shembull nga Papa në ligjirimin e tij :”Të gjithë dhe asnjëri”. Klasa e vjetër kriminale politike, besnike edhe sot e sistemit të saj, që i ka shpëtuar drejtësisë së kësaj bote, duhet t’a dijë se do të vijë dita gjykimit për secilin. Klasa e re politike, që trashëgoi pa u munduar t’i ndreqë mëkatet dhe krimet e parardhësvet është ende në kohë për të thënë fjalën e saj. Uroj t’a studiojë në thellësi këtë monument të mendimit bashkëkohor, që është, ligjirata e Lampedusa-s e të mbajë parasysh fjalët lapidare të autorit të saj : “Zoti do të na gjykojë në bazë të asaj se si kemi trajtuar më nevojtarët”. Nevojtarët më të mëdhenj vazhdojnë të mbeten ata që komunizmi u rrëmbeu, jetën, lirinë, pasurinë, ëndrrat për jetën.
Korrik 2013 Eugjen Merlika