

Av. Hasan Metuku/
Dje, më 25 shkurt 2025, Presidenti Trump njoftoi se do të kërkojë t’i japë fund Programit të vizave EB-5 të Investitorëve emigrues në SHBA, program i cili u siguron investitorëve të huaj qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Ky njoftim u bë në zyrën ovale në prani të Sekretarit të Tregtisë së SHBA-së, Howard Lutnick, i cili foli për dështimin dhe mashtrim në programin e vizave EB-5.
Programi i vizave EB-5 kërkon që një shtetas i huaj të investojë në bizneset amerikane që krijojnë 10 ose më shumë vende pune për investitor. Programi ka një shumë investimi prej 1,050,000 dollarë që mund të reduktohet në 800,000 dollarë nëse investimi bëhet në një zonë me papunësi të lartë, zonë rurale ose nëpërmjet një projekti të infrastrukturës qeveritare. Investitorët dhe familjaret e tyre (gruaja dhe femijet nen 21 vjec) mund të marrin nënshtetësinë amerikane pas pesë vjetësh qëndrimi të përhershëm.
Sipas deklarates se tij, Presidenti synon të zëvendësojë vizën EB-5 me një program “Gold Card” (Karta e Artë), për të cilën presidenti njoftoi se do të kërkonte një investim prej 5 milionë dollarësh dhe që do të jepte “kartën jeshile plus përfitime”, duke përfshirë një rrugë drejt shtetësisë që tashmë ofron programi EB-5.
Presidenti Trump nuk dha detaje të tjera, megjithëse vuri në dukje se një plan i detajuar do të publikohej në dy javët e ardhshme. Sipas Presidentit, qëllimi është tërheqja e njerëzve të pasur në Shtetet e Bashkuara të cilët do të krijonin biznese, vende të reja pune dhe do të ndihmonin në uljen e deficitit të vendit. Kuptohet, që burimi i fondeve dhe vetë aplikantët do ti nënshtrohen një vettingu gjatë procesit- kjo sipas deklaratës.
Në Kushtetutë, Kongresit i jepet autoriteti për të miratuar ligje të emigracionit që kontrollojnë pranimin, përjashtimin dhe natyralizimin. Ky pushtet bazohet në nenin 1 të Kushtetutës, Seksioni 8, Klauzola 18, e cila i jep Kongresit fuqinë për të nxjerrë ligje që janë të nevojshme dhe të duhura në zbatim të Kushtetutës.
Për më tepër, Gjykata e Lartë ka vendosur që Kongresi ka fuqi “të plotë” mbi emigracionin, që do të thotë se Kongresi ka pothuajse autoritet të suprem mbi miratimin e ligjeve të emigracionit.
Në vitin 2022, Kongresi riautorizoi programin e vizave EB-5 deri më 30 shtator 2027, me miratimin e Aktit të Reformës dhe Integritetit EB-5. Me sa duket, presidenti nuk ka autoritet për të goditur një akt të Kongresit, përfshirë këtu edhe programin ekzistues të vizave EB-5.
Kongresi gjithashtu ka kontroll ekskluziv mbi ndarjen e numrave të kartave jeshile të bazuara në punësim dhe çdo ndryshim në këtë duhet të bëhet duke amenduar statutin.
Presidenti mund të propozojë legjislacion të ri për emigracionin, por vetëm Kongresi mund të bëjë ligje të reja dhe të ndryshojë ligjet ekzistuese.
Presidenti ka gjithashtu autoritetin për të zbatuar ligjet e imigracionit përmes agjencive si, Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së, Agjensia e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së dhe Agjensia e Doganave dhe e Mbrojtes së Kufijve të SHBA-së.
Përpjekja e fundit e Presidentit për të goditur programin e vizave të investirove të huaj EB-5 do të përballej me padi apo veprime të menjëhershme gjyqësore nga palët e interesuara për të urdhëruar dhe rrëzuar çdo propozim të tillë.
Shumë urdhra të tjerë ekzekutivë të Presidentit janë dërguar në gjykatë dhe kjo nismë e fundit e tijë, nëse nuk kalon përmes Kongresit mund të përfundojë gjithashtu në gjykatë.
Për më tepër informacion do të ndjekim zhvillimet ligjore që do vijojnë.