Washingtoni mesazhe politikës. Në interes të kombit shqiptar votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht
/NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Washingtoni mesazhe të qarta që duhen përmbushur sot ose nëse jo ata do të firmosin vetëlargimin e tyre nga politika. Në interes të kombit shqiptar është votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht.
Ndërsa në Tiranë ka arritur kulmi i euforisë i festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë, nga Washington D.C. vjen një apel i drejtpërdrejtë për kryeministrin dhe liderin e opozitës nga Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon, i cili në një diskutimi në organizatën e Atlantikut të Veriut, nxori në pah qëndrimin Amerikan për Ballkanin gjatë vizitës së Zonjës Clinton në rajon.
Të gjithë ne që dëgjuam fjalën e zonjës Clinton në Parlament, e aq më tepër deputetët dhe krerët e institucioneve që ishin aty të pranishëm, konstatuam thirrjen konkrete nga ana e Sekretares Amerikane të Shtetit që ajo i bëri politikës sa i përket bashkëpunimit për hir të interesave kombëtare, përballjes me korrupsionin, i cili përbën kërcënim ndaj pavarësisë, zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në fjalën e saj Zonja Clinton parashtroi një seri pyetjesh të cilat vinin në dukje problemet që ka politika shqiptare me veten e saj. Këto pyetje Zonja Clinton nuk ia parashtroi popullit shqiptar, por direkt politikës: „A do të lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit? A do të kryeni reformat që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët? A do ta luftoni korrupsionin që iu vjen për shtat një pakice në kurriz të shumicës? A do të vazhdoni të bëni punën e madhe që kërkohet për të hyrë në Bashkimin Europian, duke pranuar që ai ofron një rrugë të paqes dhe përparimit afatgjatë për qytetarët tuaj?“ Këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje.
Ndërsa vizita e Zonjës Clinton u përdor nga maxhoranca si trofe e fitoreve të saj, sapo Sekretarja e Shtetit la aeroportin e Rinasit, në parlamentin e Shqipërisë nisi refreni i vjetër si sulmeve dhe kundërsulmeve të pacipa, gjë që të jep të kuptosh se retorika e klasës politike gjatë vizitës të Hilly Clinton në Tiranë kishte qenë vetëm shtirje dhe hipokrizi.
Sepse nëse do të isha unë kryeministër i Shqipërisë apo lider i opozitës të Shqipërisë, apo deputet i parlamentit të Shqipërisë, do të shpallja botërisht se për hir të interesave madhore të kombit, unë do të sakrifikoja interesin partiak dhe personal dhe në datën më të parë në parlamentin e Shqipërisë do t’i kërkoja deputetëve të krahut politik që të votojnë pa asnjë koment ligjet e kërkuara nga BE, të cilat e afrojnë Shqipërinë pranë statusit.
Popullit shqiptar nuk i interesojnë fare pazarllëqet partiake apo etja e tërbuar për pushtet për të marrë apo mbajtur pushtetin politik. Në interes të kombit shqiptar është votimi në Kuvend i ligjeve të kërkuara. Pa asnjë kusht.
Kjo është detyra e kryeministrit të Shqipërisë, e liderit të opozitës dhe e deputetëve të parlamentit shqiptar. Të votojnë detyrimin ligjor si përmbushje e përgjegjshmërisë ndaj Sovranit dhe integrimit europian. Aq më tepër kur këtë kërkesë na e bëjnë edhe aleatët tanë jetikë. Pa Wilsonin nuk do të kishte 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Pa Amerikën nuk do të kishte Shqipëri në NATO dhe Kosovë të pavarur.
Në fjalën e saj, Zonja Clinton vuri në pah tolerancën e shqiptarëve ndaj besimeve fetare, si unike dhe shembull, që të mësojnë nga kjo tolerancë edhe kryeministri e lideri i opozitës që të tolerojnë për hir të interesave kombëtare, për hir të ardhmërisë së fëmijëve tanë.
Kjo ishte detyrë imediate shtëpie për politikën nga Washingtoni, të cilën krerët e politikës shqiptare po e shpërfillin, kur e kanë shumë të lehtë për ta përmbushur, mjafton që të mos fokusohen në interesat personale, por në ato të Shqiptarëve. „Qeveria e popullit, nga populli, për popullin“. Kështu thoshte Linkolni. Nuk thoshte kurrsesi „Qeveria e pakicës, nga pakica për pakicën“. Siç thonë për veten e tyre krerët e politikës në Tiranë.
Në këtë situatë, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon i rikujtoi Tiranës zyrtare apelin e Sekretares Amerikane të Shtetit, duke nënvizuar se “Investitorët e huaj, do të vazhdojnë t’i anashkalojnë vendet që janë të pllakosura nga korrupsioni, nepotizmi, struktura të dobëta shtetërore dhe paqëndrueshmëria politike”.
“Zonja Clinton e bëri të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik, ndërsa e vuri theksin tek nevoja për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në zgjedhjet e vitit 2013”, tha Diplomati amerikan, i cili duke iu bërë jehonë këshillave të zonjës Clinton, theksoi se Sekretarja Amerikane e Shtetit iu bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të bashkëpunojnë pavarësisht nga përkatësia partiake dhe të marrin hapa të shpejtë për të miratuar reforma e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Veçanërisht, tha ai, udhëheqësit e Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme duke miratuar reforma në drejtësi dhe administratë dhe të rishikojnë rregullat procedurale të parlamentit. Qeveria duhet gjithashtu të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”
Po ashtu, nga Tirana Ambasadori i BE Sequi deklaroi se nuk ka më kohë dhe se duhet të plotësohen 3 kushtet për statusin, ndërsa Ambasadori Arvizu, duke mos pranuar të komentonte propozimin e kreut të PS-së për tryezë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Fierit, solli edhe njëherë në vëmendje mesazhin që përcolli në Tiranë Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton:
“SHBA besojnë që Shqipëria është vërtetet në një udhëkryq kritik. Qeveria amerikane nxit Shqipërinë që të vazhdojë përpara me reformat. Axhenda përfshin shumë elementë, por 2 janë të rëndësishëm. E para janë çështjet e rëndësishme ligjore dhe elementi i dytë, që është edhe më i rëndësishëm, është krijimi i një rekordi i luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së një qeverisje më të mirë. Një nga mangësitë këtu është komunikimi i dobët mes drejtuesve politikë. Komunikimi duhet të përmirësohet. Kemi kaq shumë gjëra përpara dhe mendoj se çelësi do të ishte përmirësimi i dialogut mes tyre,”- u shpreh ambasadori Arvizu.
Tirana zyrtare, maxhoranca dhe opozita kanë marrë mesazhe shumë të qarta nga Washingtoni, të cilat duhet t’i përmbushin pikë për pikë, pa komente dhe pa zvarritje.
Ose sot, ose kurrë. Nëse jo, ata do të vetëfirmosin largimin e tyre nga politika. Pa kushte.