Nga Gezim Kabashi/
Përballë veprave të grafistit Musa Qarri zbulon njëherazi edhe identitetin e autorit, krijimtaria artistike e të cilit ka kaluar përmes gjithfarë stacionesh, nga personazhet e librave në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” te nxënësit e talentuar në shkollat artistike të rrethit; nga kodrat e fshatrave të Kavajës te bregdeti i Durrësit.
-Diplomanti i parë në grafikë-
“Prirjet e mija në grafikë i evidentoi për herë të parë pedagogu im, Ksenofon Dilo”.
Musa Qarri, duke folur për ATSH-në është rikthyer në fundin e viteve 1960, atëherë kur në Institutin e Lartë të Arteve u përfshi për herë të parë edhe lënda e grafikës. “Vizatova një model me karbon, me një lehtësi që sipas prof. Dilos më dallonte nga të tjerët-kujton piktori, i cili që nga ai çast do ti kushtohej më shumë krijimeve në grafikë.
Megjithëse ishte ende student, gazetat dhe revistat “Pioneri”, “Fatosi”, “Ylli” dhe “Shqiptarja e re” i hapën vend punimeve të tij dhe Qarri u bë një nga bashkëpunëtorët e parë grafistë për të përjavshmet dhe përmuajshmet e njohura shqiptare.
Bashkë me studentë të tjerë nga Instituti i Arteve dhe fakulteti i letërsisë Musa Qarri udhëton për një javë radhazi nga Peza drejt Helmësit të Skraparit. Blloqet filluan të mbushen me përshtypjet që studenti i pikturës mblidhte në çdo çast. Peisazheve të natyrës iu shtuan edhe personazhet e shumtë që në vitin 1970 iu përkushtuan elektrifikimit të fshatrave në të gjithë vendin.
Musa Qarri kishte krijuar ciklet e para tematike, të cilat i bindën pedagogët e arteve figurative se piktori i ardhshëm duhet të paraqitej me një punim diplome të mbështetur plotësisht te grafika.
“Vallja e dritave” një cikël me peisazhe në linoleum do ta bënte Qarrin grafistin e parë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Punimet zenë vend menjëherë në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke dëshmuar jo vetëm për talentin, por edhe për këmbënguljen e artistit të ri. Bashkë me to dallohet edhe cikli i parë i tij me titull “Dhe ne luftuam”. “Janë 27 faqe të punuara me gomë arabike, një nga teknikat e para e të vështira të punës grafike-dëshmon Musai.
-Grafika, pasaporta për kopertinat e librave-
Nga ekspozita e piktorit Musa Qarri, Durres Foto Gezim Kabashi (1)
Cilësia e grafikave të Musa Qarrrit u bë pasaporta më e mirë për të ardhmen e tij profesionale. E emëruan në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Fillon një periudhë e ethshme pune dhe kërkimi.
“Kam botuar afro 60 kopertina, si dhe cikle të plota për librat e ilustruar. Ishte një punë e bukur, gjatë së cilës fillova të kërkoj rrugë të reja, jo vetëm për teknikat, por edhe për formën e përmbajtjen artistike të punimeve që udhëtonin në mijra duar, së bashku me librat e botuar”.
Ndërkaq Musa Qarri është pjesmarrës i rregullt në ekspozitat që organizoheshin në data jubilare apo me raste festash. Fillojnë të ndjehen rezultatet e kërkimeve të tij, të cilat mund të përktheheshin edhe në pasoja. Ndonjëri prej punimeve mbetet në studion e autorit për shkak të këshillave të miqve, të cilët ndjenin rrezikun e etiketimit të tyre si “vepra moderniste”. Sidoqoftë, tablotë e Musa Qarrit në vitet e izolimit të madh arrijnë të kalojnë edhe kufirin shtetëror. Ato ekspozohen në Kosovë në vitin 1972, ndërsa në vitin 1983 vepra “Asfaltimi I rrugëve” vlerësohet me Medalje në Bienalen e Aleksandrisë (Egjypt).
Por suksesi I dytë Musa Qarrin e gjen në Kavajë. Në vitin 1975, kur era e liberalizimit ia kishte lënë vendin konservatorëve anadollakë, grafistin e njohur e dërguan në Kavajë. Musa Qarri fillon të punojë si mësues në shkollën e mesme artistike “Aleksandër Moisiu”. Një grup nxënësish të talentuar kavajas bëhen mbështetja e piktorit të formuar.
“Gëzim Tafa, Fatmir Musai, Muhamet Mahilaj dhe Stefanaq Sotja janë disa nga të rinjtë, që tani janë piktorë të afirmuar, jo vetëm sepse kanë janë diplomuar në Akademi, por mbi të gjitha sepse talentin e ushqyen me punë këmbëngulëse-rrëfen piktori 71-vjeçar Musa Qarri, pa dashur të ndalet te kontributi i tij i pazëvëndësueshëm në arritjet e ish-nxënësve.
Në këtë periudhë piktori fillon ti kërkojë subjektet e punimeve të tij në fshatrat e Kavajës. Shkrimtari kavajas Nazmi Roli kujton ekspozitën që u hap në fshatin Kryevidh. “Kinemaja, vendi ku u vendosën mbi 100 grafika dhe piktura ishte mbushur plot me fshatarë dhe megjithëse në fjalën prezantuese një nga autoritetet e kohës e lexoi “pistil” fjalën “pastel” unë vija re se Musai ndjehej mirë-tregon Nazmiu. Më pas ai hapi edhe dy ekspozita të tjera, në Synej dhe në Helmës, duke sjellë përsëri vizatime me penë”.
“Më pëlqen motive i fshatit dhe ekspozita e parë që kam hapur në Kavajë, diku nga fillimi I viteve 1990 ka patur shumë tablo, të inspiruara nga udhëtimet në fshatra-I kthehet bisedës Musa Qarri.
Aleksandër Moisiu dhe poeti Shazal – frymëzimi i papërfunduar
Laboratori krijues i Musa Qarrit nuk ka receta të përcaktuara, as data për dorëzimin e punimeve. “Unë nis njëlloj siç bën një futbollist nxemjen: ulem dhe zhgarravis atë që kam në kokë dhe që fillon të qartësohet sa më shumë shoh vizat që saktësojnë motivin”. Musa Qarri që prej më shumë se 15 vjetësh banor i qytetit të Durrësit i ka kërkuar edhe përjetimet e bregdetit duke shëtitur herët dhe duke hedhur emocionet e para në letër. “Ja, ky peisazh këtu e ka qiellin e errësuar, por ndoshta atë ditë e kam parë unë kështu”.
Abdulla Tafa, kritik i njohur, autor i librit “Kodra, një univers” thotë se në krijimtarinë e Musa Qarrit dallohet cikli i grafikave për Aleksandër Moisiun. Është një cikël i pambaruar-tregon Musai. Vepra e plotë duhet të ketë 55 grafika, ndërsa unë kam përfunduar vetëm 33 të tilla”.
Piktori i njohur mund të nxjerrë nga dora një vepër shumë shpejt, por mund të bindet që ajo ka përfunduar edhe pas një viti. Musa Qarri flet me pasion për poezinë e autorit francez Shazal. “Kam nisur ilustrimet e vargjeve të tij, por jam ende në fillimet e këtij procesi-thotë Qarri.
Musa Qarri nuk është piktor mediatik. Në grafikë ai është krejtësisht i pazakontë, dhe modernizmi i koduar i tij ka mbetur ende i padëshifruar-shprehet kritiku Tafa