Faik Konica për Luftën Italo-Greke/
Grekët kanë një zakon të keq, që dehen më tepër,-me ëndrra dhe me fjalë. U dehnë gjashtë muaj me radhë,-tani u bënë esëll, dhe po mejtohen, në mes të gërmadhave dhe të gjakut, se ç’u ngjau. Duhet t’a kuptojnë, se nuk është e para herë që u ngjanë një gjë e tillë.
Më 14 të Majit 1919, grekët, të shtyrë nga Inglia, zbritnë një ushtri në Izmir. Turqit, të zënë nga e papritura, s’mundën të bëjnë kundërshtim. Grekët përparuan; me 9 korrik 1920 muarën Brusën, me 25 Korrik zaptuan Endernenë; me 16 korrik 1921 shtinë në dorë Afjune’-Karahisarin, Eskisheherin, Qytahjen.Turqit s’kishin ushtrinë gati, dhe plani i tyre ishte t’i qëndronin grekëve derisa të bënin gati ushtrinë. Grekët të dehur me fitimet që bënë, bërtisnin se do të zaptonin Botën.Shkuan më tepër se dy vjet, gjersa turqit vunë ushtrinë e tyre të re në shesh të luftës. Më 18 gusht 1922, Turqit u sulën përpara, , me 11 të shtatorit lufta mori fund. Më tepër se dy të tretat e ushtrisë greke u vranë a mbetnë të plagosur; kryegjenerali i tyre u zu rob kur rruante mjekrën; Izmiri u dogj. Kështu Grekët humbnë në 23 ditë një mundim prej dy vjetësh, pa fituar gjësendi.
Kjo u ngjau grekëve edhe në Shqipëri. Italianët bënë lajthimin e parë tek besuan se grekët nuk do të jepnin kundërshtim. Posa kuptuan këtë lajthim, italianët u hoqnë në vijën Pogradec-Tepelenë- Vlorë dhe këtë vijë e mbajtnë të patundur duke pritur verën. Me të ardhur Vera erdhi dhe fundi i Greqisë. Më kot ngushëllojnë veten e tyre Grekët duke thënë se u mundnë vetëm me ndihmën e Gjermanisë. Edhe pa ardhur Gjermania do t’ishin mundur. Hitleri tha në Reichstag se Musolini asnjëherë nuk i kërkoi ndihmë. Ushtria e re Italiane ish gati dhe priste vetëm përmirësimin e kohës për të qëlluar.
Grekët,të dehur me ëndrra, mburreshin vjet se do të hynin jo vetëm në Tiranë , por edhe në Romë. Shokët e tyre, Serbët, mburreshin se në tri ditë do të hynin në Vienë. Njerëz me tru t’atillë sjellin prishjen e Kombit të tyre.
Të këqiat që Grekët bënë kundër Shqiptarëve patriotë qenë të tmerrshme, veçan në Çamëri, ku mblothnë njerëzinë si kope’ në këneta dhe pellgje të thuruara, me baltëra si shtrat edhe pothuajse pa bukë. Shumë shqiptarë vdiqën nga sëmundjet dhe uria. Grekët munduan veçanërisht në mënyrë t’egër Shqiptarin e njohur Musa Demi. Për këto do të shkruajmë më gjërë në një numër të afërm.
Nuk është çudi se me këto sjellje armike, Greqia i bëri Shqiptarët t’i quajnë italianët –miqtë e tyre. Dhe pritja e bukur që populli shqiptar, i bëri Mbretit Viktor Emanuel, nuk ishte pritje e kurdisur, por pritje e kthjellët, se populli shikoi te Mbreti personifikimin e çlirimit nga Grekët.(Faik Konica, Boston, 17 Maj 1941)