-U mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese/
-Gresa Caka-Nimani është e certifikuar në çështjet e drejtësisë dhe të qeverisjes, duke përfshirë Qendrën Federale Gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programet për lidership strategjik nga Instituti Federal Ekzekutiv Amerikan… Është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Qershor 2021/Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, znj. Arta Rama – Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, znj. Gresa Caka – Nimani.
Në fjalimin e saj përshëndetës, znj. Rama – Hajrizi foli për sfidat e përballura dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni, me ç’rast përveç gjyqtarëve falënderoi edhe të gjithë stafin e Gjykatës për bashkëpunimin dhe për punën e tyre të palodhur, duke theksuar se, “vetëm me përkushtimin dhe punën e përbashkët Gjykata arriti të kaloj me sukses të gjitha sfidat, duke filluar me tranzicionin nga përbërja e përzier ndërkombëtare në atë vendore, përmirësimin e dukshëm të kualitetit të vendimeve dhe arsyetimeve të shkruara, rritjen e integritetit dhe respektit të publikut ndaj Gjykatës, dhe çka është më e rëndësishmja, konsolidimin e rolit burimor të Gjykatës, e që është mbrojtja e frymës së Kushtetutës, e sistemit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Republikës së Kosovës”. Tutje ajo rikujtoi se, “përmes vendimeve që kemi marrë jemi vlerësuar si një prej gjykatave më të mira në rajon dhe, si rrjedhojë, kemi arritur të forcojmë bashkëpunimin me gjykatat e tjera, partneritetin me Komisionin e Venecias, bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Në fund, znj. Rama-Hajrizi shprehu bindjen se nën udhëheqjen e kryetares Caka–Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.
Pas pranimit ceremonial të detyrës, kryetarja Caka-Nimani nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu vuri theks edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e Gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës. Duke folur në emër të të gjithë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Gjykatës, kryetarja Caka-Nimani e falënderoi znj. Rama-Hajrizi për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë mandatit të saj si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese për dy mandate, në rritjen e standardeve të gjykimit dhe të cilësisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në mbrojtjen e pavarësisë institucionale të Gjykatës.
Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani, është tri vjet.
BIOGRAFIA
Gresa Caka-Nimani është dekretuar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.
Deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Gjatë shërbimit të saj në USAID, ndër të tjera, ajo ka qenë përgjegjëse për të këshilluar në hartimin e strategjive të USAID-it; dhënien e këshillave dhe të opinioneve rreth ligjeve të aplikueshme e Kushtetutës; menaxhimin e portfolios së programeve të sundimit të ligjit, përfshirë reformat në drejtësi.
Gjyqtarja Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit. Gjatë viteve 2006-2008, ajo ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues, dhe më pas, Komisionit Kushtetues, përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për kontributin e dhënë në këtë proces, gjyqtarja Caka-Nimani është vlerësuar me disa çmime dhe dekorata nga USAID në Kosovë, por edhe me disa Çmime të Merituara Nderi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Studimet për drejtësi, gjyqtarja Caka-Nimani i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007). Ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit, duke u fokusuar në ndërkombëtarizimin e kushtetutbërjës.
Gjyqtarja Caka-Nimani është gjithashtu bartëse e provimit të jurisprudencës dhe atij për përmbarues privat (2013). Ajo është e certifikuar në çështjet e drejtësisë dhe të qeverisjes, duke përfshirë Qendrën Federale Gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programet për lidership strategjik nga Instituti Federal Ekzekutiv Amerikan. Që nga viti 2017, ajo bashkëpunon me Institutin Ndërkombëtarë për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA), me seli në Hagë, dhe është autore e kapitullit “Kushtetuta e Pavarësisë së Kosovës: Përkushtimi i Njëanshëm për një Kushtetubërje të Ndërkombëtarizuar”, në kuadër të librit “Kushtetutbërësit për Kushtetutbërjën”, të edituar nga Tom Ginsburg, Universiteti i Chicago-s dhe Sumit Bisarya, International IDEA, që do të publikohet nga Cambridge University Press në vitin 2022.
Gjyqtarja Caka-Nimani është gjithashtu pjesëmarrëse e shumë konferencave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, përfshirë si paneliste lidhur me “Kushtetutbërjën në Shoqëri pas Konflikteve” në Forumin Botërorë të Drejtësisë V (Hagë, Holandë 2017) dhe në konferencën ndërkombëtare për “Gratë dhe Kushtetutat pas Konflikteve” të organizuar nga Universiteti William and Mary (Williamsburg, SHBA, 2018).
Gjyqtarja Caka-Nimani është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja Caka-Nimani është e martuar dhe ka dy vajza.