
Hisen Berisha/
Groenlanda nuk është thjesht një territor i akullt në skajin verior të Atlantikut. Ajo është pika kyçe gjeostrategjike që kontrollon fushëbetejën (battlespace) mes kontinentit amerikan dhe dy rivalëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Rusisë dhe Kinës. Kush kontrollon Grenlandën, kontrollon korridoret ajrore, detare dhe raketore mes Amerikës Veriore dhe Euroazisë, si dhe balancën e fuqisë në Arktik apo teatrin e ri të rivalitetit global të fuqive të mëdha.
Në terminologjinë strategjike të Pentagonit, Groenlanda përbën nyje kyqe të mbrojtjes strategjike, një pikë kritike të “forward defense” dhe “power projection”.
Kontrolli mbi të përmes një platforme strategjike të mbrojtjes së avancuar, nënkupton aftësi reale për parandalim raketor, mbikëqyrje hapësinore dhe reagim të shpejtë strategjik ndaj çdo kërcënimi ruso-kinez në hemisferën veriore.
Nga perspektiva historike-ushtarake, Grenlanda ka qenë pjesë integrale e arkitekturës së mbrojtjes amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore. Baza ajrore Thule (sot Pituffik Space Base) përbën një element kyç të sistemit amerikan të paralajmërimit të hershëm kundër raketave balistike ndërkontinentale. Kjo bazë nuk është simbol i imperializmit, por shtyllë e doktrinës së mbijetesës strategjike të Perëndimit përballë kërcënimit sovjetik dje, dhe atij ruso-kinez sot.
Reagimi i Danimarkës ndaj interesit amerikan për Grenlandën është ose politikisht egoist dhe strategjikisht i pamatur, ose i kushtëzuar nga frika historike ndaj Rusisë, apo në skenarin më shqetësues, një formë e kolaboracionizmit të heshtur evropian me Moskën, i toleruar për arsye koniunkturale, por i rrezikshëm për sigurinë afatgjatë të Perëndimit.
Në gjuhë të thjeshtë strategjike, Danimarka kërkon sovranitet simbolik mbi një territor që nuk është kurrë në gjendje ta mbrojë. Ky është një luks politik që ekziston vetëm sepse SHBA e ka garantuar sigurinë reale të Grenlandës për më shumë se shtatë dekada.
Në aspektin juridik dhe historik, Danimarka nuk e ka trajtuar Grenlandën si subjekt real sovraniteti, por si periferi koloniale me autonomi të kufizuar. Pretendimi i sotëm për sovranitet të plotë strategjik bie ndesh me faktin se siguria e Grenlandës është garantuar ekskluzivisht nga SHBA, pa asnjë kapacitet real mbrojtës nga Kopenhaga.
Bashkimi Evropian, në realitetin e sotëm gjeopolitik, nuk është i aftë të ekzistojë si subjekt i pavarur sigurie pa NATO-n, dhe NATO vetë nuk është gjë tjetër veçse një arkitekturë sigurie e mbështetur në mënyrë disproporcionale nga Shtetet e Bashkuara.
Pa SHBA, BE-ja nuk ka kapacitet ushtarak, politik dhe as ekonomik për të garantuar mbijetesën e vet strategjike.
Koncepti i “autonomisë strategjike evropiane” është një konstrukt ideologjik pa mbulim operacional, dhe duhet thënë se, pa inteligjencë amerikane, pa satelitë amerikanë, pa logjistikë dhe pa parandalim bërthamor amerikan, BE mbetet një projekt civil i pambrojtur.
Të dhënat aktuale të buxheteve të mbrojtjes dhe kapaciteteve operative tregojnë se shtetet kryesore të BE-së nuk janë të afta të projektojnë fuqi ushtarake jashtë kufijve të tyre pa logjistikën, inteligjencën, satelitët dhe komandën amerikane. Ideja e “autonomisë strategjike evropiane” mbetet më shumë konstrukt ideologjik sesa realitet operacional.
Kundërshtimi i rolit dominues amerikan në Grenlandë nga qarqe brenda NATOs apo Evropës është jo vetëm paradoksal, por edhe absurd. Deri në konsolidimin e asaj që njihet si Doktrina Trump, që është një rikthim i realizmit në politikën e jashtme të Shtëpis së Bardhë, mbi 70% e potencialit ushtarak dhe politik të NATO-s financohej drejtpërdrejt nga buxheti amerikan.
Pa këtë kontribut, NATO do të ishte një strukturë formale, një aleancë procedurale, e paaftë për veprim real, as instrument real parandalimi.
Doktrina Trump shënon shkëputjen nga iluzioni post-liberal, se rendi ndërkombëtar mund të mbahet vetëm mbi norma dhe deklarata, duke rikthyer realizmin klasik të marrëdhënieve ndërkombëtare, në mënyrë të ashpër, por të domosdoshme, sipas të cilit pa fuqi reale dhe forcë të besueshme nuk ka rend; pa rend nuk ka paqe; dhe pa Amerikën, Perëndimi mbetet strategjikisht i zhveshur. Grenlanda është pikërisht territori ku ky realizëm materializohet dhe shndërrohet në testin praktik të kësaj doktrine.
Rasti i Kosovës përbën një verifikim empirik (case study) të qartë të tezës realiste në politikën e jashtme që ofron Doktrina Trump, sipas së cilës mbijetesa e shteteve të vogla nuk garantohet nga normat abstrakte apo arkitekturat formale të së drejtës ndërkombëtare, por nga prania dhe projekcioni i fuqisë së një aleati mbrojtës.
Kosova si çështje e vendimmarrjes ndërkombëtare, e ekspozon dështimin e multilateralizmit procedural evropian dhe të arkitekturës normative të OKB-së, duke dëshmuar se këto mekanizma funksionojnë më shumë si struktura menaxhimi të krizës sesa si garantë realë të sigurisë dhe mbijetesës shtetërore.
BE-ja, e kufizuar nga konsensusi i brendshëm dhe nga logjika burokratike e vendimmarrjes, ka dështuar të ofrojë garanci strategjike, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbetur i paralizuar nga vetoja dhe kalkulimet hegjemonike.
Në këtë vakuum, ndërhyrja e SHBA-së në vitin 1999 dhe prania e vazhdueshme strategjike e SHBA-së në Kosovë nuk ishin produkt i konsensusit normativo global, por rezultat i kalkulimit të fuqisë dhe interesit, duke dëshmuar se pa garancinë amerikane, parimet e sovranitetit, demokracisë dhe vetëvendosjes do të kishin mbetur deklarata pa mbrojtje reale përballë presionit hegjemonist dhe autoritar.
Pra Kosova si rast sui generis i të drejtës ndërkombëtare,
nuk ishin akt idealizmi normativ, por shprehje e pastër e fuqipolitikës realiste të Doktrinës Trump, duke konfirmuar se për shtetet e vogla si Kosova, siguria, sovraniteti dhe demokracia nuk mbrohen nga rezoluta dhe procedura, por nga aleanca me një fuqi që ka kapacitetin dhe vullnetin për t’i mbrojtur ato me forcë reale.
Prandaj, NATO nuk e “garanton” sigurinë e Evropës si subjekt autonom strategjik, por vetëm si funksion derivativ i fuqisë amerikane dhe britanike, duke mbetur e strukturalisht e kufizuar dhe e hendikepuar përballë mekanizmave globalë byrokratik të vendimmarrjes, si Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në këtë konfigurim të rendit ndërkombëtar, Grenlanda shfaqet si nyje kritike e arkitekturës së sigurisë globale, apo një pikë strategjike e parandalimit të avancuar që mbron territorin dhe interesat jetike të SHBA-së, siguron hapësirën euroatlantike dhe stabilizon rendin ndërkombëtar, jo përmes normave deklarative, por përmes parimit klasik të parandalimit me forcë (deterrence by force).
Në aspektin gjeoekonomik, Grenlanda përmban rezerva strategjike të mineraleve të rralla, jetike për teknologjinë ushtarake dhe civile moderne. Lënia e këtij territori jashtë kontrollit amerikan hap derën për penetrim kinez përmes investimeve “civile”, një model tashmë i provuar, i institucionalizuar dhe agresiv i Pekinit, i aplikuar me sukses në Afrikë, Azi dhe Ballkan.
Teoritë globaliste, qasjet sorosiste dhe konceptet që devijojnë nga konservatorizmi amerikan dhe parimet e Doktrinës Trump refuzojnë ta pranojnë këtë realitet të fuqipolitikës amerikane. Ato e injorojnë faktin se fuqia amerikane mbetet e vetmja garanci reale për ekzistencën e lirisë, barazisë dhe demokracisë, veçanërisht për kombet e vogla dhe të shpërfillura historikisht nga shtetet hegjemoniste.
Historia e shekullit XX dhe XXI është e qartë, çdo tërheqje amerikane, çdo vakum i fuqisë amerikane është shfrytëzuar nga regjime autoritare për zgjerim agresiv.
Nga Evropa Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, deri te Deti i Kinës Jugore sot, nga ky akt strategjik nuk ka përjashtim, dhe tërheqja amerikane ka prodhuar konflikte dhe jo stabilitet.
Grenlanda është vijë e kuqe e këtij mësimi historik. Prandaj si një territor strategjik nuk mund të lihet pa mbrojtje amerikane që prevenon destabilizimin global.
Në kontrast, shumica e vendeve ku sundojnë regjime të majta autokratike me gjenezë komuniste vazhdojnë të prodhojnë represion, destabilitet dhe kërcënim për rendin ndërkombëtar.
Pikërisht përballë këtij realiteti, kontrolli strategjik amerikan mbi Grenlandën nuk është akt dominimi, por akt përgjegjësie globale, në mbrojtje të rendit demokratik përmes forcës reale.
Zhvillimet e fundit, përfshirë dislokimin simbolik të trupave të disa shteteve evropiane dhe anëtare të NATO-s në Grenlandë, në kuadër të ushtrimeve ushtarake, si dhe reagimet politike e gjykuese që i shoqëruan ato, nuk përbëjnë dëshmi të një autonomie reale strategjike evropiane, por një refleksi reaktiv dhe deklarativ ndaj një realiteti që Evropa nuk e kontrollon. Evropa po reagon, por nuk garanton; po kritikon, por nuk e mbron dot as vetën. Këto veprime, të shoqëruara me pretendime dhe akuza ndaj Shteteve të Bashkuara për shkelje të standardeve të NATOs apo të ndjeshmërive politike të vendeve anëtare, janë në thelb përpjekje për të kompensuar mungesën e kapacitetit real garantues me retorikë procedurale dhe gjuhë normative. Në praktikë, asnjë nga këto dislokime apo qëndrime nuk ndryshon faktin themelor se siguria e Grenlandës, e Evropës dhe e rendit euroatlantik mbetet e varur nga prania, fuqia dhe vullneti strategjik amerikan. Kritika ndaj SHBA-së, pa kapacitet për të marrë përsipër barrën reale të mbrojtjes, nuk është shprehje e sovranitetit evropian, por simptomë e varësisë strukturore dhe hipokrizisë strategjike që Evropa ende refuzon ta pranojë hapur.
Grenlanda, sot nuk është çështje e Danimarkës, as e nostalgjisë koloniale evropiane. Ajo është çështje e sigurisë globale. Dhe në këtë betejë të ftohtë të shekullit XXI, Doktrina Trump ofron qartësinë strategjike që Perëndimit i ka munguar për dekada, pa iluzione, pa globalizëm naiv, dhe me një të vërtetë të thjeshtë, se pa forcën amerikane, nuk ka paqe të qëndrueshme.