
Luljeta Xhediku/
E diela e 19 majit në Bronx të Nju Jorkut ishte mjaft e veçantë për komunitetin shqiptar në Nju Jork, pasi për të tretin vit radhazi nën kujdesin e veçantë të z. Mark Gjonaj, aktivist i mirënjohur, kryetar koordinues i Diasporës, ish-anëtar i Asamblesë shtetit të Nju Jorkut, dhe personazheve të tjera të shquara e biznesmenëve të suksesshëm shqiptarë u mbajt panairi i tretë në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në këtë panair mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut z. Erik Adams, anëtarë të këshillit bashkiak të qytetit të Nju Jorkut, biznesmeni Harry Bajraktari, si dhe ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina etj. Mbajtja e këtij panairi ka si mision ruajtjen e kulturës, vlerave e traditave shqiptare. Kjo rrugë ishte mbushur plot e për plot me shqiptarë aq sa nuk kishe ku të vije këmbën. Vëmendjen në fillim të kësaj rruge ta tërhiqte pastori i kishës ungjillore shqiptare, Beni Pango, i cili ishte veshur si Skënderbeu dhe pothuajse që të gjithë ndalonin për të shkrepur një fotografi me të. Në panair ishin të reklamuara biznese të ndryshme shqiptare kryesisht kulinaria e vendit tonë, por edhe libra e simbole të tjera që flasin për kulturën shqiptare. Në programin e gjatë që u mbajt për nder të këtij panairi performuan grupe artistike si edhe këngëtarë e artistë që ishin ftuar për të argëtuar të pranishmit. Për shoqatën shqiptaro-amerikane “ Skënderbej” Inc. ishte një ditë e rëndësisë së veçantë, pasi grupi artistik “Skënderbej” mori pjesë për herë të parë në këtë event ku edhe shkëlqeu me performancën e tij. Atmosfera e grupit artistik “Skënderbej” ishte magjike, drithëruese për nga emocionet që përcolli në skenë dhe interpretimit të shkëlqyer të vallëtarëve të këtij grupi e sidomos dy balerinëve profesionistë Klevis Tafaj e Bianka Skënderi, të cilët janë edhe pjesë e “Ajkun Ballet”. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u bë e mundur nga puna e palodhshme e dy zonjave që drejtojnë këtë grup znj. Adelina Lacaj dhe znj. Gela Bulku, koreografit artistik z. Klevis Tafaj, balerinës profesioniste Bianka Skënderi, si dhe kërcimtarëve të tjerë të grupit si: Anja Kojku, Jori Lamçe, Jessica Ndregjoni, Klaus Veshi, Eneo Rustani, Jonathan Ndregjoni dhe Kelvin Rustani. Gjatë interpretimit në skenë u ngjitën edhe kryetari i shoqatës z. Imer Lacaj, nënkryetari i shoqatës, Lekë Preçi, sekretarja e shoqatës, znj Alketa Veshi dhe anëtarë e dashamirës të kësaj shoqate, të cilët e shoqëruan grupin artistik “Skënderbej” me valëvitje flamujsh shqiptarë. Grupi “Skënderbej” interpretoi kërcimin nën tingujt e këngës “Jena Gzu” dhe këngës “Rrisim jetën tonë”. Të dyja interpretimet u duartrokitën shumë fort nga publiku. I urojmë shumë suksese grupit artistik “Skënderbej”, si dhe ngjitje në skena edhe më të mëdha! Për të festuar suksesin e merituar të grupit “Skënderbej” u shtrua një drekë simbolike në lokalin me pronar shqiptar “O Ccaffe”.