Në ceremoninë përcjellëse të tyre mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo /
Nga Shefqet Kërcelli /
Gjatë këtyre ditëve të vështira për popullin shqiptar si rezultat i përmbytjeve të jashtëzakonëshme kryesisht në zonën jugore të vendit, nuk mungoi as ndihma e popullit dhe shtetit të Kosovës. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe kontributi i vecantë që dha një grup ushtarakësh të FSK, pjesë e Task-Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile. Kështu djemtë me uniformë të FSK, nga data 4 deri më datën 9 shkurt 2015 morën pjesë në operacionin për stabilizimin e situatës së ujit në basenin e rezervuarit të Manskurisë. Drejtuesi i këtij grupi N/toger Drilon Llalloshi na tregon punën që u bë nga ushtarakët e FSK, për të larguar ujin e tepërt të basenit nëpërmjet motopompave, pamvarësisht vështirësive të motit e terrenit. Kështu ky grup bashkë me struktura të tjera të Ushtrisë Shqiptare, si Qendrën e Zhytjeve Pashaliman dhe një Togë të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, bënë të mundur nxjerrjen e ujit të tepërt nga diga si dhe zhbllokimin e tubit kryesor dhe kolektorit të këtij rezervuari, duke mënjanuar një rrezik e katastrofë natyrore për zonën Golem-Kavajë. Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri ushtarakët e FSK u shoqëruan nga kapiten Anton Legisi, Komandant i Qendrës Mobile të ASNI. Në respekt të kontributit të vecantë që dha ky grup ushtarakësh për vendin tonë në përballimin e situatës së vështirë të përmbytjeve, para largimit nga vendi ynë, në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve Durrës, u zhvillua një ceremoni e thjeshtë përcjelljeje, ku mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-Major Jeronim Bazo. Duke ju drejtuar ushtarakëvë të FSK, Gjeneral Bazo tha se së pari, ju sjell urimet më të mira dhe mirënjohjen më të thellë në emër të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prefektit të Tiranës, zotit Sadik Vorpsi. Fjalët më të mira dhe urimet më të përzemërta i keni nga banorët e zonës dhe nga ana ime. Ju në emër të popullit e shtetit të Kosovës na u gjendët pranë në këto moment të vështira, duke treguar shpirt humanizmi e fisnikërie. Pamvarësisht sasisë e mjeteve, rëndësi ka mesazhi i këtij akti human, që kur bashkohen forcat, puna bëhet më mirë, njëkohësisht shpalosen dhe vlerat profesionale. Në si ushtarakë në momëntin e duhur bëjmë atë që kërkohet, pa fjalë , pa llafe, nuk presim falenderime por vazhdojmë para, theksoi Gjeneral Bazo. Në fund Shefi i Ushtrisë Shqiptare, falenderoi Popullin e Qeverinë e Kosovës, Shefin e Shtabit të FSK, Gjeneral Kastratin, për gatishmërinë e treguar në eleminimin e pasojave të këtyre përmbytjeve të pazakonta në Shqipëri. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe ky grup i vogël ushtarakësh, që meriton ndere dhe lavdërime për korrektësinë dhe punën që bëri këto ditë për stabilizimin e ujit në rezervuarin e Manskurisë.