Nga Gjok Bici
Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurëz ka përjetuar një përsekutim të gjatë në periudhën e regjimit komunist. Priftërijtë që shërbyen në këtë kishë qenë personalitete të njohur në shërbim të komunitetit katolik në famullinë tonë e në rang kombëtar.
Për këtë veprimtari të spikatur ata nuk i shpetuan vëmëndjes së rregjimit të kohës duke i burgosur, internuar e pushkatuar. I kam njohur personalisht të gjithë priftërinjtë e murgeshat që shërbyen në Gurëz apo morën rrugën e meshtarisë nga Kisha e Gurzit. I pranishëm në gjygjin e Dom Shtjefën Kurtit (i Lum ), kujtoj komunikimin e gjygjtarit me dom Shtjefnin ”I pandehur, ne i mbyllëm kishat, e do ti shëmbin ato, çka thua, pse nuk po të ndihmon zoti që ti predikon? Përgjigjja e dom Shtjfnit: Zotni gjygjtar, për një gja jam shumë i sigurtë se këtu do ngrihet një kishë e re shumë ma e bukur se kjo që do shëmbni ju. E kam përmëndur shpesh parashikimin e dom Shtjefnit ,.Në Gurëz eshtë ngritur nje kishe madheshtore. Dom Shtjefnit iu ba gjygj publik në Gurëz, në kishën që kishtë ndërtuar vetë, me ndihmën e bashkëpunimin e Gurzakëve. Ai deklaroi se ka luftuar e do luftojë sa të jetojë për fenë e Krishtit e për këtë u dënua me pushkatim. Dashtë zoti të gjënden eshtrat e tij e të ketë një varr ku të afermit e miqt e tij të luten e të vëndosin lule. Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Prek Preka, shugurohen priftërinj me 2 shkurt 1946 nga Imzot Vinçens Prenushi (i lum). Dom Zefi e Dom Marku si rrallë kush kanë fate të përbashkëta. Punuan bashkë në Tiranë, Shkodër, pasuan njëri- jetrin në Zhejë e Mërqi. I përzunë nga kishat që shërbenin në një datë. Dom Markut i mbyllin kishën në Gurëz, me 12 shkurt 1967, e dom Zefit në Mërqi të Lezhës. Arrestohen në një ditë, korrik 1968, hetohen nga i njëjti hetues, u bahet gjygj publik në Shkodër, dënohen nga i njëti gjygjtar me pushkatim, pushkatohen nga i njëjti vrasës, mbulohen të dy bashkë në një gropë rrëzë një kanali në Dobraç të Shkodrës. U rivorrosën me një ceremoni kishtare ne vitin 1993, në kriptën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe dom Preka. Arrestohet e dërgohet në burg në Krujë. Të djelën e larit me 29.04.1977 e dërgojnë të mbushë me ujë një gropë gëlqerje , e ”aksidentalisht ” gjëndet i mbytur në gropën e gëlqeres. Pasi shërbeu për shumë vitë si prift i Gurzit, dom Anton Doçi , prifti i specializuar për gjuhësi, e përballoi me shumë vështirsi jetën në Gurëz, pasi ishte ndërprerë çdo mundësi ndihme nga besimtarët. Arrestohet e dënohet me shumë vite burg, të cilat nuk i mbaroi se vdiq në burg. Edhe për seminaristët Gjergj Bici e Ndoc Vata fatet qenë të njëjta. Arrestohen të dy në Janar 1946, e nuk arijnë të shugurohen priftërinj. Dënohen, fillimisht me pushkatim, por u falet e jeta e bajnë nga 18 vite burg. Gjergji pasi punon si marangoz, arrestohet e denohet përsëri me 10 vjet burg për agjitacion e propogandë. Vdes në internim ne Fishtë të rrethit Shkodrës. Ndwrsa Ndoci punon si puntor krahu deri sa vdes në vitin 2004. Me vendim të qeverisë shqiptare në janar 1946 mbyllen të gjitha kuvendet e murgeshave në Shqipëri. Kthehen në familjet e tyne Motër Marta Miri, Moter Drane Vushaj, Motër Gjule Maçaj, Motër Mrike Metaj. Motër Age Uci, kishte studjuar ne Breshja të Italisë e shërbente atje. Mbyllja kufijve e la në Itali. Ka shërbyer, ka vdekur e është vorrosur në Breshia. Pllaka përkujtimore u realizua me pagesat e të afërmëve të martirëve. Dua të falënderoj të gjithë ata që banë të mundur realizimin e montimin e sajë. Falënderoj Nanën Gjenerale të Motraave Baziliane, Motër Elenën (Lulashi), Klaudet e Lek Bici, Prof Angjelin Shtjefni, kryetar i shoqatës së Intelektualëve Katolikë të Shqipërisë, mik i Dom Zef Bicit, Zotni Nikolin Kurti, Zotni Lodovik Doçi, Zotni Gjergj Luli, Zotni Nikoll Bici, për shumë shërbime të bame. Falenderoj At Pasqualen, Motër Emën, Pnëtorët që e montuan. Firmën ”Gjeçi” për shkrimin, vëndosja e kësaj pllake përkujtimore, ishte një detyrim moral që banorët e famullisë së Gurzit, kishin për këta priftërinj e murgesha që shërbyen në Gurëz, u lindën e filluan rrugën e meshtarisë prej kësaj kishe të bekueme. Ky përshkrim i shkurtër i jetës së këtyre martirëve, është një grimcë e aktivitetit tyre fetar e atdhetar, që në kushte shumë të vështira, të ndjekur në çdo hap nga ish-sigurimi i shtetit, u banë luftëtarë të pamposhtur për Fenë e Krishtit e Atdheun e tyre të dashtun. Do kujtohen gjithmonë nga populli i Gurzit.