
Nga Prof. Dr. Nevila Nika/
Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.
Të mësuar prej dekadash tashmë që punimet rreth personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme të trajtoheshin të rrumbullakosura sipas linjës partiake e shtetërore deri në vitin 1991 e më pas në kushtet e reja të krijuara mbas ndërrimit të sistemit kur liria i dha mundësi gjithkujt të na jepte në dorë punime me shumë vlera e të tjera për t’u hedhur tutje, punimi i Evaristit zë pa dyshim një vend me të vërtetë të merituar.
Të shkruash sot rreth figurës së Ismail Qemal Vlorës gjithkush prej nesh do të mendonte se, “autori po humb kohën kot”, apo, “nuk ka çfarë të re të sjellë”, apo “të gjitha i kanë thënë të tjerët më parë” etj. etj. Por kur lexon punimin e Evaristit kupton që në faqet e para se je nxituar në gjykim.
Falë një pune të mundimshme ai ja ka dalë të mbledhë të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të
historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Mbledhja e të dhënave ka qenë faza e parë e punës së tij dhe sigurisht e kushtëzuar fort nga qëllimi që autori i kishte vënë vetes, analizimin e personazhit të jashtëzakonshëm Ismail Qemal Vlora në rolin e të qenët Lider,
Prijës i kombit të vet drejt Lirisë e Shtetformimit.
Familja, fëmijëria e vendlindja janë për autorin pikënisja e gjithçkaje që kjo figurë e ndritur e kombit tonë do të dëshmojë
gjatë gjithë jetës së tij. Lindja në një mjedis si ai i familjes zëmadhe Vlora, për autorin Beqiri është një fakt më shumë se domethënës.
Sipas tij ky mjedis familjar sa aristokratik aq edhe patriotik do të ndikonte fuqishëm në formimin e mbrujtjen e karakterit të djaloshit Ismail Vlora si Lideri, Prijësi ardhshëm i Kombit Shqiptar. Nuk ka dyshim se familjet e mëdha të pajisura me një mbiemër e pasuri ju kalonin pasardhësve për shekuj me radhë pushtetin e prestigjin për ruajtjen e transmetimin e kujtesës historike të familjes, vendlindjes e mbarë kombit. Ismaili i ri nuk mund të bënte përjashtim. I pajisur me inteligjencë të rrallë ai kur largohet nga gjiri familjar, kishte mundur të merrte më vete gjithçka nga historia e familjes Vlora, pra e të parëve të tij, por dhe gjithë krahinës. E kjo pasi ishin kohët kur e kaluara e familjes, por edhe më gjerë se ajo, nuk hidhej poshtë me të shpejtë si diçka e pavlerë. Ekzistonte një dialog midis brezave brenda mureve të sarajeve të kësaj familjeje. Për Ismailin e ri ishte vendi ideal për përpunimin e kujtimeve të të parëve të tij, bëmave të tyre. E kaluara ishte gjithnjë për “darkë”, duke kultivuar tek pjesëtarët më të rinj të familjes dashuri për tokën e të parëve, por mbi të gjitha dëshirën për të shpëtuar nga zgjedha e pushtimit e ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit, flamurin e Pavarësisë.
Mendoj se Evaristi ia ka dalë të na përcjellë me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit. Gjithsesi në punimin e tij autori nuk ka lënë mënjanë të analizojë edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
Do t’i mbyll këto pak rreshta me një pasazh të shkëputur nga një artikull i shkruar 91 vite më parë nga biografi i parë i Mustafa
Qemal Ataturkut, gazetari Ismet Toto:
“Njerëz të mëdhenj ka patur e do të ketë në çdo kohë, sa herë që do të ketë qejf e Madhja Natyrë. Këta janë Drita të botës….Mbrenda në thellësin e shpirtit të këtyre njerzve origjinalë qëndron një fuqi hyjnore.
Ideali dhe vullneti i tyre është arsyeja e qënies për ata. Ata e kanë dedikuar vehten realizimit të një ideali. Ata s’mendojnë gjë tjetër në jetë. S’mund të mendojnë! Ata qëndrojnë për çështjen e tyre në çdo kusht e me çdo sakrificë. S’ka gjë në botë që mund të zërë vendin e qëllimit për të cilin ata rrojnë në jetë….
Në këtë kuptim duam të marrim dhe ne këtë Ismail Benë tonë, jo vetëm se pse me veprën e 28 Nëntorit ndezi një zjarr që s’u shua dhe s’do shuhet kurrë, por se pse e gjithë jeta e tij ka një frymë madhështie. Një madhështi mendore të habitshme për të cilën Shqiptarët e gjithë kohëve kanë të drejtë të rrinë kryelartë.
Është pikërisht kjo madhështi e Mendjes dhe e Shpirtit që e bën të mundur që një Ismail Qemal të sundojë Shqiptarët duke qenë vetë i vdekur. Kjo lloj madhështie është e pa zhdukur; përkundrazi
bashkë me kalimin e kohës rritet e shkëlqen më fort dhe gjithnjë
më fort…Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës tonë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria. Neve besojmë në sinqeritetin e këtij Burri të Madh që ka trashëguar gjitha ç’është më e bukur, e lartë dhe fisnike në palcën e shpirtit Arbnor.”