
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Jürgen Habermas, një nga figurat më të rëndësishme të filozofisë politike bashkëkohore dhe një nga përfaqësuesit më të njohur të “Shkollës së Frankfurtit”, është konsideruar për dekada si një nga zërat më të rëndësishëm kritikë në debatin publik evropian. Që nga viti 1964, kur ai mori katedrën e filozofisë dhe sociologjisë nga Max Horkheimer në Universitetin e Frankfurtit, Habermas u shndërrua në një nga teoricienët më eminentë të teorisë kritike dhe të diskursit demokratik. Në këtë kontekst, ndërhyrja e tij në debatin mbi luftën e Kosovës përbën një moment të rëndësishëm në diskutimin filozofik dhe politik mbi ndërhyrjet humanitare.
Më 29 prill 1999, në gazetën gjermane Die Zeit, Habermas publikoi artikullin e njohur “Bestialiteti dhe humaniteti – një luftë në kufirin midis së drejtës dhe moralit”, në të cilin ai u përpoq të ndërhynte në debatin publik mbi bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë. Artikulli u botua në një moment kur lufta në Kosovë ishte në zhvillim e sipër dhe kur në Gjermani dhe në Evropë po zhvillohej një debat i gjerë publik mbi legjitimitetin moral dhe juridik të ndërhyrjes ushtarake. Në këtë atmosferë, ku çdo javë zhvilloheshin dhjetëra debate televizive dhe ku figura politike si kancelari Gerhard Schröder dhe ministri i jashtëm Joschka Fischer diskutonin intensivisht në media zhvillimet në Kosovë, Habermas u shfaq si një nga intelektualët më të cituar në këtë debat.
Brutaliteti dhe humaniteti: një luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit
Në artikullin e tij, Habermas përpiqet t’u përgjigjet kritikave të forta të së majtës radikale, e cila e kundërshtonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe e konsideronte atë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Duke u përballur me pyetjen se përse 19 shtete të NATO-s po bombardojnë një shtet sovran, duke shkatërruar infrastrukturën e tij dhe duke rrezikuar viktima civile, filozofi gjerman përpiqet të ofrojë një argumentim normativ në mbështetje të ndërhyrjes. Sipas tij, bombardimet duhet të kuptohen si një “aksion ndëshkues ushtarak kundër Jugosllavisë”, i cili u bë i pashmangshëm pas dështimit të negociatave të Rambujesë dhe që synonte imponimin e një autonomie liberale për Kosovën brenda Serbisë.
Një nga elementet më interesante të analizës së Habermasit është mënyra se si ai e interpreton debatin publik rreth luftës. Sipas tij, si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e ndërhyrjes mund të konsiderohen në njëfarë mënyre pacifistë, por të ndarë në dy kategori: nga njëra anë “pacifistët e bindjes”, të cilët e justifikojnë ndërhyrjen në emër të të drejtave të njeriut dhe të detyrimit moral për të ndaluar krimet kundër njerëzimit; dhe nga ana tjetër “pacifistët juridikë”, të cilët e kundërshtojnë ndërhyrjen për shkak të shkeljes së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sovranitetit shtetëror.
Argumenti kryesor i Habermasit është se ndërhyrja në Kosovë duhet të kuptohet si pjesë e një transformimi historik të rendit ndërkombëtar. Sipas tij, politika e të drejtave të njeriut shënon një hap drejt transformimit të së drejtës ndërkombëtare klasike në një të drejtë kozmopolite të qytetarëve të botës. Në këtë perspektivë, ndërhyrja e NATO-s mund të interpretohet si një mision i armatosur për ruajtjen e paqes, i autorizuar në mënyrë implicite nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse pa një mandat formal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Habermas e fillon analizën e tij me një reflektim mbi ndryshimin e madh që kjo ndërhyrje përfaqësonte për Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Siç shkruan ai:
“Ndërhyrja ushtarake e Ushtrisë Federale Gjermane shënon fundin e një periudhe të gjatë përmbajtjeje që kishte formësuar tiparet civile të mentalitetit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta është këtu. Natyrisht, ‘sulmet ajrore’ të aleatëve supozohet të jenë diçka tjetër nga lufta tradicionale. Megjithatë, edhe ata prej nesh që janë vetëm pjesëmarrës të tërthortë, të informuar përmes kronikave televizive mbi konfliktin në Kosovë, janë të vetëdijshëm se popullsia jugosllave që struket nën bombardimet ajrore nuk po përjeton asgjë tjetër përveçse luftë.”
Megjithatë, sipas Habermasit, debati gjerman mbi luftën nuk u karakterizua nga retorika nacionaliste apo militariste që kishte shoqëruar konflikte të mëparshme. Ai vëren se si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e ndërhyrjes përdorin një gjuhë normative, duke u mbështetur në argumente morale dhe juridike.
Në analizën e tij, Habermas thekson se pas dështimit të negociatave të Rambujesë, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Bashkimit Evropian vendosën të zbatojnë kërcënimin për një ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë me qëllimin e imponimit të një autonomie për Kosovën. Nga perspektiva e së drejtës klasike ndërkombëtare, një veprim i tillë mund të konsiderohej ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran dhe rrjedhimisht një shkelje e parimit të mosndërhyrjes. Megjithatë, sipas logjikës së politikës së të drejtave të njeriut, ndërhyrja mund të interpretohej si një mision i armatosur për ruajtjen e paqes, i autorizuar në mënyrë implicite nga bashkësia ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, lufta në Kosovë mund të përfaqësonte, sipas Habermasit, një moment tranzicioni nga rendi klasik i së drejtës ndërkombëtare të shteteve drejt një rendit kozmopolit të një shoqërie globale qytetarësh. Ky zhvillim, argumenton ai, kishte filluar me krijimin e Kombeve të Bashkuara dhe ishte përshpejtuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë përmes ndërhyrjeve humanitare të viteve 1990.
Megjithatë, rasti i Kosovës paraqiste një situatë të veçantë. Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme, NATO veproi pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e justifikuar ndërhyrjen si ndihmë emergjente për një pakicë etnike të persekutuar. Para fillimit të bombardimeve ajrore, në Kosovë rreth 300.000 njerëz ishin prekur nga vrasjet, terrori dhe dëbimet, ndërsa kolonat e refugjatëve që drejtoheshin drejt Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmonin për një strategji të planifikuar të spastrimit etnik.
Edhe pse regjimi i Slobodan Milošević-it e përdori ndërhyrjen ajrore të NATO-s për të përshpejtuar politikat e tij represive, Habermas argumenton se kjo nuk e ndryshon marrëdhënien e shkakut dhe pasojës. Qëllimi i negociatave dhe i ndërhyrjes ishte pikërisht ndalimi i një nacionalizmi etnik vrasës dhe i krimeve kundër njerëzimit.
Në fund të analizës së tij, Habermas pranon se ndërhyrja në Kosovë krijon një dilemë të thellë normative: nga njëra anë, ndërhyrja humanitare synon të mbrojë të drejtat e njeriut; nga ana tjetër, mungesa e një rendi juridik global plotësisht të institucionalizuar e bën të paqartë kufirin midis moralit dhe ligjit në politikën ndërkombëtare.