
Ai ishte një hajdut elegant, i pandjerë, diskret, buzagaz. Nuk donte të bezdiste njeri. Të hynte në shtëpi ditën kur nuk ishe. Natën tek flije. Nuk ngiste as mizën. Nuk e ndjente as qeni. Mbaronte punë aq shpejt. Brenda pak minutash shtëpia zbrazej nga gjërat e “tepërta…”, “pa vlerë.”Sendet paketoheshin, me kujdes. Transporti priste te dera. Hidhej malli fët e fët…dhe ti nuk ndjeje asgjë. Shpëtoje pa dhimbje nga çdo gjë “e tepërt”. Si ç’shpëtojmë nga një dhëmballë e vjetër, rrangallë, hequr mjeshtërisht nga dentisti.
…Kur rastiste e burri zgjohej…zgjonte dhe gruan. Po lehtas.. .Pa u ndjerë. Me të prekur. Dhe nuk pipëtinin. As njeri e as tjetri. Fëmijët në dhomën tjetër ishin në gjumë të thellë…Pastaj fēmijë. Ku kuptonin gjē ata….Burri e gruaja, që kuptonin…prisnin në heshtje të mbaronte hajduti.
“Zot shyqyr”, thosh burri, “na ka rastisur hajdut i mirë. Nuk prek njeri me dorë( të tjerët të vrasin për plaçkë). Mbaron punë e ikën…ja ky është hajdut…I dashur, buzagaz…Jo si të tjerët…”
Atij nuk i ndahen buzagazi vërtet. Dashamirësia tek vidhte. Qeshte e vidhte. Rob Zoti. Vidhte e qeshte. Ja dallonin dhëmbët e bardhë e të bukur edhe në errësirë…”
…Ishin kohra të bukura…Kish plasur vjedhja e madhe…vjedhje mjeshtërore. Kish zënë vend ajo fjala e atij hajdutit të vogēl në kuvend burrash dikur. Drejtuar hajdutëve të një bande tjetër:” Ju nuk dini as të vidhni…”
Dhe vërtet. Banda e tij e kish përsosur vjedhjen aq mjeshtërisht, ndër vite, sa që vjedhjet e dikurit, ngjisnin më lojna kalamajsh…
…Kur hajduti ikte, burri e gruaja, çoheshin e bënin inventarin…
“E mo s’na ka vjedhur ndonjë gjë gjë të madhe…një TV, një komplet sermi…ca rroba të djalit…le të hajë edhe ai një çap bukë…”
…Dhe erdhi së fundmi ajo kohë fatlume për lagjes tona, që nuk e kish njohur lagje në botë. Në histori hyri me emrin Demokraturë…
…nuk zgjidheshin më deputetë…
Nuk kish më parlament. Çdo lagje zgjidhte hajdutin e saj. Njerëzia përpiqeshin të zgjidhnin hajdutin më të mirë, më të ndjeshëm, më njerëzor, më të buzëqeshur…mes hajdutëve. Lagjet me hajdutët më të mirë, i propozonin ata për kryehajdut. Si me thënë, thjesht për krahasim, për një biçim kryetar shteti…Popujt e lagjeve natyrisht veç propozonin. Vox popoli. Populli e kish pushtetin. Zgjedhjen e kryehajdutit e bënte një komision a juri hajdutësh zgjedhur nga vetë Çetat. Cilat çeta? Natyrisht as të Ballit, as të partizanëve…Ato i takojnë kohēve të lashta…
…Kryehajduti i zgjedhur pastaj, përcaktonte ligjet e vjedhjes. Nuk ish nevoja për parlamentas, senatorë a rrogtarë parazitë të këtij lloji…Përderisa i kish zgjedhur vetë populli, ligjet i binte ti bënte ai. Nëpërmjet çetave e kryetarit të çetês së zgjedhur
…Ishin kohra të qeta. Të lumtura. Pa turbullira. Çdo gjë e përcaktuar mirë për vite të tëra të ardhme. Nuk kish zënka. As luftra zhurmëmëdha çetash a partish. Fitonte gjithnjë me shumicë votash partia, më falni,…e njëjta çetë hajdutësh. Çeta e hajdutëve më të mirë. Për ç’arsye bindëse të provoje të kishe në krye një çetë hajdutësh të tjerë?
Popull ish bërë i mençur. Arsyetonte drejt. Popull i qetē. Popull qëngj. Popull i arsyeshëm. Për së mbari.…Popull që fle…Si ai çifti më lart.. Por popull me nuhatje
…Si pat thënë një analist,i mençur si populli: “…popull që kurrë nuk pat gabuar në zgjedhje…
Prof. Ylli Pango