Satirë nga Rafael Floqi/
Një ditë nga ato të zakonshmet në “Sulltanatin e Rilindjes”, ku edhe milingonat punojnë me PPP dhe dheu i rrugëve i shkon drejtpërdrejt miqve, nga Zvicra vjen një mesazh misterioz… “Arben Ahmetaj, dikur financieri i sultanit, tani kthehet si kalorësi i errët i hakmarrjes, me një gozhdë të madhe në zemër dhe ca dosje në valixhe.” Por, si gjithmonë, publiku pyet veten: “Po kësaj here, a tha gjë të re? Apo thjesht po flet me monologun e zakonshëm të një “dashnori” të braktisur nga pushteti?”
Sheiku dhe Dhoma e Luleve
Ahmetaj na rrëfen sesi Rama, nga një artist me ngjyrime kubiste, është kthyer në një koleksionist verërash që kushtojnë sa borxhi publik. Në “Dhomen e Luleve”, aty ku dikur debatohej mbi reformat, tashmë merren vendime mes avujve të Romanée Conti dhe flluskave të shampanjës së artë.
Një gjë është e sigurt: nëse ndonjë qytetar i zakonshëm do të hante në një restorant me këto çmime, do e kishte detyrim moral ta lajmëronte edhe ministrin e Financave, se ndryshe, taksën e “lukso-biznesit” s’do ia falte askush.
Udhëtimet e Parisit të Ri
Ahmetaj denoncon gjithashtu fluturimet që s’u lejuan kurrë të hetohen, por s’duhet të shqetësohemi! Shteti funksionon për bukuri. Ato avionët privatë janë thjesht mjet transporti për të kaluar rrugët me gropa të Shqipërisë. Diku duhet të dëshmojmë se si mund të arrijmë të “Rilindim” në ajër, pasi tokësisht ngecëm mes baltës.
Hakmarrja e Ahmetajt: Hero apo Hakmarrës i Luksit?
Sigurisht, ata që u verbuan nga lluksi dhe premtimet e Ramës mund të vazhdojnë t’i quajnë këto rrëfime “fantazi të një njeriu që ka kaluar shumë kohë me tapet të kuq në sy”. Por pyetja e vërtetë që lind është: A duhet besuar dikush që për vite e për vite ka nënshkruar e vulosur tenderat, dhe vetëm pasi ka humbur privilegjet, fillon të flasë?
Skenari mbetet hapur:
A do të vazhdojë Ahmetaj të zbulojë “sekretet e sulltanatit”, apo thjesht po lobon që të kthehet si aktor dytësor në dramën e madhe?
A do ta rrëzojnë Ramën shishet e verës dhe fluturimet charter, apo shqiptarët do ta falin, nëse u premton një bonus tjetër për “faturën e energjisë”?
Dhe mbi të gjitha: Pse SPAK i shikon të gjitha këto si serial turk që nuk ka fund?
Një gjë është e sigurt: Populli shqiptar ka humbur interesin për luksin e politikës, sepse ka hallet e tij. Ndërsa Ahmetaj dhe Rama vazhdojnë betejën për “kush e ka shishen më të shtrenjtë”, populli numëron monedhat për bukën e përditshme. Kjo, padyshim, mbetet skandali më i madh nga të gjitha.