
Nga: Besim Muhadri/
I lindur dhe i rritur në një ambient me tradita të shquara bujarie dhe atdhetarie, rapsodi popullor hasjan, i përmasave kombëtare, Hamit Kastrati (Golaj, Has 1962), në rrugëtimin e tij nëpër vite e dekada si njeri dhe rapsod, gjithnjë është ushqyer me ndjenjën e dashurisë për atdheun. Ndonëse i lindur dhe i rritur në një kohë kur regjimi komunist në Shqipëri kishte ngulfatur jo vetëm lirinë e njeriut dhe krenarinë e tij, qoftë personale, qoftë kolektive e kombëtare, por edhe kultivimin e traditave popullore, madje duke ndërhyrë edhe në çdo aspekt të jetës, Hamit Kastrati arriti t’i shpëtojë kësaj katrahure dhe të jetonte vertikalisht. I njohur tashmë si një rapsod i këngëve të mirëfillta folklorike, Hamit Kastrati është pa dyshim një nga rapsodët më të njohur jo vetëm të krahinës së Hasit, por edhe më gjerë.
Përveç si këngëtar, ai është i njohur edhe si krijues, përkatësisht hartues i të gjitha teksteve të këngëve të cilat ai i këndon. Janë me qindra këngë të krijuara nga vetë Hamiti gjatë pothuajse tri e më shumë dekadave. Këto tekste këngësh, të krijuara dhe të kënduara nëpër vite, Hamit Kastrati, përveç në audio dhe video incizime, i ka prezantuar para lexuesit, përkatësisht dëgjuesit të tij anekënd atdheut dhe kah flitet shqip përmes librit të tij me titull simbolik dhe shumë domethënës “Kënga e shpirti kurrë nuk vdesin”, në të cilin janë prezantuar 186 tekste këngësh të tematikave të ndryshme, të seleksionuara në pesë cikle, ku secili prej tyre paraqet tematikë më vete. Libri është botuar në vitin 2017, ndërkohë që Hamiti ka shkruar edhe qindra tekste të tjera dhe i ka gati për librin e dytë.
Në ciklin e parë të këngëve, “Gjak që s’falet asht Kosova”, autori ka prezantuar këngët e tij të shkruara e të kënduara për Kosovën, këtij pengu të përjetshëm të këngës dhe të shpirtit të tij prej rapsodi dhe shqiptari. Në këtë cikël këngësh autori i këndon Kosovës dhe ëndrrës së bashkimit kombëtar. Ai i këndon edhe figurave të shquara kombëtare të Kosovës martire, të ndarë padrejtësisht e tragjikisht nga trungu i Shqipërisë natyrale. Këngët e këtij cikli janë këngë që shprehin qartë përpjekjet e shqiptarëve, veçanërisht të atyre të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Rapsodi Hamit Kastrati i këndon Adem Jasharit, kësaj figure kyçe të UÇK-së, heroizmi dhe shembulli i të cilit frymëzoi luftëtarët e lirisë. Këngët e Hamit Kastratit për dëshmorët e Kosovës jantë kënga me domethënëse, më kuptimplote, të cilat shprehin dhe përçojnë amanetin e burrave të Kosovës që lufta të mos ndalet deri në realizimin e dëshirës së tyre kryesore që të mos ketë “kufij ndërmjet”, siç shprehet në shumë vargje rapsodi.
Këngët e ciklit të dytë të titulluar “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, janë këngë kushtuar atyre që u vranë nga regjimi komunist në Shqipëri, por edhe këngë të tjera, të cilat shpërfaqin gjendjen dhe realitetin e një kohë shumë delikate, shumë të dhimbshme, siç ishte koha e regjimit të egër komunist të izolimit dhe të vetizolimit të Shqipërisë.
Në ciklin e tretë “Kush beson veç t’mira gjanë”, autori ka seleksionuar këngët kushtuar baballarëve shpirtërorë të krahinës së Hasit, Tropojës e të Gjakovës, të cilëve ai u këndon me shumë pasion dhe konsideratë.
Në ciklin e katërt Kastrati ka radhitur këngët e kurbetit, kësaj plage të hapur e të pashërueshme shqiptarësh, ndërsa në ciklin e pestë dhe të fundit ai ka prezantuar këngët e dashurisë por edhe disa këngë të tjera humoristike, si pjesë e pandarë e jetës.
Përjetësimi i luftës së Kosovës dhe përçimi i mesazhit të dëshmorëve
Kosova dhe historia e saj plot dhimbje, sakrifica dhe përpjekje për të ardhur deri të dita e madhe e lirisë dhe pavarësisë së saj, në vazhdimësi ka preokupuar jo vetëm atdhetarët, luftëtarët, idealistët, por edhe artistët, poetët dhe këngëtarët. Një shqetësim të tillë ka edhe rapsodi Hamit Kastrati. Kam përshtypjen se asnjëri nga poetët dhe rapsodët e trojeve shqiptarë se sa Hamit Kastrati nuk i ka kënduar kaq shumë dhe me kaq pasion Kosovës dhe bijve të saj të cilët luftuan, u sakrifikuan dhe vdiqën duke luftuar për ditën e madhe të lirisë, por edhe të pavarësisë dhe ta bashkimit kombëtar. Të kësaj tematike janë 78 këngë, të cilat shpërfaqin brengën e madhe të quajtur Kosovë, për të cilën rrahën zemrat dhe u derdh gjaku në kohë dhe periudha të ndryshme të historisë e në mënyrë të veçantë gjatë kohës së luftës së UÇK-së. Këngët e Hamit Kastratit të kësaj tematike, të prezantuara në librin e tij, janë një përmendore e fortë, shumë domethënëse, të cilat, përveç që përjetësojnë heroizmin dhe sakrificën shqiptare për lirinë e Kosovës, ato njëkohësisht janë edhe një dëshmi e gjallë e një historie tashmë të ndodhur që ka dhënë e po jep frytet e saj të ëndërruara nga breza të tërë. Prandaj edhe vetë titulli i ciklit “Gjak që nuk falet është Kosova”, natyrisht i huazuar nga një varg i poetit tonë të njohur Ali Podrimja (Kosova është gjaku im që nuk falet), sikur shpërfaq qëllimin e brezave ndër shekuj. Vargjet e këngëve të kësaj tematike, janë vargje më plot figuracion, me shumë domethënie dhe me shumë mesazhe, të cilat përçohen te lexuesi, qoftë përmes penës së autorit, qoftë përmes porosisë së protagonistëve të këtyre teksteve, të cilët sot prehen përjetësisht në altarin e lirisë së Kosovës.
Shpërfaqja e përmasës së tragjedisë dhe braktisjes së atdheut
Në këngët e ciklit të dytë “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, siç u tha edhe më lart, autori ka cikluar këngë të cilat iu kushtohen atyre burrave të Shqipërisë, të cilët u vranë dhe u persekutuan nga ana e regjimit komunist, vetëm pse ata nuk u pajtuan me të keqen që kishte pllakosur vendin, e keqe që kishte ngulfatur perspektivën e Shqipërisë së idealeve të mëdha të rilindësve dhe të të gjithë patriotëve që punuan dhe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut për perspektivën e saj evropiane, demokratike.
Këngët e Hamit Kastratit që për kanë këtë tematikë, janë krijime që tregojnë gjithë atë tragjedi të përmasave më të dhimbshme, të përjetuar nga shqiptarët, të cilët autori në një varg i quan jo pa qëllim i quan të pafat. 48 këngët që janë të përfshira në këtë cikël tematik, mund të cilësohen si këngët e dhimbjes e të tragjedisë sonë kombëtare, ashtu siç mund të cilësohen edhe këngët e kurbetit, të kësaj plage të hapur ndër shekuj për shqiptarët, e cila jo që nuk u shërua ndonjëherë, por ka rrezik që të mos shërohet asnjëherë. Si duket të kota janë thirrjet e rapsodit të që shqiptarët të braktisin ëndrrën e kurbetit, që është ëndrra e ikjes nga atdheu për një jetë më të mirë, sepse sindromi i quajtur emigrim ka marrë përmasa të mëdha, madje edhe duke arritur nivelin e tragjikës së përgjithshme gjithëkombëtare.
Shqetësimet e rapsodit Kastrati janë shqetësime të njeriut të ndershëm shqiptar, i cili ia do të mirën atdheut dhe të cilin dëshiron ta shohë ashtu siç duhet dhe duhej të ishte. Qoftë në ciklin “Nji asht kanë e asht Shqipnia”, apo edhe te “Këngët e kurbetit”, fantazma e tragjedisë kombëtare është ajo që sillet e nuk shqitet asnjëherë e në asnjë kohë, qoftë edhe në këtë kohën e re të demokracisë. Këngët si “Kroni i Guruzhupit”, “O shqiptarë pse kaq pa fat”, “Deri kur me derdh lot nana” e shumë këngë të tjera, te cilki “Nji asht kanë e asht Shqipnia” si dhe pothuajse të te gjitha këngët e kurbetit” e në veçanti këngët “Oj Shqipnia me halle e derte”, Pranvera me lot”, “Kofsh mallkue përjetë kurbet”, etj., janë disa nga këngët më të dhimbshme, që shpërfaqin përmasën e një tragjedie të quajtur braktisje të atdheut dhe lënien e tij në vetminë vrastare.
Këngë me shumë kuptim dhe domethënie janë edhe këngët e ciklit Kush beson veç t’mira gjanë, ashtu sikurse janë edhe këngët e ciklit të fundit, këngë dashurie dhe ato humoristike, ku përveç talentit të autorit në krijimin e teksteve të tyre tematike, ato shprehin edhe respektin e autorit për figurat e respektuara fetare siç janë në këtë rast Dervish Azem Dajçi, Dervish Sadik Gaxha, Brah Alia, Pashtriku, si vend i shenjtë, simbolika hasjane dhe kombëtare të humanitetit e të bamirësisë, por edhe këngë të tjera, ku autori ka fokusuar këngën e tij në aspektin e respektit ndaj këtyre figurave fetare të Hasit, Malësisë së Gjakovës e më gjerë, qoftë për aspektin humanitar dhe bamirës të tyre, qoftë si shërues shpirtrash dhe të besimit të patundur në Perëndinë. Prandaj edhe vargu “Kush beson veç t’mira gjanë” është një varg sa domethënës, aq edhe një përçues të qartë për njeriun e kohës sonë.
Rapsodi Hamit Kastrati me shumë pasion i këndon dashurisë, por edhe temave të tjera, përmes të cilave ai prek në “telin” e ndërgjegjes dhe të shqetësimeve të shumta që preokupojnë njeriun shqiptar. Me një fjalë, tekstet e këngëve të tij janë tekste që burojnë thellë nga shpirti i tij i trazuar në vorbullën e kohërave nëpër të cilat ka kaluar ai si krijues dhe njeri.
Hamit Kastrati, padyshim se me anë të këtij libri jo vetëm që po rrombullakëson një pjesë të punës dhe kontributit të tij në fushën e artit të këngës, por njëkohësisht ai po jep një kontribut shumë të çmuar në realizimin e një projekti madhor, siç është përfshirja brenda kopertinave të një liri të qindra teksteve të këngëve të tij, të cilat tashmë janë bërë pjesë e këngës folklorike shqipe, tekste të cilat, ndonëse të shkruara nga Hamiti, tashmë i kanë përvetësuar dhe po i këndojnë edhe shumë rapsodë apo të ashtuquajtur “rapsodë”, madje edhe duke ua ndryshuar kuptimin e tyre, qoftë për shkak të moskuptimit të teksteve në të dëgjuar, apo edhe të tendencës së përvetësimit të këtyre testeve, që në botën moderne quhet plagjiaturë e që kohëve të fundit është bërë fenomen shqetësues.
Prandaj, me anë të këtij libri, Hamit Kastrati tregon qartë se është rapsod në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës.