Nga Keze Kozeta ZYLO/
Jemi në vitin e 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, vit që na vë në mendime të thella. Janë shumë gjëra kardinale të parealizuara që së bashku me gëzimin e 101 vjetorit jeton brenda saj dhe dhimbja!… E dhimbjet zakonisht janë më të fuqishme në se ato nuk kurohen në kohën e duhur…, ndryshe gangrenizohen… Ajo që është më shqetësuese për çdo shqiptar e bir shqiptari është se akoma nuk mundëm të bashkojme trojet tona të gllabëruara padrejtësisht nga grykësit politikbërës të të gjitha kohërave dhe shteteve të huaja, për rrjedhojë dhe të vendit tim. Vatra tjetër me plagë të qelbëzuar është asimilimi i fëmijëve shqiptarë të lindur e rritur jashtë tokës shqiptare, në dhera të huaja, shumica e të cilëve janë larguar të detyruar nga dhuna, pasiguria dhe mosqeverisja… Le të ndalemi për një çast të gjithë së bashku dhe le të llogarisim se sa femije shqiptarë në botë nuk e dinë gjuhën shqipe, nuk komunikojnë dot me gjyshërit e tyre, të afërmit?… Le të ndalemi për një çast tek kjo gjeneratë e ardhshme që ne se nuk do të dijë të flasë shqip do ta ketë shumë të veshtirë të njohë historinë, kulturën, traditat e mrekullueshme nga i kanë rrënjët e të parëve të tyre. Kjo gjenearatë e asimiluar me dashje apo pa dashje është një humbje e madhe e Kombit, dhe kjo përbën një ndër fatkeqesitë e mëdha kombëtare. Meqënse jam tek llogaria shtrohet pyetja: “Në se na kanë copëtuar dhe na kanë bërë thela, thela politikgrykesit e huaj, pse ne vetë e shtojmë copëtimin me duarte tona”? Në 101 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (me gjysmën e trojeve të saj të rrëmbyera dhe pa Pavarësi) akoma nuk kemi një shkollë shqipe të institucionalizuar në gjithë Diasporën, jashtë trojeve të saj ku shumica e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë atje. Është shumë e dhimbshme ta përjetosh këtë gjë, sidomos në 100 vjetorin që kaloi, apo në 101 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisëqë që po vjen së shpejti.
Personalisht përgëzoj pamasë emigrantët që punojnë me aq zjarr e dashuri të cilët kane hapur vatra të shkollave shqipe për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën e ëmbël shqipe, por shtoj se këto janë sakrifica që i bëjnë vetë ata duke lënë fundjavën dhe duke shkuar për të mos asimiluar fëmijët e tyre, ndërkohe këto shkolla nuk janë si shkollat publike në vendet ku jetojnë, të përditshme, por ato janë vetëm në fundjave apo në dite të tjera…sipas programit të tyre. Shumica e komuniteteve të tjera duke filluar me hebrenjtë, rusët, grekët, italianët etj…kanë shkolla ku ushtrohet gjuha e vendeve përkatëse ndërkohë u mësohet kultura dhe historia amerikane.
E dhimbjet vazhdojne më tej, por e kam të veshtire të ankohem përderisa akoma s’kemi gjetur doktorin e duhur… Ndoqa me vëmendje dhe kujdes të posaçëm gjithë fushatën elektorale që organizuan dy partite kryesore pretendente për pushtet, por asnjera nuk kishte vënë në programin e tyre atë që është më themelorja ruajtjen e Gjuhës Shqipe në Diasporë, hapjen e shkollave shqipe kudo ku ka emigrantë. Ndoshta slloganet e tyre ishin: Ne jemi ndryshimi, apo Rilindja, me mosvënien në program të gjuhës shqipe në këtë pikë, për ta të bën të shtosh parafjalën “Pa” përpara slloganeve aq të medha dhe të bujshme të tyre…
Ndoshta në periudha të caktuara mëmëdheut tonë në Diasporë i është dashur mbijetesa si shtet, si komb dhe për këtë nuk mund të mohohen sakrificat e shumta të atyre burrave të shquar si Noli, Konica, Ismail Vlora, Sami Frasheri e gjithë të tjerët që derdhën dollarët për Pavarësinë e Shqipërisë, por nga ana tjeter rizgjimi i mundshëm i asaj kohe të artë bëhet vetëm me hapjen e shkollave shqipe ku ka mërgjimtarë të shumtë, dhe jo të jetosh nën hijen e tyre. Përndryshe e mat vehten me hijen e mëngjesit dhe bëhesh një pengesë serioze…
Në se do të shikojmë statistikat në to flitet qartë se shumica e shqiptarëve banojnë jashtë trojeve të tyre, ku fëmijët më së shumti e mësojnë në mënyren autodidakte gjuhën e nënës, pa nje program të veçantë, pa gjuhën zyrtare. Nga përvoja disavjeçare e mësimit të gjuhës shqipe këtu ku banojmë në Nju Jork është thellësisht emocionale kur flet së bashku me nxënësit gjuhën e ëmbël shqipe, t’ju njohësh traditat dhe kulturën shqiptare, por nga ana tjetër shpesh na ka ndodhur se nuk kishin dijeni fare për festat kombëtare dhe pse relativisht në moshë, dhe kjo është tronditëse kur shumë prej tyre janë asimiluar…. Mund te thuash gjithë ditën: “O sa mirë që jam Shqiptar”…por në se nuk di të flasësh shqip, kurrë nuk mund ta ndjesh njëlloj kulturën, traditën, historinë e vendit tënd dhe fatkeqesisht numri shtohet dhe bëhet më i madh sepse: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës” thotë një nga ideologët e lëvizjes kombëtare Sami Frashëri.
Sot është fat që Shqipëria dhe Kosova janë hapur dhe janë futur në rrjedhën politike botërore, (pavarësisht se vazhdojnë të udhehiqen nga fuqitë e mëdha dhe s’janë në gjendje të qeverisin), por e kam fjalën për shqiptarët që mund të ndihmojnë vendin e tyre në shumë institucione botërere, organizma ndërkombëtare në se ata flasin rrjedhshëm dhe pastër gjuhën e nënës.
Se fjala vjen në se ka një vend punësimi në Kombet e Bashkuara për çështjen shqiptare dhe në aplikatë është kerkesa që duhet të dijë medoemos gjuhën shqipe, atëhere zgjidhja është më e lehtë për një që ka lindur në Shqipëri se sa për një që është jashtë saj… Por kur shumë fëmijë emigrantësh do ta mësojnë zyrtarisht gjuhën shqipe, të jemi sigurtë se Kombi do të përparojë më shumë dhe kultura shqiptare më e lashtë do të përhapet si vetëtima në të gjithë botën dhe jo të mësohen nga nxënësit e huaj në tekstet të historisë botërore rreth Shqipërisë vetëm luftra dhe gjak, apo ndodh dhe që nuk përmendet fare…
Duke jetuar dhe punuar në New York, më ka befasuar fakti dhe më ka vënë thellësisht në mendime kur nje kolegja ime amerikane me origjinë hebre do të dërgonte djalin e saj me pushime në verë në Izrael. Ajo më tregoi se shteti izraelit ju jep mundësinë të gjithë hebrenjve që jetojnë dhe kanë lindur jashtë shtetit të tyre për të vizituar dhe njohur me kulturën dhe kombin e tyre. I gjithë udhëtimi, fjetja dhe ushqimi janë falas dhe të garantuara nga shteti i tyre. Ç’shembull i bukur për të ndjekur! Po a mund te realizohet kjo nga shtetet tanë kur lideret e tyre nuk kane kohë të mësojnë nga shembujt e mirë, por kanë kohë se si te grinden në mënyrën më foshnjarake dhe njëherazi më banditeske përderisa në gojët e tyre hyjnë e dalin pa doganë fjaët tradhtar, kriminel, hajdut! E përderisa do të vazhdojë ndër vite kjo loje fort e pistë dhe dhunuese, miratimi i ligjit në Kuvend për hapjen e shkollave shqipe apo përpjekjet e shtetarëve do të jenë të squllta dhe pa rezultat… Ndërkohë vargjet e Gjergj Fishtës duhet të kumbojne si zile alarmi për çdo shqiptar: “Pra, mallkue nja i bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lèn mbas dore”.
Do te jete e tepërt të vazhdojë më tej shkrimin, pasi vargjet më lart me tingellojnë si kambanë dhe bindshëm thonë: “Stop asimilimit të gjuhës shqipe në Diasporë”!
Staten Island, New York
25 Korrik, 2013