Ia kam zilinë Odisesë. Atij i mjaftuan 20 vjet heqakeqje për tʼu kthyer më në fund në shtëpi. Unë, ndërkaq, i mbusha 28 vjet mbi dallgët e Oqeanit të të Keqes, por Itakën time ma kanë fshehur tymnajat e mllefeve./
Shkruan: Shpend Sollaku Noé/
Jeta ime dhe e brezit tim është puthuaj një vepër arti, një film apo një roman i shkruar prej të Tjerëve.
Gjatë kësaj jete kanë ndodhur gjëra aq të pazakonshme, saqë asnjëra prej breznive të tjera nuk mund tʼi gëzohet këtij Fati Të Mirë. Ishte vërtetë një Fat i Hidhur, i Imponuar, por ai Fat na hodhi tragjikisht në ngjarje historike të papërsëritshme: në burgosjen e njerëzve që nuk i bënin keq askujt, në djegien e minareve e të këmbanareve në moshën kur sapo nisje të interesoheshe për Zotin, në qethjen me zor të flokëve sipas modelit të vendosur nga byroja politike e në mbajtjen e favoriteve deri tek kocka e partisë, në Mohimin e të drejtës për të studiuar në universitet, në Rënien e Statujave, në Rënien e Mureve…
Duke dashur të na bënin keq, ata, të Tjerët, na nxitën të tejkalonim kufirin e të mundshmes.
Nëse ata do të më kishin çuar në universitet, unë do të kisha humbur rastin për të njohur tre vjetët në ujdhesën e Sazanit, apo në Tokën e Vogël, siç e quanim; nuk do të kisha provuar shijen e të studiuarit fshehurazi duke sfiduar ligjin komunist që ndalonte vazhdimin e çfarëdolloj shkolleje gjatë ushtrisë, do të kisha humbur adrenaliniket ikje pa leje, dhënien mes njëmijë peripecish të deri tre provimeve në ditë (shoh në librezë jo vetëm datën 26.06.1979, me një notë 8, një 9 dhe një 10 njëra pas tjetrës, në lëndë nga më të rëndësishmet); nuk do t’i isha gëzuar njohjes me emrin marinari nëpër auditore, marrjen e një viti akademik në një të vetëm sezon provimesh, lirimin nga ushtria me shkollën e lartë të mbaruar. Nëse nuk do të kisha frekuentuar Universitetin e Tuneleve të Sazanit, vështirë të më qe dhënë rasti të përgjoja bisedat plot tmerr të oficerëve ditën e vdekjes së papritur të Mehmet Shehut, përgënjeshtrimin e pathyeshmërisë të Ushtrisë Popullore Shqiptare në orët kur Gjiri i Vlorës u përdhunua nga një nëndetëse sovietike, që hyri e doli me nge nëpër ujrat tona, gjatë periudhës kur Enver Hoxha bënte pushimet në Ujin e Ftohtë.
Nëse ata nuk do të na kishin mohuar librat dhe studimin e gjuhëve të huaja të Ndaluara, ne nuk do të kishim provuar kurrë orgazmën e të të lexuarit klandestin, nuk do të ishim bërë Autodidaktë të përsosur, duke ndërtuar secili në tru nga një Akademi Personale, e vetmja që ata s’mund tʼi imponoheshin.
Duke dashur të na bënin keq, ata bënë të mundur që ne të ishim të parët në betejat sy për sy për demokracinë e vërtetë, me energjitë e shpagimit të shumëzuara.
Më vonë, po qe se nuk do të kishim denoncuar korrupsionin, mund edhe të kishim bërë karrierë, mund edhe të ishim korruptuar, të ishim bërë me vila përrallore, apo edhe të kishim marrë ndonjë plumb pas kokës. Por, për Fatin e Tyre të Keq, ne zgjodhëm akoma rebelimin.
Nëse Ata të mjerë nuk do të na kishin detyruar të braktisnim Shqipërinë, unë nuk do të kisha provuar mërgimin e stërzgjatur dhe vargjeve e rreshtave të mia sigurisht do tʼu kishin munguar Dhimbjet e Reja.
Shumë prej nesh shkuan në psiqiatri apo u çmendën në mënyrë të pakthyeshme, të tjerë vdiqën të rinj apo humbën dherash të huaja, ndokush bëri edhe vetvrasje, ngaqë nuk përballoi dot zhgënjimin intelektual.
Unë dhe të tjerë të ngjashëm pasjetuam, pa e ditur që kishim qenë kaq të rezistueshëm.
Për Fatin e Tyre të Keq… Sa më shumë ata na kishin bërë të vuanim, aq më tej ishte projektuar mbijetesa jonë. Duke dashur të na asgjësonin, ata kontribuan në mënyrë të pandërgjegjshme që Ne të mbesim Gjallë edhe pas harrimit të tyre.