Kosovë-Presidenti Thaçi kërkon unitet politik për dialogun me Serbinë/
PRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,Presidenti i Republikes Hashim Thaçi, tha:
– Edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë. Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi/
PRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga instituti RIDEA dhe të mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë.Në këtë konferencë, ku të pranishëm ishin shumica e liderëve politikë, presidenti Thaçi ka kërkuar unitet politik për dialogun me Serbinë.Ky është fjalimi i presidentit Thaçi në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”:Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni në fillim që t’i falënderohem Labinotit nga instituti RIDEA dhe Naimit nga instituti BPRG, që na ka bërë bashkë sot në trajtimin e kryetemës së kësaj konference apo të “Skenarëve të ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kjo konferencë është një mundësi e mirë që të shqyrtojmë çështjen kyçe të stabilizimit afatgjatë të Kosovës, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Kanë kaluar, siç e dimë, njëzet vjet të plota nga lufta e jonë për çlirim, nëntëmbëdhjetë vjet nga Konferenca Paqësore e Rambujesë, dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtatë vjet nga fillimi i bisedimeve të Brukselit, ndërsa marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura politikisht.
Në të gjitha proceset ndërkombëtare që kanë synuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, udhëheqësia kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë.Janë humbur, në të kaluarën, dhjetëra vjet pa fajin dhe përgjegjësinë tonë, shumë raste të mira, në mungesë të vullnetit politik të udhëheqësisë së Serbisë, për t’i dhënë fund armiqësive politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që janë të vjetra më shumë se një shekull.Edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë.Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi.Sidoqoftë, ne jemi sot këtu së bashku, për të folur shumë më tepër për të tashmen dhe të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht për atë që Labinoti, Naimi dhe kolegët e tyre, me një terminologji sportive e kanë klasifikuar si finalen e madhe të bisedimeve të Brukselit.Mendoj se në politikën dhe në shoqërinë kosovare ende kemi një pajtim të gjerë, që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë dhe duhet arritur marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obliguese, është interes nacional i Kosovës, që nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare.
Në këtë proces, ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, që t’i hapim udhë Kosovës të jetë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo.Ne si gjeneratë kemi arritur shumë.Kosova u çlirua. Kosova u bë shtet i pavarur.Por, rrëfimi për Kosovën i këtij brezi, nuk mund të marrë atë trajtën finale pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO.Prandaj, përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.Sidoqoftë, kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë, është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullakimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’, në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.Në anën tjetër, javëve të fundit, si President i Kosovës kam pas shumë takime, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë kryeqendra perëndimore, me politikanë dhe diplomatë të shteteve kryesore perëndimore, me qëllim që të ofrojë vizionin e Kosovës për fazën përfundimtare të bisedimeve të Brukselit, por edhe për të kuptuar se cilat janë qëndrimet e shteteve që janë partnere të Kosovës në çlirimin, pavarësimin dhe stabilizimin e Kosovës si shtet.Jam i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.Kjo më sjellë edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilët janë skenarët e mundshëm përpara?Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë ‘Status Quo’ apo njëlloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.Kemi pasur, realisht, në dy vjetët e fundit, përkeqësim dhe jo përmirësim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut të dialogut të Brukselit.Prandaj, konsideroj se skenari i parë nuk i konvenon Kosovës, por as rajonit tonë.Në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë së përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë.Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë kornizë kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Sa i përket përmbajtjes së vetë marrëveshjes, ajo tashmë njeh një ‘kod’ të vetin politik dhe diplomatik, me titullin e një ‘marrëveshjeje ligjërisht obliguese’.Për ne në Kosovë, kjo marrëveshje ka peshën e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.Kjo marrëveshje, pastaj me terminologjinë e saj precize dhe të qartë do të duhej të mundësonte që Kosova të bëhej shtet anëtar i OKB-së, i OSBE-së dhe i të gjitha organizatave ndërkombëtare.Marrëveshja ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së, si dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO.Por, pyetja fondamentale që ngritët në këtë rast është se a do të jetë e gatshme Serbia për një marrëveshje të tillë dhe nëse po, atëherë çfarë kompromisi do të kërkojë nga Kosova?
Korrektimi i kufijve, e kam thënë disa herë që është një opsion që bartë me vete shumë rreziqe, të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje.Ne konsiderojmë se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari.
Më në fund, ne besojmë që BE-ja dhe SHBA-ja së bashku, do të duhej të jenë garantues, jo vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje të madhe, por edhe të zbatimit të saj, me afate shumë konkrete kohore dhe me mekanizma ndërkombëtarë të verifikimit të implementimit të saj.E dimë pra çka duam si Kosovë dhe, po ashtu, e dimë që më nuk mund të shtyhet, as të zvarritet, përfundimi i bisedimeve me Serbinë në Bruksel.Por, nëse këtu do të jem krejt i sinqertë me ju, unë jam i vetëdijshëm për të gjitha rreziqet politike dhe të sigurisë që janë përcjellës të rëndomtë të këtyre proceseve të rënda në finalen e tyre.
Ky do të jetë një proces shumë i vështirë. Por, nuk ka alternativë.Dhe rreziku më i madh i mundshëm, kërcënimi më i madh i mundshëm, është ai i moskryerjes së detyrimit tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.E thashë edhe më herët dhe po e përsëris edhe një herë krejt në fund të fjalës sime.Bisedimet me Serbinë, ashtu siç e kanë bërë bashkë politikën kosovare në Konferencën e Rambujesë dhe në Procesin e Vjenës, do të duhej të na bashkonin edhe tash në finalen e Brukselit.Kjo është zgjidhja më e mirë për politikën kosovare, sepse ky unitet politik është i domosdoshëm nga ana e jonë, për të ofruar të gjitha garancitë e duhura për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes ligjërisht obliguese me Serbinë.
HARADINAJ:Finalja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja reciproke/
-Pjesëmarrës në konferencë edhe ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Greg Delawie/
PRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se finalja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke.
Kryeministri Haradinaj fillimisht kujtoi masakrat në Kosovë, duke thënë se gjatë gjithë kësaj jave janë kujtuar të vrarët dhe të masakruarit gjatë luftës në Krushë, Celinë, Rezallë, Pastasel, apo edhe në komuna tjera, dhe se askush nuk duhet ta harrojë se Kosova ka ardhur këtu përmes një dhimbje shumë të madhe dhe është Kosova ajo që e ka tejkaluar vetën për t’i dhënë epilog një situate të tillë.
“Nuk është një incident, një ditë, një akt. Janë plagë që janë në zemrën, mendjen dhe në ndjenjat e shumë njerëzve. Kosova dhe institucionet e saj kanë dhënë të gjitha provat për të tejkaluar çdo gjë për të ecur përpara. Atëherë, çfarë ka munguar në këtë proces Kosovë-Serbi për të cilin janë bërë dy dekada dhe nuk po mbyllet? Nuk ka munguar Kosova, sigurt jam”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këtë proces kanë munguar ata që janë vendimmarrës.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se energjia e madhe e Uashingtonit që ka ekzistuar për ta ndaluar luftën, tani është deleguar te evropianët, e këta të fundit, siç janë të ngadalshëm e të ndarë, po e ngadalësojnë këtë proces.
Me këtë rast, kryeministri shprehu shqetësimin pse edhe pas dy dekadash çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e hapur. Ai tha se nuk duhet të na vijë turp për t’ju thënë hapur se nëse nuk kanë kapacitet të kërkojnë ndihmë.
“Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çka të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, theksoi kryeministri Haradinaj.Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se gjatë kohës sa është në krye të qeverisë ka parë një shpërputhje në energjinë e Brukselit për çështjen e mbetur hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë drejtim duhet të ndryshojë diçka.Sa i përket marrëveshjeve, kryeministri tha se disa nga to janë zbatuar dhe janë disa rezultate reale, por në disa të tjera ka ngecje, siç është me marrëveshjen e energjisë.“Këtu shihet dobësia e Brukselit zyrtar. Brukseli zyrtar lejon që të ndodhin shumë veprime jo ligjore në fushën e energjisë, përkatësisht në veri dhe rreth Kosovës, në investime, në transmision dhe nuk e ka fuqinë t’i thotë Beogradit se nuk ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë. Ne humbim kohë, veprojmë, punojmë dhe në fund duhet të marrim mjete nga buxheti për të mos lejuar të degradojë gjendja më tutje”, tha kryeministri, duke theksuar se ka kërkuar 4 milionë euro nga BE-ja për të mbijetuar ketë situatë edhe për një kohë. Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se mosgatishmëria e dikujt për ta marrë rolin nuk do të thotë se e ndalë Kosovën, ngase ka pasur edhe etapa tjera kur vendimmarrësit nuk e kanë pasur këtë gatishmëri, por Kosova ka ecur rrugës së vet.
Duke folur për rrugën e Kosovës në të gjitha proceset, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka kohë të presë pafundësisht dhe shtoi se nuk ka nevojë për shumë kreativitet sepse finalja e këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke.
“Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde, dhe kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin vetën se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë. Pra duhet të vijë një ditë e të na thotë dikush vendosni për vete. Ky është një realitet që duhet ta kuptojmë, sepse kanë kaluar dy dekada, 20 vjet në Evropë dhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun. Deri kur?!”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se duhet të ketë unitet politik e institucional dhe të gjithë udhëheqësit politik është mirë të jenë pjesë e dialogut.Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile./b.j/