Nga Frank Shkreli/Fjala është për ish-kolegjin saverian, sot gjimnazi privat “Atë Pjetër Meshkalla” – Shkodër. Me titullin, “Shqipëria: Si Shën Injaci bashkon të Krishterët dhe Myslimanët”, gazeta e njohur italiane, La Stampa e Torinos shkruan mbi bashkjetesën paqësore midis të krishterëve dhe myslimanëve shqiptarë, mbi edukimin që ofron ky gjimnaz klasik që drejtohet nga jezuitët, mbi entuziazmin e studentëve, mbi rolin e Papa Françeskut si dhe për lumturimin, këtë fund jave, të 38-martirëve shqiptarë.
Korrespondentja e gazetës La Stampa, Kristina Uguccioni njofton nga Shkodra lexuesit e vet se ndër 38-martirët e regjimit komunist të Enver Hoxhës që do të lumturohen janë edhe tre jezuitë, Atë Gjon Fausti, Atë Daniel Dajani dhe vëlla Gjon Pantalia. Mbrëmjen e datës 31 dhjetor, 1945, Atë Gjon Fausti (zëvendës provincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian dhe i Seminarit) u arrestuan. Pas një procesi të rremë u pushkatuan të dy më 4 mars, 1946. Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia, përgjegjës i Shtypshkronjës “Zoja e Papërlyer”, i cili pasi u torturua mizorisht, vdiq në shtator të vitit 1947. Ndër të tjera, At Gjon Fausti njihej edhe si studiues i Islamizmit i cili i kishte kushtuar vëmendje të posaçme dhe kohë të konsiderueshme dialogut midis të krishterëve dhe myslimanëve, ndërkohë që kishte botuar edhe një numër shkrimesh në lidhje me këtë subjekt.
Gazeta La Stampa shkruan se pas periudhës së zezë të regjimit komunist, shkolla e mesme u rihap nga Jezuitët në vitin 1998 dhe mori emërin,”Pjetër Meshkalla”, është emri i një jezuiti shkodran i cili për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin komunist, u bë simbol feje, kulture dhe lirie. Shkolla e mesme “Pjetër Mëshkalla”, e cila, sipas gazetës italiane konsiderohet si një qëndër e shkëlqyeshme arsimi me standarde europiane, ka gjithsejt 500 studentë të moshave 15-18 vjeçare që i përkasin fesë katolike, myslimane, evangjeliste dhe ortodokse.
Ndonëse shkollë katolike, në radhët e 48 arsimtarëve të saj ka edhe të tillë që i përkasin fesë myslimane, shkruan La Stampa, si për shembëll 30-vjeçarja Alda Laska e cila jep biologjinë, si edhe 28-vjeçarja Dorela Smajli e cila jep matematikën. Alda shpreh respektin e thellë që ka për jezuitët që drejtojnë shkollën, “për frymën dhe entuziazmin e tyre që është shëmbëll… për kushtimin e tyre ndaj përhapjes së diturisë, përfshirë njohuritë shkencore, por edhe për jetën shpirtërore të studentëve.” Ndërsa Dorela shprehet për gazetën italiane se, “Ne vlerësojmë metodat e mësimdhënjes të kësaj shkolle si dhe regullat e mira dhe disiplinën të cilat ndihmojnë në formimin e studentëve të bëhen burra dhe gra të përgjegjëshme për familjen dhe shoqërinë në të cilën jetojnë…Ne vlerësojmë objektivat e etërve jezuitë në përpjekjet e tyre për të edukuar rininë tonë në kultivimin e aftësive të tyre, ashtuqë ata të mund t’u shërbejnë të tjerëve dhe të ndihmojnë njëkohsisht edhe përparimin e shoqërisë”, ka thënë mësuesja Dorela Smajli.
Ndërsa Drejtori i gjimnazit, “At Pjetër Meshkalla”, 42 vjeçari At Roni Alessio tha se programi arsimor i shkollës bazohet në parimet e Shën Injacit, themeluesit të Jezuitëve, e që fokusohet në të gjitha fushat e zhvillimit personal të studentëve, për të siguruar sipas tij, që studentët të kenë një bazë të fortë dhe solide intelektuale, por që të jenë gjithashtu të balancuar nga pikpamja emocionale dhe që të jenë të aftë të gjykojnë, të jenë të përgjegjëshëm ndaj vetes dhe të tjerëve dhe që të përdorin talentet e tyre në shërbim të tjerëve, ka thënë për La Stampa drejtori i shkollës, At Roni Alessio. Ai ka theksuar gjithashtu se studentët e kësaj shkolle, çdo vit, marrin pjesë në aktivitete shoqërore për të ndihmuar më të nevojshmit e shoqërisë, përfshirë edhe pjesmarrjen në projektin që mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë, projekt ky në të cilin marrin pjesë edhe shkollat myslimane, me qëllim identifikimi të praktikave që mund të promovohen për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të zgjidhë problemet me të cilat ajo përballet sot. At Roni Alessio shtoi se studentët e krishterë dhe myslimanë, në gjimnazin që ai drejton, shkojnë jashtzakonisht mirë me njëri tjetrin dhe interesohen të mësojnë për fenë dhe traditat fetare të njëri tjetrit. Ne të rriturit, tha ai, përpiqemi tu ndihmojmë atyre të kuptojnë më mirë besimet dhe fenë e të tjerëve, duke shtuar se, “Mësuesit shqyrtojnë karakteristikat themelore të secilës fe dhe gjatë këtij procesi identifikojnë elementët që mund të formojnë bazën për një dialog të frutshëm dhe pozitiv” midis tyre.
Arsimtaret Alda dhe Dorela kanë thënë për gazetën La Stampa se marrëdhëniet ndërfetare në Shkodër dhe në mbarë vendin në përgjithësi janë shumë të mira dhe karakterizohen nga një frymë respekti dhe bashkpunimi të ndërsjellët. Ne besojmë, u shprehën ato për gazetën italiane, se gjimnazi At “Pjetër Meshkalla”, ku ato japin mësim, “Si një institucion që është, luan një rol kyç në këtë atmosferë bashkjetese paqësore”, midis shqiptarëve.Ndërsa Drejtori i shkollës jezuite në Shkodër, At Roni Alessio i dha La Stamapës vlerësimin e tij të harmonisë fetare midis shqiptarëve duke thënë se, “Këtu në Shqipëri, atmosfera paqësore që dallon marrëdhëniet midis burrave dhe grave që i përkasin feve të ndryshme të këtij vendi, nuk janë as fals as nuk janë formalitet, por ato rrjedhin nga pranimi i diversitetit dhe ndryshimeve që ekzistojnë, ndërkohë që dallimet që ekzistojnë nuk mohohen, por njihen dhe pranohen si të tilla… Ndryshimet nuk nënkuptojnë medoemos abuzimin dhe dhunën, por janë fillimi i një realizimi të një objektivi për të gjetur rrugë të reja bashkpunimi që garantojnë përparimin e komuniteteve të ndryshme, në një mënyrë të drejtë dhe bashkarisht duke komunikuar dhe duke dëgjuar me respekt pikpamjete e njëri tjetrit.”
Në lidhje me vizitën e fundit të Papa Françeskut në Shqipëri shtatorin e vitit 2014, Drejtori i gjimnazit jezuit të Shkodrës, Atë Roni u shpreh për gazetën La Stampa se, “Megjithse ishte një vizitë e shkurtë, vizita e Atit të Shënjtë tregoi kujdesin dhe interesimin e tij të madh për këtë vend. Papa Françesku po ndihmon këtë Shqipërinë që të njoh rolin që ky vend mund të luaj jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe në Europë. Duke u gëzuar për harmoninë dhe bashkjetesën fetare që ekziston midis feve të ndryshme dhe duke konsideruar këtë bashkjetesë si një përfitim me shumë vlerë për vendin, Papa Françesku mbështetë fuqishëm dialogun ndërfetar dhe rrugën që ka ndërmarrë kombi shqiptar”, përfundoi komentet e tija për gazetën italiane La Stampa, At Roni Alessio. Ndërsa mesueset e gjimnazit jezuit të Shkodrës, Alda dhe Dorela e vlerësuan vizitën e fundit të Papa Françeskut në Shqipëri si një vizitë që u mirëprit nga i mbarë vendi, ndërsa u shprehen se lumturimi këtë fund jave në Shkodër i 38-martirëve të Kishës Katolike është për ‘to një burim frymëzimi, i thanë ato gazetës La Stampa. “Për faktin se ne vazhdojmë të besojmë në këtë vend dhe se njëkohsisht po përpiqemi të bëjmë më të mirën q[ mundemi për vendin tonë, për këtë ne i kushtojmë pjesërisht falënderimet dhe mirënjohjen tona këtyre burrave si dhe dëshmisë së tyre të sakrificës, mëshirës dhe guximit”.
Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri. Një deklaratë e tillë, nga dy protagonistet kryesore të artikullit të gazetës italiane La Stampa, Alda Laska dhe Dorela Smajli, shqiptare të fesë myslimane dhe mësuese në gjimnazin jezuit, “Pjetër Meshkalla” në Shkodër, na bën krenarë dhe na frymëzon se Shqipëria dhe shqiptarët si gjithmonë gjatë historisë, do të kenë burra dhe gra si Alda dhe Dorela, se megjithë vështirsitë e momentit, me sakrifica dhe guxim, do të vazhdojnë të punojnë për të mirën e përbashkët kombëtare, në harmoni dhe bashkjetesë me njëri tjetrin, megjithë dallimet fetare dhe politike që ekzistojnë. Ah, sikurë harmonia dhe bashkjetesa fetare të transferohej edhe në fushën politike! Për kombin shqiptar nuk do të kishte dhuratë më të madhe në këtë etapë të historisë së tij!