![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/01/30966067_1637449836304641_1194884787_o-1-1024x683.jpg)
Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 27 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika
Shpëtoni ushtarin Harris. Ku ka humbur e shkëlqyera Kamala, luftëtarja që duhej të ishte udhëheqësja e vërtetë e Administratës Biden, ose së paku shpresa e s’ardhmes? Pritmëritë rreth nënpresidentes qenë të pamatëshme në kohën e emërimit të saj. I moshuari Joe quhej i dërmuar që në nisje, ajo duhet të përfaqësonte gjithë risinë dhe një ngarkesë të fuqishme energjie.
Ndërsa qe e para që u fundos në hulumtimet e nuk ka reshtur kurrë: bën më keq se vetë Biden-i. Është më pak popullorja e të katër nënpresidentëve të fundit. Mediat kanë përmbysur tregimin mbi të, sot flasin për të si për një inkompetente (nuk studjon dosjet), arrogante, herë herë histerike. Seksizmi është I bollshëm në komentet dhe ajo ankohet me bashkëpuntorët, duke rrëfyer se do t’ishte trajtuar ndryshe nëse do t’ishte një mashkull I bardhë. Por janë një fakt ikjet nga stafi i saj. Harris krahasohet me Dan Quayle, zëvendësin e Georg Bush i Vjetri, legjendar për gafat e tij; ose “tuafen” Sara Pahlin që si shpatull e John McCain-it qe gazi i satirës.
Alarmi për shëmbjen e Harris lind një rrahje mendimesh të parakohëshme mbi rikandidaturën e Biden-it. Dukej i sigurtë se ai do t’ishte president i vetëm një mandati: do të jetë 82 vjeç në rizgjedhje. Është e vërtetë se ai do të kishte qënë i pari president që nuk do të rikandidohej nga koha e Lyndon Johnson-it, i shkatërruar nga lufta në Vietnam më 1968; por faktori moshë peshon së bashku me atë kthjelltësi që nuk është gjithmonë në 100 %. I zhdukur “plani B”, pra mundësia Kamala, sot krerët e partisë bëjnë sikur i besojnë pohimit të Shtëpisë së Bardhë (plaku Joe do të përsërisë). Dhe lista e emërimeve ka kaluar në “planin C”, duke lëshuar kandidatë si Pete Buttigieg ose Mitch Landrieu. Jo rastësisht ata mbarështojnë planin e madh që Biden-i arriti t’a bëjë të miratohet nga Kongresi, njëmijë miliardë investime në infrastrukturë.
Ajo që mbetet nga rendi i ditës i reformave ka marrë një goditje të përsosur. Një senator demokrat i moderuar, Joe Manchin i a mohoi votën e tij – vendimtare – Build Back Better, planit të stërmadh të dymijë miliardëve për kalimin në xero ndotje mjedisi e për të ndërtuar një Welfare “evropian”. Harris u pyet nga një gazetar i njohur televiziv afroamerikan, Charlamagne Tha God, me një pyetje tallëse: “Kush qeveris Amerikën? Biden-i apo Manchin-i?” Zëvendësja u tërbua, disa muaj më parë quhej ajo udhëheqësja në pritje mbas hijes së Biden-it. Vetoja e Manchinit shënon një dukuri më të gjërë, me pasoja të mundëshme mbi gjithë botën: në partinë demokratike ka filluar kryengritja e qëndërsorëve dhe ka mbaruar epoka e harxhit publik të lehtë. Amerika i ka dhënë mësim të gjithë Vëndeve perëndimore, për rezervat e pamasa publike të vëna në shërbim gjatë pandemisë. Rigjallërimi i ekonomisë dhe ringjallja e inflaksionit, mbajnë shenjën e atyre politikave keineziane të vëna në jetë me një vazhdimësi të përsosur nga Donald Trump-i dhe Biden-i. Tani ai kapitull mbyllet. Lufta kundër inflaksionit kthehet në një përparësi të bankës qëndrore. Demokratët duhet të shndërrojnë mesazhin e tyre. Një hemoragji votash i kërcënon ndërmjet të rinjvet: dyshja Biden-Harris kishte premtuar një falje të borxheve universitare (dhjetëmijë dollarë për kokë) që nuk mund t’a mbajnë. Shëmbja e Kamalës ka një mbrapaskenë të fshehtë, të rrënjosur thellë në partinë demokratike. Mediat përparimtare i kthyen krahët nënpresidentes në qershor. Galeot qe udhëtimi i saj në Amerikën qëndrore. Biden-i i kishte besuar një nga dosierët më shpërthyes: krizën e mërgimtarëve, trysninë e të ikurve në kufirin e Jugut. Mesazhi i Harris qe ”t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre”. Përdori fjalë t’ashpëra, “qëndroni sepse nuk ju mirëpresim”. Qe një misjon i vështirë por i domosdoshëm. Shtëpia e Bardhë kishte nevojë të kundërshtonte mesazhin skajor të së majtës “no border”, mbasi udhëheqësja radikale Alexandria Ocasio Cortez kishte shpallur shfuqizimin e policisë së kufirit. Aq më shumë me milionë të papunë dhe kovidin në pritë, lejimi pa cak i hyrjeve do të kishte qënë një vetëvrasje politike për demokratët. Biden-i është kujtesa historike e së majtës klasike, socialdemokrate dhe puntore: klasat puntore amerikane kanë qënë të mbrojtura më mirë kur kufijtë ishin gjysëm të mbyllur dhe emigracioni qeverisej.
Kur Harris u flijua për këtë çështje, e majta e partisë së saj e pa si një tradhëtare. U shkri mëdyshja që kishte shënuar emërimin e saj. Biden-i kishte zgjedhur Harris-in për arsye thjesht estetike: grua, pesëdhjetëvjeçare, që rridhte nga dy pakica etnike, hindiane dhe afroamerikane. Ishte krejt e kundërta e presidentit, mashkull, i bardhë, i vjetër, katolik. Prandaj ajo ishte “revolucionare” për përcaktim. Harris e vërtetë nuk i përgjigjej këtij stereotipi. Nëna e saj vinte nga Hindia, por nga kasta e privilegjuar e braminëve tamil dhe ishte një punonjëse shkencore e shkëlqyer në universitetin e Berkeley-t. I ati ishte xhamaikan , por një ekonomist i njohur, një akademik në zë. Si ministre e Drejtësisë në Kaliforni, Harris kishte dhënë dënime të ashpra kriminelëve, në kundërshtim me prokuroritë përparimtare. Harris i ishte huajtur një shtirjeje duke lëvduar Black Lives Matter, #Me Too e të gjitha rrymat radikale të së majtës. Biografia e saj i përgjigjej një tregimi krejt tjetër: historia e prindërve të saj është apoteoza e një American Dream të ndërtuar nga elita të mërguarish të mbikualifikuarësh, që bëhen klasë drejtuese dhe vënë në jetë rregullat e lojës anglosaksone; e kundërta e ideologjisë së sotme të korrektësisë politike. Kundër Kamalës është derdhur hakmarrja e atyre që janë ndjerë të tradhëtuar, sepse ajo nuk është pasionaria mbi të cilën kishin vënë bast. Ndoshta është vonë për t’a bërë t’i përshtatet atyre të moderuarve të qëndrës që po rreken të ripushtojnë partinë.
Mungojnë dhjetë muaj nga legjislativet e mesit të mandatit. Do të duhej një kthim i padëgjuar i klimës politike për të shpëtuar shumicën demokratike në Kongres. Në rast të kundërt do të vërtetohet çmëndurimi i rrethit politik amerikan: votuesit zgjedhin një president për katër vite, por mbas vetëm një dyvjeçari i heqin atij shumicën parlamentare e së bashku me të çfarëdo veprimtarie të qeverisë. Lapidar ky gjykim i Matt Lewis në Daily Beast: “Nëse është Kamala Harris pengesa e fundit ndërmjet nesh e një Trump-i të dytë, atëherë Zoti na ndihmoftë”.
“Corriere della Sera”, 27 dhjetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika