Prozë poetike nga VJOLLCA PASKU/
Jetoj në faqen tjetër të diellit djegës…Brigjet e detit , malet, qytetin tim i shoh përtej kapakëve të mbyllur të syve të mi .Dridhma ime vibron në mallin e zemrës.Bebezat e syve lëvizin si varkë diellore,të kërkojnë folenë atërore.Frymarrja ime urdhëron erën!
– Erë moj,sillmë një degë ajri nga Atdheu im, fletëz të shtrihet në pëllëmbën time ta mbështjellë me mall, dredhur si cigare, e ta ndez menjë yll. Antenat e tymit, t’më fluturojnë largë…largë në qiellin e heshtur të vendit tim.
Oh…Vetëm para teje gjunjëzohem Atdheu im.
Lotët e mi, bien në thithkat e zhuritura të tokës .Buzët i njom me puthjen e baltës së ëmbël.Ndiej kundërmimin e bukës së varfër, pjekur në saçin e prushit të vuajtjeve të ashklave të ditëve të kaluara.Pragu i vjetër më buzëqesh me kolovitjen e kores së dalë boje prej viteve.Muret e shtëpisë, ndrijnë nga shpresa se do lirohen nga myku, parazit i ajrit të burgosur. Nga dritarja hyjnë copëza kaltërsie, shkëputur nga fizarmonika e qiellit.Vesa e ngrirë nëpër lulet e fshehura, shkrihet nga rrezja e gëzimit, dhe në kopësht lind hyjnesha pranver.Lotët e ullirit që kishte mbjellë babai derdhin vajin buburues nga shtrydhja e psherëtimave nëpër kanistrat e pritjes.Pas ngashërimit të përbaltur, pusi rjedhë gjithë gaz, kristalinën e retinës së tokës.Pëllumbat mbi çati gugasin niseshtenë e dritës dhe krahët e tyre gëzueshëm vizatojnë vetullat e bardha ditës.
Vetëm orët e tanishme po më mërdhijnë..Harta e yjeve digjet dhe tymi i agimit hapet në qiellin bosh..Kundërmimi i plagës së mallit ngjitet në re, dhe sytë e mi kërkojnë një copëz nga plaçenta e diellit tim.Shpirti im shtegëtar kalëron me flokët e erës udhëtare në yllin e mëngjesit. Perlat e shpresës lundrojnë si elementet e kuq në dejet e mia, në drejtimin e Atdheut tim.