Shkruan: Prof.Dr.Vebi Xhemaili/
Hasani u lind në vitin 1878 në qytetin e Vushtrrisë (Vuçitërnë) Gjyshi i tij, Ali Berisha. Deri në vitin 1908 ai njihej me mbiemrin ’’Polaci’’, dhe Vuçitërni, ndërsa pas atij viti, zgjidhet deputet i Prishtinës, që atëherë, njihet me mbiemrin ’’Prishtina ’’. Ka mendime që Hasan Prishtina deri në vitin 1908 është quajtur Berisha.[1] E ëma ishte një bijë nga Drenica. Ahmeti kishte dy djem: Hasanin dhe Ymerin. As i pari, as i dyti nuk lanë trashëgimtarë, Hasan Prishtina kohën e vrasjes, jetonte në Selanik vetëm me nënën.[2]
Lëvizja kombëtare e popullit shqiptar mori dimensione të gjera dhe formë të organizuar nga mesi i vitit 1908, kur u lidh fuqishëm me Lëvizjen Xhonturke. Fakti se Nijazi beu një ndër udhëheqësit kryesor të revolucionit të Turqve të rinj ishte shqiptar, falë autoritetit të tij shumë shqiptarë kanë marrë pjesë në këtë lëvizje e cila më vonë u shëndrua në revolucion të armatosur. Në këtë kohë gati tërë Lëvizja kombëtare shqiptare ishte afruar dhe ndihmonte me të gjitha format Lëvizjen xhonturke, duke shpresuar se pas ardhjes së tyre në pushtet do të largohej rreziku i agresionit të jashtëm për tokat shqiptare. Në këtë kohë Lëvizja kombëtare ishte e bindur se populli shqiptar do të fitoj autonominë në kuadër të Perandorisë Osmane. Prandaj shqiptarët në lëvizjen xhonturke u inkuadruan me tërë forcat veta dhe ishin faktor me rëndësi në këtë revolucion.
KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS NË PARLAMENT
Pas shpalljes së kushtetutës, në vjeshtë të atij viti, turqit e rinj bënë zgjedhjet parlamentare. Hasan Prishtina u zgjodh deputet në Prishtinë. Gjithsej u zgjodhën 27 deputetë shqiptarë nga të katër vilajetet, por mjerisht, vetëm katër prej tyre u aktivizuan seriozisht për çështjen kombëtare shqiptare: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja dhe Hasan Prishtina, këta u angazhuan deri në fund në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.[3] Të tjerët i mbyti fanatizmi, assesi të çliroheshin nga osmanizmi. Hasan Prishtina deklaronte :”qëllimi i vetëm i Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare është me sigurue shpëtimin e kombësisë sonë…dhe me shpëtue Shqipninë nga fatkeqsinat e mjerimit qi ka heq dorë sot.[4]
Oratoria e mbrehtë, temperamenti i tij në parlamentin turk tregojnë se ky ishte i përgatitur dhe i gatuar me frymën kombëtare, liridashës i popullit të tij. Ky burë i palodhshëm në parlamentin turk, duke luftuar si burrat për lirinë dhe kulturën e popullit të vetë pati plot sfida në jetën e përditshme, por gjithmonë ishte kryelartë, pasi pranë vetes pati edhe në momentet më të vështira, më kritike të shoqen Iballën deri në vdekjen e saj. Hasan Prishtina Kaloi një jetë të rëndë të mundimshme me plot sakrifica. Gjatë kohë ishte i përndjekur, i burgosur, i mërguar, i dënuar në mungesë me vdekje mbi 12 vjet, si nga qeveria xhonturke, jugosllave, poashtu edhe nga qeveria e Ahmet Zogut. Hasan Prishtina kurë nuk ka pasur frikë nga kanosjet, përfshirë këtu edhe jetën. Ky ishte i mëshiruar me luftën e popullit shqiptar për liri demokraci e pavarësi, ai ishte i përgatitur për lutë si me pendë poashtu edhe për armë.
KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS PËR SHKOLLAT SHQIPE
Pas shpalljes së Kushtetutës në vitin 1908, qeveria u detyrua, në fillim, t’i lejojë shqiptarët të hapin disa shkolla në gjuhën shqipe, të krijojnë klube, të shtypin gazeta në qendrat kryesore të vilajeteve. Hasani u përpoq në maksimum që të hapen sa më shumë shkolla e klube shqiptare në Kosovë, ku bënte pjesë edhe Shkupi. Ai dha një kontribut të madh për organizimin e kongreseve, si atë të Manastirit më 1908, për krijimin e alfabetit me orientim latin, që kundërshtohej nga qeveria osmane, të cilës i parapëlqente vetëm alfabeti arab. Për themelimin shkollave shqipe kombëtare në Kosovë (Shqipëria Lindore), ndihmesë të madhe ofroi Klubi shqiptar i Shkupit i themeluar me iniciativën e Hasan Prishtinës në vitin 1908.[5]
Ndërsa vetë, Hasan Berisha (Prishtina), ishte një ndër anëtarët më autoritativ të Klubit Shqiptar Qendror “Bashkimi”, të Stambollit, ku Hasan Prishtina luante rolin e organizatës qendrore për Shqipërinë. Ai përfaqësonte Vilajetin e Kosovës, ndërsa detyra parësore e këtij klubi ishte të punonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për arsim kombëtar shqiptar.[6]
Me këmbënguljen e Hasan Prishtinës, në gjimnazin e Shkupit u fut edhe gjuha shqipe si gjuhë më vete, me profesorë Bedri Pejanin e Sali Gjyka. I pari ishte edhe mësues dhe mbante edhe postin e drejtorit të Idadies, ndërsa Sali Gjuka ishte mësues dhe njëherrit edhe drejtor i Normales së Shkupit. Por politika xhonturke i largoi nga procesi mësimor si të papërshtatshëm për politikën që ushtronin xhonturqit, Hasan Prishtina protestoi ashpër për largimin e mësuesve shqiptar nga procesi mësimor. Hasan Prishtina në këtë kohë ishte plot vizion për çlirimin e kombit, prandaj ai insistonte “Në zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare e cila do të krijonte kushte për çlirimin Shqipërisë Etnike. Hasan Prishtina i indinjuar thellë në vendimet e padrejta antishqiptare të ministrisë të Arsimit të Qeverisë turke. Ky me një letër fton të gjithë nëpunësit shqiptarë të Anadollit që me nga një rogë të ndihmojnë shoqërinë “Përparimi”, për shkollën Normale. Poashtu këtë veprimtari kombëtare për shkollën shqipe të Hasan Prishtinës, shkruan edhe Faik Konica në gazetën “Flamuri”.[7]
Hasan Prishtina ishte kolos i shkollës shqipe për arsim kombëtar. Ai filloi programin e kongresit të Elbasanit ta jetësonte në praktikë. Ky në kazanë e Gjilanit vendosi të hapë tri shkolla shqipe, me mjetet e veta. Një e kishte hapur që më parë në vendlindje, në Vushtri dhe një tjetër në Polacë të Drenicës.[8] Këtë aktivitet kombëtar hasni e vazhdoi duke hapur shkolla të reja një në Moravë dhe një në Gjilan dhe një në Pozharan.[9]
Hasan Prishtina arsimin kombëtar e konsideronte si detyrë të shenjtë të çdo shqiptari. Prandaj shpesh deklaronte:” pa arsimin kombëtar një komb si ky i yni mund të shkrihet”. Prandaj Hasan Prishtina u zotua të japë 5% nga të gjitha të ardhurat që ka në vit.[10] Me këto të holla që ky atdhetar i kishte ndarë për arsimim kombëtar nuk ishte i vogël, me këto mjete ai mund të mbante nja dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe ti shkollonte në Normalen e Elbasanit më se 60 nxënës nga Shqipëria Lindore.[11] Ndihmat e mbledhura dhe paratë që shtiu vetë për normalen, e kaluan shifrën e 50 mijë lirave turke. Poashtu këtë kontribut të Hasan Prishtinës për shkollat dhe nxënësit shqiptarë e konfirmon edhe gazeta “Lirija” e Selanikut.[12]
Por për fat të keq të kërkesave të Hasan Prishtinës dhe patriotëve tjerë pushteti xhonturk në vitin 1910 e mbylli shkollën Normale të Elbasanit. Mbyllja e shkollave shqipe ishte zbatuar sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit ku thuhej: “Qeveria dha urdhër të mbyllen mësimoret në Shqipëri, për shkakun, se në këta u mësimi u epet me shkronja latine dhe pse mësuakan myslimanët shqiptarë të premten. Në këto rrethana ku sipas qeverisë turke ishin antikushtetuese u ndalua aktiviteti kulturor dhe u mbyll shkolla Normale e Elbasanit.[13] I pari ndër të parët që reagoi ashpër nga shqiptarët ishte Hasan Prishtina, i cili në parlament tha “të mos të ndalohet të hapurit e shkollave shqipe.[14] Pas këtyre protestave të deputetëve shqiptarë ministria e arsimit dha urdhër që të rihapen përsëri shkollat shqipe në katër vilajete. Për këtë u gëzuam shumë.[15] Normalja e Elbasanit u rihap përsëri më në vitin 1912.[16] Rihapja e shkollave shqipe, e klubeve shqiptare dhe e Normales së Elbasanit, shënon fitoren e fundit të luftës së gjatë legale diplomatike të Hasan Prishtinës në Parlamentin e turk. Por një herrit edhe fillimin e Kryengritjes të Shqipërisë Verilindore i cili ishte vetë udhëheqës.[17]
Hasan Prishtina për shkak të veprimtarisë patriotike nuk gjente rehati në asnjë vend evropian, ai tani më ndiqej edhe nga qeveria austriake, e cila i kishte përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në këtë kohë edhe Zogu pas forcimit të tij në pushtet, kërkonte nga shtetet fqinje që Hasan Prishtia të dëbohet nga vendet e tyre. Ky atdhetar i palodhshëm për bashkim kombëtar, kur e pa se iu ngushtua rrethi i veprimit në Shqipëri, vendosi të strehohet në Francë, por ishte larg vendlindjes. Ky për të qenë më afër rrethanave politike që në këtë kohë e kishte kapluar Kosovën u vendos në Selanik. Por edhe këtu ishte gjithmonë në vëzhgim të spiunazhit jugosllavo-zogist.
Më në fund pas katër atentateve të organizuara kundër tij, Hasan Prishtina u vra tradhtisht më 14 gusht 1933 në Selanik nga një doras i paguar nga Amet Zogu Ibrahim Qelo.[18] U vra në shërbim të atdheut të tij, në luftën e pa epur për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet të pavarur, të lirë dhe të bashkuar. Vrasja tradhtare e tij kishte lidhje sekrete edhe me qeverinë jugosllave, sepse ajo kishte frikë nga shkëputja e Shqipërisë Lindore.[19]
Vdekja e Hasan Prishtinës është një humbje e madhe për popullin dhe kombin shqiptar, siç shprehet Sami Frashëri, “Njeriun e bëjnë të pavdekshëm veprat e tij”.[20] Veprat e Hasan Prishtinës janë të përjetshme, do të jenë përherë shembull frymëzimi për gjeneratat e reja për të sakrifikuar veten, në luftë për liri e bashkim kombëtar. Prandaj Hasan Prishtina është meritor të qëndroj mbi kalanë e Shkupit, pasi ky kolos shqiptarë për këtë është meritor. I dha Shkupit më shumë se çdo shqiptarë tjetër deri më sot. Ndërsa tjerët që janë propozuar andej lumit Vardar, kurrë se kanë parë Shkupin, e për vepra të tyre në Shkup, mos të flasim, pasi e dinin se Shkupi gjithmonë ka qenë kryeqendra e shqiptarëve dhe u takon shqiptarëve.
Prandaj shatorrja Hasan Prishtinës duhet të shkëlqejë mbi kalanë e Shkupit, në një lartësi mbi 100 metra, që vepra e tij atdhetare gjithmonë të shkëlqejë mbi Shkupin, pasi flijoi çdo gjë për Shkupin dhe Shqipërinë Lindore. Me Krerët e Lëvizjes Kombëtare për shkaqe të jashtëzakonshme e pranuan autonominë në Shkup. Pasi në tetor filloi lufta, pavarësia u shpall në Vlorë, nga dora e Ismail Qemalit, sipas marrëveshjes paraprake me Hasan Prishtinën.
Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin përparimin, avancimin e arsimit kombëtar që shkriu tërë pasurinë e tij që kishte në Vushtri, Prishtinë, Shkup, Selanik, Stamboll e gjithkund.[21] Hasan Prishtina me veprimtarinë e tij do të jetë gjithmonë model frymëzimi për brezat e rij, u vra nga dora e tradhtarit, edhe pse shkriu tërë pasurinë e tij për bashkimin kombëtar. Ky u vra pse luftoi për zhvillimin arsimit kombëtar dhe çlirimin e Shqipërisë Verilindore nga sunduesit serbo-sllav, në luftë për bashkimin e saj me shtetin amë.
Prandaj ky burrë i madh i kombit, nuk krahasohet; as me të birin e Ahmet Delisë, as me figurën e Qemal Agollit, por as me Adem Jasharin i cili luftoi për Kosovën. Vetëm Hasan Prishtina luftoi në Shkup, për Shkupin dhe Shqipërisë Etnike.
[1] Familja Prishtina ka prejardhje nga fshati Polac i Drenicës, ndërsa kjo familje në Vuçitërnë erdhi nga Mikushnica, fshat afër Galicës dhe Lubovecit, të grup fshatrave të qytetit të Dubovcit.
[2] Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek për vrasjen e Hasan Prishtinës, “Rilinda”, më 12.X.1985.
[3] Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1994, f. 130.
[4] AQSH-Tiranë, F.418, Dos, 8, f. 9.
[5] Gazeta “Fjala”, Prishtinë 1969, f.16-17.
[6] Gazeta “Beogradske novine”, 28.VIII.2008.
[7] “Flamuri”, Boston 10, III, 1910, Tahir Abdyli…, vep. e cit. f. 79.
[8] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. f.300.
[9] Po aty.
[10] “Bashkimi i Kombit”, nr. 13, Manastir, më 3 dhjetor 1909.
[11] Tahir Abdyli, vep. e cit. f.69.
[12] “Lirija”, e Selanik, nr. 73, më 30 janar 1910.
[13] “Shqipeja e Shqipnisë”, nr.7, më 27 nëntor dhe nr.8, më dhjetor 1910.
[14] “Shkreptima”, nr.11, kajro, më 11(24), XII.1910.
[15] AQSH-Tiranë, Fond. 37, dos, 7, f. 20.
[16] Gazet “Shkupi”, nr.33, 1(14), prill 1912.
[17] S.Kulçe, Osmanli tarihide, Izmir 1944, f. 412-440.
[18] Ajet Haxhiu, v. e cit. f. 10; Hasan Prishtina u vra ditën e diel në ora 14 pas dite në rrugën Simski. Në varrimin e tij morën pjesë shumë shqiptarë, shumica ishin emigrantë shqiptarë, që kishin ikur nga regjimi i Ahmet Zogut. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Ky mjerisht pas vete nuk la asnjë trashëgimtar
[19] Gjerësisht Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina vep. e cit. f. 367.
[20] Sami Frashëri, Vepra, Prishtinë 1978, f. 15.
[21] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. 241.