Dr.Nikollë Loka/
Hoxhë Hasan Tahsini ishte intelektual aktiv, drejtues i lobit shqiptar në Stamboll i cili, duke nisur nga viti 1867, përpiqej për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai ishte i pari që përhapi në Perandorinë Osmane shkencat natyrore dhe ligjet e gjithësisë, por edhe i pari që përhapi në popullatën shqiptare idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. Në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, hyri si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX.
Hasan Tahsini, (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 7 prill të vitit 1811. Osman efendiu, i ati i Tahsinit, ishte njeri i arsimuar, me kulturë të gjerë , njohës i mirë i filozofisë dhe i letërsisë islame. Mësimet e para të birit ia dha në medresenë më të mirë të zonës, në atë të fshatit Pandalejmon dhe më pas në medresenë e Mustafa Pashë Bushatlliut në Shkodër. Shkollën qytetëse dhe atë fetare e vazhdoi në Janinë, dhe më pas, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet në Medresenë “ Fatih”, një ndër më të njohurat e Stambollit. Në atë qytet ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih” dhe ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetar me emër, hoxhë Mustafa efendiu prej Vidìni i dha cilësimin: “Tahsin” (i pëlqyeshëm, i lëvduar, shembullor), qw e mbajti gjatw gjithw jetws. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësues) të filozofisë dhe të matematikës po në atë medrese.
Nw moshw tw re, Hasan Tahsini ishte mësues privat i fëmijëve të Hajrullah Efendiut, Ministër i Arsimit i Perandorisë Osmane. Hajrullahu e emëroi pas diplomimit në shkollën osmane në Paris, duke qenë edhe imami i ambasadës osmane në kryeqytetin frëng dhe njëherit student i matematikës e shkencave natyrore në Universitetin e Parisit.
Pasi studioi në Paris për shkencat natyrore dhe humane, Hasan Tahsini mori titullin Doktor i Kërkimit në Shkenca Fizike. Tahsini qëndroi 12 vite në Paris. Në mesin e shkurtit 1868, Tahsini u kthye në Stamboll, në përbërjen e grupit qeveritar që shoqëroi kufomën e ish Kryetarit të Këshillit të Lartë të Sulltanatit Osman, Mehmed Fuad Pasha, i cili vdiq në spitalin e Nisës, ku qe dërguar për shërim.
Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të barazpeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam. Megjithatë, në atë kohë kërkimet shkencore dhe liberalizmi pa rezervë i Tahsinit bëri që ai të sulmohej shpesh nga qarqet e ulemave konservatore. Sulmet kundër Tahsinit filluan kur ai kreu eksperimente për të ilustruar nocionin e vakumit për studentët e tij. Pas eksperimentit ai u shpall heretik përmes një fetvaje, u pushua nga universiteti dhe nuk lejohej të jepte leksione. Universiteti u mbyll gjithashtu për një periudhë sepse Jamal-al-Din Afgani, një tjetër profesor i ndikuar nga Tahsini, mbështeti teoritë e tij. Faktin pse ligjëratat e mbajtura nga Hasan Tahsini për shkencat e natyrës në Universitetin e Stambollit nuk ishin pëlqyer dhe ishin kundërshtuar nga disa qarqe fanatike islame të Perandorisë, studiuesi Iljaz Rexha e shpjegon me mungesën e dijes në shkencat e natyrës nga popujt që ishin nën sundimin osman (por edhe vetë qarqet vendimmarrëse nuk ishin me hapin e kohës). Sipas Iljaz Rexhës, “këto ishin arsyet pse këta popuj kishin mbetur jashtë rrjedhave bashkëkohore të kohës”.
Pas ngjarjeve të hidhura dhe me prishjen e shëndetit, Hasan Tahsini mori një sërë udhëtimesh në Shqipëri, ndër të cilat vlen të përmendet ai i vitit 1873-1874. Gjatë këtij udhëtimi ai shkoi në Ninat, në Filat, Konispol e Delvinë. Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet në trajtën e një fletë palosje. Kështu në Filat, gjatë kohës që ai ndenji atje, shumë të interesuar mësuan prej tij të shkruajnë dhe të këndojnë shqip sipas abecesë që ai kishte formuluar vetë.
Në Delvinë Hasan Tahsini punoi së bashku me Naim Frashërin, i cili në këtë kohë ishte me detyrën e nëpunësit të doganës në Sarandë. Në Berat, nxënës dhe bashkëpunëtor i tij ishte Jorgji Karbunara, me të cilin përpiqeshin të hapnin këtu një shkollë shqipe. Në Tiranë ai strehohet në shtëpinë e patriotit Seit Toptani. Së bashku me Kristoforidhin që ndodhej aty, janë munduar të përhapin ndjenjat kombëtare shqiptare ndër muslimanët dhe të krishterët. Në Shkodër takohet me patriotët e atjeshëm: Zef Jubani, Isuf Tabaku etj. Hasan Tahsini ka qenë edhe në Dibër, Manastir dhe Vlorë. Në një dokument të gjetur në arkivat e Londrës dëshmohet se në vitin 1874 Hasan Tahsini arrestohet në Delvinë, sepse u predikonte lirinë kombëtare bashkëatdhetarëve dhe ka regjistruar cilido që përqafonte projektin e tij për lirinë e vendit.
Përpjekjet e intelektualëve shqiptarë për organizim dhe bashkëveprim kombëtar kishin filluar shumë më herët, sidomos tek ata që jetonin dhe vepronin në Stamboll, ku krahas Hasan Tahsinit, në vitet 1858-1875, dalin në skenën politike e kulturore Vaso Pasha, Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Jani Vreto, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, të cilët bënë përpjekje për formimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe të shoqërive kulturore. Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi duhet të kishin këtu rolin drejtues. Sipas JaniVretos, “Hasan Tahsini po i ftonte shqiptarët në dhomën e tij të medresesë, për të dhënë mendime të reja rreth shkrimit të gjuhës shqipe”.
Sipas gazetës osmane “Muneyiz” u krijua një komision për hartimin e alfabetit të shqipes që në vitin 1869, do të thotë dhjetë vjet përpara “Shoqërisë për Shtypjen e Shkrimit Shqip”. Veziri i Madh i asaj kohe, Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë e tyre ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”. Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, të shkruara me shkronja arabe, të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët. Por Sulltan Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar vetëm në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore. Kur veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit doli jashtë projekteve të tij, Sulltani ndryshoi mendje dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të Komisionit, pastaj e ndaloi veprimtarinë e saj.
Tahsini ishte ndër shkencëtarët më të shquar të Perandorisë Osmane në shekullin XIX. Ai shkroi traktatin e parë në gjuhën turke mbi psikologjinë me titull “Psikologjia ose shkenca e shpirtit”, një vepër e ndikuar nga modernizmi, si dhe librin e parë në gjuhën turke mbi astronominë modern. ndër veprat e tjera të Tahsinit në gjuhën turke përfshihet edhe një përkthim i “Ligjit natyror” të Constantin François de Chassebœuf.
Hasan Tahsini ishte i pari që krijoi dhe përhapi idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. Me punën e pareshtur në shërbim të popullit, kombit dhe atdheut, ai ishte njëri ndër rilindasit që hodhën themelet e pavarësisë së Shqipërisë.