Arben Iliazi/
U poq ulliri i avllisë sime, ulliri lopsiot,
por më shumë se vaj , kokrrat nxjerrin lot…
Hekuran Halili është poeti që ka ndërtuar më së miri, në krijimtarinë e tij të larmë, tipologjinë e shpirtit çam, i përngjashëm me Adem Demaçin, simbolin e humanizmit dhe rezistencës në Kosovë.
Një njeri i tejndjeshëm, veprimtar dhe themelues i shoqatës Çamëria, në 34 vjet Halili ka lënë gjurmët e një shpirti të veçantë në krijimet e tij në poezi dhe në prozë, me një frymëzim demoniak, me një shpirt drithërues, pa dalë nga vetvetja dhe duke tejkaluar vetveten, duke dhënë mesazhe të fuqishme njerëzore dhe humane. Po ta njohësh nga afër Hekurani është një njeri me cilësi të larta dhe me energji krijuese të pashtershme. Krijimet e tij janë një pikëtakim i bukur liriko-epik, me gjetje interesante, me shpërthime të papritura, në një paqetësi mes fatit tragjik, që ka shoqëruar popullsisnë Çame, dhe shpirtit të trazuar të vetë poetit:
“ O muzg, as errësirë e plotë, as dritë dritërimi,/ Ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet, /Gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu, /Në tisin tënd të argjënd, shoh Çamërinë time /Që rend kohrave e viteve si e marrë,/ Për gjithë padrejtësitë e Botës që i janë bërë.” (Vargje të muzgëta).
Poezitë e Hekuran Halilit përshkohen nga një afsh i nxehtë dhe nga drithërima e ndjenjave, duke dalë jashtë hijes së ndjesisë, herë me një gjuhë të thjeshtë plot dritë, herë me flakë shpërthyese, që krijojnë një art të mahnitshëm:
Kam parë shtëpi braktisur nga njerzit,
Qanin, u ishin nxirë dhe gurët e avllisë,
Në heshtjen trishuese prisnin te zotët e tyre,
M’u dhimbsën deri tek fjala Çamëri…
(Braktisje e shterime)
Nuk ka art të nivelit të lartë pa frymëzim dhe çdo frymëzim buron nga një pavetëdije që qëndron përtej të qënurit dhe qënësisë, nga një dije e cila qëndron shumë më lart se shpirti i kthjellët i poetit. Poeti Halili, i dalldisur në vetvete nga tepria e vrullit vetiak, hyjnisht të privuar nga ndjenja e humbjes së atdheut dhe shtëpisë të tij në Çamëri, është një krijues i cili, me frymëzim të rrallë e vullnet tokësor, frenon me humanizëm forcën demoniake të urrejtjes dhe hakmarrjes dhe e drejton krijimtarinë nga falja dhe pendesa, që duhet të vijë kundrejt tragjedisë çame. Askund nuk ngrenë krye demonët e urrejtjes për popullin grek, por vetëm shpalosen vuajtjet e thella shpirtërore, duke i ujitur me dashuri e shpresë dhe pikërisht këtu lind arti i vërtetë.
Si ekzaltues i ndjenjë së humanizmit dhe kombësisë, H. Halili ka marrë vlerësime të larta artistike nga shumë adhurues të poezisë së tij, si dhe nga studiues e autorë të njohur. Qendra e unit të tij është njëherësh qendra shpirtërore e populit çam, vazhdimisht aktive, e njësuar me botën mbarëshqiptare, me thelbin e qënësisë shqiptare.
Halili e njeh mirë botën e gjërave për të cilat shkruan, duke u dhënë formë të qëndrueshme edhe gjërave më të paqarta e pa formë, në kaosin e ndjenjave, duke u nisur nga instikti i tij i ruajtjes së vlerave kombëtare, që te autori perceptohen si profetike dhe simbolike.
Hekuran Halili e jeton jetën si një hero i mbijetuar nga gjenocidi, me një ankth ekzistencial, që shpërthen herë pas here dhe dërgon mesazhe kumbuese, me një përfytyrim fisnik. Në krijimtarinë e tij të pasur, që përmblidhet në disa libra, veç poezive elegjiake, edhe poezitë idilike dhe ato ku i këndon natyrës së vendlindjes, të kujtojnë me ëmbëlsi peizazhin e humbur të atdheut. Poeti në çdo rast, edhe në kujtimet e tij, sjell përherë vetëm përfytyrim të ëmbël, shpresë dhe nostalgji.
Jeta e prindërve të tij pas kthimit nga Çamëria, fëmijëria e poetit në Konispol, kanë lënë gjurmë të dhimbshme, që autori i rrëfen me zemër në dorë, me një melankoli të padukshem ndjesie, duke i përkëdhelur vargjet si një plage, që nuk shërohet asnjëherë dhe mbetet e përjetshem.
Vallë, ç’kanatë shpirti kohërave kam lënë pa mbyllur,
Ku kam heshtur, kur duhej folur, i ngrati!
(Fëmijëria ime)
Buzë humnerash përrenjsh brigjengrënë,
ku ullinjtë shekullorë zgjatin duart,
të”mbahen” nga unë,
rri varur fëmijëria ime,
si një trastë ëndrrash e kujtimesh,
(Erërat e kujtimeve)
Malli është një motiv çudibërës në arsenalin e tij poetik, me parandjenja, kujtime, ëndërra, me shpirt të plagosur, nga pezmatimi që fjala e tij nuk troket kurrë në vesh të diplomacive dhe atyre që merren me të drejtat e njeriut. Hekuran Halili, duke qëndruar ballë për ballë me jetën, beson të hyjnorja, te e drejta, që për të është pafundësisht e huaj dhe plot parandjenja ankthi të heshtur.
Të gjitha udhët tona ,
në tokë , qiell e shpirt,
na shpien në Çamëri…
(Pritja)
Forca shpirtërore, sekreti për të ruajtur veten krejtësisht të papërlyer, dëshira për tu dhënë me gjith shpirt vetëm pas asaj që përfshin gjithçka në jetë, është forca e vërtetë dhe frytëdhënëse e këtij poeti të përvuajtur, që erdhi te poezia me zemër e shpirt, dhe jo me shkollë letërsie apo leksione filozofie.
Kumtet e Hekuarn Halilit mbartin një forcë shpirtërore të mahnitsheme dhe vijojnë të jehojnë me vendosmëri në qiellin e fatit të tij. Ato rrëfejnë për një qetësi të habitshme shpirtërore, të ruajtura nga përlyerja dhe urrejta, si një zjarr i shenjtë, që nuk zhgënjen kurrë. Misionin e tij poetik e kombëtar Halili e mbron të pacënuar, plot dëlirësi dhe ndrojtje dhe vjershat e tij përherë njohin sukses të madh, pas fjalëve të përvuajtura për të vërtetën dhe jo pas fantazmave pa kuptim.
Hekuran Halili, kokëulur, me një modesti dhe butësi të jashtëzakonshme, i gatshëm për të vuajtur edhe për një gjë të paduksshme, i prekshëm ndaj plagëve të shumta, i lejon vetes të shkatërrohet për idealin kombëtar. Ai i bindet vetëm misionit të tij, me vetëdijen më të lartë kombëtare. I beson vetëm thirrjes së padukshme dhe jo suksesit.
Hekuran Halili nuk resht së krijuari përjetësinë e çdo dite dhe brenge në jetën tokësore. Prandaj fëshfërijnë solemne vargjet e tij.