

Luan Rama/
Ekspozita de fundit e Helidon Halitit hapur në FAB, nën titullin « Prestanome », më ngjan më shumë me ekspozitën e një koleksionisti fluturash nga më të bukurat, kapur fluturimthi nën dritën diellore dhe vendosur në telajo. Flutura shumëngjyrëshe ku herë mbizotëron ngjyra rozë, e verdhë, okër, kafe apo e zezë etj e që të gjitha bashkë, si në një lloj afresku kanë diçka ngazëlluese, ajrore. Më duken si “flutura” të kapura fluturimthi, pasi ato janë shfaqur në telajo brenda një çasti të shkurtër, ku piktori ka nxituar ti kapë me shkëlqimin e tyre ballë dritës, gjatë një interviste një ore në emisionin “Midis dy botëve”. Dhe përballë 62 “fluturave”, unë për një çast pyeta veten: Si mund të jetë intervistues një piktor? Piktorët flasin përmes linjave, formave dhe bojës, përmes mistikës së shpirtit, pasi është shpirti ai që pikturon, jo dora? Matisi mbante në kohët e vona të tij një shkop të gjatë me të cilin pikturonte… Dora e një piktori është thjesht një instrument, ajo nuk pikturon pa shpirtin që ta shtyjë dhe ta çojë atje ku do ai, ashtu siç do ai. Shpirti!… Pikërisht gjatë atij dialogu me ata, ai ka zbuluar personazhin ballë tij, ka zbuluar botën e tij, thelbin e qenies, të ekzistencës, pasionin që gjallon dhe pulson tek ai e që shfaqet gjatë një çasti të shkurtër të rrëfimit. Është pikërisht çasti kur Haliti kap “fluturat” e tij.
Ky koleksion më kujtoi kohën kur gjatë një udhëtimi në Madagaskarin e largët ku mbizotëronin ende shpirtrat edhe pas vdekjes, isha mahnitur ballë fluturave. Bleva një kuti të mbuluar me xham ku shfaqeshin një seri fluturash të ngujuara me gjithë shkëlqimin e tyre si në një përrallë tepër ekzotike. Ajo kuti, qëndroi disa kohë në apartament deri sa një ditë, në Paris, gjatë ndërrimit të apartamentit, pikasëm që kutia u thye dhe fluturat ishin zhdukur, si me frymën e shenjtë. Herë pas here do ti shikoja më pas në ëndërr ato flutura që shkonin nëpër fllad e në një ekstazë natyrore ku për çudi nuk ndjeja dhimbje por një gëzim të veçantë.
Tërë kjo histori fluturash m’u zgjua përballë atyre portretevetë atij koleksioni plot dritë, “flutura” të veçanta që spikasnin në karakteret e tyre individuale. Nuk është lehtë të pikturosh flutura të tilla, por ka artistë që kanë shpirtin e koleksionistit. Helidon Haliti ka koleksione kodrinash të lulëzuara në akuarel, pemishte në ditë pranverore, peizazhe fshtrash në njëqind variacione ngjyrash, gjithnjë fluide herë-herë onirike, me dritë pranverore, ekuinoksesh, në okrën e vjeshtës apo grinë dimërore. Në koleksionet e tij janë dhe demat, alter-egot e tij, ku shpesh mbajnë mbi kurriz femra delikate dhe hokatare, pinjolle të legjendës “Europa”, parabola të bukura për të ndezur e ngacmuar krenarinë e demavue k gjithçka na shfaqet në terrene surealiste, fantazmagorike si në kryeveprat e piktorëve të viteve ‘30-‘50 të shekullit XX. E në gjithë këtë ka një lloj dehje, një dehje jo nga alkoli por nga çasti i krijimit, i shprehjes së shpejtë artistike, i shprehjes së emocionit që lind, i asaj mistike që mund të shuhet shpejt dhe të zhduket nëse ti nuk e kap, si të kapësh një lloj zane apo ore që të shfaqet papritur e që ti ke dëshirën ta kesh pranë jo si robinë por si një përjetim të lumtur.
Ky piktor i kap fluturimthi fytyrat njerëzore dhe çastet e gëzuara apo të trishta të jetës…