
Hazir Mehmeti/
“Për serbët, armiku më i madh është e vërteta, Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre” (Leu Freundlich).
Helmimet në Kosovë, krim i pa ndëshkuar
Në Kosovë, etapa më e rëndë ishte fundshekulli i njëzet me sulmet kriminale nga pushtuesi serb nga të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet e format. Njëra nga ato forma të ulëta dhe agresive ishte helmimi i fëmijëve shqiptarë disa vite me radhë prej viti 1989 deri në vitin 1995 nga sigurimi ushtarak e policor kriminal serb. Tani kanë kaluar 35 vjet qëkur ky akt gjenocidi ndodhi, por krimi nuk u dënua nga asnjë gjykatë edhe pse pas luftës u krijuan rrethanat për padi ndaj pushtuesit serb. Heshtën qeveritë tona vite me radhë, Heshti dhe prokuroria bashkë me gjykatat e brishta dhe të pa përgatitura. Kjo po i kushton dhe do t’i kushton Kosovës në shumë sfera të jetës, veçan në planin politik të saj në ofrimin e së vërtetës dhe në demaskimin e gënjeshtrave serbe.
Helmimet
U hesht mbledhja e dokumenteve të shumta në Kosovë gjerë në vendet e largëta të kontinentit ku shumë prindër dërguan për shërim fëmijët e tyre të helmuar. Janë të njohura spitalet në Zvicër, Gjermani, Suedi, Austri etj. ku u trajtuan të helmuarit. Shumica e tyre të gjinisë femërore disa prej tyre nuk u shëruan kurrë.
Tani e pesë vite qeveria vendosi të lëvizë drejtë në kërkimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga pushtuesi serb, mes tyre krimi i rëndë, helmimet . Në vargun e krimeve të shumta të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë, qeveria bëri hap madhor duke themeluar Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Në hapin e parë, u punua në krijimin e mundësive për mbledhjen e materialeve faktike nga qendrat përkatëse siç janë shtëpitë e shëndetit, spitalet, shkollat dhe individë të caktuar dhe qytetarëve të prekur në çfarëdo forme rreth helmimeve.
Argumenti direkt dhe faktik mbetën individët e helmuar, mjek që ndihmuan; profesor e mësues të lidhur direkt në ndihmë nxënësve apo individëve tjerë të helmuar.
Në kuadër të aktivitetit në informimit rreth punës së Institutit (IKKL) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, organizuan – Forumin, Zë në Kujtesë- “Helmimet në Kosovë 1990-1992” i cili u mbajt me 26 nëntor në Prishtinë me pjesëmarrjen e aktivistëve të shumtë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Ishin të pranishëm Vjosa Osmani, Kryetare e Republikës së Kosovës; Kryeministër në Detyrë, Albin Kurti; Arbërie Nagavci, Ministre në detyrë e MASHTI-it; drejtuesi i Institutit IKKL, Atdhe Hetimi dhe autor librash e dokumentesh rreth helmimeve para tridhjetë e pesë vjetëve.
Pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me fotografi e dokumente nga helmimet e nxënësve në vitet ’90 -ta, një episod i dhembshëm nga ajo periudhë. Forcimi i kujtesa është mbrojtje e së vërtetës në vigjilencë dhe shtigje drejtë së ardhmes. Atdhe Hetimi e hapi takimin. Sekuenca nga filmimet e ngjarjeve të helmimeve para 35 viteve e hapën diskutimin në sallën e mbushur me pjesëmarrës.
Vjosa Osmani përshëndeti të pranishmit me fjalë respekti për gjithë ata që ndihmuan në forma të ndryshme fëmijët e helmuar. Albin Kurti, përshëndeti duke falënderuar organizatorët e forumit. “Tani pas Forumit të parë kushtuar ushtarëve të vrarë në armatën famëkeqe jugosllave, po mbajmë forumin e dytë – Zë në Kujtesë kushtuar helmimeve “Helmimit në Kosovë 1990-1992”.
Unë, përjetuesi, autori
Në këtë forum mora pjesë si autor i librit dokumentar, si mësimdhënës gjimnazi ku i përjetova të gjitha ato peripeci që tani kishin mbetur në shirit filmi. Aty takova një kohë, takova ato fytyra të nxënësve të mi, takova britmat e tyre, lotin e nxënësve, lotin e prindërve. Kishte edhe prej tyre që i bartem në krahë të trishtuar nga lufta për jetë. Shumë prej tyre i shkrova në ditarin tim aso kohe. I lexova e rilexova, i rikujtova e i ri përjetova. Qava atëherë, qava dhe tani, por tani më ndryshe. Librin “Pranverë e Helmuar” e mbaja në prehër ashtu siç mbahet me kujdes fëmija në rritën e tij. Gazetarja aty afër pyeti: Jeni ju autori i këtij libri, ku mund ta gjej? Nga ky lexoi kryeministri, apo? Ishte fat që tani librin tim, ditarin tim dhe dokumentet e mia nga koha e përjetimit të helmimeve i kisha arkivuar në Institutin e Kërkimit të Krimeve Gjatë Luftës. Nuk merakosesha, se a do flas apo jo, edhe pse e pritja rastin, bile e ngrita dorën dy herë, por nuk m’ u dha fjala për çka e falënderoj drejtuesin e “vëmendshëm”. Isha i papartishëm dhe i panjohur në atë takim shënjues. Fundi, s’kisha nevojë të flisja, të gjitha i kisha thënë në librin tim Pranverë e Helmuar të cilën e kisha dhuruar aty ku e ka vendin, në arkivin e IKKL-së.
I mësuar me saktësinë Vjenezi, u merakosa për vonesën e takimit prej dyzet minutave. Pritja e pjesëmarrësve derisa të vizitonin ekspozitën u duk e gjatë. Jemi mësuar ne me kohën, nuk na dhimbsët fare, i dhashë veti kurajë, edhe nëse kisha udhëtuar nga Drenica hiq më pak se një orë me veturë. Fitova përshtypje të gabuar, se kishte orkestrim nga drejtuesit në zgjedhësit e atyre që do pyetnin dhe flisnin! Tri herë u citua libri im, edhe nga kryeministri i cili e përfundoi përshëndetje me citate nga libri im dhe pikërisht me zgjedhjen time në mbarim të librit për të cilin punova tridhjetë vjet në dhjetëra biblioteka dhe arkive: Vjenë, Graz, Lublanë, Zagreb, Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup, me javë të tëra. Kjo ishte e mjaftueshme në vorbullën e hileve tona në lojën “unë i pari” apo ky nuk është i klanit tonë. Ruana djall nga të ligat tona!
Parathënia / preface/
Në parathënien e katalogut i hartuar nga IKKL, drejtuesi i saj Atdhe Hetemi, përmbledhë një informatë me interes në shqip dhe anglisht për Forumin dhe më gjerë: “Ndërsa spitalet e Kosovës mbusheshin me fëmijë të helmuar dhe prindër të dëshpëruar, institucionet e kohës, nën kontrollin e regjimit serb, mohonin përgjegjësinë dhe pengonin çdo përpjekje për hetime të pavarura.
Fotografitë në këtë katalog janë mbledhur nga studiues, dëshmitarë dhe individë që kanë kontribuar në ruajtjen e kujtesës përmes materialeve të dorëzuara në arkivin e IKKL-së. Secilit prej tyre i është krijuar një fond i veçantë arkivor; ndër ta përmendim Besnik Bardhi, Halim Hyseni, Luljeta Pula, Hazir Mehmeti dhe disa tjerë.” (Atdhe Hetimi, katalogu, nëntor 2025)
Tri ditë pas Sapo u kthyem nga Garana e Kërçova ku u inaugurua monumenti madhështor i Gjegj Kastrioti-Skënderbeu, me gazetarin Rexhep Rifati vendosëm të vizitojmë IKKL- me materiale të reja që kishim nga helmimet e fëmijëve shqiptarë. Një pritje vëllazërore e cila na ngrohu shpresën në ecjen tonë drejtë cakut. Rexha solli materiale të shumta nga puna e tij si gazetar me gjithë ato peripeci që kishte pësuar nga policia pushtuese.
IKKL- duhet mbështetur pa hezituar në punën e tij, Është i yni, e kemi pritur gjatë, më gjatë se sa duhej në liri.
Krimi nuk vjetrohet, por dëshmitarët mund të vjetrohen dhe vdesin, andaj secili qytetar të kryen detyrën e tij atdhetare. Secili fshat të kryen detyrimin e tij në arkivimin e krimeve serbe në njerëz, pronë, objekte kulture, objekte personale nga etnografia, krijimtaria etj. Gama e krimeve serbe është e gjerë e brutale. Ne na duhen muze në çdo fshat, lokalitet ku do ruhen objektet nga etnografia jonë e pasur, objekte tjera të kujtesës familjare. Armiku dogji e rrënoi shkolla, shtëpi, kulla muze, objekte kulti. Armiku u dha zjarrin të gjithave, deshi ta vranë kujtesën shqiptare përgjithmonë bashkë me dëbimin nga Kosova.
IKKL -së suksese në misionin e tij!
Burime:
IKKL- katalog-catalog, Helmimet në Kosovë 1990-1992)
Filmi, -Helmimet, 19.05.1990
Libri, Pranverë e helmuar, Prishtinë, 2020.
Poisoning of Albanian youth of Kosova 1990.
Ugenimemoralis, Heyndrickx, Aubin, UGent 2016.