Libri “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë” i Dr.Nuçi Kottës u botua në vitin 1946 në Paris në gjuhën frënge dhe pas 60-vjetësh u ribotua në vendlindjen e tij, i shqipëruar nga Viktor Bakillari.
Për mendimin tim, është punimi më i mirë i këtij zhanri në literaturën shqiptare, ndoshta edhe europiane. Ai i përmbahet rigorozisht një parashtrimi shkencor, mbështetur tërësisht në dokumente dhe dëshmi autentike me origjinë ndërkombëtare e shqiptare të garantuara, si dhe në autorë tejet të njohur, kryesisht të huaj; ai të befason me argumentet historike, juridike dhe llogjike të pakundërshtueshme, që të çojnë tek e vërteta; të bind me ndershmërinë, paanshmërinë, objektivitetin, saktësinë, përballjen dhe debatin konstruktiv; të bën krenar me atdhetarizmin e kombtarizmin e kulluar, por edhe me respektin e thellë për popujt dhe kombet e tjerë, si edhe për personalitetet e kohës që kanë ndihmësuar në zgjidhjen drejtë të çështjes shqiptare.
Këtë përkushtim autori e shpreh qysh në krye të punës së tij dhe i mbetet besnik gjatë gjithë trajtimit të temës, por edhe e përsiat në përfundim të saj: “E pamë të nevojshme që të përpiqemi ta studiojmë këtë çështje ndershmërisht dhe me ojektivitet… Ne nuk e fshehëm qysh në fillim se do të mbronim kauzën kombëtare, por, gjithashtu, jemi përpjekur të tregojmë se ajo përkon me të vërtetën dhe me drejtësinë, si dhe jemi përpjekur që veprën ta bëjmë të dobishme, të paanshme dhe, nisur nga këto, shkencore. Ne nuk besojmë se i jemi shmangur përkushtimit të imponuar vullnetarisht për të mos u rrëmbyer nga pasioni, i cili rrezikon të çojë në shtrëmbërim dhe në përbuzje ndaj së vërtetës”.
Autori ia ka arritur plotësisht qëllimit, që i kishte vënë vetës në këtë përballje të rëndësishme dhe të vështirë historiko-juridike, duke ndjekur një metodë rigorozisht shkencore për dhënien me vërtetësi të marrëdhënieve brendakombëtare, ndërkombëtare , por edhe të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe shqiptaro-serbe, në veçanti. Kështu studimi merr peshë kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare, jo vetëm për nga historia e këtyre marrëdhënieve gjatë periudhës që merret në shqyrim, por edhe, çka është më e rëndësishme, për dobinë e njohjes së tyre nga popujt përkatës, për nxjerrjen e mësimeve e të përgjegjësive nga politikat e atëherëshme dhe të sotme të shteteve, qeverive dhe personaliteteve, pra, merr një vlerë sa historike, ashtu edhe aktuale.
Autori, ky njohës dhe analist i mirëfilltë i marrëdhënieve ndërkombëtare, i së drejtës juridike ndërkombëtare dhe kombëtare, i konventave dhe marrëveshjeve të fshehta e të hapura europiane, i vendimeve të forumeve më të larta si Konferenca e Paqes në Paris, Konferenca e Ambasadorëve, Lidhja e Kombeve, Gjykata e Përherëshme e Drejtësisë Ndërkombëtare, i skenave dhe prapaskenave kundrejt Shqipërisë etj, shtron, analizon dhe vërteton teza në themel, i ballafaqon ato me tezat e hipotezat kundërshtare, i rrëzon ato me argumente juridike e faktike dhe nxjerr konkluzione të papërballueshme, që i rezistojnë çdo kohe. Një sfidues dhe një vizionar shqiptar i kalibrit europian, por jo i vetmi.
Dhe këtë punë e bën me shumë aftësi, elokuencë dhe kulturë, madje me një thjeshtësi e finesë të admirueshme sjelljeje dhe bisedimi intelektual, që na bën të ndihemi mirë ne si shqiptarë, të akuzuar shpesh si të rrëmbyer, të paditur dhe të pakulturuar.
Në pjesën e parë të studimit “Përcaktimi i kufijve shqiptaro-grekë më 1913 dhe më 1921 dhe pasojat e marrëdhënieve mes dy vendeve”, autori, së pari, bën një trajtesë historike të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kombëtare shqiptare, duke nisur qysh nga Traktati i Berlinit ( 13 korrik 1878), që i jepte një pjesë të Shqipërisë Serbisë dhe Malit të Zi, duke vijuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që mbrojti kombëtarisht territoret shqiptare, e duke përfunduar me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për Shqipërinë në vitin 1913 dhe reagimin shqiptar kundrejt coptimit. Ndonëse fare konçiz në këtë parashtresë historike, autori nxjerr disa konkluzione të rëndësishme, që vlejnë të theksohen:
-“Porta e Lartë e kishte përkrahur Lidhjen Shqiptare në fillesat e saj, duke menduar të përfitonte nga protestat shqiptare për të mos përmbushur detyrimet e caktuara në Berlin, edhe pse ishte, siç dihet, e detyruar të luftonte nën urdhrat e Fuqive ndëshkuese të Berlinit. Por qëndrimi i saj ndryshoi krejtësisht , kur Lidhja vendosi të ndërpriste lidhjet e vasalitetit të Shqipërisë dhe t’i kthente vendit pavarësinë”.
-“Kryengritja e përgjithshme shpërtheu më 1912 në provincën e Kosovës. Kryengritësit morën Shkupin dhe kërcënuan Manastirin., por nuk ditën ta shfrytëzonin plotësisht suksesin e tyre dhe, duke hyrë para kohe në kontakt me qeverinë turke, u mjaftuan me një autonomi të gjerë në vend që të shpallnin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ky gabim solli si rezultat lënien jashtë të pothuajse gjysmës së territorit të Shqipërisë”…
-“Për të ruajtur paqen mes Fuqive të Mëdha, Shqipëria paguante një haraç të madh dhe e shihte veten të gjymtuar pa krahinat e pasura të Kosovës dhe të Çamërisë. Rreth një milion shqiptarë gjendeshin të ndarë nga mëmëdheu”…
-“Sigurisht, ne mendojmë që Kosova, herët a vonë duhet t’i kthehet Dheut Amë”.
Pas këtyre konsideratave dhe parashikimeve, autori trajton me themel marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe veçanërisht problemin e kufijve mes tyre, çështje që vështirësoheshin nga pretendimet absurde të palës greke dhe mbështetjes së tezës së saj të pabazuar nga disa Fuqi të Mëdha. Përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913, qeveria greke kërkonte aneksimin e të gjitha territoreve të pushtuara nga ushtritë greke gjatë Luftës ballkanike, përfshirë vilajetin e Janinës dhe kazatë e Korçës e të Gjirokastrës! Kërkesat greke mbështeteshin mbi argumente të stisura si : karakteri grek i këtyre krahinave me një prani të konsiderueshme të popullsisë me besim ortodoks, duke njësuar besimin ortodoks me kombsinë greke dhe duke i konsideruar ortodoksët shqiptarë grekë; së dyti, me ekzistencën e shkollave greke dhe së treti, nisur nga arsyetimi që ushtritë greke gjatë Luftës Ballkanike i kishin çliruar këto krahina nga zgjedha otomane.
Kërkesat e palës shqiptare qëndronin në përfshirjen në teritorin e Shqipërisë të katër vilajeteve të dikurshme shqiptare : Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, bazuar mbi kriteret historike dhe etnike.
Autori, me paanësi të admirueshme, i gjen të dyja pretendimet greke dhe shqiptare mbi baza të paqëndrueshme. Ai mendon se kriteri i vetëm i përcaktimit të territoreve dhe të kufijve, duhet të ishte ai etnik dhe kombëtar i popullsisë.
Sipas tij, kërkesat e palës greke në vitin 1913 dhe vijimisht më pas, ishin të komprometuara, sepse karakteri i lashtë dhe i pandërprerë shqiptar i popullsisë së i këtyre krahinave të Shqipërisë së Jugut ishte vërtetuar nga dokumente historike dhe autorë të huaj, të vjetër e bashkëkohorë, grekë dhe europianë, të cilët autori i citon; së dyti, është gënjeshtër që Greqia e ka çliruar Shqipërinë e Jugut në vitin 1912. Në çastin kur shpërtheu Lufta Balkanike, Shqiptarët e kishin fituar autonominë e tyre, më pas edhe pavarësinë, ndërsa ushtritë greke erdhën në krahinat tona për t’i robëruar e masakruar, siç ndodhi në të vërtetë, dhe jo për t’i çliruar; nga pikpamja historike janë shqiptarët e Greqisë Xhavella, Boçari etj që kontribuan fuqimisht në pavarësinë e Greqisë; së treti, të njësosh ortodoksët me grekët, do të thotë të shpërfillësh kriteret e vërteta të kombësisë. Rumunët, serbët, bullgarët, madje edhe rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Kriteri fetar nuk vlen fare; së katërti, shkollat greke ekzistonin me lejën e Patrikanës Greke të Stambollit, sepse shkollat shqipe ishin të ndaluara. Për më tepër, shkollat greke u shndërruan në vatra të helenizmit dhe iu kundërvunë të nxënit shqip, kulturës dhe qënies shqiptare. Lufta e ndërmarrë kundër gjuhës sonë është një provë e dukshme e karakterit shqiptar të këtyre krahinave, polemizon autori.
Edhe ndaj kërkesave shqiptare autori ka rezerva lidhur me përfshirjen e katër vilajeteve te kohës së Turqisë në territorin e Shqipërisë së pavarur, sepse përfshirja e krejt viseve natyrore të këtyre vilajeteve, do të krijonte shumë minoritete dhe probleme me ta, edhe me fqinjët.
Autori është i prirë për një Shqipëri etnike, që të përfshinte krahinat me popullsi tërësisht shqiptare apo me shumicë shqiptare, tezë e nacionalizmit rilindës shqiptar, por edhe një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme.
Në fakt, edhe Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jug-lindorë, e nisi punën në shtator 1913, duke marrë parasysh kombësinë e popullsive kufitare. Mirëpo hyri menjeherë në lojë dredhija greke e manipulimit dhe e mashtrimit. Autori e trajton gjerësisht këtë farsë, që u mor shpesh si e vërtetë. Kjo lojë e rrezikshme vijoi edhe pas protokollit të Firences 17 Dhjetorit 1913. Ushtritë greke detyroheshin të tërhiqeshin brenda muajit mars 1914 nga krahinat e pushtuara të prefekturës së Korçës, Gjirokostrës, nga Delvina dhe ishulli i Sazanit. Autori i Librit rrëfen me dokumente dhe fakte për masakrat greke mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, jo vetëm nëpërmjet ushtrisë së rregullt, por edhe nëpërmjet “batalioneve të shenjta” të rekrutuara nga ortodoksë grekomanë dhe të destinuara për të luftuar krahas ushtrisë greke. Nga ana tjetër, banda kriminelësh dhe andartësh, kryesisht të sjellë nga Kreta, depëruan nëpër ato krahina, duke bërë presione dhe krime të përbindshme. “Pikërisht më 28 shkurt, në vigjilje të datës së evakuimit, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Z.Kristaqos Zografos, krijoi, nën mbrojtjen e kretasve, një qeveri kryengritëse të “Epirit autonom”, të përbërë nga personalitete të huaja me të ashtuquajturën origjinë nga “Epiri i Veriut”- shkruan autori Kotta. Kjo ishte një manovër tjetër greke, për ta marrë kalanë nga brenda. Më 27 mars Gjirokastra u lirua nga trupat e ushtrisë greke, por u sulmua nga kretasit dhe përkrahësit e të ashtuquajturës qeveri e “Vorio Epirit”,. Formalisht edhe qyteti i Korçës ishte zbrazur nga ushtria e rregullt greke, por ky evakuim ishte vetëm në parim- konstaton autori, sepse një numër i madh ushtarësh kishin qëndruar aty si të sëmurë dhe, më 2 prill 1914 shpërtheu një kryengritje e organizuar nga peshkopi grek Germanos. Ushtarët grekë “të sëmurë” dhe “patriotët vorio-epirotë”, të pajisur me armë automatike , pushtuan ndërtesat publike të qytetit, por sakaq ndërhyri gjithë popullsia, që u reshtua në krah të xhandërmarisë shqiptare”.
Dr.Kotta sjell për këto ngjarje dëshmi të oficerëve hollandezë, në mënyrë të veçantë të gjeneralit De Veer, që ndodhej me detyrë në Korçë, të Justin Godart, që vizitoi Shqipërinë, si edhe opinionet e Z.Albert Musei dhe Profesor Simonardit për kompromisin e turpshëm të Korfuzit dhe përgjegjësinë e qeverisë greke, “Ngjarjet që do të pasojnë dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme. Por Grekët ditën ta vërtisnin mirë versionin e rezistencës spontane, sa problemi u kthye përmbys”- shkruante Simonardi.
Analisti politik N.Kotta, jep një tabllo të zhvillimeve politike gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që përqëndrohet tek shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe e qenies së saj shqiptare, apo siç e quan autori “Revolucioni i 10 dhjetorit 1916”, një bashkëpunim i shkëlqyer franko-shqiptar. Ai zbulon se ishte kryesisht vullneti dhe përpjekja e popullsia shqiptare e qarkut të Korçës, që vendosi për këtë vepër madhore në mes të vorbullës së luftës. E dëshmon edhe protokolli i nënshkruar mes përfaqësuesve të popullit dhe autoriteteve ushtarake franceze. “Në përputhje të plotë me vullnetin e popullsisë shqiptare të shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kazaja e Korçës me krahinat e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, u shndërrua në një rreth autonom i administruar nga autoritetet shqiptare nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze”.( Protokolli i 10 dhjetorit 1916)
Komandanti i trupave frënge, kolonel Deskuën, shkruante: “Gjë unike në historinë e bërë nga vullneti i lirë i një populli, energjitë e të cilit bashkoheshin në të njëjtin ideal lirie. Revolucioni u krye pa dhunë. Ky popull i vogël po i jepte botës një mësim të madh”.
Autori i librit zbulon gjithashtu, se shkaku i shpalljes së vetëqeverimit shqiptar të Kazasë së Korçës, ishte rreziku i aneksimit grek të Korçës, siç e provuan katërcipërisht ngjarjet gjatë dhe pas luftës, Traktati i fshehtë i Londrës 1915, marrëveshja e fshehtë Titoni-Venizellos,1919 etj për aneksimin nga Greqia të Shqipërisë së Jugut. Përpjekjet e qeverisë greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajtur “Vorio-Epir”, vijuan edhe në vitet e mëpastajmë në Konferencën e Paqes në Paris, po ashtu edhe në Lidhjen e Kombeve, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Paqes më 1946 e më tutje.
Nuçi Kotta, në cilësinë e juristit të shquar dhe njohësit të mirë të së drejtës Ndërkombëtare, ndalet tek reflektimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe e kufijve mes tyre edhe në Lidhjen e Kombeve. Më 2 tetor, me kërkesë të qeverisë shqiptare, Asambleja e Lidhjes së Kombeve ftoi Këshillin të nginte një komision hetimor, i cili duhej të shkonte në Shqipëri për të bërë investigime të thella lidhur me mosmarrëveshjen shqiptaro-greke dhe turbullirat që po ndodhnin në kufi. Komisioni i kryesuar fillimisht nga Ralf Teslefi dhe mandej nga profesor Sederholm, bëri një punë të gjithanëshme dhe të paanshme.
“Dërgimi nga Lidhja e Kombeve e një komisioni hetimor në Shqipëri ka qenë shumë i dobishëm nga një këndvështrim i dyfishtë. Fillimisht kontriuboi, falë pranisë së tij përkrah Komisionit të përcaktimit të Kufijve, për të shmangur konfliktet midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj dhe për t’i sheshuar këto probleme. Pastaj, nga ana tjetër e këndvështrimit, ky komision përcaktoi me saktësi dhe paanësi karakterin etnik dhe kombëtar të popullsive të Shqipërisë së Jugut. Leximi i punimeve të këtij komisioni është i domosdoshëm për cilindo që kërkon të njohë një herë e mirë çështjen e mprehtë të kufijve shqiptaro-grekë”- analizon doktori i shkencave juridike të Francës, Nuçi Kotta. Ai evidenton konkluzionet e Komisionit Ndërkombëtar, të vlefshme për në atë kohë, por edhe për sot: “Fillimisht duhet thënë se në Korçë popullsia është krejtësisht shqiptare dhe se atje gjendet nje numër krejt i papërfillshëm elementësh grekë. Është krejt e natyrshme që kjo i kundërvihet në përgjithësi çdo ndërhyrjeje të huaj në punët fetare apo politike të brendshme”( Raporti i prof.Sederholm)
Me këtë rast, studiuesi Kotta trajton edhe problemin e minoritetteve. “Minoriteti grek në Shqipëri, thekson ai, jeton në krahinën e Gjirokastrës dhe në zonën e Çamërisë, përballë pjesës veriore të ishullit të Korfuzit deri në gjirin e Prevezës. Minoriteti grek në Shqipëri, i cili, sipas statistikave të përgjithshme shqiptare të vitit 1930, arrin në 37.270 vetë, shifër kjo që përputhet me të dhënët ë Komisionit të hetimit të Profesor Sederholmit (1922-1923), gëzon të gjitha të drejtat që u njihen minoriteteve nga traktatet ndërkombëtare, si edhe sipas deklaratës të përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Nolit, më 2 tetor 1921. Madje edhe në regjimin e E.Hoxhës, minoriteti grek gëzonte gjithë të drejtat, bile prova më e mire, z.Manol Konomi, minoritar grek, është ministër i Drejtësisë në Shqipëri.
Ndërsa pakica shqiptare që jeton në greqi, kryesisht popullsia autoktone çame, nuk gëzon asnjë të drejtë, që u njihen minoriteteve nga traktatet”. Kotta denoncon shkeljen e konventës së Lozanës nga qeveria greke, e cila shkëmbeu (dëboi) padrejtesisht popullsinë shqipare në Turqi gjoja si popullsi turke, në vitet 1923-1925, duke realizuar një spastrim të gjerë etnik. Po ashtu, ai denoncon masakrat ndaj popullsisë çame në vitet e Luftës së Dytë botërore, si edhe përzënien e tyre nga trojet etnike. “Kështu, për shkak të dobësisë së Lidhjes së Kombeve, pakica shqiptare në Greqi, vazhdon të mos gëzojë anjë nga garancitë që u njihen minoriteteve, nën mëshirën e arbitraritetit të qeverisë së Athinës” – konkludon N.Kotta.
Ai nxjerr në pah konstatimet e Komisionit Hetimor me ekspertë të huaj të paanshëm, se krahas politikës greke, “ndihej edhe ndërhyrja e klerit dhe sidomos e Mitropolive greke, të cilët punojnë hapur për shkëputjen e Shqipërisë Jugore dhe bashkimin e saj me Greqinë”. Më tej, ekspertët, major Menihu dhe profesor Sederholmi, tregojnë sesi më i zellshmi i këtyre mitropolitëve, peshkopi i Korçës Jakov, – një grek për nga kombësia dhe zëdhënës i helenizmit në Shqipëri, i cili duket tejet i zënë me çështje sa politike aq edhe fetare, ushtronte ndikimin e vet mbi pjesën tradicionaliste, për të organizuar një fushatë propagandistike në dobi të Greqisë.
Autori nënvizon se ëndrra dhe depërtimi i helenizmit ishte nxitur e realizuar nëpërmjet propagandës, arsimimit në shkollat greke dhe kishës ortodokse greke, mbështetur prej rolit të Patriarkut grek të Stambollit. Pikërisht kjo trinitri, e shndërruar nga qeveria greke në mjet politik, bëri ços për të penguar dhe ndëshkuar shkollat dhe mësuesit e shqipes, si edhe për të penguar ngritjen e kishës shqiptare në SHBA, veçanërisht të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri me përpjekjen e Fan Nolit, Vasil Markos, Kristo Kirkës, Visarion Xhuvanit etj dhe të besimtarëve atdhetarë ortodoksë, por edhe ndihmesën e shtetit shqiptar.
Kjo veprimtari e ethshme dhe e vazhduar e politikës greke, i ka ndërlikuar dhe vështirësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Filozofi Kotte nxjerr konkluzione shkaksie: “Nëse neve na u duk me vend t’i shtonim në punimin tonë edhe marrëdhëniet e fesë, e bëmë ngaqë mendojmë se shërbejmë për të sqaruar shkakun e vërtetë të marrëdhënieve të vështira shqiptaro-greke. Populli grek, më besimtar se populli shqiptar, qysh nga e shkuara e vet e ka ruajtur me besnikëri besimin, ndoshta edhe më shumë sesa ndjenjën kombëtare dhe ai mund ta kuptojë me vështirësi që një shqiptar i krishterë ndihet shqiptar, ashtu si myslimani shqiptar dhe shumë pranë këtij të fundit sesa vetvetes”.
Këto përfundime, N.Kotta i përqas edhe me konstatime dhe konkluzione të studiuesve apo personaliteteve europiane, veçanërisht të Komisionit ndërkombëtar Hetimor, c cili arriti në përfundimin se jo vetëm që ekziston një komb shqiptar, por edhe ekzistenca e tij është një domosdoshmëri. Komisioni shpaloste arsyet mtë cilat ishtë bazuar ky konkluzion:
1.Arsye teknike: Komisioni vlerësonte se raca shqiptare “me shumë gjasa e vetmja racë krejtësisht autoktone, që gjallonte në ballkan, ka ditur të ruante në malet e saj pastërtinë e gjakut, të gjuhës dhe të dokeve”.
2.Arsye kombëtare, domethënë e karakterit psikologjik dhe ndjesor: me gjithë sundimet, të cilat e kanë penguar të formojë një unitet politik, shqiptarët, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut e quanin veten me krenari që formonin një kombësi të dallueshme dhe e shihnin njëri-tjetrin si bashkatdhetarë. Duke studiuar në teren akuzën sipas së cilës ekzistenca e tri feve të ndryshme e bënte të pamundur çdo qeveri të Shqipërisë nga shqiptarët, komisioni vuri re një tolerancë të shkëlqyer fetare falë dokeve të njëjta, traditave dhe lidhjeve të ngushta familjare, që bashkojnë shumë shqiptarë të tri feve”( Përfundime të Komisionit Hetimor ndërkombëtar)
Justin Godart, shkruante pas udhëtimit të tij të parë nëpër Shqipëri: “Bindja jonë është se nuk ka asnjë fanatizëm në Shqipëri, se çdo shqiptar është para së gjithash shqiptar. Në Shqipëri partiotizmi qëndron mbi fenë. Shqiptari, edhe kur është fetar, e ndan besimin nga kombësia, e vë atë në vartësi të kombësisë”.
Polemisti Kotta nënvizon: Akoma më e vlefshme është dëshmia e një greku, z.Lefkoparidi, drejtor i revistës “Les Balkans”, i cili shënonte, pasi studjoi historinë shqiptare: ”Shumëllojshmëria e kulteve , nganjëherë e ka komprometuar bashkimin kombëtar, por shqiptarët kanë ditur të japin mëse një herë shembullin e një ndërgjegjeje kombëtare, kur janë gjendur përpara konfliktesh fetare. Historia e luftrave të tyre për fitoren e pavarësisë e ilustron mahnitshëm këtë pohim. Sa herë që atyre u është dashur të luftojnë për liri, çështjet fetare i kanë kaluar në plan të dytë”.
Zoti Lefkoparidis konkludonte: “Shqipëria është fort e vendosur për të mbrojtur të drejtën e saj për të jetuar dhe se tashmë ka ardhur koha t’i shikojmë problemet e shqiptare në vetvete, duke pyetur veten, jo cili do të jetë qëndrimi i Fuqive ndaj Shqipërisë , por krejt ndryshe, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë ndaj Fuqive”. Një vlerësim, që ka brenda edhe pofetësinë.
Nuçi Kotta mendon se populli shqiptar, të cilit të tjerët i kanë rënë në qafë, është treguar gjithsesi paqësor, tolerant dhe thellësisht përëndimor. Shqiptarët dhe grekët as nuk e përbuzin dhe as nuk e urrejnë njëri-tjetrin. Nëse marrëdheniet shqiptaro-greke kanë qenë të këqia, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të imperializmit politik të ndjekur nga qeveritë e Athinës kundrejt Shqipërisë. Ne, thotë vizionari Kotta, nuk dyshojmë se një erë e re marrëveshjeje dhe mirëkuptimi i ndërsjellë do të nisë midis dy popujve dhe do të kontriubojë për të vendosur paqen dhe qetësinë në këtë pjesë të Europës.
[1] Nuçi Kotta, doktor i shkencave juridike në Francë, zv.sekretar I Organizates “Asambleja e Kombeve te Bashkuara të Europës”. Anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, autor i botimeve “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, “Njeriu me 40 eku” etj.
Nik says
Faleminderit Z. Butka per kete informacion interesant. Nderime dhe perulje ndaj kontributit te atdhetareve, studiuesve dhe profesionisteve model ne Shqiptari dhe me gjere si Nuçi Kota.
Nik