
Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Çdo kohë ka heronjtë e saj. Mjekët sot janë kryefjalë botërore. Bluzat e bardha janë heronjtë global të kohëve moderne. Deri dje ishim mësuar vetëm më një fytyrë të caktuar heroi si: burri gjigand i Ciklit të Kreshnikëve, Muji që pi qumështin e zanave të malit, heroi mitologjik, heroi biblik, heroi kuranor, Mic Sokoli që i vë gjoksin topit të armikut, Adem Reka që jep jetën për ndërtimin e socilizmit, e deri heronjtë e lirisë moderne me armë në dorë për të garantuar paqen dhe sigurinë globale. Fatkeqësia na zbuloi një hero të ri: Mjekun.
Pandemia botërore covid-19 na mësoi e zbuloi heronjtë e bardhë. Fatkeqësia globale na zbuloi se heronjtë e vërtetë paskan qenë gjithmonë pranë nesh. Të heshtur dhe sakrifikues. Këta heronj janë mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e shëndetësisë të cilët shpëtojnë jetë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Mjekët tanë sot janë heronjë pasi çdo ditë shpëtojnë jetën në grahmat e vdekjes, ngjallin shpresë në një kohë të zymtë, japin kurajo në një dorëzim global, ushqejnë besim në kohë pesimizmi total, ofrojnë garanci në panik dhe japin siguri në një kohë të frikshme. Mjekët tanë janë heronjtë e vërtetë të përditshmërisë sonë të në një kohë jo të zakontë. Ata shpëtojnë jetë përditë, pa bërë bujë, pa medalje, pa spektakël, pa kamera, por kokëulur, profesionistë, të palodhur e dinjtozë.
Humanizmi i mjekëve tanë është një sakrificë biblike përkundër trajtimit njerëzor e shtetëror. Ne mjeranët që shtrihemi sot para këmbëve të tyre dhe falemi si mëkatarë në objekte kulti fetar, mjekët tanë, heronjtë e sotëm, deri dje i kemi rrahur, i kemi linçuar publikisht, i kemi shantazhuar me video, i kemi quajtur tradhtar se kërkuan kushte e dinjitet në perëndim. Prapë se prapë ata na kanë falur dhe sot na shërbejnë me përkushtim e dinjitet. Mjekët në Shqipëri sakrifikojnë duke lënë fëmijët, bashkëshortët e prindërit të vetmuar e duke u vënë në shërbim të kujtodo që ka nevojën e tyre. Ajo që të bën sot të ndjehesh dyfish krenar janë mjekët shqiptar kudo në botë. Këta mjekë janë një tjetër dimensin i heroit shqiptar. Ata janë në vijën e parë të frontit të luftës së keqes, punojnë në katedra mjekësie, janë pjesë e ekipeve kërkimore shkencore në zbulimin e vaksinës anti-covid, drejtojnë departamente kërkimi, janë pjesë e laboratorëve më të evancuar në kërkimet mjekësore.
Nëse Shqipëria ka me çfarë të krenohet në 108 vjet shtet, padyshim janë edhe mjekët dhe specialistët e shëndetësisë. Ata sot bëjnë krenar çdo shqiptar. Suksesi i tyre përndrin edhe qiellin e zymtë të Shqipërisë sot. Mjekët tanë, këta heronjë gjigantë mbajnë barrën më të rëndësishme të fitores ndaj së keqes, të cilën qeveria e përvetëson si sukses të saj. Mjekët tanë janë heronj dhe meritojnë gjithë përuljen e qënies sonë për rrezikun, devotshmërinë, punën e palodhur, sakrificat, profesionalizmin dhe humanizmin e jashtëzakonshëm. Është e paktët të themi mirënjohje të thellë dhe falenderim për përkushtimin dhe sakrificat sublime. Asnjë fjalë e jona nuk e përshkruan dimensionin gjigand të këtyre heronjve. Mjekët shënojnë kohën tonë, ata shpëtojnë jetën tonë. Ata do jenë përherë të skalitur në memorien e shoqërisë dhe të kombit mbarë.